Festivali Ndërkombëtar i Filmit i Venecias nderoi aktoren amerikane, Sigourney Weaver me një çmim prestigjioz “Luani i artë” për karrierën artistike, ndërsa festivali italian hapi edicionin e tij të 81-të dje në mbrëmje.
Gjithsej 21 filma ndërkombëtarë konkurrojnë për çmimin kryesor të festivalit ”Luani i artë”.
Në fjalimin e saj, Weaver falënderoi familjen dhe kolegët e saj aktorë.
”Luani im i artë do të ulet pranë meje në aeroplan”, tha aktorja 74-vjeçare, e njohur për rolin e saj në filmin ”Alien”, premiera e të cilëve u bë në vitin 1979.
Weaver i referohej titullit italian të çmimit “Leone d’Oro”.
”Ai do të ulet pranë meje në gondolë dhe burri im do të duhet të mësohet me atë, të shtrirë në shtrat me ne”, shtoi ajo me shaka.
Aktorja franceze, Camille Cottin mbajti fjalimin lavdërues për kolegen e saj amerikane.
Ajo vlerësoi Weaver për punën pioniere që ajo ka bërë për gratë në sferën publike – me role femrash pa klishe’.
“Faleminderit që krijuat një dimension të ri në kinema duke portretizuar gratë në një mënyrë kaq revolucionare”, tha Cottin në gala të së mërkurës mbrëma, e cila u organizua nga aktorja italiane, Sveva Alviti.
Më pas, regjisori James Cameron, i cili punoi me Weaver në filmin “Avatar”, mbajti një fjalim të dytë lavdërues përmes video-mesazhit dhe tha se “nëse më pyesni mua, Oscar-i është shumë i vonuar për të”.
Pasi festivali i vitit të kaluar u ndoq kryesisht nga aktorë italianë dhe evropianë për shkak të grevës së Hollivudit, shumë yje ndërkombëtarë u rikthyen këtë vit në Venecia për të ecur sërish në tapetin e kuq.
Aktorja Cate Blanchett dhe muzikantja Patti Smith pozuan së bashku për fotografët.
Regjisori Tim Burton ka ecur dorë për dore në tapetin e kuq me partneren e tij, aktoren Monica Bellucci.
Filmi i tij “Beetlejuice Beetlejuice” ishte i pari që u shfaq pas ceremonisë së hapjes.
Bellucci është bashkuar në kastin e filmit nga yjet, duke përfshirë Michael Keaton, Winona Ryder, Willem Dafoe dhe Jenna Ortega.
Angelina Jolie luan këngëtaren e njohur të operës Maria Callas në filmin biografik “Maria” nga Pablo Larraín, ndërsa filmi aksion i bashkëshortit të saj Brad Pitt – “Wolfs” nga Jon Watts – shfaqet jashtë konkurrimit.
Vendimi për ”Luanin e artë” i takon një jurie prej nëntë anëtarësh të udhëhequr nga aktorja franceze Isabelle Huppert.
Ai do të jepet në natën e mbylljes së festivalit, më 7 shtator./KultPlus.com