Në fund të Luftës së Dytë Botërore spastrimi i shqiptarëve të Çamërisë nga Greqia shënoi një tjetër kapitull në historinë e shqiptarëve. Çamët të rraskapitur dhe të uritur, e gjetën Shqipërinë nën pushtetin e komunistëve.
Çamëve iu dha statusi “refugjat” dhe u lejuan të qëndronin në Shqipëri. Në këto kushte ata krijuan shpejt një komitet për të kërkuar disa të drejta nga ndërkombëtarët, mes tyre dhe kthimin në vendlindje. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se, në vitin 1946 Çështja Çame u ngrit në Konferencën e Paqes në Paris, por të gjitha veprimet rezultuan të pafrytshme.
Në fillim të viteve ’50 Çështja Çame u konsiderua e mbyllur dhe në 19 prill të vitit 1953, Presidiumi i Kuvendit Popullor miratoi dekretin mbi dhënien e shtetësisë shqiptare çamëve që banonin në Republikën Popullore të Shqipërisë. Me zbatimin e këtij vendimi ngarkohej Ministria e Punëve të Brendshme dhe me përfundimin e këtij procesi, diktatori Hoxha shpërndau edhe Komitetin./KultPlus.com
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se ofensiva ruse në Donbas është “më e madhja në tokën evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore”, raporton The Guardian.
Kuleba shkroi në Twitter se ishte “shumë herët” për të arritur në përfundimin se Kievi tashmë i ka të gjitha armët që i nevojiten për t’u mbrojtur kundër ofensivës ruse.
Ai u bëri thirrje aleatëve që të përshpejtojnë dërgesat e armëve dhe municioneve.
Kuleba më vonë akuzoi rusët se kishin vjedhur grurin ukrainas, duke e ngarkuar atë në anije dhe më pas duke kaluar nëpër Bosfor për t’i shitur jashtë vendit.
Ai u bëri thirrje vendeve që të refuzojnë propozime të tilla dhe të mos blejnë grurin e vjedhur, duke shtuar. “Mos u bëni bashkëpunëtorë të krimeve ruse. Vjedhja nuk i ka sjellë askujt fat”, ka thënë Kuleba. / KultPlus.com
Në fjalimin e tij me rastin e përkujtimit të fundit të Luftës së Dytë Botërore, kancelari gjerman, Scholz kujtoi përgjegjësinë historike të Gjermanisë, dhe akuzoi Putinin për manipulim të historisë në lidhje me Ukrainën.
Përkujtimi i Luftës së Dytë Botërore këtë 8 dhe 9 Maj është errësuar nga lufta që po zhvillohet në Ukrainë. Kancelari gjerman, Olaf Scholz mbajti një fjalim të posaçëm dje me rastin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. 8 Maji 1945 shënon kapitullimin e Gjermanisë hitleriane. Por 8 Maji 2022 e gjen Europën në një luftë të re. Scholz përmendi në këtë kontekst përgjegjësinë historike të Gjermanisë, nga e cila rrjedh përgjegjësia për mbështetjen e Ukrainës. Gjermania e ka nxjerrë mësimin qendror nga historia katastrofike mes vitete 1933 dhe 1945, tha Scholz: “Kurrë më! Kurrë më luftë. Kurrë më gjenocid. Kurrë më sundim të dhunës. E megjithatë ka ndodhur sërish luftë në Europë.” Për kancelarin gjerman kjo mund të nënkuptojë vetëm “ne ndihmojmë me qëllim që të marrë fund dhuna.” Për këtë arsye janë dërguar për herë të parë armë në një zonë lufte, tha Scholz.
Si “poshtërsi dhe manipulim të historisë” e quajti Scholz barazimin e “luftës barbare sulmuese” që po zhvillon Rusia me luftën kundër nacionalsocializmit. “Gjermania atëherë ka qenë fajtore me të dyja kombet, atë rus dhe atë ukrainas. Me të dy ne synojmë prej dekadash pajtimin”, tha Scholz. Por tani presidenti rus kërkon të nënshtrojë Ukrainën, të shkatërrojë kulturën dhe identitetin e saj. Kancelari gjerman premtoi ndihma të mëtejshme për Ukrainën, edhe armë të rënda. “Ne e mbështesim Ukrainën në luftë kundër agresorit. Të mos e bësh këtë do të thotë kapitullim para dhunës së qartë dhe forcim i agresorit.”
“Ndërrim epokash”
Edhe presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier mbajti një fjalim me rastin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore Steinmeier bëri fjalë për një “ndërrim epokash”. 8 Maji nuk ka qenë vetëm një ditë e kujtimit dhe paralajmërimit, por “për një kohë të gjatë” edhe një “ditë e shpresës”, tha Steinmeier në Kongresin Federal të Shoqatave të Sindikatës Gjermane, DGB. “Por sot në këtë 8 Maj është shkatërruar ëndrra e një shtëpie të përbashkët europiane; makthi ka zënë vendin e saj”, tha presidenti gjerman. “Ky 8 Maj është një ditë e luftës.” /DW/ KultPlus.com
Andrea Rosheen Finnigan, ishte vetëm tri vjeçe, kur babai i saj, David kishte vdekur gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Nëna e Rosheen, Maria, shumë rrallë i kishte folur asaj për të atin, por përpara se të vdiste, ajo i kishte lënë të bijës një valixhe me disa letra, të cilat e tregojnë në detaje historinë e dashurisë magjepsëse, midis Davidit dhe Marisë.
Në njërën nga letrat, e cila daton që nga 8 maji i vitit 1943, David Francis i shprehë Marias, frustrimin e tij nga qëndrimi i tij në shërbimin e inteligjencës në Afrikë dhe pastaj në Indi gjatë luftës së dytë botërore.
Larg gruas dhe vajzës tashmë për më shumë se një vit, ai në letrat e tij tregonte se dëshira e vetme e oficerit të ri, ishte të shihte edhe njëherë familjen e tij, përpara se me gjasë do të humbiste jetën në atë luftë e cila e kishte lidhur të gjithë.
Vetëm tri javë pas shkroi letrën e fundit, Francis vdiq dhe Rosheen Finnigan humbi babain e saj në moshën tre vjeçare edhe pse ajo nuk e kishte parë atë që kur ishte dy vjeçe. Nga ajo kohë ai u zhduk nga jeta e saj, pasi u zhdukën nga shtëpia fotografitë, shënimet dhe madje edhe gramafoni i lavdishëm i vjetër me lëkurë të cilin ai e quajti ‘Griselda’. Nëna e saj ndonjëherë përmendte se kishte një valixhe me letra të tij. Ajo shumicën e kohës nuk fliste për Francisin, për shkak të burrit të saj të ri, i cili frikësohej se nëse ajo vazhdonte të fliste për të, do të ushqente edhe dashuri për të, edhe pse ai kishte vdekur. Kështu vazhdoi deri në vdekjen e nënës së Rosheen, e cila para se të vdiste ia dorëzoi të bijës valixhen me letra nga i ati i cili kishte vdekur gjatë luftës së dytë botërore.
“Ajo ma dha babain tim më në fund”, tha Roshen, e cila më pas publikoi këto letra, përmes të cilave tregoi një histori shumë të veçantë dashurie, e cila përfshin hollësi të vlefshme me qëndrimet çuditërisht të sinqerta dhe bashkëkohore të Davidit dhe Marisë për çdo gjë, nga seksi në politikë.
Maria ishte e bija e një çifti emigrantëve irlandezë, e cila ishte arsimuar në gjuhën angleze. Por ata ishin të dy të zgjuar, energjikë, artistikë dhe ishin bërë anëtarë të përkushtuar të Partisë Komuniste Britanike, radhët e të cilave u rritën në përgjigje të kërcënimit fashist.
Roshen me anë të këtyre letrave kishte mësuar aq shumë detaje nga jeta e edhe lidhja e prindërve të saj, të cilat ndoshta nuk do t’i mësonte edhe po të jetonin bashkë për një kohë të gjatë.
Sipas letrave të cilat Roshen i ka bërë publike, takimin i tyre i parë ngjanë më atë që shohim vetëm në filma. Ata ishin takuar në një festë të një miku, kur Maria ishte 21 vjeçe dhe Davidi ishte 20 vjeç. Letrat tregojnë detaje nga lidhja e një çifti, bisedat e tyre të thjeshta, bisedat mbi fëmijën e tyre, biseda erotik…, e me anë të së cilave Roshen lidhi dhe krijoi një histori për familjen e saj, të cilat i ndau edhe me publikun më pas.
“Babai im kurrë nuk erdhi në shtëpi, por falë nënës sime dhe letrave që ajo më la mësova gjithçka për të. Babai im ishte i pasionuar, i çmendur, cinik, i kujdesshëm, i padurueshëm , i mrekullueshëm”, ka thënë Roshen e cila për tërë jetën nuk dinte asgjë për të atin dhe menjëherë mësoi gjithçka, më shumë së sa secili mund të dijë për të atin e vet edhe nëse kanë jetuar gjithë jetën bashkë. / KultPlus.com
Sot bëhen 76 vjet nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, e cila startoi si revansh i forcave fashiste dhe arriti përfundoi si triumf i forcave përparimtare. U zhvillua në 2077 ditë (1 shtator 1939-8 maj 1945 SR), si një përleshje e përgjithshme midis 61 shteteve, që përbënin 80 % të popullsisë të globit.
Veprimet luftarake u kryen në territoret e 40 shteteve në Euroje, Azi dhe Afrikë. Më 8 maj 1945 njerëzimi mbylli siparin e tragjedisë më të përgjakshme në historinë e tij: 32 milionë jetë njerëzore të humbura në fushëbetejat, nga të cilët 27 milionë ishin ruse; mëse 20 milionë u vrarë nga goditjet e avionëve, artilerisë dhe ato bërthamore; çdo ditë shuheshin më se 24 mijë njerëz.
500 miliardë franga ari zvicerane çmohet dëmi ekonomik, i qindfishuar i vlerësuar tashmë. 1.126.000 ton pleh i krijuar nga djegiet e trupave të njerëzve.
Shpërthimi i saj asesi s’mund të jetë ngjarje e rastit, por rrjedhojë e një vargu rrethanash të ndërlikuara politike, ekonomike, strategjike ndërkontinentale. Disa nga shkaqet mund të jenë: padrejtësitë e traktateve të nënshkruara pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore; paaftësia e Lidhjes së Kombeve të Bashkuara për të menaxhuar shtetet; kontradiktat midis shteteve të ndryshme; luftërat me karakter çlirimtar; kriza e thellë e përgjithshme ekonomike, e sidomos papunësia e madhe në vitet 1931-’35, etj. etj.
Historiografia botërore ka fiksuar si datë fillimi 1 shtatorin 1939, kur Gjermania me ëndrrën për të “Siguruar hapësirën e nevojshme jetike”, nën thirrjen histerike “Të jemi të pamëshirshëm nëse duam të ardhmen”, sulmoi Poloninë. Por lufta kishte filluar më 1931, kur Japonia pushtoi Mançurinë. Mandej, më 1939: u pushtua fillimisht Etiopia më 1935, Spanja më 1936, Austria e Çekosllovakia më 1938, dhe Shqipëria më 1939.
Viti 1940 vendosi në teatrin e luftimeve disa shtete të Azisë Juglindore, Greqinë, Francën, Holandën dhe Belgjikën. Vendet Skandinave e Danimarka u pushtuan në vitet 1940-‘41. Duke u gdhirë 22 qershori 1941, edhe pse ekzistonte një pakt sovjeto-nazist për mossulmim, u sulmua edhe ish-Bashkimi Sovjetik, çka do të thotë se bota hyri në një katastrofë globale të paparë në të shkuarën historike të saj.
8 maj 1945, është shënuar si rënia e Rajhut III. Gjermania naziste kapitullon pak ditë pas vetëvrasjes së Hitlerit dhe marrjes së Berlinit nga Ushtria e Kuqe./KP/ KultPlus.com
Pjetër Arbnori lindi më datë 18 janar të vitit 1935. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, forcat partizane vranë babain e tij. Qëndrimi antikomunist i familjes së tij do të ishte shkak që Pjetër Arbnorit t’i mohohej e drejta për të vazhduar shkollën e lartë edhe pse të mesmen e kishte përfunduar me rezultate të shkëlqyera.
Duke mos u pajtuar asnjëherë me vijën politike të regjimit komunist, ai dhe intelektualë të tjerë krijuan në fshehtësi Lëvizjen Social Demokrate, e cila u pikas nga Sigurimi i Shtetit.
Fillimisht atij iu dha dënimi me vdekje, por ky dënim iu kthye në 25 vjet burg, sepse autoritetet shpresonin akoma që nëpërmjet Arbnorit të zbulonin pjesëtarë të tjerë të organizatës së fshehtë ku ai bënte pjesë. Pas përfundimit të dënimit, ai u ridënua, duke vuajtur 28 vite në burgun e Burrelit.
U lirua në vitin 1989, vite ku ndjehej era e ndryshimit. Ishte mjaft aktiv në luftën për rrëzimin e regjimit komunist si dhe bashkëthemelues i Partisë Demokratike në Shkodër. Në vitet 1992-1997 shërbeu si kryetar Kuvendi. Pas vitit 1997 ai bëri përpjekje që censura e shtetit në media të eliminohej. Ndryshimet në ligj që pasuan në këtë fushë u quajtën “Amendamenti Arbnori”.
Rreth krijimtarisë së tij letrare rendisim: “Kur dynden vikingët”, “Bukuroshja me hijen”, “E bardha dhe e zeza”, “E panjohura”, “Vdekja e Gebelsit” “Shtëpia e mbetur përgjysmë”, “Letër nga burgu” etj.
Pjetër Arbnori vdiq në Itali, në korrik të vitit 2006./ KultPlus.com
Një varr masiv, i konsideruar si një nga provat më të rëndësishme të krimeve naziste në Poloni gjatë Luftës së Dytë Botërore është zbuluar së fundmi në zonën e njohur si “Lugina e Vdekjes”.
Në këtë zbulim në rrethinat e qytetit verior të Chojce u gjetën mbetjet e dhjetëra njerëzve të ekzekutuar nga nazistët gjatë luftës, transmeton KultPlus.
Ekspertët mendojë se aty ndodhen trupat e më shumë se 500 personave dhe se ata janë pjesë e krimeve të ashtuquajtura Pomeriane.
Numri ekzakt i njerëzve të vrarë është i panjohur, por mendohet se trupat e Adolf Hitlerit vranë 35 mijë njerëz në rajon në fillim të luftës në vitin 1939.
Në varr u gjetën dhe shumë sende me vlerë që iu përkisnin personave të vrarë. / KultPlus.com
Në një konferencë shtypi mbrëmjen e 9 nëntorit 1989, anëtari i byrosë politike të Gjermanisë Lindore, Gynter Shabovski shpalli në mënyrë të parakohshme se do të hiqeshin kufizimet e vizave të udhëtimit. Kur u pyet se kur do të vihej në zbatim politika e re, ai tha: “Menjëherë, pa vonesë”. Në fakt, kjo politikë do të shpallej një ditë më vonë dhe do të kërkonte gjithësesi një procesë të gjatë aplikimi për gjermano-lindorët. Përgjigjet konfuze të Shabovskit dhe raportimi i gabuar në media se pikat kufitare ishin hapur, shtyu mijëra gjermanë të Berlinit lindor që të shkonin drejt Murit të Berlinit. Në postbllokun e Rrugës Bornholmer, Harald Jager, oficeri në detyrë, u përball me një turmë që sa vinte e rritej në numër. Edhe irritimi sa vinte e shtohej. Duke marrë fyerje, në vend të udhëzimeve, prej eprorëve të tij, si dhe tejet nervoz për shkak se priste të merrte të nesërmen rezultatet e analizave të diagnostikimit për kancer, Jager e hapi pikën kufitare me mendjen e. tij, dhe pikat e tjera ndoqën shumë shpejt shembullin e tij.
Muri i Berlinit ishte ngritur më shumë se 15 vjet pas nisjes së Luftës së Ftohtë
Më shumë se 2 milion gjermano lindorë, shumica punëtorë dhe profesionistë të aftë, u larguan për në Perëndim mes viteve 1949 dhe 1961. Bashkimi Sovjetik kishte refuzuar kërkesën fillestare të Gjermanisë Lindore për të ndërtuar Murin në vitin 1953, por me dezertimet drejt Berlinit Perëndimor që po arrinin numrin 1000 njerë në ditë, në verën e 1961, udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushovi më në fund pranoi. Banorët e Berlinit u gdhinë mëngjesin e 13 gushtit 1961, përballë telave me gjemba që ishin vendosur në vijën ndarëse mes zonës perëndimore dhe lindore të qytetit. Disa ditë më vonë, Gjermania Lindore nisi fortifikimin me beton të kësaj barriere.
Muri i Berlinit ishin në fakt dy mure
Në fakt Muri i Berlinit përbëhej nga dy mure mes të cilëve ndodhej “rripi i vdekjes”, ku ndodheshin me qindra kulla roje, disa kilometra hendeqe kundër kalimit të mjeteve, qen roje, prozhektorë dhe mitralozë.
Më shumë se 100 njerëz gjetën vdekjen në përpjekje për të kaluar Murin
Qendra e Kërkimeve mbi Historinë Bashkëkohore Potsdam dhe Qendra e Memorialit të Murit të Berlinit dhe Dokumentimit raportojnë se të paktën 138 njerëz u qëlluan për vdekje, pësuan aksidente fatale ose kryen vetëvrasje pas përpjekjeve të dështuara për t’u arratisur përmes Murit të Berlinit. Të tjerë studime thonë se numri i viktimave është edhe më i lartë. Viktima e parë ishte Ida Siekman, që vdiq në 22 gusht 1961, pasi u përpoq të hidhej në një rrugë në Berlinin Perëndimor, e cila ndodhej nën dritaren e apartamentit të saj në katin e katërt, në Berlinin Lindor. Tragjedia e fundit ndodhi në mars 1989, kur një i ri gjermano-lindor që përpiqej të fluturonte mbi mur me balonë, ndeshi në kabllot e tensionit të lartë.
Më shumë se 5000 persona u arratisën, duke kaluar mbi dhe nën Murin e Berlinit
I pari dezertor që u arratis përmes Murit ishte roja kufitare 19 vjeçar, Konrad Shuman, i cili është përjetësuar në film teksa kërcente mbi telat me gjemba, vetëm dy ditë pasi kufiri ishte mbyllur. Ndërkohë që Muri u fortifikua gjithnjë e më shumë, edhe planet e arratisjes u bënë më të sofistikuar. Të arratisurit fshiheshin në pjesë të fshehta të makinave të berlinezo perëndimorëve që vinin për vizita, gërmonin tunele të fshehta dhe zvarriteshin nëpër tubacione. Tre vëllezërit Bethke realizuan arratinë më spektakolare. Vëllai më i madh Ingo u arratis me një dyshek me ajër, duke lundruar nëpër lumin Elbë në vitin 1975, dhe tetë vjet më vonë vëllai më i vogël kaloi mbi mur përmes një kablli çeliku që e lëshoi me hark dhe shigjetë, duke përfunduar në një çati shtëpie në Berlinin perëndimor. Në vitin 1989, dy vëllezërit fluturuan me një avion super të lehtë mbi mur, duke marrë edhe vëllanë e tretë, Egbert.
John F. Kennedy u shpreh i çliruar kur u ngrit Muri
Në qershor të vitit 1961, Hrushovi paralajmëroi presidentin amerikan, Kennedy, se do të bënte bllokadë Berlinit Perëndimor nëse nuk largoheshin forcat perëndimore, një akt luftënxitës që do të shpinte në luftë. Kur Kennedy dëgjoi lajmin se komunistët kishin ngritur mur përreth Berlinit Lindor, në vend që të shkëpusnin Berlinin Perëndimor nga pjesa tjetër, ai i tha një ndihmësi: “Nuk është zgjidhje shumë e mirë, por një mur është shumë më mirë se sa një luftë. Ky është fundi i krizës së Berlinit. Pala tjetër u kap prej panikut – jo ne. Tani nuk do të bëjmë asgjë, sepse nuk ka alternativë tjetër veç luftës”.
Kennedy nuk u tha berlinezëve se është një “kulaç me karamele”
Në 26 qershor 1963, Kennedy iu drejtua një turme para Murit të Berlinit: “Ich bin ein Berliner”. Presidenti kish për qëllim të shprehte solidaritetin me qytetarët e Berlinit, duke thënë se ishte njëri prej tyre, por disa kritikë thanë se duke shtuar nyjen “ein”, ai në fakt e quajti veten kulaç me karamele, që në pjesën më të madhe të Gjermanisë njihet si “Berliner”. Megjithatë, gjuhëtarët thonë se presidenti nuk bëri një gabim gramatikor, sepse “ein” është e nevojshme kur folësi është duke folur në mënyrë figurative, se i përket një kombësie të caktuar, siç edhe po ndodhte me Kennedyn. Veç kësaj, kulaçi që në gjithë Gjermaninë njihet si “Berliner”, në vetë Berlinin njihet si “pfannkuchen”, kështu që ata që e dëgjonin me siguri nuk janë ngatërruar.
Gjermania Lindore e quajti Murin “Mburoja Antifashiste”
Qeveria e Gjermanisë Lindore pretendoi se e ngriti Murin e Berlinit për të mbajtur jashtë fashistët, spiunët dhe idetë perëndimore. Dy javë pasi urdhëroi ngritjen e “Mburojës Antifashiste”, udhëheqësi Gjermano lindor Valter Ulbriht deklaroi: “Ne kemi mbyllur të çarat në shtëpinë tonë, si dhe vrimat përmes të cilave do të zvarriteshin armiqtë e popullit gjerman”.
Porta e Brandenburgut ka qenë dikur pjesë e një muri të shekullit 18
Mbreti i Prusisë, Frederik Uilliam II porositi ngritjen e harkut të famshëm që bashkon Berlinin lindor dhe perëndimor dhe që ka shërbyer si sfond i fjalimeve të famshme presidenciale të Kennedyt dhe Reaganit. Kur u përfundua në vitin 1791, Porta e Brandenburgut ishte pjesë e murit origjinal doganor të qytetit.
Një copë e Murit ndodhet në banjën e një kazinoje në Las Vegas
Shkatërrimi zyrtar i Murit të Berlinit nisi në verën e vitit 1990. Më shumë se 40 mijë copa të Murit u ricikluan si materiale ndërtimi të përdorur në projekte rindërtimi në Gjermani, por disa qindra prej tyre u shitën dhe tani janë të shpërndara në të gjithë globin, nga kopshtet e Vatikanit deri në një banjë në Main Street Station Casino, në Las Vegas, ku vendurinimet janë kapur pas një Muri të mbuluar me grafit që është i mbrojtur pas një xhami. / KultPlus.com
Ambasada e SHBA-së në Tiranë kujton 13 gushtin 1961 të vendosjes së murit të Berlinit.
“Gjashtëdhjetë vjet më parë si sot (më 13 gusht 1961), Berlini u zgjua i shokuar: Ushtria e Gjermanisë Lindore kishte nisur ndërtimin e murit famëkeq të Berlinit. Simbol i një qyteti të ndarë brenda një vendi të ndarë brenda një kontinenti në ndarë, Muri i Berlinit u ngrit mbi ndasi historike disa dekada të vjetra. Një barrierë telash me gjemba e cila u kthye në blloqe muresh betoni 155 kilometra, Muri i Berlinit ndau Berlinin Perëndimor demokratik nga Berlini Lindor i kontrolluar nga Sovietikët prej vitit 1961 deri në 1989”, shprehet Ambasada e SHBA-së.
Muri i Berlinit mbush sot 60 vite nga dita e ndërtimit të tij duke i vënë një barriere të ngurtë që do ndante jo vetëm Gjermanin, por do mbante gjysmën e Europës në errësirën e regjimit komunist.
Muri filloi të ndërtohej në 13 Gusht 1961 dhe mbaroi në datën 24 Gusht 1962. Muri u ndërtua nga Gjermania Lindore, dhe ndau Berlinin në dy pjesë. / KultPlus.com
Ambasada e Gjermanisë në Tiranë kujtoi sot 60-vjetorin e nisjes së ndërtimit të Murit të Berlinit.
“Natën e 13 gushtit 1961, u dha urdhri për ndërtimin e Murit të Berlinit. Muri qëndroi për 28 vjet dhe u kthye në simbolin e Luftës së Ftohtë, e konfrontimit midis Lindjes dhe Perëndimit. Ai ndau Berlinin Lindor me atë Perëndimor, Republikën Federale me RDGJ-në, por edhe familjet dhe miqtë.
Mijëra personave ju refuzua largimi nga vendi. 140 persona humën jetën në përpjekje për të kapërcyer murin për tu larguar nga RDGJ – deri në vitin 1989 kur një Revolucion Paqësor i hapi rrugën ribashkimit të gjithë Gjermanisë. Për fat të mirë, sot muri është histori!
Në simbol zie për këtë ngjarje që ndau Gjermaninë kaq gjatë, Ambasada në Tiranë, si dhe të gjitha Misionet Diplomatike gjermane në të gjithë botën kanë ulur flamujt në gjysmë shtizë”, thuhet në përkujtimin e ambasadës gjermane. / KultPlus.com
60 vjet më parë, më 13 gusht 1961, RDGJ filloi ndërtimin e murit duke bërë kështu që të ndahet Berlini. 45 mijë blloqe të betonit me një lartësi prej më shumë se 3 metra e rrethuan Berlinin Perëndimor me gjithsej 155 km mur të betonit, përcjellëKultPlus.
Fortifikimet vdekjeprurëse kufitare ndanë jo vetëm familjet dhe miqtë, por u bënë gjithashtu një kurth vdekjeprurës për qindra njerëz, të cilët në përpjekje për të kaluar kufirin më të sigurt në Evropë, përfunduan me fatalitet. Ushtarët kishin qenë të urdhëruar që t’i vënë zjarr të gjithë atyre që përpiqeshin të kalonin murin.
Qëndroi 28 vjet dhe ishte një nga ndërtimet më famëkeqe në botë: Muri ndau Berlinin Lindor dhe Perëndimor.
Shkatërrimi zyrtar i Murit të Berlinit nisi në verën e vitit 1990. Më shumë se 40 mijë copa të Murit u ricikluan si materiale ndërtimi të përdorur në projekte rindërtimi në Gjermani, por disa qindra prej tyre u shitën dhe tani janë të shpërndara në të gjithë globin, nga kopshtet e Vatikanit deri në një banjë në Main Street Station Casino, në Las Vegas.
Edhe në Tiranë gjendet një segment i murit në memorialin “Post-Bllok” si një simbol i lirisë që kujton Revolucionin Paqësor në Gjermani, i cili rrëzoi murin në vitin 1989. / KultPlus.com
Një skafandër antike zhytjeje është gjetur nga një zhytës në 35 thellësi në zonën e gadishullit të Karaburunit.
Zhytësi Endri Gjomemetaj thotë se u zhyt për të kapur oktapod, por hasi në një skafandër që mund të jetë e Luftës së Dytë Botërore ose më herët. Ai thotë se kjo skafandër tashmë do i kalojë Qendrës së peshkimit në Radhimë pasi sipas tij turistët i pëlqejnë këto vlera nënujore.
“Isha zhytur në Karaburun për të gjetur ndonjë oktapod dhe rastësisht hasa në këtë skafandër. E mora për ta sjellë tek Qendra e Peshkimit”, tha Gjomemetaj.
Edhe për peshkatarin e vjetër Sherif Dyrmishi kjo gjetje është e vecantë. Sipas Dyrmishit është një gjetje që mbetet për tu vlerësuar nga specialistët. Ndërsa do i shtohet vlerave të tjera nënujore të Muzeut të Qendrës së peshkimit Radhimë.
”Jam i mahnitur me këtë gjetje të re. Kjo do i shtohet qendrës së peshkimit. Kjo është një skafandër, për më tepër në kohë dhe në verë, duhet të jenë specialistët ata që do e vlerësojnë, por siç tha dhe shoku jonë, duhet të jetë i luftës së dytë botërore, por nuk është e thënë. Duhet të jetë dhe më përpara. Shpresoj që të jetë një vlerë e shtuar për qendrën e peshkimit, për Vlorën dhe për vizitorët”, tha Dyrmishi. / Gazeta Express / KultPlus.com