Vritet nga barinjtë një nga luanët më të vjetër të Afrikës

Foto:

Një nga luanët më të vjetër të Afrikës është vrarë nga barinjtë Maasai në Kenia, thanë sot grupet e ruajtjes.

Luani mashkull, 19 vjeç, u vra me shtizë pasi hyri në një strehë pranë parkut Amboseli në Kenia jugore, tha zëdhënësi i Shërbimit për Kafshët e Egra Kenia (KWS), Paul Ginaro.

“Lunkito ishte një luan i vjetër që kishte vështirësi në gjetjen e ushqimit dhe kafshët e kultivuara janë pre e lehtë. Prandaj ai shkoi të kërkonte ushqim në park,” shpjegoi Ginaro.

Luanët në Afrikë zakonisht jetojnë 12-18 vjet në natyrë, sipas organizatës afrikano-jugore Cats for Africa.

Në vitin 2021, KWS prezantoi Lunkiton si një “luftëtar legjendar mace” që mbrojti territorin e tij për një dekadë.

“Me një zemër të rëndë ne ndajmë lajmin për vdekjen e Lunkito (2004-23), luani mashkull më i vjetër në ekosistemin tonë dhe ndoshta në të gjithë Afrikën,” tha organizata keniane Lion Guardians në Facebook, duke e përshkruar atë si “Simbol i rezistencës dhe bashkëjetesës”.

Rreth 2,500 luanë jetojnë sot në Kenia, bazuar në regjistrimin e tyre të parë (dhe më të fundit deri më sot), i cili u zhvillua në vitin 2021. Vitet e fundit, kafshët e egra kanë hyrë gjithnjë e më shumë në zonat e populluara në këtë vend të Afrikës Lindore dhe zhvillimi urban ka kufizuar ekosistemin e tyre. “Ne duhet të rrisim ndërgjegjësimin në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje për të mobilizuar njerëzit dhe të mund t’i çojmë kafshët në parqet e natyrës,” tha Paul Ginaro.

Në korrik, një luan u arratis nga parku kombëtar i Nairobit dhe përhapi panik në periferitë jugore të kryeqytetit. Parku është vetëm shtatë kilometra larg qendrës së qytetit dhe kafshët që ikin atje shpesh përfundojnë duke u endur në këtë metropol prej 4 milionë banorësh. Në dhjetor 2019 një luan vrau një burrë jashtë parkut dhe në mars 2016 një tjetër sulmoi dhe plagosi një banor përpara se të vritej nga rojet. /abcnews.al/KultPlus.com

Luani që jetonte në apartament (FOTO)

Fotot e një luani që ka jetuar në një apartament të Londrës do të dalin së shpejti në shitje.

Dy australianë, John Rendall dhe Anthony “Ace” Bourke, në vitin 1969 vendosën që të blinin një luan dhe ta rrisnin në shtëpinë e tyre.

Ata e merrnin luanin me vete nëpër festa, i bënin xhiro me Mercedes dhe të flinte në divan.

Në foto, luani shihet duke ngrënë biftek nga pjata e pronarëve të tij dhe duke pirë ujë nga tualeti.

Kur u rrit, luani u kthye në Kenia./A2CNN/ KultPlus.com

Gjykata në Gjilan vendosë që luani “ilegal” të konfiskohet, duhet të zhvendoset jashtë Kosove

Saga për fatin e luanit Gjoni duket se do të marrë fund.

Më shumë se një vit që kur luani Gjoni ishte gjetur se po mbahej ilegalisht diku në rajonin e Gjilanit, gjykata ka vendosur që luani të konfiskohet.

Me këtë vendim gjykate autoritetet përkatëse janë të detyruara të zhvendosin luanin nga kafazi ku mbahet dhe t’i gjendet një zgjidhje e përshtatshme jashtë Kosovës.

Shoqata për Mbrojtjen e Kafshëve e ka kontaktuar edhe ministrin në detyrë, Muharrem Nitaj. Ai ka premtuar se do të bëjë çfarë është e mundur që rasti i luanit Gjoni të zgjidhet sa më shpejt./ KultPlus.com

Luanit në resortin e Gjilanit, tash e një vit s’po i dalin në ndihmë institucionet

Që nga koha kur është bërë e ditur se po mbahet një luan në mënyrë ilegale në një resort në Gjilan ka pasur reagime të shumta. Mirëpo edhe sot pas një viti nuk ka pasur ndonjë reagim nga ana e institucioneve përkatëse, shkruan KultPlus.

Në një postim në Facebook, Fondacioni për të Drejtat e kafshëve ka reaguar sërish duke thënë se Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit nuk po i kryen detyrat e veta për të mundësuar transferimin e luanit.

Ky është reagimi i kësaj organizate në faqen zyrtare Facebook:

Sot bëhen 1 vit prej kur është zbuluar mbajtja ilegale e luanit në resortin “Maja e Zezë” në Gjilan.

Edhe pse është konstatuar se luani është kontrabanduar në Kosovë dhe është konfiskuar në fillim të këtij viti, luani vazhdon të qëndrojë i mbyllur në të njëjtin vend, peng i mosangazhimit të institucioneve.

Organizata FOUR PAËS International ka ofruar strehim për luanin në një nga qendrat e saj të shpëtimit, mirëpo deri më tani Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit nuk po i kryen detyrat e veta për të mundësuar transferimin e luanit, përkundër faktit që kemi tentuar disa herë të kontaktojmë direkt edhe Ministrin, z. Blerim Kuçi.

Përmes këtij postimi, i bëjmë thirrje përsëri Ministrit Kuçi dhe zyrtarëve të tjerë të Ministrisë, të angazhohen seriozisht në këtë qështje dhe luanit t’i mundësohet transferimi sa më shpejtë që është e mundur./ KultPlus.com