Pas përfundimit të javës së modës në New York, parada globale e modës vazhdon me destinacionin e radhës, Londrën.
Në kuadër të muajit të modës në kryeqytetin britanik, disenjatorë e shtëpi të njohura të modës po i prezantojnë koleksionet e reja të veshjeve, “Vjeshtë/Dimër 2021”.
Për shkak të pandemisë së vazhdueshme të koronavirusit dhe kërkesave të nevojshme të sigurisë, ngjarjet e këtilla të cilat janë mjaft të rëndësishme për industrinë e modës dhe ‘fashionistat’ anembanë globit, gjatë vitit 2020 dhe 2021, pësoi ndryshime të dukshme në organizim, me mungesën e dukshme të publikut nëpër sfilata dhe prezantimet vetëm me anë të modeleve në skenë.
Por përtej kësaj, shfaqja e zakonshme e krijimtarisë dhe inovacionit në fushën e modës, nuk ka munguar.
Me fillimin e mbajtjes së sfilatave evropiane, shumë koleksione kanë arritur të lënë gjurmë tek adhuruesit e modës sivjet. Në mesin e disenjatorëve dhe shtëpive të modës të cilët nuk kanë zhgënjyer me krijimet e tyre janë: “Belstaff”, Emilia Wickstead, Erdem, “Burberry”, Jenny Packham, Simone Rocha, Victoria Beckham, Vivienne Westwood dhe të tjerë.
Ua prezantojmë disa prej kreacioneve të preferuara të ekspertëve të modës nga koleksioni “Vjeshtë/Dimër 2021”, të cilat besohet se do t’i dominojnë trendet e modës sivjet:
Shtëpia më e ngushtë në Londër, vetëm 1,7 metra e gjerë, është në shitje për më shumë se një milion euro.
E bllokuar në mes të një salloni parukerie dhe studios së një mjeku të përgjithshëm, pothuajse nuk mund ta shohësh, aq shumë e ngushtë është ajo.
Kjo rezidencë interesante me pesë kate në Shepherd’s Bush ishte fillimisht një dyqan kapelesh viktoriane, me depo për të ruajtur mallra dhe me banesa në katet e sipërme.
Një dremitje e së kaluarës së saj, shtëpia ka ruajtur dritaren e saj të vogël, të zbukuruar me një llambë në formën e një kapele.
Prona e çuditshme, fasada e së cilës formon një shirit të vogël blu të errët shumë diskrete në rrugë, sapo ka dalë në shitje dhe është vlerësuar në 950 000 stërlina (1,1 milionë euro).
Për David Myers, menaxher i shitjeve në agjencinë përgjegjëse të pronës, ky çmim shpjegohet me faktin se shtëpia, e ndërtuar në fund të shekullit të XIX ose në fillim të shekullit të XX, përbën një pjesë unike të historisë së Londrës.
“Ajo është paksa magjia e Londrës”, tha ai./atsh/ KultPlus.com
Filmi i metrazhit të shkurtër ‘Schauerfilm’ me skenar dhe regji të Lorena Sopit, ka fituar çmimin ‘Regjisorja më e mirë femër’ /Best Female Director/ në Cult Movies International Film Festival, i cili ka përfunduar mbrëmë në Londër, kryeqytetin e Mbretërisë së Bashkuar, përcjellë KultPlus.
Filmi njëzetë minutash me elemente të zhanrit fantastik trajton zhdukjet e çuditshme të studentëve në një shkollë të vjetër formë labirinti misterioz, rreth së cilës thuren tregime të çuditshme. ‘Schauerfilm’ që mban titullin e përdorur si parashenjë për ekspresionizmin gjerman të viteve të tridhjeta në kinematografi, është shpallur fitues për regjisoren më të mirë në kategorinë e filmit të shkurtër në edicionin e vitit 2021 në festivalin londinez i cili kishte në garë mbi 120 filma dhe i cili është mbajtur pjesërisht me audiencë e pjesërisht online për shkak të situatës me pandeminë COVID19.
Është ky çmimi i shtatë për këtë film nga 15 festivale ndërkombëtare në të cilat është shfaqur deri më tani.
Gjashtë në 10 muze britanikë i tremben faktit se nuk do të mund t’i mbijetojnë pandemisë së koronavirusit, theksoi sot shoqata Art Fund, duke dyshuar se kufizimi i tretë në Britaninë e Madhe do të përkeqësojë situatën e këtyre institucioneve që po luftojnë për mbijetesën e tyre.
Shoqata, e cila e nxjerr këtë vlerësim nga një sondazh i kryer në fund të vitit 2020, vëren në një njoftim për shtyp se izolimi i ri i cili hyri në fuqi në fillim të Janarit “rrezikon të rritet ndjeshëm kjo shifër” dhe të shohë disa muze “të mbyllura përfundimisht dyert e tyre”.
“Ky mbyllje e fundit është një goditje, e cila i detyron muzetë dhe galeritë tona të luftojnë për mbijetesën e tyre”, theksoi drejtori i shoqatës Jenny Waldman, duke u ankuar se disa muze të vegjël në veçanti, kaq thelbësorë për komunitetet tona nuk kanë rezervat e nevojshme.
“Pandemia na ka gjunjëzuar”, tha David Green, drejtoresha e muzeut të Londrës, Florence Nightingale, të cilës i është dashur tashmë të braktiste festimet e rëndësishme të planifikuara për dyqindvjetorin e tij vitin e kaluar.
“Nëse situata vazhdon, ne mund të bëhemi plotësisht të rrënuar financiarisht”, theksoi ajo duke shtuar se është e vështirë të thuash nëse do të jemi në gjendje të rihapim dyert tona. /atsh/ KultPlus.com
Si e ktheni një kishë të madhe, historike në një shtëpi luksoze?
Zhvilluesit e pronave kanë përgjigjen.
Të shpërndara nëpër Londër, këto kisha janë shndërruar në shtëpi spektakolare. Përmasat e tyre janë ‘lotuese’ për sytë, të shndërruara në zona kolosale për banim dhe tavane aq të larta sa një ndërtesë katërkatëshe. Dhe karakteristikat e tyre të veçanta janë të pafundme, nga harqet madhështore në dhomën e gjumit dhe altarët në banjë e deri te dhjetëra dritare të larta.
Por këto shndërrime duhet të jenë praktike gjithashtu, kështu që këtu mund të shikoni si shndërrohet një kishë e madhe historike në një shtëpi luksoze, të jetueshme.
Brian d’Arcy Clark, është drejtor i projektit në Savills, i cili po përfaqëson dy shndërrime të reja mbresëlënëse të kishëzave në Fulham. Shtëpia e Shën Gjonit, me çmim 15 milionë funte dhe shtëpia e Shën Markut, me çmim 20 milionë funte, janë në shitje. Kishat origjinale u projektuan më 1841 nga arkitekti Viktorian Edward Blore, i njohur për punën e tij në kompletimin e Pallatit Buckingham.
Shtëpia e ndërtuar në kishën e Shën Gjonit është dizajnuar për një familje të madhe, ndërsa ajo e Shën Markut është më tepër argëtuese. Blerësi i saj mund të jetë i ri, pa ngarkesa dhe përgjegjësi në jetë.
Të gjitha tiparet origjinale janë ruajtur, duke përfshirë dritaret, tavanet, gurët dhe tipare të tilla si shtyllat dhe çatitë. Por për plotësimin e nevojave të super të pasurve që do të jetojnë aty, çdo bodrum përmban një pishinë, palestër dhe një kinema.
Një tjetër kishë është Kisha e Shën Saviors e shkallës II, e cila është shndërruar në një shtëpi ultra-luksoze me shtatë dhoma gjumi, me çmim 44 milion funte. Është bërë një rimodelim, duke përfshirë një pishinë të madhe, palestër, kinema, dhomë me avull dhe sauna. Ekziston gjithashtu një zonë muzikore, një zonë pritjeje që mban deri në 12 persona në mënyrën më komode të mundshme dhe një zonë studimi që është më e madhe se dhomat e pritjes së njerëzve.
Chapel në Hampstead Manor është ende në treg prej disa vitesh. Joshëse, me hapësira të mbushura me objekte luksoze, që gjenden gjithmonë në shtëpitë e multimiliarderëve. Nuk janë humbur as këtu detajet origjinale arkitektonike, kolonat harqet, trarët si dhe xhamat.
Këto ishin disa nga kishat në Londër të cilat janë kthyer në ambiente super luksoze për të jetuar. /class/ KultPlus.com
Ishte vetëm fëmijë kur bashkë me familjen në vitin 1999, ikën për në Londër. Derisa filloi shkollën, gjuha dhe kultura shqiptare ishte e vetmja që e njihte, e tash pas dy dekadave, kjo gjë për Samedinën vetëm është rritur e ka marrë formë. U rrit në një frymë të kulturës e traditës shqiptare, që tash e sa kohë po e frymëzon artin e saj, shkruan KultPlus.
Samedina Curaj, një artiste shqiptare e cila jeton dhe vepron në Londër, ka filluar një koleksion veprash ku paraqiten portretet e grave shqiptare në kostumet e tyre tradicionale, të zonave të ndryshme. Curaj është tejet e lidhur me kulturën e rrënjët e saj, gjë për të cilën falenderon prindërit të cilët kanë bërë të mundur që ajo dhe vëllau i saj të mos harrojnë asnjëherë të parët e historinë e tyre. Në një intervistë për KultPlus, Samedina ka treguar më detajisht për portretet e saj, për jetën e saj si një artiste në zhvillim si dhe për lidhjen e saj me kulturën, traditën e kombin shqiptar.
‘Në shkollë kam mësuar për kulturën angelze e kulturat tjera në përgjithësi. Përgjatë viteve unë dhe familja ime kemi ndërruar shumë shpesh vendbanim dhe kur më në fund u vendosëm për të mos lëvizur më, në atë vend nuk është se kishte shumë shqiptarë, mirëpo prindërit gjithmonë siguroheshin që ne të mos harronim rrënjët tona. Vizitonim Shqipërinë pothuajse çdo vit, ku takoheshim me familjarë e mësonin më shumë se si ishin rritur prindërit tanë’, kështu fillon rrëfimi i Samedinës për KultPlus.
Janë lidhjet e forta shpirtërore ato që ndikojnë më së shumti në artin e secilit. Samedina fillimisht tregon t’i ketë pëlqyer kënaqësia që ngjyrat dijnë të falin. Ndërkaq më vonë, lidhja me gruan shqiptare është forcuar. ‘Mundohem të portretizojë ato gra në mënyrë sa më origjinale, jam shumë precize në atë drejtim. Më pëlqen t’i pikturojë në veshjen e tyre origjinale, me emocionet që falin ato, duke i falur sigurisht edhe stilin tim artistik. Më pëlqen që t’iu jap jetë përmes ngjyrave të mija’, shprehet Samedina.
Për Samedinën është e mahnitëshme mënyra se si këto gra duken. Ajo mahnitet nga ngjyrat e veshjeve kombëtare të tyre, nga fakti se si secila zonë ka veshjen e vet. Ndër të tjera e çmon shumë faktin se sa vlerë të madhe bartin këto veshje në historinë shqiptare.
‘Për mua është shumë e rëndësishme të shpalos kulturën time në artin tim. Dhe si një artiste me një audiencë me mjaft diversitet, është ndjenjë e mirë kur e shpërndan kulturën tënde me të tjerët. Dhe, të jesh një vajzë shqiptare me një uri të madhe për sukses, kjo gjë veçse fillon e bëhet më e rëndësishme’, shprehet tutje Samedina për KultPlus.
Qëllimi kryesor që përthëkon artin e Samedinës në përgjithësi, ka të bëjë me krijimin dhe realizimin e gjërave që ajo i don shumë, që për të kanë rëndësi të madhe, duke arritur kështu të ndikojë edhe tek të tjerët që njohin artin e saj. ‘Qëllimi tjetër për mua, është që të largojë stereotipin se ‘Arti’ nuk është karrier dhe kjo ka të bëjë me të gjitha fushat e artit. Përderisa e ke një pasion që të shtyn drejt artit tënd, suksesi do të vijë ashtu si në çdo fushë tjetër’ deklaron Samedina.
Samedina Curaj, një vajzë 21 vjeçare, e cila është studente e arkitekturës në Londër, me punën e saj të jashtëzakonshme ka filluar të njoftojë edhe më shumë publikun ndërkombëtar mbi traditat e kulturën shqiptare, duke vënë në fokus gruan shqiptare. Gruaja dhe kostumi kombëtar, një simbol sakrifice që e karakterizon kombin tonë tash e sa shekuj, ka filluar të marrë jetë e të frymojë ndryshe përmes artit, brushave e ngjyrave të Samedinës.
Ndër të tjera, Samedina ka treguar për KultPlus se nuk ka planifikuar akoma një ekspozitë ku do të shfaq të gjitha punimet e saj, mirëpo sigurisht se është në planet e saj për të ardhmen. / KultPlus.com
Gjatë shekullit të tetëmbëdhjetë, studimi i mjekësisë ne Britani ishte e ndaluar për vajzat. Në ato kohë, Margaret Ann Bulkley ëndërronte të bëhej mjeke, gjë e cila ishte e ndaluar nga forca e zakonit dhe ajo e ligjit njëherësh.
Me qëllim që të përmbushë ëndrrën e saj për tu bërë mjeke, ajo u detyrua të marrë identitetin e të vëllait James Barry dhe u vesh me rroba që ia mbulojnë identitetin e saj femëror. Me mimikën e saj femërore, një hundë të vogël dhe të rrumbullakët dhe sy që mbartnin shikime plot dhembshuri e butësi, Margaret hoqi dorë nga identiteti i saj femëror duke e fshehur atë brenda veshjeve burrërore. I duhej të pranohej patjetër të fakultetin e mjekësisë. Ashtu ndodhi.
U pranua dhe u diplomua në universitetin e Edinburgh, gjë e cila i mundësoi më pas të hedhë hapa konkrete në fushën të cilën e kishte pasion, duke u bërë një kirurge me famë asokohe. Ajo shërbeu dhe në ushtri, ku Perandoria Britanike e dërgonte me shërbim në të gjithë kolonitë e saj, duke nisur në Afrikën e Jugut, Indi etj.. ku u shërbente të sëmurëve dhe trajnonte stafet mjekësore atje.
Falë punës së saj asaj iu dha dekorata më e lartë që mund ti jepej një funksionari të mjekësisë në ushtrinë britanike. Falë zbulimit të rolit të higjienës personale në ruajtjen nga sëmundjet, ajo pati kontribut të drejtpërdrejtë në shërimin e shumë të sëmurëve, numri i të cilëve ishte tepër i madh. Ajo arriti të kufizojë përhapjen e kolerës dhe të lebrozës, të cilat korrnin mijëra jetë njerëzish në Afrikë.
Ajo ishte kirurgia e parë që bëri ndërhyrjen e suksesshme cezariane, pas te cilës jetoi edhe nëna edhe foshnja.
Margaret jetoi për pesëdhjetë vite me veshjen mashkullore, 46 prej të cilave i kaloi mes ushtarakëve në ushtrinë britanike. Askush nuk e zbuloi dot identitetin e saj apo të dyshojë në të, veçse pasi ndërroi jetë. Vetëm kur vdiq në vitin 1865, stafi mjekësor e zbuloi se mjeku i tyre i famshëm ishte një femër në kuptimin e plot të fjalës, e cila kishte arritur ta fshehë identitetin e saj seksual përgjatë gjithë atyre viteve. Falë saj, vajzave iu lejua të studiojnë mjekësinë dhe ta ushtrojnë si profesion në mbarë Britaninë.
Fotografi me famë ndërkombëtare, Spencer Tunick, ka realizuar fotografi nudo në “Alexandra Palace” të Londrës.
Rreth 200 vullnetarë, morën pjesë në një tubim të mbajtur gjatë mëngjesit të së shtunës, përveç maskës ata nuk mbanin rroba, përcjell BBC.
Tunick tha se krijimi i një pjese tërheqëse të syve ishte “çliruese dhe joformuese” dhe kishte të bënte me”thyerjen e barrierave”.
Pjesëmarrësit qëndronin të paktën një metër larg dhe kishin të kontrolluar temperaturën para se të bëheshin pjesë e tubimit.
“Ndërsa pandemia ka paraqitur sfida për sektorin kulturor, ne kemi parë gjithashtu një mori inovacioni në art, dhe mijëra njerëz kanë krijuar veprat e tyre artistike ose të rilidhura me aftësitë e tyre artistike”, ka thënë fotografi. / KultPlus.com
Një nga emrat më aktiv në muzikën korale në Kosovë, kompozitori dhe dirigjenti Memli Kelmendi ka një opus të pasur sa i përket kompozimeve të veprave, shumë prej tyre janë luajtur në vende të ndryshme të botës, e të tjera po presin që shumë shpejt të dëgjohen në skena të mëdha, shkruan KultPlus.
Vepra “Dies Lunae” për piano, e selektuar në konkursin “7 Notes in 7 Days at 7pm” do të interpretohet të hënën si premierë botërore nga pianistja e njohur Maria Marchant (Award-winning concert pianist). Vepra do të interpretohet në Blüthner Piano Centre, Londër më 17 Gusht në ora 19:00.
Maria Marchant është pianiste e vlerësuar lartë nga BBC, A BBC Music Magazine Rising Star, ‘In Tune’ and ‘Record Revieë’, WMNR Radio, Classic FM dhe kritikë të shumtë të muzikës si; Roderick Williams, OBE, Graham Rickson, Arts Desk, Nick Barnard, Music Web-International etj.
Maria Marchant ka interpretuar në vendet më të njohura të vendit dhe jasht saj duke u bërë kështu fituese e shumë garave për piano. Ajo gjithashtu fitoi Medaljen e Artë dhe Prmimin e Parë në Konkurrencën Ndërkombëtare Hindemith, Berlin, dhe u zgjodh si artiste në skemat Concordia, Tillett Trust dhe Park Lane Group që rezultuan në paraqitjet Wigmore dhe Southbank.
Pikërisht kjo pianiste, tashmë do të luaj një ndër veprat e kompozitorit shqiptar, i cili teksa ka ndarë lajmin me ndjekësit e tij në Facebook, është shprehur tejet i lumtur për këtë fakt. / KultPlus.com
Një prej autoportreteve të Rembrandtit, i ruajtur nga një dashamirës arti, u vu sot në shitje nga shtëpia e ankandeve ”Sotheby’s” për 12-16 milionë sterlina (13-18 milionë euro).
Tabloja, me përmasa 15×20 centimetra, nënshkruar nga mjeshtri flamand dhe që daton që prej vitit 1632, e tregon atë në moshën 26-vjeçare, i veshur me të zeza, me një kapelë dhe një jakë të madhe prej dantelle të bardhë.
Autenticiteti i tablosë u vërtetua vetëm në vitin 1996, pas një analize që tregonte se ajo ishte realizuar në të njëjtin dru lisi si te portreti i bërë nga Rembrandti i mikut të tij, Maurits Huygens.
Sipas George Gordon nga ”Sotheby’s”, veshja zyrtare, e pazakontë në mesin e dhjetëra portreteve të artistit, sugjeron se ai mund të ketë dashur të tregojë veten në ditën e tij më të mirë, ndërkohë që po përpiqej të pëlqehej nga muza dhe bashkëshortja e tij, Saskia van Uylenburgh, me qëllim për të bindur prindërit e saj se ai ishte i duhuri.
Realizuar vetëm pasi u transferua në Amsterdam, tabloja ka mundur të shërbejë gjithashtu si kartëvizitë dhe për t’u treguar klientëve të mundshëm situatën e lulëzimit të piktorit./ atsh/ KultPlus.com
Protestues të grupit të të drejtave civile të njerëzve me ngjyrë ‘Black Lives Matter’ mbushën sheshin e Parlamentit në Londër megjithë lutjet e ministres së shëndetësisë për të qëndruar në shtëpi si shkak i pandemisë.
Protestat shënuan fundjavën e dytë të demonstratave të ndezura që prej vdekjes së afro-amerikanit të paarmatosur George Floyd në SHBA javën e kaluar.
Demonstruesit rrethuan selinë parlamentare të Westminster një ditë pasi qeveria i kërkoi të ruanin rregullat e distancimit social duke mos u grumbulluar në grupe më të mëdha se gjashtë njerëz.
Dy herë kampioni i boksit Anthony Joshua iu bashkua protestuesve në Watford në veri të Londrës , teksa ecte me paterica e mbante veshur një bluzë me mbishkrimin: ‘Black Lives Matter.’ Joshua kishte vënë një priotezë në këmbë si masë mbrojtëse ndaj një ndrydhjeje javës që shkoi. /KultPlus.com
Vepra “Trio” e Kreshnik Aliçkaj dhe “Optio” e Memli Kelmendit, do të jenë veprat që do të interpretohen premierë botërore nga Willingdon House Music Londër, përcjellë KultPlus.
24 kompozitorë nga mbarë bota u janë përgjigjur thirrjes së aplikimit WHM (RE) Inventions, New music, për shkak të numrit të madh të veprave selektive, koncerti do të mbahet në dy ditë.
Koncerti i parë, “Optio” e Memli Kelmendit do të interpretohet të premten me 29 maj në ora 19:30 ndërsa koncerti i dytë, vepra “Trio” e Kreshnik Aliçkaj do të interpretohet të premten me 5 qershor në ora 16 :30.
Willingdon House Music është ansambël profesional në përbërje nga: Flavia Hirte, Nicola Barbagli, Ellen Bundy and Max Mausen, të cilët njihen për interpretimin e veprave që nga periudha e barokut (instrumente të barokut) deri tek muzika bashkëkohore. / KultPlus.com
“L’Echo de
Paris” ka botuar, të hënën e 5 majit 1913, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me intervistën ekskluzive
të Isa Boletinit, të zhvilluar asokohe në Londër, ku si përkthyes i ka shërbyer
Luigj Gurakuqi, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat –
Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Bisedë me shefin shqiptar Isa Boletini
Londër, 4 maj.
E kam takuar
Isa Boletinin në një nga hotelet e mëdha në Londër, i ulur para një filxhani
çaji, i patundur, me një cigare në gishtat e tij. Rreth tij, anëtarët e
qeverisë së përkohshme shqiptare të veshur me pardesy prej mëndafshi. Me këtë
stil, ata mund të ligjërojnë në “House of Commons”. Isa Boletini, edhe në
zemër të civilizimit, nuk e hoqi kostumin e tij prej malësori luftarak. Ai mban
plisin e bardhë, traditë për të gjithë bashkatdhetarët e tij.
Për të
mashtruar disi kureshtjen e publikut, ai veshi një pardesy gri krejt
perëndimore, por veshja kombëtare përsëri dukej : këmisha blu dhe jeleku
(xhamadani), rripi i gjerë dhe pantallonat që i ngjiten nga afër pjesës së
prapme të këmbëve. Një strukturë kockore, shumë e gjatë dhe e harkuar, mbart
fytyrën, e pjekur dhe të djegur nga dielli, mbi të cilën shkëlqen një sy mjaft
i mprehtë. I tillë është njeriu, i cili, me përsosmëri, përfaqëson Shqipërinë
luftarake, atë, që e palodhur dhe prej shekujsh, ka zbritur nga lartësitë për
të dëbuar gjithnjë e më larg serbin, grekun dhe bullgarin; ajo që, nesër, do të
sulmojë ushtarët evropianë, qofshin në shërbim të koncerteve (planeve) apo
interesave austro-italiane.
Shqiptarë të
tjerë kanë pasur sukses në Yildiz – Kiosk, në poste të larta publike, por ky
njeri përfaqëson shumë më mirë tokën shqiptare, të cilën kurrë nuk ka dashur ta
braktisë, dhe që, edhe sot, në këtë hotel të madh perëndimor, ka një marshim të
dhimbshëm dhe gjeste të ngadalta të kujtdo që ngjit një lartësi dhe mbart armë.
Z. Luigj
Gurakuqi, një katolik nga Shkodra, anëtar i qeverisë së përkohshme të Vlorës,
pranon të më shërbejë si përkthyes.
E pyes Isa
Boletinin :
— Në çfarë
moshe keni filluar të luftoni ?
— Në
moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare. Unë jam dyzet e shtatë vjeç sot. Domethënë,
tridhjetë vjet luftë. Kam lindur në fshatin Boletin, afër Mitrovicës. Armiqtë e
mi të parë ishin serbët dhe malazezët. Ishte për të zmbrapsur bastisjet e tyre
që pak nga pak fitova besimin e bashkatdhetarëve të mi dhe u bëra shef klani.
— Ju keni
pasur marrëdhënie të mira me turqit e regjimit të vjetër ?
— Ndonjëherë
ndoshta disa mosmarrëveshje; por, në përgjithësi, nuk kemi shkuar keq. Sulltani
Hamid e dinte se çfarë vlere kishte një shqiptar; në vitin 1902, ai më thirri
pranë tij, më vuri në krye të gardës së tij shqiptare dhe më dha titullin bej.
Isai me jep
këto detaje copëza-copëza që i lë të dalin një nga një.
— Në
Shqipëri, tha ai, njerëzve nuk u pëlqen të flasin për veten; kjo është në
kundërshtim me zakonet.
—
Fatkeqësisht ! iu përgjigja, në Perëndimin tonë, të mos flasim për veten është
gjithashtu në kundërshtim me zakonet.
I ardhur në
Londër për t’i shërbyer vendit të tij, Isai, nga Boletini, e pranon reagimin
tim.
Për dy orë,
ai u përgjigj pyetjeve të mia biografike, duke thënë herë pas here: “Kam
vuajtur aq shumë sa nuk mund të them gjithçka !”
Pasi qëndroi
për katër vite pranë sulltan Abdul-Hamidit, beu i ri u kthye në Shqipërinë e
tij. Ai jetonte prej tre vitesh në kullën e tij afër Mitrovicës kur ndodhi
lëvizja xhonturke. E dimë se, gjatë një takimi në Ferizaj, më 15 korrik 1908,
delegatët shqiptarë e pranuan Kushtetutën. U kishin thënë se ishin të lirë ndaj
pushtetit qendror, efektet e të cilit nuk është se ndiheshin atje.
— Nuk e
lashë veten të mashtrohem, thotë Isai. Unë nuk kam qenë në Ferizaj.
— Pse ? A i
njihnjit turqit e rinj ?
— Vetëm
disa.
— A keni
pasur marrëdhënie të këqija me ta ?
— Jo !
marrëdhënie të mira. Megjithatë, nuk kisha besim tek ata. Burrat e regjimit të
ri nuk më falën për abstenimin tim. Të ngarkuar për nënshtrimin e të gjitha
elementeve armiqësore, komandanti i Mitrovicës, Xhavit pasha, përmes meje,
vendosi të fillojë serinë e ekzekutimeve të tij. Ai, pa asnjë paralajmërim,
rrethoi kullën time, nga e cila familja ime mezi arriti të dilte. I kapur në
befasi, kisha vetëm 20 burra rreth meje. Nga këta 20 burra, 12 u vranë. 8 të
tjerët, përfshirë edhe mua, qemë në gjendje të shpëtonim por të mbuluar nga
plagët.
Duke rrëfyer
këtë arritje, shefi shqiptar tregon shpatullën e tij të majtë të enjtur. Ishte
e shpuar nga njëra anë në tjetrën. Shoh që në dorën e tij të majtë mungon
gishti i mesit.
— E ka marrë
Xhavit pasha ?
Isai
buzëqeshi me përbuzje :
— Jo.
Aksident i thjeshtë gjatë rinisë.
Natyrisht,
kjo nuk llogaritet. Që ky gjigant i zhdërvjellët dhe esmer të rrëzohet për
tokë, do të duhej të vritej shtatë herë, si një mace. Ai vazhdon :
— I detyruar
të largohem nga Mitrovica, u strehova afër Pejës. Xhaviti arriti shpejt me pesë
batalione, duke djegur të mbjellat dhe kullat. Pasi u mundova të luftoj me
aq sa munda, u strehova te malsorët e Gjakovës. Rezistenca u organizua, betejat
e Lumës dhe Rugovës u mësuan shtypësve modestinë. Në pranverën e vitit 1909, të
thirrur për arsye të ngjarjeve të Kostandinopojës, ata u larguan. Kjo ishte për
t’u kthyer një vit më vonë, nën urdhrat e Shefqet Turgut pashës. Këtë herë,
erdhën për të ndëshkuar lëvizjet shqiptare në krahinën e Kosovës. Ne luftuam në
Kaçanik, të shpërndarë, kurrë të mposhtur. Pastaj, kam gjetur azil në Mal të
Zi.
— Çfarë
mendoni për mbretin Nikolla ?
— Ai më ftoi
disa herë në tavolinën e tij, duke më bërë të ulem pranë mbretëreshës. Më
mbetet vetëm ta falënderoj atë dhe popullin e tij. Pasi paqja u rivendos, u
ktheva në fshatin tim të lindjes Boletin, më mungonte vendlindja. Unë qëndrova
në heshtje për një vit të tërë dhe nuk mora pjesë në kryengritjen e malësorëve
të Shkodrës dhe në kuvendin e Berçës, i cili hartoi statutin e lirive
shqiptare. Isha akoma në Boletin në gusht, kur sulltani erdhi të vizitojë
fushën e betejës së Kosovës, ai më ftoi të shkoj. Nuk pranova. Mësova se ishte
i shoqëruar nga Haki pasha dhe Mahmud Shefqeti. E dija si njeri pa vullnet,
mendova se ishte e kotë të shkoja e ta shihja. Një vit më pas, unë mora
drejtimin e kryengritjes së madhe, e cila na çoi radhazi në Pejë, Gjakovë,
Prishtinë dhe Shkup. Hyra me në krye ushtarët e mi. Kështu arrita qëllimin e
përpjekjeve të mia : të siguroj ekzistencën kombëtare të Shqipërisë, të
kërcënuar nga Turqit e Rinj. Ne ishim duke përfunduar një marrëveshje me Gazi
Muktar pashën (Ahmed Muhtar Pashën) kur papritmas deklarata e luftës së
aleatëve shpërtheu.
— Duke pasur
parasysh zgjedhjen midis serbëve, me të cilët keni luftuar tërë jetën, dhe
turqit, të cilët i keni luftuar për pesë vjet, çfarë bëtë ?
— Unë
kërkova armë në Kostandinopojë; me të vërtetë, të gjithë njerëzit e mi i kishin
çarmatosur. Këto armë m’u refuzuan. Unë luftova me mundësitë që pata, duke u
tërhequr nga Mitrovica në Dibër, Elbasan dhe Vlorë. I emëruar kryetar i
milicisë së formuar nga qeveria e përkohshme, m’u desht të ndërhyja për të
larguar grekët nga Himara. Ndërsa vizitova jugun e Shqipërisë, vura re se të
gjithë shqiptarët janë vëllezër; isha shumë i lumtur. Tani kam ardhur për të
kërkuar drejtësi në Europë.
— A do t’i
pranoni kufijtë e rinj që kanë vendosur ambasadorët ?
— Kurrë.
Është një dhimbje e madhe për mua që vendi im Kosova është ndarë nga Shqipëria.
Shqiptarët nuk do t’i nënshtrohen kurrë me qetësi zgjedhës serbe.
— A do ta
ndaloni hekurudhën tregtare që i është dhënë Serbisë ?
— Trazirat
do të jenë të pandalshme.
— Çfarë
mendoni në lidhje me një pushtim italo-austriak ?
— Për sa
kohë që nuk ka drejtësi, dhe ndërsa Mali i Zi dhe Serbia vazhdojnë të aneksojnë
vendet shqiptare, Italia dhe Austria mund të jenë pjesë e kësaj loje. Kam
ardhur këtu për të protestuar si një përfaqësues i Kosovës, si një delegat i
qeverisë së Vlorës. Tërë jetën time, unë do të luftoj serbin, malazezin,
grekun, italianët, austriakët, deri në çlirim ose vdekje.
Duke thënë
këto fjalë, Isai merr flakë dhe lëviz. Ai përsërit të njëjtën fjali tri ose
katër herë. Ka frikë se unë nuk i kam shënuar mirë fjalët e tij.
Ndërsa unë e
kam lënë tashmë të qetë, ai ngrihet dhe nxiton drejt meje :
— Ajo që
thashë është e vërteta. Nëse dikush pretendon ndryshe, unë jam këtu për t’iu
përgjigjur atyre.
Ndërsa largohem, mendoj për të ardhmen që pret Isain dhe arnautët e tij krenarë. I krijuar për luftë, i papërshtatshëm për çdo punë tjetër përveç asaj të pushkës; i ushqyer në idhtësinë fisnike të armëve, kur ai të ketë luftuar mirë kundër ndërhyrësve të rinj, pa dyshim malli për vendlindjen do ta kthejë sërish në kullën e tij në Boletin, në Serbi; ai do të shohë njerëzit (rayas), që, dikur, kur takonin shefat shqiptarë, zbrisnin me përulësi nga gomerët e tyre, të kalojnë tashmë para tij duke e shikuar në sy; ai do t’i shohë djemtë e tij të bëhen gjithnjë e më pak luftëtarë dhe gjithnjë e më shumë fshatarë; udhëtuesit shitës dhe sllavët do të qarkullojnë me mallrat e tyre në këtë vend, i çelur më parë vetëm për vendasit (autoktonët). Ata do ta tregojnë me gisht plisin e tij të bardhë dhe jelekun e tij blu. Isai do të flasë me veten se fundi i botës ka mbërritur. Europa do të ketë humbur racën e saj më bukur ushtarake. — A. C
Një mjuzikëll i ri i inspiruar nga jeta dhe muzika e legjendës së zhanrit reggae, Bob Marley, do të debutojë në Londër vitin e ardhshëm.
Shfaqja muzikore me titull “Get Up, Stand Up!” do të debutojë në skenën e teatrit “Lyric Theatre” nga 6 shkurti i vitit 2021, pikërisht në ditën kur muzikanti i ndjerë do ta shënonte ditëlindjen e 76-të, transmeton Koha.net.
Historia e ngritjes së Marleyt drejt suksesit po inskenohet nga dyshja e shpërblyer me çmim “Olivier”, Lee Hall dhe regjisori Dominic Cooke, ndërsa aktori dhe dramaturgu Arinzé Kene do ta luaj rolin e Marleyt në këtë projekt.
Duke e përshkruar mjuzikllin i cili to t’i përfshijë hitet klasike të këngëtarit si, “Three Little Birds” dhe “No Woman No Cry”, Kene tha: “Ndihem i nderuar që do të kem mundësi ta portretizoj këtë rol. Për mua, jo vetëm që është kënaqësi e veçantë ta shpërndaj mesazhin e Bob Marleyt edhe më shumë, por mundësia për ta portretizuar atë për një kohë, është një ëndërr e kamotshme e imja e shndërruar në realitet. Jam rritur me muzikën dhe këshillat e tij, dhe lirisht mund të them se Marley ka qenë një shembull për mua që nga fëmijëria. Ndjej sikur e kam brenda në AND. E dua atë vërtetë shumë”.
Edhe anëtarët e familjes së këngëtarit legjendar, përfshirë këtu vajzën e tij Cedella Marley, e kanë mirëpritur realizimin e këtij mjuziklli duke deklaruar se janë të lumtur që do ta sjellin historinë e tij te gjeneratat e reja.
Biletat për shfaqjen “Get Up, Stand Up!” do të dalin në shitje nga 21 prilli i këtij viti. / KultPlus.com
Bendi britanik i rockut, “The Who”, është bërë i pari që është nderuar me pllakë në shtegun “Music Walk of Fame” në Londër të martën, gjatë zbulimit të një atraksioni të ri kulturor në stilin e trotuareve me yje të Hollywood Boulevard.
Pas prezantimit të gurit themeltar të Walk, dy anëtarët e mbijetuar të “The Who”, Roger Daltrey dhe Pete Townshend pozuan pranë pllakës së tyre, në formën e pllakës muzikore, të shtruar në rrethin e njohur të Londrës, Camden, shkruan KOHA Ditore.
Music Walk of Fame do t’i nderojë artistët dhe të tjerët që punojnë në industri në një seri zbulimesh midis Roundhouse dhe ambienteve të performancës Koko në rrethin e veriut të Londrës që është i njohur për muzikantët.
“Camden ka qenë gjithmonë jetik për skenën e muzikës në Londër dhe, siç e dimë të gjithë, një qendër me famë botërore për artet”, thanë The Who në një deklaratë.
“Si londinezë, është shumë surreale të jesh i përjetësuar në gur në Camden High Street, dhe është diçka e madhe kur e di se njerëzit mund të vijnë dhe të na shohin në çdo kohë, megjithëse virtualisht”.
Çdo vit do të vendosen deri në 20 gurë, thanë organizatorët, ndërsa të nderuarit, të zgjedhur nga një panel, do të jenë nga disa kategori: ikonë, novatorë, frymëzim, industri, hero i panjohur dhe artist i vitit.
Një aplikacion i dedikuar do t’ua mundësojë vizitorëve të mësojnë më shumë rreth historisë së industrisë së muzikës. / KultPlus.com
Muzeu britanik është në përgatitje e sipër, për t’i hapur një ekspozite shumë të veçantë për lashtësinë, nga qyteti antik i Trojës.
Ekspozita “Troja: Miti dhe Realiteti” përmban rreth 300 artefakte në një galeri speciale, nga 21 nëntori për të treguar historinë e qytetit.
Vazo, enë prej argjendi, armë bronzi, statuja dhe sarkofagë janë ndër artikujt që do të ekspozohen, shumica prej tyre huazuar nga Muzeu i Berlinit, Muzeu Ashmolean i Britanisë dhe Muzeu Kombëtar danez.
Shumica prej artefakteve janë sjellë kontrabandë nga Turqia, nga arkeologu dhe biznesmeni gjerman Heinrich Schliemann, në shekullin e 19-të.
Ekspozita do të paraqesë gjithashtu, kopje të dy pjesëve të shekullit të 19-të nga një pasuri bizhuterish prej ari, që po ashtu u kontrabanduan nga Troja dhe ekspozohen në Muzeun Pushkin të Moskës.
Artefaktet do të përfshijnë vepra nga epoka romake dhe më vonë, nga qyteti antik, ku zuri fill “lliada” dhe “Odiesa” e Homerit.
Lesley Fitton, kurator i ekspozitës, vuri në dukje shekljen me kontrabandën e artefakteve nga Troja në Greqi, kjo siç e theksuam më lart, nga gjermani Schliemann.
Duke folur për AA, Fitton tha se arkeologu gjerman asnjëherë nuk ka pasur leje të nxirrte artefaktet nga Turqia dhe ishte ndaluar të gërmonte në vend, por më vonë u lejua ta bënte përsëri pasi të paguante një gjobë.
Artefaktet ishin në Athinë, por ai të gjitha ato i dhuroi në Muzeun e Berlinit, tha ajo, duke shtuar disa copa ari siç janë bizhuteritë e Helenës dhe “Thesari i Priam” u dërguan në Rusi pas Luftës së Dytë Botërore dhe u zhdukën deri në vitet 1990.
“Këtu lindin pyetje mjaft komplekse etike, se ku duhet të jenë këto objekte me vlerë historike”, është shprehur ajo. Ekspozita do t’i presë vizitorët nga mbarë bota, deri më 8 mars të vitit 2020./ KultPlus.com
Disa anëtarë nga publiku u plagosën pasi çatia e Teatrit Piccadilly në Londrën qendrore u rrëzua mbi ta, mbrëmjen e djeshme.
Auditori West End u desh të evakuohej në vetëm 20 minuta ndërsa luhej vepra “Death Of A Salesman” pasi një pjesë e tavanit ra mbi anëtarët e audiencës.
Pesë spektatorë pësuan lëndime të vogla pas incidentit dhe dëshmitarët treguan se dëgjuan ulërima nga njerëzit që ishin ulur afër vendit ku ra tavani.
Më shumë se 1.000 njerëz u evakuuan nga vendi, tha Policia. / KultPlus.com
Një mural i Banksyt, i mbuluar gjatë muajve të fundit nga rrethojat dhe skelet e ndërtuesve, është zbuluar të hënën në zemër të zonës Notting Hill në Londër.
Vepra – e njohur me emra të ndryshëm, si “Graffiti Painter”, “The Painter” apo “Velazquez” – shfaq një artist, që mendohet të ketë qenë piktori spanjoll Diego Velazquez, me një këmbalec ku shkruan “Banksy” me shkronja të mëdha të kuqe.
I bërë në një cep të rrugës “Acklam” dhe Portbello në vitin 2008, murali ishte mbuluar pasi zhvilluesi “Enstar Capital” nisi të ndërtonte aty banesa luksoze.
“Është një veçanti e bukur për ndërtesën dhe një veçanti e bukur në Notting Hill që ka ruajtur londonicitetin e vet”, ka thënë për “Reuters” drejtori ekzekutiv i “Enstar Capital”, Simon Lyons.
“Një prej arsyeve pse e bleva ndërtesën ishte se aty ndodhej Banksy – ai i jepte një profil ikonik. Kështu që derisa mendoj se çmimet për Banksyn janë të pakuptimta, mund të thuhet se një njëfarë mënyre unë isha adhurues”.
Enstar në fillim kishte dashur të lëvizte Banksyn, por më pas kishte vendosur se kjo do të ishte tejet e rrezikshme, kështu që murali kishte mbetur në të njëjtin vend dhe ishte vënë nën ndriçim e ishte mbështjellë me xhama.
Banesat luksoze në këtë vend janë në vlerë prej së paku 950 mijë paundësh (1.2 milionë dollarësh) për një dhomë gjumi, ka thënë Lyons.
“A do të doja që të vinte Banksy e ta bënte atë në ndërtesën ku unë jetoj? Me gjasë jo”, ka thënë Lyons/ Reuters / KultPlus.com
Gjuha Shqipe mbetet me peshë të madha për të gjithë ata që emigruan jashtë. Shumë familje shqiptare të shpërndara nëpër botë, sot kujdesen që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën e të parëve. Në këtë aspekt po punohet shumë nga grupe e shoqata të ndryshe të cilat po arrijnë të hapin shkolla e klasa plotësuese për nxënësit shqiptar, shkruan kultPlus.
Një shkollë
e tillë është hapur edhe në Londër. Në mjediset e shkollës angleze
St.Augustine’s CE Hight School, Kilburn në Londër ka nisur të mbaj mësim në
gjuhën shqipe shkolla “Ardhmëria”. Çdo ditë nga ora 11:00 deri në ora 14:00 në
këtë shkollë mbahet mësim plotësues në gjuhë shqipe.
Mësuesja Anila
Kadija e cila punon me klasën e abetares, për grupmoshat 5 deri 8 vjeç dhe mësuesja
Aida Haziri e cila punon me klasën e të rriturve, grupmoshat 9 deri 15 vjeç, si
dhe mësuesja ndihmëse Klodiana Gjona janë shprehur që përkushtimi i tyre që këta
nxënës të mësoj gjuhën shqipe do të jetë i pakufizuar.
Në ditën e parë, me 21 Shtator 2019, pasi drejtor Lutfi Vata bëri përshëndetjen
e rastit dhe një prezantim të shkurtër rreth projekteve që ka kjo shoqatë,
mësimi ka nisur rregullisht.
Prindërit janë
njoftuar me rregulloren e shkollës dhe përmbledhjen e programit, si dhe me çdo aktivitet
që do të mbahet aty.
Shkolla ju
ofrua familjeve falas.
“Në klasën e abetares fëmijët u njohën me njëri-tjetrin duke u shprehur në gjuhën shqipe. Më pas u njohën me librin e abetares, të cilin e shfletuan me kujdes dhe zgjodhën faqen e preferuar, në mënyrën vizive. Çdo njëri prej tyre motivoi përzgjedhjen e preferuar me një përshkrim në shqip. Kjo ndihmoi në përcaktimin e nivelit të klasës dhe krijoi një panoramë më konkrete për punën e diferencuar e cila do të bëhet nga mësuesia në të ardhmen. Pas kësaj njohje u përgatit nga të gjithë nxënësit e klasës së abetares një vizatim didaktiv mbi ditën e parë të shkollës”, kanë njoftuar nga shkolla. / KultPlus.com
Kabinat e kuqe telefonike, të cilat janë simbol i Londrës, për herë të parë u prezantuan në vitet e njëzeta të shekullit të kaluar, në mënyrë që të kenë qasje të gjithë njerëzit në telefon.
Sot këto kabina pothuajse nuk janë më të nevojshme për shkak të rritjes së teknologjisë celulare, por edhe gjendjes së keqe në të vilën ndodhen. Grupi i qytetarëve në Londër, për fat të mirë, ka vendosur t’i riparojë ato.
“Meqë kabinat janë shenja jonë mbrojtëse, ato nuk duhet të jenë të ndyra dhe të ndotura me grafit. Pyesja veten pse nuk duhet t’i pastrojmë. Sapo pashë një në gjendje shumë të keqe, dhe u ndjeva sikur pashë një të afërm të moshuar që vuan nga dhimbja”, tha Emily, një nga qytetarët që pastruan një pjesë të kabinave.
Për fat të keq, ky aksion i qytetarëve londinezë nuk do të jetë i mjaftueshëm për t’i shpëtuar. Disa nga kabinat e preferuara janë duke u shitur dhe disa janë shndërruar në biblioteka ose janë dhënë me qira për shitësit lokalë.
Përveç asaj se të gjithë kanë telefona mobilë, në Londër janë prezantuar telefona në rrugë me qasje në internet dhe më e rëndësishmja është se ata janë falas.
E njohur si heroina dhe luftëtarja Malala Yousafzai, simbolizoi kauzën më dinjitoze dhe fisnike për arsimimin e vajzave muslimane në botë, në nëntor të vitit 2012, kur i mbushi 15 vjet, talebanët e qëlluan në kokë.
Historia e Malalës tronditi botën , ajo asnjëherë nuk u dorëzua, gjithmonë ishte “luftëtare” sa i përket të drejtave të njeriut dhe grave.
Në vitin 2013 ajo kishte publikuar librin e saj “Unë jam Malala” ku ka treguar gjendjen e vajzave nën sundimin e grupit taleban në Pakistan.
Portreti i saj është zbuluar në Galerinë Kombëtare, Malala ka shpresuar se figura tek njerëzit do t’iu rikujtoj vajzën e cila udhëtoj botën për të luftuar për ndryshim .
Portreti i saj u zbulua në Londër kurse në vitin 2020 do të shfaqet në qytetin që ka jetuar Birmingham.
Artistët që e kanë krijuar portretin e saj të dytë janë Iranian, duke ja dedikuar edhe një poemë, poeti i njohur Rahmat Shah Sayel.
Ajo shtoi: “Unë shpresoj që do t’iu kujtojë vizitorëve që vajzat janë duke luftuar në çdo vend dhe komunitet që i rrethon- storiet e tyre duhen të dëgjohen “.
Malala në vitin 2010 mori çmimin ndërkombëtar të fëmijëve për paqe kurse një vit më vonë është shpallur nobelistja më e re në botë për paqe.
Pasi influencoi botën duke mos u dorëzuar, ajo tani është 21-vjeçare dhe studion filozofi, psikologji dhe ekonomi në universitetin e Oksfordit.
Portreti i dytë i Yousafzai, e ulur në një tavolinë shkolle me një libër të hapur, do të zbulohet në Muzeun e Birminghamit në vitin 2020, pjesë e iniciativës së ardhjes së Galerisë Kombëtare të Portreteve , ku do të shfaqen 50 portrete nga koleksioni kombëtar /KultPlus.com