Albin Tahiri pas garës së fundit: Duhet të jem i kënaqur me rezultatin

Skiatori nga Kosova, Albin Tahiri, i cili është duke përfaqësuar Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore, ka garuar në dy pjesë për disiplinën e sllallomit, shkruan KultPlus.

Në disiplinën e sllallomit, në lëshimin e parë ai mori rezultat jo edhe aq të mirë, duke zënë vendin e 44-të nga 88 garues në total, kurse garën e përfunduan 52 sosh.

Albini pati kohën 1 minutë e 04.1 sekondë.

Në anën tjetër, Albin Tahiri ka zënë vendin e 37-të në disiplinën e sllallomit në Lojërat Olimpike Dimërore Pekini 2022.

Photo: GEPA pictures/ Harald Steiner

Tahiri përmes një postimi në llogarinë në “Facebook”, tha se duhet të jetë i kënaqur me rezultatin e sotëm.

“Duke qenë se nuk stërvitem fare për sllallomin, duhet të jem i kënaqur me rezultatin e sotëm. Bëra disa kthesa të forta, por përndryshe ishte një ditë tjetër lufte për të qëndruar në kurs”.

Albini garoi në katër disiplina. Në lëshim ishte i 35-ti, në kombinim alpin i 15-ti, në sllallom të madh i 30-ti. Kiana garoi në sllallom të madh dhe doli e 49-ta. /KultPlus.com

Ekipi Olimpik i Kosovës arrin në Kinë, gati për Lojërat Olimpike Dimërore

Pas një udhëtimi ‘maratonik’ Prishtinë – Stamboll – Pekin, ekipi olimpik i Kosovës ka arritur në Fshatin Olimpik në Yanqing të Kinës, transmeton KultPlus.

“Ekipi i është nënshtruar procedurave për Covid 19 në aeroportin ndërkombëtar të Pekinit dhe me të mbërritur në Fshatin Olimpik”, njofton Komiteti Olimpik i Kosovës përmes “Instagramit”.

Ekipi përbëhet nga skitarët Kiana Kryeziu e Albin Tahiri, trajneri Agim Pupovci dhe shefi i misionit, Bujar Turjaka.

Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin do të fillojnë nga 4 shkurt dhe do të zgjasin deri më 20 shkurt. /KultPlus.com

Mediumi amerikan shkruan për kualifikimin historik të Kiana Kryeziut: Hap gjigant për Kosovën

Skitarja nga Kosova, Kiana Kryeziu, do të përfaqësojë vendin e saj në Lojërat Olimpike Dimërore që do të zhvillohen në Pekin këtë vit, duke filluar më 4 shkurt, shkruan KultPlus.

Rreth kualifikimit historik të saj, mediumi amerikan Washington Post, i ka dedikuar një artikull, duke thënë se ky kualifikim është një hap gjigant për Kosovën.

“Gara në sllallomin e madh në Lojërat Olimpike të Pekinit do të jetë një hap gjigant për 17-vjeçaren Kiana Kryeziu dhe vendin e saj Kosovën”.

Kryeziu është sportistja e parë nga Kosova në Lojërat Dimërore, pasi ka përmbushur standardet kualifikuese gjatë garave të zhvilluara në Itali.

“Me të vërtetë nuk e prisja që do të ndodhte kaq herët”, tha Kryeziu për Associated Press. “Ishte një nga synimet e mia më të mëdha. Ishte një nga ëndrrat e mia dhe tani gjithçka po bëhet realitet.”

Kryeziu mbështetjen e saj kryesore financiare e ka pasur nga sponsorët, por është mirënjohëse edhe për ndihmën e federatës së skijimit të Kosovës, Komitetit Olimpik dhe Ministrisë së Sportit.

Po aq e rëndësishme, “vetëm një telefonatë larg” ishte mbështetja e babait dhe trajnerit të saj.

“Pjesëmarrja e saj në Olimpiadë është arritja më e madhe dhe, kushedi, çdo rezultat i mirë (është i mundur)”, tha trajneri i saj Agim Pupovci.

Visar Kryeziu, babai i Kianës, tha se arritja e saj në realizimin e Olimpiadës “na tronditi ne, si dhe gjithë kombin”.

Kryeziu ka filluar të garojë si skiatore rreth moshës 10 apo 11 vjeçare.

“Dhe pastaj rash në dashuri me të”, tha Kiana, duke e quajtur atë “pasion dhe lumturi” që nga atëherë.

Babai i saj, i cili është një fotograf për Associated Press, e pa potencialin.

“E pashë që nëse investoja 10% të kohës për të, kthimi ishte 110%,” tha Visar Kryeziu. “Sekreti pas tij është shumë punë, shumë përkushtim, pasioni për sportin”.

Trajnimi i saj i kushtoi shumë buxhetit të familjes, por mbështetja financiare nga sponsorët e lejoi atë të stërvitej në Austri dhe Itali vitin e kaluar.

Lojërat Olimpike Dimërore do të fillojnë më 4 shkurt, derisa Kiana Kryeziu pritet që të debutojë më 7 shkurt. /KultPlus.com

Foto: Visar Kryeziu (AP)