Arbëreshi Loris Castriota Skanderbegh, pasardhësi i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ka iniciuar një peticion online për të xhiruar një film për Skënderbeun në platformën gjigande Netflix.
Ai shkruan se prej vitesh flitet për një projekt filmi hollivudian mbi të, por asgjë konkrete nuk është bërë.
“Mes shumë serialeve të disponueshme në Netflix, do ishte bukur të shihnim një të tillë të dedikuar për heroin e madh europian, duke pasur parasysh heroizmat e tij të jashtëzakonshme që janë një realizim i mrekullueshëm për veprën e tij. Prej vitesh flitet për një projekt filmi hollivudian mbi të, por asgjë konkrete nuk është bërë. Le të shohim nëse një peticion do të mundë të tërheqë vëmendjen e rrjetit të njohur”, shkruan Loris Castriota Skanderbegh në llogarinë e tij në Facebook.
Peticioni i nisur ditën e djeshme ka arritur më shumë se 2637 firma në më pak se 24 orë dhe pritet të kalojë limitin e 5 mijë firmave./KultPlus.com
Kush është Loris Castriota Skanderbegh, familja e të cilit rrjedh nga djali i heroit kombëtar.
Një takim i rastit mes dy gazetarëve këto ditë ka zbuluar se një nga pasardhësit e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut jeton dhe punon në Foggia të Puljes, në Itali. Ai është gazetar, por emri i tij tregon gjithçka: quhet Loris Castriota Skanderbegh dhe nuk e fsheh që rrjedh nga familja e “kryeprincit të Arbërit”.
Sa më poshtë vijon intervista e gazetares Scinicariello me të, që është publikuar në gazetën “Il mattino di Foggia”, transmeton Shqiptarja..
Përshëndetje, Loris. Së pari, të falënderoj shumë që vendose të pranosh këtë intervistë. Pasi të takova në Foggia gjatë vizitës me pjesëmarrjen e mediave “Foggia Svelata” (Foggia e zbuluar) dhe pasi zbulova edhe mbiemrin tënd, duke qenë dashamirëse e Ballkanit dhe e Shqipërisë, më lindi kurioziteti. Më tregon se çfarë lidhjesh ke me heroin shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu? Në Shqipëri ai është një simbol me të vërtetë i rëndësishëm, apo jo?
Unë jam një pasardhës i drejtpërdrejtë i Gjergjit. Familja ime jeton në Pulja që kur djali i tij erdhi këtu, pas vdekjes së heroit. Kastriotët më parë morën feudet në Monte Sant’Angelo dhe San Giovanni Rotondo, më pas i këmbyen ato me feudet e Galatinas dhe Soletos, në Salento. Që atëhere, familja ime jeton në Lecce. Unë jam këtu pasi babai im, Giorgio, vendosi të martohet me një banore të Foggia-s, nënën time Adele Berardi.
Çfarë marrëdhëniesh ka mes heroit shqiptar dhe Puljas?
Marrëdhëniet historike të Skënderbeut me Puljen janë të rëndësishme, edhe pse këtë e dinë vetëm studiuesit e historisë, shqiptarët dhe banorët e komuniteteve arbëreshe, “koloni” historike italo-shqiptare, që u ngulën në qendër-jug të Italisë shekujt e kaluar dhe ku ruhen kujtesa historike, traditat, zakonet e vendit të origjinës. Skënderbeu, mirënjohës për ndihmat që i dha mbreti Alfons i Napolit në luftën e tij kundër përpjekjeve otomane për pushtim, mes gushtit të vitit 1461 dhe shkurtit 1462 erdhi personalisht vetë në Pulja për të mbështetur mbretin e ri Ferrante të Aragonës, i cili u ngjit në fron pas vdekjes së babait të tij Alfons, në vitin 1458 dhe po përjetonte vështirësi të mëdha. Në fakt, Ferrante ishte angazhuar në shtypjen e përpjekjes së pushtimit të mbretërisë nga ana e Giovanni-t të Anzhuinëve, që pretendonte fronin dhe kishte bindur të ngriheshin në revoltë edhe shumë feudalë të mëdhenj, që kërkonin rikthimin e sundimit francez. I rrethuar në kështjellën e Barletta-s, mbreti mezi po e mbante fronin. Por Gjergj Kastrioti, duke përfituar nga një armëpushim me sulltanin, erdhi për të kthyer borxhin e nderit që kishte me dinastinë aragoneze dhe, me një grup prej rreth 700 kalorësish dhe një shifër të panjohur këmbësorësh, zbarkoi në Barletta, e çliroi mbretin dhe udhëhoqi disa veprime ushtarake, që përmbysi faktikisht fatet e përplasjes, deri në atë pikë, sa e çoi Ferranten drejt fitores më 18 gusht në Troia, provincë e Foggia-s, fitore vendimtare për të ruajtur kontrollin e mbretërisë. Ky ishte një rast për të forcuar lidhjet mes familjes së Kastriotëve dhe Aragonasve. Nuk ishte rastësi që, pasi vdiq Gjergji, mbreti Ferrante ftoi djalin dhe të venë e tij, Gjon dhe Donika, të transferoheshin në Mbretërinë e Napolit për të mos u bërë viktima të hakmarrjes së sulltanit, që po e përfundonte pushtimin e territorit shqiptar.
A është shumë i madh komuniteti shqiptar në Pulja sot?
Qendrat arbëreshe janë tre, ato të themeluara apo të ripopulluara nga komuniteti historik italo-shqiptar: San Marzano di San Giuseppe (Taranto), Casalvecchio di Puglia (Foggia) dhe Chieuti (Foggia). Në total, pak më shumë se 12 mijë banorë dhe jot ë gjithë e flasin gjuhën që është transmetuar gjatë pesë shekujve në ato zona. Sot kemi një problem serioz të ruajtjes së gjuhës, traditave dhe identitetit kulturor: një trashëgimi historike dhe folklorike, që rrezikon të zhduket përballë standardizimit të njohurive të globalizuara dhe nga zhdukja graduale e zakonit të arbëreshëve që të martoheshin vetëm mes tyre dhe duke transmetuar doke dhe gjuhën në jetën e përditshme.
Sot ti jeton në Foggia, je gazetar dhe merresh me sektorin e komunikimit tek kryebashkiaku, por vetëm me këtë. Gjatë vizitës mediatike “Foggia Svelata” na shoqërove në Muzeun e Qytetit dhe nuk fshehe dashurinë për atë vend dhe për qytetin. Mendon që Foggia ka ende një potencial ende të pashprehur në nivel turistik? A ka ndonjë gjë që mund të bëhet më shumë për të treguar këtë qytet dhe për të tërhequr vizitorë nga e gjithë Italia dhe, pse jo, nga e gjithë bota?
që ka. Foggia ka shumë aspekte të panjohura edhe për vetë banorët e saj, që kanë mbajtur një qendrim gati mosbesues ndaj rëndësisë dhe bukurisë historiko-artistike të qytetit të tyre. Është rezultat i ngjarjeve negative që kanë ndodhur në Foggia ndër vite, si tërmeti shkatërrimtar i vitit 1731 apo bombardimet e aleatëve në verën e vitit 1943. Megjithatë, pavarësisht shkatërrimeve të pësuara, Foggia ka ruajtur shumë dëshmi interesante të së kaluarës, që do t’u pëlqenin edhe turistëve “më të vështirë”: e rëndësishme është të kenë një guidë kompetent, të përgatitur dhe të apasionuar.
Në aspektin e “të treguarit të qytetit”, administrata bashkiake ka bërë shumë “indirekt”, duke organizuar evente tërheqëse si “Libando”, festivali i ushqimit në rrugë, apo “Giordano in Jazz”, takim vjetor me koncertet e muzikantëve më të mëdhenj të këtij zhanri, për të tërhequr vizitorë që të dashurohen edhe me Foggia-n apo që të ndalojnë ose të kthehen këtu për ta njohur më mirë. Por sa i takon Shqipërisë, si e shikon zhvillimin e turizmit këto vitet e fundit?
Në Vendin e Shqiponjave po fillojnë të vijnë flukset e mëdha të turizmit, edhe atij ndërkombëtar, sidomos gjatë verës dhe sidomos në zonat bregdetare të qendrës dhe të jugut të Shqipërisë: kjo është për shkak të plazheve të pandotur, strukturave akomoduese që përmirësohen gjithnjë e më shumë dhe çmimeve me të vërtetë konkurruese. Por kur turistët të zbulojnë se ka gjëra për t’u vizituar edhe në brendësi, qoftë në aspektin e pejsazhit, ashtu edhe të kulturës, Shqipëria do të bëhet një destinacion i dorës së parë për ata që e duan të bukurën në çdo cep të planetit!
Një pyetje të fundit, sipas teje, ka një lidhje apo diçka që bashkon Puljen me Shqipërinë?
Ka një lidhje të fuqishme, që nuk ka të bëjë vetëm me “gjerësinë gjeografike” në të cilën ndodhen të dy territoret: jemi popuj mesdhetarë dhe ndajmë zakone e mënyra jetese, por edhe pejsazhe të ngjashëm. Do të shtoja se puljezët e sotëm kanë prejardhje nga fiset ilire, që emigruan në jug të Italisë, në Pulja, duke filluar nga mijëvjeçari i parë para Krishtit: Daunët (provinca aktuale e Foggia-s), Peucetët (në Puljen aktuale qendrore) dhe Mesapët (në Salento). Të gjithë ata quheshin Japigë dhe puljezët u detyrohen atyre një pjesë të rëndësishme të kulturës së tyre stërgjyshore. Kjo lidhje u përtëri mga migrimet e shekullit të 15-të dhe u mbajt gjallë nga komunitetet arbëreshe, por “u rigjallërua” nga mbërritja e imigrantëve të rinj shqiptarë të viteve ’90 dhe sot ka fituar një forcë të re në sajë të intensifikimit të marrëdhënieve institucionale ndërmjet Puljes dhe Shqipërisë dhe për faktin se porti dhe aeroporti i Barit janë pika mbërritjeje dhe nisjeje mes dy territoreve. Në thelb, kjo është një lidhje që nuk është zhdukur kurrë dhe që do të vazhdojë të forcohet në të ardhmen.
Loris Castriota Skanderbegh së fundi ka vizituar Shqipërinë, edhe për të marë pjesë në dasmën e Skënderbeut dhe Donikës që është mbajtur në Kaninë, por edhe të takohet dhe të lidhë miqësi me të parët e tij. Ai në një intervistë për KultPlus ka treguar se cilës gjeneratë të pasardhësve të Skënderbeut i takon, sikurse ka treguar edhe për ndjesinë që i ofron të qenit trashëgimtarë i figurës më të rëndësishme të kombit shqiptar. Me profesion gazetar, Loris Castriota Skanderbegh ka folur për Trungun e Familjes, për shtrirjen e pasardhësve të Gjergj Kastriotit, sikurse që ka treguar edhe për keqpërdorimin e disa personave të caktuar, të cilët po bëhen sikurse janë pasardhësit e Gjergj Kastrioit Skënderbeut. “Ne e njohim të gjithë njëri tjetrin”, ka thënë mes të tjerash në këtë intervistë të dhënë për KultPlus, Loris Castriota Skanderbegh.
Ardianë Pajaziti
KultPlus: Ju vini nga rrënjët e familjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, më saktë, cilës gjeneratë i takoni?
Loris Castriota Skanderbegh: Po, unë jam nga trungu i familjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe jam gjenerata e pesëmbëdhjetë e familjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
KultPlus: Dhe ju erdhët së fundi në shënimin e dasmës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe Donikës, dasmë kjo që u mbajt në Kaninë, është hera e parë që vizituat Shqipërinë?
Loris Castriota Skanderbegh: Jo nuk është hera e parë. Kam ardhur edhe shumë herë të tjera, me qëllim që të kem kontakte me tokën time dhe tokën e të parëve.
KultPlus: Gjergj Kastrioti Skënderbeu është figura më e ndritshme e kombit shqiptar dhe pikërisht ju trashëgoni gjenet e tij, si ndiheni për këtë fakt?
Loris Castriota Skanderbegh: Ndihem shumë i lumtur, i gëzuar por edhe i përgjegjshëm për rrënjët që kam, edhe pse, ndonjëherë, duke qenë qenie njerëzore, mund ta bëjmë ndonjë gabim, por mundohemi dhe punojmë që të prezantojmë denjësisht mbiemrin e madh që e trashëgojmë nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
KultPlus: Ndërkohë, jeni në dijeni se në sa shtete mund të prekin pasardhësit e Gjergj Kastriotit Skënderbeut?
Loris Castriota Skanderbegh: Pasardhësit e Gjergj Kastriotit Skënderbeut janë vetëm në Itali, nuk ka një shtrirje në shtete të tjera. Ne njihemi shumë mirë me njëri tjetrin, sepse në një mënyrë precize e kemi trashëguar Trungun e Familjes, edhe pse, ka shumë persona që prezantohen sikur janë pasardhësit e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, sikurse është edhe rasti i një këngëtareje nga Australia, e cila pretendon që është pasardhëse, por në fakt nuk është. Ne e njohim të gjithë njëri tjetrin.
KultPlus: Pasi njihni aq mirë njëri tjetrin, a keni tentuar që të mblidheni të gjithë së bashku, dhe të vizitoni Shqipërinë?
Loris Castriota Skanderbegh: Kemi bërë këtë tentativë, disa nga kushërinjtë e mi kanë ardhë, jemi munduar ti mbledhim, por angazhimet e secilit e bëjnë të vështirë një prezantim më të madh.
KultPlus: Arbëreshët e Italisë tash e dy vite po bëjnë rikthimin e tyre në trojet shqiptare, duke u prezantuar me kulturën, veshjet , këngën dhe vallëzimin që e kanë ruajtur me kaq shumë kujdes, sa po ju bën të ndiheni mirë që po shënohet ky manifestim që ka për qëllim nderimin e figurës së Skënderbeut?
Loris Castriota Skanderbegh: Ndihem shumë i lumtur që kam këtë gjak, mënyra se si më respektojnë, si më flasin dhe si më ofrohen më jep një ndjesi të veçantë?
KultPlus: Ndërkohë, shumë herë, nëpër periudha të ndryshme ka pasë ndërhyrje nga të huajt në përvetësimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, si i keni parë këto tentativa?
Loris Castriota Skanderbegh: Gjergj Kastrioti është shqiptar, të tjerët kanë tentuar ta përvetësojnë, por për rrënjët e Skënderbeut dëshmohet edhe me dokumente që janë të arkivuara në Napoli, Romë e Venedik.
KultPlus: Ekziston një film për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, por ai film është i viteve të 50-ta, ka ardhur koha që të realizohet edhe një film tjetër për këtë figurë kombëtare?
Loris Castriota Skanderbegh: Ka pasë disa fjalë që ka interesim për një film me nivel botëror, me rolin e Russell Crowe, por unë kam një shqetësim që një film i tillë të realizohet nga Hollivudi, sepse filmat e Hollivudit janë më shumë spektakël. Filmi për Gjergj Kastriotin Skënderbeun më shumë do të duhej të ishte një rrëfim, pa spektakël. Dhe nëse do të bëhej, do të duhej të realizohej nga autorë shqiptarë që njohin shumë mirë historinë tonë, sepse Gjergj Kastrioti është mjaftueshëm figurë e madhe, vetëm do të duhej të realizohet mirë./KultPlus.com