Është paralajmëruar që sot në ora 16:30 të mbahet protestë para Galerisë Kombëtare të Kosovës nga aktivistët për të drejtat e kafshëve – United for Animals – UFA.
Kjo protestë po vjen pas hapjes së ekspozitës së artistit kosovar të njohur ndërkombëtarisht Sislej Xhafa, i cili në ekspozitën e titulluar “Të dua pa e ditur”, përveç të tjerash ka edhe veprën “Eight Kosovo Coës”, ku në oborrin e Galerisë Kombëtare të Kosovës, është ndërtuar një ahur në të cilin janë gjithsej tetë lopë që qëndrojnë dhe do të qëndrojnë aty përgjatë 1 muaji, shkruan KultPlus.
Protestuesit tashmë kanë filluar të mblidhen para Galerisë Kombëtare ku edhe po vendosin pankarta me mbishkrime të ndryshme kundër kësaj ekspozite. Ata potencojnë se nuk janë kundër artit po kundër trajtimit që po ju bëhet lopëve.
Ndërsa, sot gjatë ditës, ende pa filluar protesta, udhëheqësit e Galerisë Kombëtare të Kosovës, kanë thirrur konferencë për media ku u bë e ditur e gjithë mirëmbajtja e lopëve. Në konferencë të pranishëm ishin drejtoresha e galerisë Arta Agani, përfaqësuesi i Këshillit Drejtues të galerisë Driton Axhami dhe pronari i lopëve Arben Avdiu.
Si fillim Arta Agani, tha se është e dhembshme që detyrohet të diskutojë çështje të cilat sipas saj duhet të jenë të nënkuptuara dhe të bazuara në kredibilitetin e institucionit të cilin ajo drejton dhe MKRS.
Ndërsa, sa i përket krejt kësaj ‘zhurme’ që është krijuar rreth kësaj ekspozite, vetë artisti Sislej Xhafa është deklaruar vetëm me një fjalë të cilën ia kishte dërguar drejtoreshës së GKK-së, për ta lexuar.
“Unë jam vegjetarian, ju dua pa e ditur”, ka thënë Xhafa./KultPlus.com