Opera e famshme e Donizetti-t, “Lucia di Lammermoor”, mori duatrokitje të gjata mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Vepra e kompozitorit italian Gaetano Donizetti, është një dramë që ndërthur dashurinë e ndaluar, tradhtinë dhe çmendurinë dhe u rikthye në TKOB pas 16 vitesh.
Produksioni i ri i veprës operistike pati në rolin kryesor sopranon e mirënjohur në skenat ndërkombëtare, Jessicca Pratt, ndërkohë që 16 vjet më parë roli i Lucia-s interpretohej nga Marjana Leka dhe Oriana Kurteshi.
“Lucia di Lammermoor” është një nga veprat më të rëndësishme që vihen në skenën e TKOB këtë fundviti. Vepra erdhi me regji nga Ada Gurra dhe nën dirigjimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli dhe drejtuesit të korit, Dritan Lumshit.
Opera e Donizetti-t rrëfen fatin e një vajze që lufton për dashurinë, e që nuk pranon të bëj kompromis.
Vepra do të vijojë edhe mbrëmjen e sotme (13 dhjetor) si dhe në 15 dhe 16 dhjetor, në TKOB./atsh/KultPlus.com