Opera “Lucia di Lammermoor” rikthehet pas 16 vitesh në TKOB

Opera “Lucia di Lammermoor” e kompozitorit Gaetano Donizetti rikthehet pas 16 vitesh në në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Opera “Lucia di Lammermoor” u shfaq premierë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit më 1 nëntor 2008 me regji të Nicola Zorzi.

Asokohe roli i Lucias u interpretua nga sopranot Marjana Leka, Oriana Kurteshi dhe Francesca Micarelli, duke sjellë tre portretizime brilante të këtij personazhi kompleks.

Rolin e Enricos, vëllait të Lucias, e interpretuan baritonët e shquar Ylber Gjini dhe Marco Camastra, ndërsa roli i të dashurit të Lucias, Edgardo, u soll në skenë nga tenorët Gianluca Terranova dhe Cristiano Oliveri.

Roli i Arturos u interpretua nga Rudin Sata, Raimondo nga Armando Likaj, Alisa nga Vikena Kamenica dhe Normano nga Erlind Zeraliu.

Ky rikthim pas plot 16 vitesh premton shumë emocione, me dy kaste artistësh të jashtëzakonshëm.

Prej ditësh tashmë, regjisorja Ada Gurra po punon intensivisht me solistët dhe korin e TKOBAP-së për të sjellë një interpretim unik të kësaj opere të Donizetti-t, në datat 12, 13, 15 dhe 16 dhjetor në orën 19:00./ atsh/ KultPlus.com