115 vite më parë lindi kompozitori i ‘Kangës së Rexhës’, Lorenc Antoni

Sot janë bërë 115 vite nga lindja e kompozitorit, dirigjentit dhe etnomuzikologut shqiptar, Lorenc Antoni, shkruan KultPlus. Ai ka lindur në Shkup, më  23 shtator 1909 në një familje katolike dhe është kushëri i Shën Nënë Terezës (Gonxhe Bojaxhiut).

Që nga fëmijëria është aktivizuar në ansamble të ndryshme muzikore të shqiptarëve. Ka studiuar privatisht muzikë në Shkup dhe Beograd. Pas shkollimit në Fakultetin Filozofik të Shkupit kthehet në Ferizaj, dhe më pas ngre të parën shkollë të ulët dhe të mesme muzikë “Josip Sllavenski” në Prizren më 1948.

Po në këto vite drejton si dirigjent edhe korin e shkollës muzikore, atë të shoqërisë kulturore artistike “Agimi” si dhe orkestrën simfonike të qytetit të Prizrenit. Pas këtyre viteve vazhdon të merret intensivisht me kompozime, dirigjime të veprave, veprimtari pedagogjike etj.

Në fushën e studimit të folklorit, Lorenc Antoni vlerësohet se i pari mblodhi dhe botoi shtatë vëllime të muzikës popullore shqiptare të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Moravës Jugore të shoqëruar me analiza etnomuzikologjike mbi gjithë këtë lëndë që është transkiptuar po prej tij.

Ka kompozuar edhe muzikë, ndër to dallohen kompozimet vokale. L. Antoni konsiderohet edhe si kompozitori i brezit të parë të kompozitorëve të Kosovës. Sipas Prof. Engjëll Berishës, në përgjithësi veprat e Lorenc Antonit bazohen në idiomën muzikore popullore shqiptare. Veçojmë këtu “Kanga e Rexhës” e cila respektohet dhe dëgjohet edhe në ditët e sotme . Gjithashtu ai bëri përpjekje për hapjen e shkollës së parë të muzikës më 1948 në Kosovë

Ai vdiq në Prishtinë, më 21 tetor të vitit 1991/KultPlus.com

31 vjet nga ndarja e kompozitorit Lorenc Antonit, KultPlus ju sjell veprën “Na ka dalë nusja e mirë” (VIDEO)

31 vjet janë bërë nga ndarja nga jeta e kompozitorit Lorenc Antoni, një prej personaliteteve më të çmuara të muzikës dhe figurave më emblematike të kulturës shqiptare në Kosovë.

Në fushën e studimit të folklorit, Lorenc Antoni mblodhi dhe botoi shtatë vëllime të muzikës popullore shqiptare të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi.

Antoni i takon brezit të parë të kompozitorëve të Kosovës dhe veprat e tij bazohen në idiomën muzikore popullore shqiptare. U lind në Shkup (1905). Si fëmijë aktivizohet në ansamble të ndryshme muzikore të shqiptarëve. Ka studiuar në Fakultetin Filozofik në Shkup derisa edukimin muzikor e mori privatisht në Shkup dhe Beograd. U nda nga jeta me 21 tetor të vitit 1991 në Prishtinë. KultPlus ju sjell veprën “Na ka dalë nusja e mirë”./ KultPlus.com

Rafet Rudi: Lorenc Antonin dhe Rexho Mulliqin i respektoj për rolin e madh që kishin dhënë muzikës sonë, në një kohë fatkeqe

Shkruan: Rafet Rudi

Si i njoha Lorencin dhe Rexhon

Jetuan dhe vepruan në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend si dhe për të njëjtin qëllim, sidoqoftë, është më se i sigurt, ata i takonin, thjeshtë, dy botërave të ndryshme. Dallonin shumë njëri nga tjetri. Që të dy i njoha nga afër në fazën e fundit të jetës së tyre. Ndonëse na ndante diferenca e moshës (tridhjetë vjet me Rexhon, dyzet vjet diferencë me Lorencin), komunikoja me të dytë, në forma dhe në raste të ndryshme – me njërin për 9 vite me radhë (Rexhon) deri në vitin 1982 dhe tjetrin (Lorencin) për 18 vite me radhë, deri në vitin 1991. I njoha atëherë kur, që të dy, kishin përfunduar ciklin e tyre më të rëndësishëm krijues, kur ata, tashmë, ishin të njohur dhe të lavdëruar në shoqëri.

Vitaliteti i Lorencos dhe noshalanca e Rexhos

Duke qenë se Lorenci (Antoni) dhe Rexhoja (Mulliqi), si kompozitorë i takojnë periudhës së njëjtë të historisë sonë të re muzikore dhe duke qenë se ne i konsiderojmë të vetmit përfaqësues të një periudhe nismëtare të krijimtarisë sonë në muzikë (e cila mund të quhet periudhë pararendëse e muzikës sonë profesionale), fitohet përshtypja që ata kanë punuar bashkë, që ata i kanë koordinuar bashkë të gjitha hapat në vendosjen e filleve të muzikës klasike tek ne.
Lorenci dhe Rexhoja ndryshonin shumë. Ata ndryshonin për nga karakteri i tyre, për nga pikëpamja e tyre ndaj jetës, dallonin për nga natyra e tyre, ndryshonin për nga temperamenti i tyre, ndryshonin për mënyrën e komunikimit… megjithatë, përkundër këtyre vetive të shumta dalluese ata kishin pika të përbashkëta: të dy linin përshtypjet ë një intelektuali të rafinuar (natyrisht, secili në mënyrën e vet). Derisa Lorenci më tepër kishte pamjen e një shkencëtari (ta zëmë të një fizicienti), Rexhoja ndërkaq, përngjante më tepër në një filozof apo në një shkrimtar (me ato syza të mëdha shumë karakteristike që mbante, mua më përngjante në Artur Milerin). Lorenci ishte katërmbëdhjetë vjet më i vjetër se Rexhoja, pra një diferencë jo aq e vogël. Përkundër kësaj, megjithatë, ata linin përshtypjen e të njëjtës moshë!
Nëse i ke takuar në qytet njërin apo tjetrin (natyrisht, asnjëherë bashkë!), secili ka pasur një pamje tjetër. Lorencin e ke parë në qytet i thelluar në vete, është dalluar me një ecje relativisht të vendosur dhe të shpejt për moshën e tij. Ndonëse, në dukje, ishte i heshtur, te ai vërehej gjithmonë një vitalitet i theksuar. Derisa Rexhon e përshkonte një pamje noshalante me lëvizje komode të një gjentëlmeni, Lorenci (që ishte me shtat pakëz më i ultë), ishte përherë në lëvizje, ishte dinamik, dhe gjithmonë linte përshtypje të njeriut të angazhuar.

Lorenci e fliste një gjuhë simpatike, me premisa të një shqipe lokale (ai kishte lindur në Shkup, kurse kishte jetuar në Prizren), kurse Rexhoja nuk fliste shqip. Më thonin se e di mire gjuhën shqipe, por nuk kam rastisur asnjëherë ta dëgjoj. Me të, edhe unë edhe të gjithë kolegët shqiptarë, komunikonim, natyrisht, në gjuhën serbo-kroate.

Lorenci ishte serioz, i vendosur dhe linte përshtypjen e një personi pakëz nevrik. Ai fliste qetë, asnjëherë jo me zë të lart, ishte fjalë pak, i drejtpërdrejt dhe i qartë në mendime, dhe nuk pretendonte të bënë biseda të rangut intelektual. Kur fliste, nuk dukej se kishte aq artikulim të qartë të fjalëve, ndoshta edhe për shkak të nivelit të ultë të zërit, por ai nuk preferonte biseda të zgjatura, nuk elaboronte tema që nuk i hynin drejtpërdrejt në punë. Në këtë drejtim dukej mjaft pragmatik- i thjeshtë në mendime, por i prerë dhe i ashpër. Lorenci më dukej gjithmonë si një person i vetmuar e introvert dhe me një fjalë – “njeri jo i shoqërueshëm”. Ndonëse, më thonin se ai me të afërmit e vet, në rreth të ngushtë shoqëror, kishte një natyrë tjetër. Madje më shpjegonin se në rreth të ngushtë të miqve të vet, ai ka ditur të bëj shaka! Pse jo, mund të besoj në këtë. Pikërisht për këtë, kam pasur përshtypje, gjithmonë, se ai ka qenë “njeri i familjes” – ekzemplar karakteristik, i njeriut me kulturë dhe traditë familjare.

Rexhoja ishte intelektual që njihte literaturën, teatrin, filmin, dhe preferonte biseda intelektuale, por njëkohësisht (për çudi), ai ishte i prirur edhe për biseda të thjeshta, për temat e përditshmërisë, për temat politike aktuale etj. Ai, pa asnjë hezitim i komentonte edhe gjërat e thjeshta dhe ishte në gjendje të bisedonte gjatë edhe me njerëz të thjeshtë, me një pastrues të rrugës për temat që mund ta mundonin atë. Në biseda, Rexhoja ishte aktiv dhe ishte më i prirur për biseda lidhur me tema të lira. Ishte interesant të dëgjoje observimet e tija. Ka pasur një kënd të veçantë dhe origjinal të vështrimit të gjërave. Me të filluar bisedën me të, ke mundur ta vëresh se ka një butësi dhe e një drejtpërdrejtshmëri. Papritmas, kur me vëmendje e dëgjonte bashkëbiseduesin, te ai shfaqej një buzëqeshje diskrete me një rrudhje anësore të buzës ), që kishte premisa të një ironie të lehtë, por jo dashakeqe. Ndoshta, kjo ka qenë karakteristika kryesore që ke mundur ta vëreje në fytyrën e tij.

(Kështu kemi menduar të gjithë kompozitorët që vështronim portretin e tij të shkrirë në bronz që qëndronte një kohë të gjatë në Shoqatën e Kompozitorëve. Ky element i fytyrës së tij është shquar në këtë portret. Ishte ky punim, ndër më të mirët të punuar nga skulptori Agim Çavdarbasha e që ka qenë deri në kohën e pasluftës në Shoqatën e Kompozitorëve dhe pastaj është humbur në mënyrë misterioze!)

Lorenci dhe Rexhoja në Radio…

Në vitet ’70-ta dhe në fillim të ’80-tave, unë i kam ndesh shpesh në Radio, meqë ishin të punësuar aty, që të dy. Pos kësaj, Lorencin e takoja edhe në aktivitetet e Shoqatës së Kompozitorëve. Rexhoja vinte në Radio, jo aq për të punuar se sa për të bërë ndonjë bisedë nga ato “temat e lira” të cilat i pëlqenin. Ai në vitet e fundit të jetës së tij, në Radio-Prishtinë ka gëzuar statusin e “kompozitorit profesional”, d.m.th., ka marr pagë mujore si kompozitor (!). Sigurisht, duhet të ketë qenë kompozitori i vetëm, në ish Jugosllavi, që ka gëzuar këtë status! Këtë privilegj ia kanë mundësuar politikanët e kohës, të cilët e çmonin shumë. Dhe për ironi, pikërisht në këtë kohë, kjo etapë e jetës së tij, ndoshta ka qenë periudha që, më së paku ka kompozuar, siç mund të vërehet nga biografia e tij, nga lista e veprave të tij. Vajza e tij Vesna, me të cilën unë shoqërohesha, më tregonte se ai me vite e është duke punuar baletin “Besa”, dhe nuk po avanconte kurrsesi. Prej këtij baleti (të pambaruar), kanë mbetur disa fragmente sporadike, të cilat ai i ka shfrytëzuar shfrytëzuar si kolona filmi. Vepra e tij e fundit e rëndësishme ka qenë Simfonia e quajtur “Simfonia kosovare” e kompozuar më 1972, d.m.th., dhjetë vjet para vdekjes së tij! Gjithashtu edhe Lorenci, në vitet e fundit të punës së tij në Radio, vinte pahetueshëm në zyrën e tij. Punonte dhe zhdukej heshtur nga andej. Angazhimin e tij të madh, në fushën e folklorit (për të cilin ne më tepër e njohim), ai e kishte bërë vite më parë. Gjithashtu, edhe veprat e tija korale, të cilat ishin, që të gjitha përpunime të shkëlqyera të këngëve tona popullore, ai i kishte bërë vite më parë dhe ato, tashmë kishin zënë vend në repertorin e koreve tona të kohës. Sa e dij unë, një kohë kanë punuar që të dy bashkë, në një zyre të vetme, dhe duhet të kenë pasur afërsi, së paku, profesionale, por asnjëherë në kohën e lirë, qoftë në Radio apo jashtë godinës, nuk ke mundur t’i shohësh të shoqërohen, të bisedojnë apo të shkëmbejnë mendime. Secili ka jetuar në botën e vet personale.

Rexhoja boem i qytetit

Për Rexhon, kafeneja ishte ambient i natyrshëm i tij, sidomos në pjesën e fundit të jetës së tij. Pikërisht aty ngazëllehej, aty vinte në shprehje temperamenti real i tij. Aty kishte qejf të diskutonte për artin, për muzikën; aty ishte i hapur me të gjithë. Në moment që ulej në kafene, pranë gotës, ai ishte “në element”. Pra, ishte kjo pamja e vërtet e Rexhos, ishte tamam “imazhi autentik” me të cilën e njohin prishtinasit (e asaj kohe). Pamëdyshje ai ishte një prej boemëve më emblematik të Prishtinës, një boem që i ka dhënë pamje qytetit të Prishtinës. Atij ka mundur, në këtë drejtim, t’i “bëj ballë” vetëm Muharem Qena apo Mirko Gashi! Ndërkaq, Lorenci në këtë plan, ka qenë antipodi i tij. Nuk dij se a ka komsumuar ndonjëherë alkohol, por do të isha çuditur nëse po. Në kafiterinë emblematike “Alo, alo” (dhe ndonjë tjetër në rrethin afër Radios), aty ku shpesh gjatë ditës uleshin muziktarët e Radios, ke mundur ta takosh edhe njeriun e fundit të Radios, por sigurisht asnjëherë jo Lorencin. As rastësisht.

{Prishtinasit e vjetër e kujtojnë faktin se ata që dëshironin ta vazhdonin bisedën pranë gotës pas mesnatës, nuk kishin mundësi tjetër pos që duhej të shkonin në kafetë e Stacionit të trenit në Prishtinë apo në Fushë Kosovë! Atje ishte vendi i vetëm ku gjeje kafiteri të hapura! Flitej se një natë, Rexhoja, kishte qenë tepër “fjalëshlirë”, kishte prekur disa tema “të nxehta” politike të ditës, madje në komentimet për disa personalitete politike kosovare kishte qenë i ashpër, kështu që atë, e ndalojnë në polici. Dhe, siç ishte zakon ia hjekin flokët (Rregullat e atëhershme ishin që, qysh në ditën e parë të ndalimit policor, nëse konsiderohet një rast më i rëndë politik, atëherë, e qethnin). Për fatkeqësinë e Rexhos, kjo ishte një humbje e madhe, meqë ai kishte shumë flokë të bukur. Madje, përpos syzave të tij, edhe flokët ishin karakteristikë e dallueshme e pamjes së jashtme të tij.

Rexhoja dhe Lorenci – jeta shoqërore, politika…

Lorenci participonte në jetën shoqërore. Ai, kishte qenë Drejtor shkolle. Një kohë ishte Kryetar i Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës, ishte gjithashtu, pjesëmarrës aktiv në çdo organizim shoqëror. Madje, faza më e famshme e jetës së Lorencit dhe njëkohësisht faza për të cilën thurën legjenda të shumta për të, është pikërisht koha kur ai ishte Drejtor i Shkollës së parë të Muzikës në Kosovë (nga viti 1948 e tutje). Ai kishte qenë, siç më thonë të gjithë kolegët e mij (ish nxënës të asaj shkolle), tepër i angazhuar rreth funksionimit së Shkollës dhe Internatit të Shkollës. Kishte qenë gjithmonë i saktë dhe pedant në punë, punonte me manire tradicionale të shkollës së vjetër qytetare dhe shembull i disiplinës ekzemplare. Të gjithë nxënësit i druheshin atij por, njëkohësisht, edhe e çmonin, pa diskutim. Ndërkaq Rexhoja, në këtë drejtim ka qenë antipod i tij. Ai nuk ka pasur asnjëherë ndonjë post shoqëror, nuk merrte përsipër asnjë obligim drejtues apo çfarëdo obligimi shoqëror. Nuk interesohej fare për Shoqatë të Kompozitorëve, madje, nuk besoj se ka hy ndonjëherë në ndërtesën e Shoqatës! Edhe ku vinte ndonjëherë në koncerte, ai dukej i koncentruar në atë që dëgjonte, gjithmonë i heshtur dhe qëndronte disi në prapavijë.

Rexhoja fliste për politikë. Madje fliste guximshëm dhe nuk qante shumë kokën për pasojat. Në fakt, nuk është se mbronte ndonjë kauzë (shqiptare). Në biografinë e tij lexojmë se, në rininë e vet, ka qenë i burgosur. Megjithatë, ajo burgosje lidhet me çështjen e Informbyrosë e jo me çështjen shqiptare. Ai për temat e mëdha kombëtare nuk është përcaktuar. Mendoj se muzika e tij ka qenë e përcaktuar, ai jo! Ai asnjëherë nuk reagonte nëse emrin e tij, në botime apo në programe koncertesh e gjente të shënuar njëherë si Muliç, ndonjëherë si Mulliqi, apo herën tjetër si Mullaj! Ndërkaq Lorenci, nuk komentonte problemet dhe temat politike, por çdo veprim i tij ka qenë në drejtim të mbrojtjes së kulturës kombëtare, në ato suaza (mjaftë të ngushta) që mundësonte ajo kohë, bënte atë veprim që bënin intelektualët e vyeshëm shqiptarë të gjeneratës së tij.

Rexhoja në vitet e fundit të jetës gjithmonë, nuk zgjidhte miq e bashkëbisedues për të qenë afër gotës… por tash të tjerët e zgjidhnin atë. Në këtë kohë, Rexhos, shëndeti fillon ngadalë t’i rënohet, dhe kujdesin për të e kishte marr plotësisht përsipër vajza e tij (me gruan e parë) – Vesna, që kishte filluar të shprehte pikëpamje mjaft konzervative ndaj problemeve nacionale që gjithnjë ishin në rritje. Në këtë kohë, Rexhon në kafé e shoqëronin më shpesh disa kolegë serb të orkestrës dhe një shtresë e intelektualëve të afërt me rrethin e gazetës konzervative ‘Jedinstvo’. Kjo nuk kishte ndonjë sinjifikim të veçantë për të. Ai ishte një kozmopolit që ndryshe i vështronte gjërat. Nuk kishte për të me rëndësi me kënd ulej – por, për të tjerët kjo kishte kishte rëndësi (sidomos në kohën e tronditjeve politike të asaj kohe), për shkak të reputacionit që ai kishte.

Lorenci, Rexhoja dhe kënga popullore

Të përbashkët kanë faktin se, që të dy, nuk kishin mbaruar shkollim të lartë universitar, edhe pse këtu kishte një dallim: Rexhoja kishte filluar studimet e Kompozimit dhe kishte treguar (dhe dëshmuar) një nivel të konsiderueshëm profesional, sidomos në muzikën simfonike, me të cilën Lorenci nuk merrej. Për dallim nga pionierët e muzikës shqiptare në Tiranë, si Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Albert Paparisto e të tjerë, që kishin startuar në jetën muzikore pas mbarimit të universiteteve prestigjioze në Bashkimin Sovjetik, pionierët tanë të muzikës Lorenci dhe Rexhoja, ishin kompozitorë që mbështeteshin, para se gjithash, në talentin e tyre të sigurt.

Ajo që i bashkon Lorencin e Rexhon ishte fakti se që të dy ishin të lidhur ngushtë me këngën popullore shqipe, por që të dy, nuk shkëputen nga aspekti oriental i cili është futur në muzikën tonë. Nuk përpiqen të hulumtojnë shtresa të thella, arkaike të muzikës sonë popullore, të traditës sonë më të vjetër, e asaj që pa mëdyshje ka ekzistuar para shtrirjes së perandorisë osmane.

Përderisa për Rexhon, muzika popullore ishte pikënisja në procesin e krijimit, për Lorencin, ndërkaq, muzika popullore ishte cak. Të dy shfrytëzonin burimin e njëjtë frymëzues. Lorenci, muzikën popullore, jo vetëm që e përdorte (si kompozitor), por atë edhe e ruante atë nga humbja dhe harresa, si melograf ynë i parë. Rexhoja ndërkaq, folklorin e merrte si pretekst dhe si pikënisje.

Lorenci, muzikën popullore, jo vetëm që e përdorte (si kompozitor), por atë edhe e ruante atë nga humbja dhe harresa, si melograf ynë i parë. Rexhoja ndërkaq, folklorin e merrte si pretekst. Hapësira e aspiruar e botës muzikore të Rexhos ishte përtej këngës popullore. I frymëzuar fuqishëm nga kompozitorët e romantizmit nacional evropian i fundit të shekullit XIX, ai këngën popullore e vendoste në një kontekst të ri, në kontekst të muzikës profesionale, e cila në atë kohë nuk ekzistonte.

Lorenci dhe Rexhoja, që nga koha që i kam njohur, gjithmonë më dukeshin të rëndësishëm dhe fisnikë në punën që bënin. Edhe sot kam të njëjtin mendim. I respektoja, që të dy, për rolin e madh që kishin dhënë muzikës sonë, në një kohë fatkeqe, në një mjedis krejtësisht të pamundur për të vepruar si kompozitorë të muzikës!

Prishtinë, nëntor 2021 / KultPlus.com

30-të vjetori i vdekjes së Lorenc Antonit

Si sot më 21 tetor 1991 është ndarë nga jeta kompozitori, dirigjenti dhe etnomuzikologu shqiptar Lorenc Antoni.

Antoni ka lindur në Shkup më 21 tetor 1901. Ai studioi në Fakultetin Filozofik në Shkup dhe muzikën e ka mësuar privatisht në qytetin e lindjes dhe në Beograd.

Veprimtarinë muzikore e fillon së pari si dirigjent koresh. Jo shumë vonë fillon të kompozojë edhe pjesë të ndryshme, veçanërisht për orkestra mandolinash dhe tamburash, të cilat i udhëhiqte. Bashkë me kompozime fillon të merret njëkohësisht edhe me mbledhje të folklorit dhe me etnomuzikologji, kurse veprimtarinë si pedagog muzike e fillon më vonë. Këto katër veprimtari Lorenc Antoni i zhvilloi në Shkup deri në vitin 1941.

Në prill të vitit 1941 zhvendoset në Kosovë, më parë në Ferizaj e pastaj në Prizren duke u marrë me muzikë.

I vetmi dirigjent i korit shqiptar atëherë ishte Lorenc Antoni. Fondi tepër i vogël i muzikës korale që kishte kompozuar qysh para lufte i shërbeu për të filluar punën me kore. Për punën e mëtejshme iu desh të krijojë një literaturë korale të re. Për nevojat e korit të Shoqërisë Kulturale Artistike “Agimi” në Prizren, të cilin e udhëhoqi deri në gjysmën e vitit 1956, kompozoi një varg pjesësh korale.

Më 1948, kur u hap shkolla e parë e muzikës në Prizren, Lorenc Antoni qe drejtori i parë i saj deri më 1956. Pas kalimit në Radio Prishtina, si redaktor i muzikës popullore, udhëheq shumë kohë edhe korin e saj. Më se 40 vjet ka dirigjuar kore të ndryshme në Shkup, Ferizaj, Prizren e Prishtinë e gjithkund ka korrë suksese të dukshme.

Antonit iu desh që ta hapë vetë ta rrugën e vështirë të shkencës dhe të artit muzikor dhe të zgjidhë shumë e shumë probleme lidhur me jetën muzikore. Kontributi i tij është aq më i vlefshëm dhe merita e tij është po aq e madhe.

Në AQSH ruhet një përmbledhje e krijimtarisë së Lorenc Antonit e botuar nga shtëpia botuese “Prosveta” të Beogradit, në vitin 1957./KultPlus.com