Filmi “Luaneshat e Kodrës” përmbyll edicionin XX të Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë

Sonte në orën 19:00 është mbyllur edicioni XX i Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë, me filmin “Luaneshat e Kodrës” (2021) nga Luana Bajrami.

Diku në një fshat të vogël në Kosovë, tri të reja shohin se si ëndrrat dhe ambiciet e tyre po u mbyten. Kërkimin e tyre për pavarësi asgjë nuk mund ndalojë, ka ardhur koha për luaneshat të ulërijnë.

“Luaneshat e Kodrës” është filmi i parë kosovar i cili u shfaqë në Festivalin e Kanës; në edicionin e vitit 2021 ai ishte pjesë e programit Directors’ Fortnight, në garë për Camera d’Or. / KultPlus.com

‘Luaneshat e Kodrës’ dhe ‘Zgjoi’ në konkurrencë për “Die TILDA” në Festivalin e Braunschweig

Tetë prodhime ndërkombëtare po konkurrojnë për çmimin “Die TILDA” në ‘Braunschweig International Film Festival’.

Çmimi i filmit për gratë, i pajisur me 5,000 euro, është dhuruar nga 65 gra nga jeta kulturore e Braunschweig. Qëllimi i çmimit është t’i bëjë gratë e filmave të dukshme në diversitetin e tyre. Dhe ka të bëjë me diversitetin në çdo aspekt – si për sa i përket zhanrit, llojit të rrëfimit dhe historive të treguara, ashtu edhe vetë regjisorëve, sepse çmimi i regjisorit të shpallur ndërkombëtarisht u drejtohet grave të të gjitha origjinave, orientimit seksual, ngjyrës së lëkurës, etj.

Filmat në konkurrencë janë:

(1) “Clara Sola” tregon historinë e një shëruesi që i shpëton kufizimeve shtypëse të nënës së saj dhe arrin të njohë veten.
(2) Seyran Ateş: Seksi, Revolucioni dhe Islami – 2021 – Dokumentarë tregojnë luftën personale dhe ideologjike të Seyran Ateş për modernizimin e Islamit.
(3) “Delia Derbyshire: Mitet dhe kasetat legjendare” tregon për një pioniere të muzikës së harruar, kasetat e të cilit (të regjistruara me temën e muzikës nga Doctor Who!) U gjetën në papafingo pas vdekjes së saj.
(4) Gruaja e shoferit Legjenda e Molly Johnson ka të bëjë me Molly -n shumë shtatzënë, e cila nuk e lë veten të zbresë në fermën e saj në periferi të Australisë.
(5) “Kodra ku ulërijnë luaneshat” është historia e tre grave të reja të fuqishme, e shkruar nga një regjisore e cila është vetëm 18 vjeç.
(6) Në “Hive” (Zgjoi) e veja Fahrije në Kosovë rebelohet kundër normave të shoqërisë së saj – ajo drejton një makinë dhe fillon një kompani.
(7) “Zjarri i egër” tregon se si dy motra përballen së bashku së bashku me të kaluarën e tyre të gjatë të ndrydhur. / KultPlus.com

‘Luaneshat e Kodrës’ premierë në Prifest, shpalos ulërimën e zjarrtë të rinisë për liri

Era Berisha

Të ulura në një kodër, pamja e së cilës është e pakrahasueshme, tri personazhet kryesore si: Qe, Li dhe Jeta, mbi tre shkëmbinj jetësojnë filmin e metrazhit të gjatë ‘Luaneshat e Kodrës’, e së bashku me fjalët: Oh Kodër, nis të shpaloset rrjedha e historisë së tyre e cila fillon pikërisht me një ulërimë që vjen nga brendësia shpirtërore e tyre. Përpjekjet e këtyre personazheve për tu ballafaquar me padrejtësitë e jetës pasqyrohen në këtë film nën skenarin dhe regjinë e Luàna Bajrami, e që mbrëmë u shfaq para publikut kosovar në kuadër të edicionit të 13-të të PriFest, shkruan KultPlus.

Pak minuta para se ora të shënonte 20:30, ishin njerëzit e shumtë të cilët vrullshëm po mbushnin sallën e Teatrit Kombëtar duke zënë vendet e tyre të distancuar. Pas pritjes të padurueshme të të pranishmëve dhe fikjes së dritave të ngrohta brenda sallës, filmi nisi hapjen e tij nën errësirën tashmë të mirënjohur nga çdo kush.

‘Luaneshat e Kodrës’, një film i xhiruar në Kosovë shtjellon ëndrrat e tri personazheve kryesore që vijnë nën aktrimin e jashtëzakonshëm të Flaka Latifit, Era Balajt dhe Uratë Shabanit. Këto tri shoqe të pandashme me njëra tjetrën që refuzojnë ti shpalosin vështirësitë e tyre personale mes vete, përfytyrojnë një të ardhme të ndritur e të mbushur deri në kupë me një liri tejet të dëshiruar si asnjëherë më parë.

Diku larg vendit ku ato jetojnë, në një qytet të madh, aty ku nuk ekzistojnë thashethemet dhe pengesat e gropat e vazhdueshme nëpër të cilat duhet të kalojnë çdo ditë të jetës së tyre, është pikërisht ai vegimi përrallor që mban gjallë shpresat, pritjet e parashikimet e tyre gjatë rrugëtimit të tyre të quajtur ‘jetë’. E se si ardhmja e tyre do të lulëzojë, këtë filmi e tregon qartazi.

Kamera precize e regjisores Luàna Bajrami, duket se pas çdo gremisje të paraqitur brenda rrjedhës së filmit, para publikut kosovar shfaq imazhe e peizazhe që i ngjasojnë fantazive e imagjinatave të mbyllura në thellësinë shpirtërore të qenies njerëzore, duke ngulitur kështu syrin e tij para ekranit me një rrënjosje të pamjeve diversive të kodrave dhe jo vetëm. Cicërima e zogjve në natyrë dhe ajo pranë ujit të kristaltë e krejtësisht të pasur, portretizonte lirinë e ëndërruar të tri personazheve kryesorë.

E teksa këto pamje paraqitnin një spektakël më vete porsi një tablo e pikturuar nga plasaritja e emocioneve e ndjenjave nga më të ndryshmet, filmi tregonte për jetën e tre vajzave, familjet e të cilave ndryshonin nga njëra-tjetra por që në thelb kishin të pikasur një mendësi pothuajse të njëjtë.

Fshatin në të cilën ato janë rritur duket se tashmë vajzave po iu shndërrohet në një labirint nga i cili nuk ka shpëtim e as dalje. Përderisa ato prisnin rezultatet e tyre për tu pranuar në Universitet përkundër mendimeve të prindërve të tyre, ambiciet e tyre nuk po mund të kalonin pas prangave të fshatit në të cilin po frymojnë. Por kërkimin e tyre për të qenë të pavarura në jetë nuk mund t’ia ndalë askush, andaj po njëlloj si emri i këtij filmi, këto luanesha nisin hungërimën e tyre e cila edhe do të ketë një fund të paparashikuar.

Në tentim për lirinë e tyre shumë të dëshiruar, gjatë rrugës për një të ardhme më të mirë, iu bashkëngjiten edhe dy personazhe të tjerë të interpretuar nën aktrimin e Andi Bajgores, dhe Luàna Bajramit. Por edhe pse kjo ndërhyrje do të ndikojë në jetën e tyre, udhëtimi i tyre po vazhdon pothuajse njëjtë. Prandaj, koha për të marrë përsipër vendimet për veten në duart e tyre pas përjetimeve të dhunës fizike dhe seksuale të përditshme si dhe varfërisë të vazhdueshme, tashmë ka gjetur vendin dhe kohën e duhur.

‘Luaneshat e Kodrës’, titullohet emri i bandës së tyre e që duket se për ta ishte zgjidhja e vetme dhe e fundit në një shtet ku ndryshe nuk funksionohet. Andaj, vjedhja e tyre e parë në një dyqan bizhuterish i siguron atyre një numër të madh parash, përmes të cilave ata shijojnë jetën në një shtëpi të braktisur e cila është shndërruar në strofullën e tyre të paqes. Por kjo fole e ruajtur me dashuri, lumturi e qetësi absolute së shpejti nuk do të jetë më e tillë.

Një arratisje e tyre drejt detit, do të shpalos historinë e dy dashurive të krijuara përgjatë këtij rrugëtimi e ku më në fund nën meloditë e këngës ‘Fëllënza’, buzëqeshjet e sinqerta, lumturia në sy njeriu dhe dhimbjet e varrosura brenda shpirtrave, zgjuan ndenja të bukura tek të pranishmit, duke i shtyrë ata të mendojnë se ata po i afrohen drejt një fundi të lumtur i cili do të zgjasë me po të njëjtat emocione. Por, sic edhe thuhet brenda filmit: gabimi i vetëm i tyre është kthimi në ferrin të cilin e lanë para disa ditësh.

E ky ferr i mbushur me gjak në skenën e fundit vulos fundin e këtij gabimi që shpërtheu zemrat e luaneshave në një gabim të papërmirësuar.

Pas shfaqjes së filmit, ishin duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta të publikut që zhurmuan sallën e Teatrit Kombëtar në një varg melodish të përsëritura për disa minuta. E në mesin e tyre ishin edhe ekipi i filmit ‘Luaneshat e Kodrës’ të cilët ngadalë dolën në skenë për një fjalë rasti.

“Po ndjehem shumë e kënaqur dhe faleminderit shumë për pritjen. Dua të falënderoj të gjithë ekipin e Kosovës dhe Francës, aktorët si dhe PriFest-in. Me qenë njeri dhe me pas ambicie është goxha e komplikuar, kështu që këtë film e kam bërë për inspirim. I kam pasur 18 vjet kur e kam shkruar dhe xhiruar e arritja dhe udhëtimi i këtij filmi, është goditje shumë e madhe për të gjithë ne”, thotë Bajrami.

Kurse, sot në një konferencë për media për të treguar më shumë rreth rrugëtimit të filmit ‘Luaneshat e Kodrës’, të pranishëm ishin regjisorja dhe skenaristja Luàna Bajrami si dhe aktorët në rolet kryesore: Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj dhe Andi Bajgora.

“Unë kam dashur të flas për liri dhe me kriju një film që do ta kisha dëshirë ta shihja kur i kam pasur 15 vjet. Jam inspiruar prej shumë gjërave dhe kam dashur që këtë film ta mbajë në Kosovë sepse Kosova më inspiron por kjo tematikë për mua është shumë universale. Kështu që këto ndenja në film ndaj kësaj rinie, problematikat e kufizimet që i kanë, mendoj se e njëjta është edhe në Francë”, thotë Bajrami.

Sipas saj, është dashur të merret shumë vetëbesim nga vetja dhe të tjerët sepse filmi nuk pa pasur përkrahje në fillim por gjatë procesit të xhirimit, është arritur lidhja me disa partnerë të ndryshëm.

Ndërsa, aktorja Uratë Shabani foli rreth punës së saj me një regjisore vajzë.

“Po shkoj në audicion dhe po shkoj shumë vetvetja ashtu siç doja unë të isha e veshur. Kur hyra dhe e pashë Luanën, ishte një moment që më goditi papritmas. Prandaj, për të punuar me Luanën është fat shumë i madh, të paktën për mua sepse ky është filmi im i parë i gjatë dhe prej Luanës 18 vjeçare kam mësuar shumë më shumë se sa me regjisorët të cilët kam punuar më herët”, thotë Shabani.

Po ashtu, aktorja Flaka Latifi foli rreth të përbashkëtave të saj me rolin e saj në film.

“Në film e luaj rolin e Qe-së e cila ka shumë të përbashkëta me mua por gjithashtu ka edhe dallime. Qe është një vajzë me karakter shumë të fortë që po njëlloj e shoh edhe veten. Qe po ashtu është ambicioze dhe punëtore. Këto do të thoja që mund të janë karakteristikat e përbashkëta që Flaka i ka me Qe-në”, thotë Latifi.

Kurse, aktorja Era Balaj foli rreth punës së tyre në ekip dhe emocionit të saj gjatë premierës së filmit në PriFest.

“Së bashku me aktoret jemi bërë shumë shoqe dhe mendoj që kjo ka ndikuar në gjithçka mes neve. Ka mjaftuar njëherë me diskutu dhe kemi qenë në të njëjtën faqe për atë se çfarë kemi dashur të arrijmë. Kështu që dje ka qenë hera e dytë që e kemi parë filmin dhe mu është dukur si me pa për herë të parë”, thotë Balaj.

Gjithashtu, aktori Andi Bajgora foli rreth arsyes së interesimit të madh të publikut për të parë filmin.

“Nuk jemi mësuar të shohim shumë aktorë të rinj duke punuar në një projekt kaq të madh e as nuk jemi mësuar të shohim një regjisore kaq të re. Energjia jonë gjatë xhirimeve gjithçka e ka bërë interesant dhe ka shtyrë që edhe njerëzit tonë të interesohen për filmin”, thotë Bajgora.

‘Luaneshat e Kodrës’, filmi i parë i gjatë kosovar që ka shfaqur premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë, atë të Kanës, është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin, dhe bashkëproducent Pascal Judelewicz.

Në rolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora, dhe Luàna Bajrami.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga OrëZanë Films (Kosovë), Vents Contraires (Francë), dhe Acajou Productions (Francë). / KultPlus.com

MKRS: Sukseset e tyre po na bëjnë krenar të gjithëve, ndërsa tregojnë potencialin që ka vendi ynë në këtë fushë

Pas suksesit të jashtëzakonshëm të filmave vendorë në Festivalin e Filmit në Sarajevë, ka reaguar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me ç’rast ata janë shprehur se Kosova ka marrë disa prej çmimeve kryesore në këtë festival e për çka ata ndjehen mjaft krenarë, përcjellë KultPlus.

“Ne i urojmë për këto çmime dhe shpresojmë që sukseset e tyre të vazhdojnë”, ka shkruar MKRS-ja.

KultPlus ju sjell njoftimin e plotë të tyre:

Filmat nga Kosova marrin disa prej çmimeve kryesore në Festivalin e Filmit në Sarajevë
Sukseset e filmave kosovar në festivalet më të mëdha ndërkombëtare të filmit po vazhdojnë. Kësaj radhe në Sarajevë tre filmat e vendit tonë, “Luaneshat e kodrës”, “Në kërkim të Venerës” dhe “Pa Vend” ia kanë dal të marrin disa prej çmimeve kryesore.
Aktoret Flaka Latifi, Era Balaj dhe Uratë Shabani – që janë pjesë e filmit “Luaneshat e kodrës”, nën regjinë e Luana Bajramit kanë fituar çmimin “Zemra e Sarajevës për aktoren më të mirë”.
Filmi “Në kërkim të Venerës”, nën regjinë e Norika Sefës ka fituar çmimin “Përmendje speciale për barazi gjinore”.
Ndërsa filmi i metrazhit të shkurtë “Pa vend”, me regji të Samir Karahodës është shpërblyer me çmim special në këtë festival, çmim që i është ndarë nga juria profesionale.
Sukseset e tyre po na bëjnë krenar të gjithëve, ndërsa po tregojnë potencialin që ka vendi ynë në këtë fushë.
Ne i urojmë për këto çmime dhe shpresojmë që sukseset e tyre të vazhdojnë.
Festivali i Filmit në Sarajevë vlerësohet si një prej ngjarjeve më të mëdha të filmit në Evropën Juglindore dhe një prej më të mëdhenjve në Evropë. / KultPlus.com

“Luaneshat e Kodrës” u shpërblye me Zemrën e Sarajevës, Latifi, Balaj e Shabani morën çmimin aktorja më e mirë

Festivali i Filmit të Sarajevës është duke shkuar drejt mbylljes së këtij edicioni, dhe suksesi i filmave shqiptarë ishte i pashmangshëm edhe në këtë festival, shkruan KultPlus.

Në kategorinë aktorja më e mirë, juria e këtij festivali këtë çmim i ka ndarë tri aktoreve të filmit “Luaneshat e Kodrës”, me regji të Luana Bajramit, dhe aktoret që u vlerësuan në këtë festival janë: Flaka Haliti, Era Balaj dhe Uratë Shabani.

Ky ka qenë vlerësimi i jurisë së kryesuar nga aktorja Jasna Gjuriçiq e në përbërje të së cilës ishin edhe Mike Cahill (regjisor dhe skenarist), Lili Horvát (regjisore dhe skenariste), Eva Sangiorgi (drejtoreshë artistike e Viennales), si dhe Martin Schweighofer (drejtor ekzekutiv i Austrian Film Comission).

Ky film është xhiruar në Kosovë dhe flet për tri shoqe të pandashme të cilat janë në pritje të rezultateve për Universitet. Të ulura në një kodër, Qe (Flaka Latifi), Li (Era Balaj) and Jeta (Uratë Shabani) ëndërrojnë të shkojnë në një qytet më të madh për t’u pavarësuar e për t’i lënë prapa thashethemet dhe pengesat e tjera në fshatin e tyre.

‘Luaneshat e Kodrës’ është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin, dhe bashkëproducent Pascal Judelewicz.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga OrëZanë Films (Kosovë), Vents Contraires (Francë), dhe Acajou Productions (Francë).

Në rolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora dhe Luàna Bajrami./ KultPlus.com

“Pa Vend” dhe “Luaneshat e Kodrës”, pjesë e ‘Toronto International Film Festival’

“Toronto International Film Festival” dje ka publikuar një artikull ku ka bërë të ditur filmat e edicionit të sivjetmë, e pjesë e këtij festivali është edhe filmi nga Kosova “Pa Vend”, nën regjinë e Samir Karahodës.

“Pa Vend” do të konkurrojë në programin e filmave të shkurtër “Short-Cuts”, i cili përmban gjithsej 38 filma që vijnë nga 23 shtete.

Ndërsa, pjesë e këtij festivali do të jetë edhe regjisorja kosovare Luana Bajrami me filmin e saj “Luaneshat e Kodrës”. Ajo do të konkurrojë në programin “Contemporary World Cinema”.

Festivali do të mbahet nga 9 deri më 18 shtator në formatin hibrid. Për edicionin e tij të 46-të, festivali gjatë 10 ditëve do të sjellë kineastë nga Kanadaja, por edhe e gjithë bota me mbi 100 filma që janë pjesë e seleksionimit zyrtar e paralelisht me këtë do të mbahen edhe ngjarje të tjera.

Orari i i plotë i festivalit do të publikohet më 24 gusht. Artikulli i plotë: https://tiff.net/films / KultPlus.com

Premierë historike e ‘Luaneshave të Kodrës’ në festivalin e Kanës

Filmi ‘Luaneshat e Kodrës’ nga Luana Bajrami shfaqi premierën në kuadër të programit Directors’ Fortnight të Festivalit të Kanës. Ky është filmi i parë i gjatë i bashkëprodhuar nga Kosova e Franca dhe i xhiruar në Kosovë që shfaqë premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë, përcjellë KultPlus.

Directors’ Fortnight është program shumë i rëndësishëm i Kanës që ka ndikuar shumë në kinemanë bashkëkohore dhe ka kontribuar në evoluimin e gjuhës së filmit botëror, duke shfaqur filma të regjisorëve të njohur si Werner Herzog, Rainer Werner Fassbinder, Nagisa Oshima, George Lucas, Martin Scorsese, Chantal Akerman, Jim Jarmusch, Michael Haneke, Spike Lee, Naomi Kawase, Jean-Pierre and Luc Dardenne, dhe Sofia Coppola.

‘Luaneshat e Kodrës’ është në garë për Kamerën e Artë “Camera d’or” çmim i Festivalit të Kanës për regjisorët debutues që janë pjesë e programeve të ndryshme të festivalit.

Filmi është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin, dhe bashkëproducent Pascal Judelewicz.

Në rrolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora, dhe Luàna Bajrami.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga OrëZanë Films (Kosovë), Vents Contraires (Francë), dhe Acajou Productions (Francë). / KultPlus.com

Kosova në Kanë me filmin “Luaneshat e Kodrës” të regjisores Luana Bajrami

Diku në një fshat të vogël në Kosovë, tri të reja shohin se si ëndrrat dhe ambiciet e tyre po u mbyten. Kërkimin e tyre për pavarësi asgjë nuk mund ndalojë: ka ardhur koha për luaneshat të ulërojnë. Ky është rrugëtimi që na e sjellë Luàna Bajrami përmes filmit të parë të saj. ‘Luaneshat e Kodrës’, do të jetë filmi i parë i gjatë kosovar që do ta shfaqë premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë, atë të Kanës, përcjellë KultPlus.

“Unë jam rritur me kombësi të dyfishtë franceze-kosovare, kështu që është një nder për mua ta sjell këtë film kosovar në Festivalin e Kanës në Francë.

Jam shumë e gëzuar për njohjen dhe entuziazmin që veç i është dhënë filmit. Sidomos pasi që është filmi im i parë me metrazh të gjatë që merret me tema që janë shumë të rëndësishme për mua: rinia dhe dëshira e rinisë për liri”, u shpreh Luana, regjisorja e filmit.

‘Luaneshat e Kodrës’ është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin, dhe bashkëproducent Pascal Judelewicz.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga OrëZanë Films (Kosovë), Vents Contraires (Francë), dhe Acajou Productions (Francë).

Në rolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora, dhe Luàna Bajrami. Premiera do të shfaqet në kuadër të programit Director’s Fortnight të Festivalit të Kanës. / KultPlus.com