Para 22 viteve në Suharekë, paramilitarët serb masakruan 52 anëtarë të familjes Berisha, duke lënë të mbijetuar vetëm Gramoz Berishën i cili atëherë ishte vetëm 8 vjeçar, të ëmën e tij, Vjollca Berisha dhe gruan e axhës, Shyhrete Berisha, shkruan KultPlus.
Më 26 mars të vitit 1999, vetëm dy ditë pasi NATO filloi bombardimet kundër forcave serbe, u shënua dita më e tmerrshme e mundshme për familjarët të cilët vdiqën nga plumbat dhe mjetet eksplozive që u hodhën brenda një lokali të braktisur. Pasi ekzekutuan gratë dhe fëmijët që ishin në lokal, forcat serbe, ngarkuan trupat e tyre në një kamion dhe i nisën në drejtim të Prizrenit. Gramozi, nëna e tij, dhe familjarja tjetër, arritën që të kërcenin nga kamioni duke u bërë kështu tre të mbijetuarit e vetëm.
Historinë e familjes Berisha e kemi dëgjuar dhe lexuar shumë herë, por kujtimi dhe emocionet e familjarëve të ngushtë mbeten po të njëjta si ajo ditë e zezë. Ditën e sulmit, forcat serbe vranë gjithsej 52 anëtarëve të familjes Berisha ku 24 prej tyre ende mbesin të pagjetur, e në mesin e tyre edhe motra e Gramozit, Dafina e cila ishte vetëm 16 vjet.
Andaj edhe sot, Gramoz Berisha, përmes një postimi në facebook, ka dhënë lajmin që lokali ku janë vrarë familjarët e tij do të kthehet në muze, duke ruajtur kështu të gjallë kujtimin për ta.
Në këtë 22 vjetor të rënë për familjarët por edhe për Kosovën, hapja e lokalit muze do të bëhet në ora 09:40, ndërsa tutje në ora 10:00, do të vazhdohet për homazhe tek Kompleksi Memorial.
Ky përkujtim do të zhvillohet gjithmonë duke pasur parasysh masat anti-COVID. / KultPlus.com