Marsh në New York për viktimat e dhunës seksuale në Kosovë

Vasfije Krasniqi – Goodman do të niset javën tjetër drejt Shteteve të Bashkuara për të marrë pjesë në marshin që do të organizohet më 28 tetor para Konsullatës së Serbisë në Nju Jork, për të kërkuar drejtësi për viktimat e luftës në Kosovë, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.

Krasniqi – Goodman është gruaja e parë në Kosovë që treguar hapur se është dhunuar seksualisht nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në mars të këtij viti, ajo është zgjedhur deputete në Kuvendin e Kosovës, si anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ka thënë se prioritet do ta ketë luftën për të drejtat e njeriut dhe viktimat e luftës.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 21 tetor, ajo ka treguar se në marsh do të marrin pjesë edhe viktima të dhunës seksuale nga Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina, transmeton KultPlus.

“Marshi është iniciativë e këshilltarit të qytetit të Nju Jorkut, Mark Gjonaj. Jemi duke bashkëpunuar që organizimi të dalë sa më mirë dhe viktimat të kërkojnë drejtësi para Konsullatës së Serbisë në Nju Jork”, ka thënë ajo.

Marshin e kanë përkrahur shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe artistë të fushave të ndryshme.

Së fundmi, me thirrjen (Marsh për drejtësinë e saj) #rallyforherjustice është parë në duar edhe artistja me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa.

Krasniqi – Goodman ka thënë se është gëzuar shumë kur e parë thirrjen e Lipës.

“Për mua është shumë diçka e madhe kur më përkrah një yll botëror si Dua Lipa dhe emocionohem kur flas për të”.

“Flas me viktimat çdo ditë”

Vasfije Krasniqi – Goodman është nderuar më 2018 me çmimin “Qytetar i Merituar i Republikës së Kosovës”, pas historisë që ka ndarë me botën për atë që ka përjetuar gjatë luftës.

Tani kur vetë është pjesë e institucioneve publike të Kosovës, ajo ka thënë gjatë intervistës se e gëzon fakti që viktimat kanë një zë që i përfaqëson dhe se asaj i drejtohen më lirshëm për t’i ndarë përjetimet e luftës.

“Unë flas me viktimat çdo ditë. Jam në kontakt të vazhdueshëm me to. Pavarësisht se a janë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës, apo viktima të ditëve të sotme. Ato e gjejnë mbështetjen tek unë dhe kanë besim të flasin lirshëm. Unë i kuptoj ato me çfarë ballafaqohen”, ka theksuar ajo.

Më 5 korrik të këtij viti Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me dhjetë vjet burgim, ish-rezervistin e policisë serbe, Zoran Vukotiq, për kryerjen e veprës penale të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Ky njëherësh ka qenë rasti i parë që dikush është dënuar për një krim të tillë nga gjykatat e Kosovës.

Ajo ka thënë se është e shqetësuar me rastet e fundit të dhunimeve në Kosovë ndaj vajzave të mitura, duke përmendur edhe rastin e fundit, për të cilin autoritetet dyshojnë se një person ka dhunuar një 12-vjeçare.

Krasniqi – Goodman ka thënë se për përdhunuesit duhet të ketë dënime më të larta.

“Unë kam biseduar një ditë më parë me ministren e Drejtësisë (Albulena Haxhiu) që të ndryshohet neni që ka të bëjë me këto raste. Dënimi nuk është i mjaftueshëm. Dënimet janë shumë të ulëta për këto raste. Dhunuesit duhet ta dinë se mjaft është mjaft dhe duhen të marrin dënimin e merituar”.

Ajo ka thënë se e sheh të arsyeshme që autoritetet t’i publikojnë emrat dhe mbiemrat e dhunuesve.

“Në Kosovë zakonisht faji po mbetet te viktimat dhe jo te dhunuesit. Kur ata (dhunuesit) të dalin me emra dhe mbiemra dhe të turpërohen, besoj se do të ketë ndryshim shumë të madh”.

Sipas nenit 227 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e personit të tillë, dënohet me burgim prej dy deri në 10 vjet.

Sipas të dhënave të prezantuara nga institucionet në Kosovë, në luftën e fundit në Kosovë janë dhunuar seksualisht rreth 20 mijë persona nga pjesëtarë të forcave serbe.

Sipas Kombeve të Bashkuara, gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, janë dhunuar më shumë se 20.000 gra, ndërkaq deri në prill të këtij viti janë dënuar vetëm rreth 160 kryerës të kësaj vepre penale.

Sa i përket Kroacisë, autoritetet ende nuk kanë dalë me shifra të sakta për këto viktima. /radioevropaelire/ KultPlus.com

Fragment për luftën e fundit në Kosovë dhe dashurinë në romanin “Ti”

Fragment nga romani “Ti” i autorit Ilir Muharremi, botuar dy ditë më parë.

“Ditën tjetër në lajme raportohej se si ushtarët me uniformë blu, që i vishnin paramilitarët serbë, ishin përkulur mbi një grua shqiptare e cila ishte mbështetur mbi krevat. Shihej rrjedhshëm figura, ishte mbresëlënëse dhe nuk i ngjante ndonjë përdhunimi aktual, në të cilin grave i ngriheshin fundet mbi kokë, për të mos i parë. Përreth të vrarëve kishte plumba dhe gërmadha të suleve. Askush nuk kishte mundur t’i shpëtonte, përveç serbëve që iu kishin kotrolluar edhe xhepat. Të vrarët nga ana e kosovarëve ishin civilë: gra, fëmijë, pleq, dhe disa burra. Xhepat e tyre ishin hapur. Nga pozicioni i tyre kuptova se në ç’drejtim ishte dhënë sulmi.

Shtëpitë e kosovarëve ishin shkatërruar nga bombardimi, plot tjegulla të thyera, gropa të zverdhura nga baruti. Edhe unë doja t’i bashkohesha Ushtrisë Çlirimatre të Kosovës. Ndarja me Marinë më zëmroi shumë, dhe prehja ose harresa kryesore mund të ishte vetëm lufta…” / KultPlus.com

Fotografi Hazir Reka takon pas 22 vitesh vajzën që e kishe fotografuar në luftë duke qarë

Fotografi i njohur, Hazir Reka ka pranuar si dhuratë një fotografi të cilën e ka realizuar gjatë luftës së fundit në Kosovë. Një dhuratë kjo të cilën ia ka bërë vetë protagonistja e asaj fotografie, e cila në atë kohë kishe përjetuar tmerrin e luftës, përcjell KultPlus.

22 vite pasi është shkrepur fotografia, ajo ka falënderuar fotografin Reka për kontributin e tij. Kështu ka bërë të ditur vet fotografi Hazir Reka përmes një postimi në Facebook

Ai ka takuar protagonisten e fotografisë, Vjollca Qerimi-Hysenin ndërkaq ka pranuar fotografinë në kornizë me fjalët falënderuese për të.

Më poshttë gjeni postimin e plotë të Rekës. / KultPlus.com

Sot do të varrosen katër të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë

Më 25 qershor do të bëhet varrimi i Dibran Dibranit, Zeqir dhe Magbule Mujës si dhe Remzi Kurteshit, të cilët ishin të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Trupat e të ndjerëve ishin gjetur në varrezat e myslimanëve në Mitrovicë, në fund të vitit të kaluar.

Bajram Qerkini nga Shoqata për personat e pagjetur “Zëri i prindërve” ka thënë se varrimi i të ndjerëve është vonuar derisa ka përfunduar procesi i identifikimit të eshtrave në mostrat e marra me ADN.

Dibran Dibrani, Zeqir Muja si dhe Remzi Kurteshi do të varrosen në varrezat e martirëve në Shipol, ndërsa Magbule Muja do të varroset në Malishevë.

Zeqir dhe Magbule Muja janë burrë e grua. / Gazeta Express / KultPlus.com

Kur nëna gjakovare emocionoi të gjithë me fjalimin e saj (VIDEO)

Dita e 14 qershorit shënon një ditë shumë të rëndësishme për Komunën e Gjakovës, si një nga zonat më të prekura nga lufta e fundit në Kosovë.

14 qershori i vitit 1999, shënoi çlirimin e qytetit të Gjakovës.

Sot, në 22 vjetorin e Çlirimit të qytetit të Gjakovës, KultPlus risjell fjalimin emocionues të nënës gjakovare e cila dy vite më parë protestonte kundër ardhjes së pelegrinëve serb në territorin e Gjakovës. / KultPlus.com

Fjalimi i Bill Clintonit për vrasjet në Kosovë pak para bombardimeve të NATO-s (VIDEO)

Në një fjalim më 24 mars të vitit 1999, Clintoni tha se brutaliteti serb ndaj kosovarëve nuk po ndalej, transmeton KultPlus.

“Sot forcat tona iu bashkuan NATO-s kundër forcave serbe që janë përgjegjëse për brutalitetin në Kosovë. Po veprojmë për t’i mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga ofensiva ushtarake, po veprojmë për ta parandaluar një luftë më të gjerë”, tha ai.

Ai shpjegoi për audiencë botërore se Serbia agresore ishte mospërfillëse edhe kur liderët kosovarë,gjatë kohës kur kosovarët po vriteshin, ishin pajtuar për paqe.

“Për vite me radhë kosovarët ishin munduar paqësisht që të rifitonin të drejtat e tyre…kur Millosheviqi i dërgoi trupat e tij që t’i shtypte, kjo përpjekje u bë e dhunshme. Ne propozuam një marrëveshje të paqes që liderët kosovarë e nënshkruan, megjithëse nuk i dha gjithçka që donin ndërsa serbët refuzuan edhe të diskutojnë. Kjo nuk ishte luftë në kuptimin tradicional, ishte sulm me tanke e artileri ndaj njerëzve që në masë të madhe ishin pa mbrojtje, liderët e të cilëve u pajtuan për paqe”, shton Clinton.  / KultPlus.com

Fotografia e refugjatit të vogël nga Kosova që i dhuroi çmimin ‘Pulitzer’ fotografes amerikane

Fotografja Carol Guzy, ka kapur shumë pamje të refugjatëve nga Kosova që po shkonin drejt Kukësit gjatë luftës së Kosovës. Por me një pamje atje, ajo ka arritur të marr çmimin Pulitzer. Në këtë fotografi shihet një fëmijë refugjat me emrin Agim Shala. Ai në atë kohë 2 vjeçar, shihet teksa gjyshërit e tij e kalojnë përmes gardhit të telave me gjemba tek familjarët e tjerë që po vendoseshin në një kamp në Kukës të Shqipërisë.

“Gardhi ishte skena e shumë ribashkimeve. Kur u nënshkrua marrëveshja e paqes, ata u kthyen në Prizren për të gjetur shtëpitë e tyre që kishin mbetur të dëmtuara lehtë. Kishte lot gëzimi dhe trishtimi nga familja pasi fëmijët kalonin përmes gardhit, simbolik e pafajësisë dhe tmerrit e konfliktit”, shkruhet në përshkrimin e fotografisë.

Ajo thotë se imazhet që ka bërë atje, janë imazhe të dhimbjes dhe shpresës, por çka veçon ajo është se këto pamje e përvoja e kanë prekur atë emocionalisht në momentet kur ka marr rrugën e kthimit.
“Ndihesha shumë fajtore sa që më duhej të hyja në avion dhe t’i leja mbrapa meje shumë nga këto vende. Por unë mendoj se mënyra më e mirë për tu përballur me këtë që t’ia bëni me dije vetes se ajo çfarë po bëni është një mision, kjo nuk është vetëm një punë”, ka thënë Guzy.

“Është një fotografi e mbushur edhe me lumturi”, thotë Guzy. “Familjet që kishin shpëtuar nga spastrimi etnik nuk e dinin nëse të dashurit e tyre kishin mbijetuar apo jo. Kur një familje shihte të afërmit në anën tjetër të telit me gjemba, ata gëzoheshin dhe ua dorëzonin fëmijët e tyre të vegjël, duke pritur që të ribashkohen”, ka thënë fotografja e Washington Post.
Po ashtu në një intervistë, ajo ka treguar se Pulitzer e pranon si dedikim ndaj atyre që janë pjesë e fotografisë.

“Unë nuk besoj se çmimet Pulitzer na përkasin neve, unë mendoj se ne vetëm i pranojmë ata për njerëzit që janë në tregimet tona. Ata janë të guximshmit, janë ata që e tregojnë hapur jetën e tyre në mënyrë që të mund t’i marrim ato fotografi dhe të tregojmë historitë e tyre “, kishte thënë Guzy. / KultPlus.com

Vdes Zoje Prendi, nëna e pesë djemve të vrarë në masakrën e Mejës

Sot ka vdekur nëna e pesë djemve të vrarë nga forcat serbe në masakrën e Mejës, përcjell KultPlus.

Zoje Prendit, serbët më 27 prill 1999 ia vranë pesë djem,Viktorin, Sokolin, Markun, Robertin dhe Gjergjin.

Fotoja e nënës Zoje Prendi është e vendosur në Muzeun e Kujtesës në Prishtinë.

“Sot qenka shuar Zoje Prendi, nëna që ia fali Kosovës pesë djem të vrarë në masakrën e Mejës,Viktorin, Sokolin, Markun, Robertin dhe Gjergjin, qenka shuar portreti i poezisë sime ‘Rrëfimi për një nënë’, i botuar në antologjinë ‘Dritë mbi plagë’. Kjo kroniste e rënies tragjike të Gjakovës. Fotoja e nënës Zoje Prendi është në Muzeun e Kujtesës në Prishtinë, kujtimi për të nuk vdes sot dhe këtu!”, ka shkruar Eduard Frrokaj në rrjetin social Facebook. / KultPlus.com

22 vjet nga masakra e familjes Gërxhaliu në Studime, në mesin e tyre edhe tetë fëmijë

Sot bëhen 22 vjet nga masakra në familjen Gërxhaliu në fshatin Studime të Vushtrrisë.

Forcat ushtarake dhe policore serbe vranë 12 anëtarë të familjes së Selatin Gërxhaliut, duke mos kursyer persona nga 85 vjeç deri në 5 vjeç. Sipas dëshmitarëve, policët serbë kishin zënë peng Xhemajl, Selatin dhe Shaban Gërxhaliun, të cilët i detyruan të qëndrojnë në një dhomë. Para syve të tyre, paramilitarët serbë do të ekzekutonin barbarisht familjarët e tyre.

Pas kësaj, kriminelët serbë i kishin larguar tri pengjet rreth 500 metra larg shtëpisë së tyre, përkatësisht te vendi i quajtur ‘Hambari i Gumnishtës’, me ç’rast i kishin ekzekutuar edhe ata. 12 të vrarët e familjes Gërxhaliu janë: Sala Gërxhaliu (85 vjeç), Xhemajl Gërxhaliu (63 vjeç), Selatin Gërxhliu (50 vjeç), Fexhrije Gërxhaliu (40 vjeç), Sofie Gërxhaliu (30 vjeç), Shaban Gërxhaliu (16 vjeç), Muharrem Gërxhaliu (13 vjeç), Mexhid Gërxhaliu (12 vjeç), Avdurrahman Gërxhaliu (9 vjeç), Safer Gërxhaliu (6 vjeç) dhe Sabahudin Gërxhaliu (5 vjeç). / KultPlus.com

Osmani përkujton masakrën e Studimes: Vetëm kur shteti serb të gjykohet, viktimat e pafajshme do të prehen qetësisht

Sot, më 2 maj, u shënua 22 vjetori i masakrës së tmerrshme të fshatit Studime.

Për të përkujtuar këtë masakër, ka reaguar edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e cila ka theksuar se dëshmitë e kësaj masakre flasin për një masakër të planifikuar qysh më herët nga forcat serbe.

Ndër të tjera, Osmani poashtu ka potencuar se vetëm kur drejtësia të vihet në vend, viktimat e kësaj masakre do të prehen qetësisht.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të Osmanit.

Çdo 2 maj përkujtojmë viktimat e masakrës së Studimes, njërës ndër masakrat më të tmerrshme ndaj civilëve shqiptarë. Në këtë datë të vitit 1999, për më pak se 2 orë, paramilitarët, ushtarët dhe policët serbë vranë 116 shqiptarë të pambrojtur, ndër ta edhe shumë fëmijë e gra, përfshirë edhe një nënë shtatzënë.

Dëshmitë flasin për masakër të planifikuar qysh më herët nga forcat serbe. Shumë janë ekzekutuar nga afër me gjakftohtësi të plotë, me një plumb në kokë, të tjerë janë shpuar me bajoneta ose janë ekzekutuar me automatikë.

Në dhjetëra raste të ekzekutuarve u janë gërvishtur në trup simbole serbe.
Duke kujtuar viktimat dhe tmerrin e kryer ndaj tyre nga regjimi serb, ne e mbajmë të gjallë kujtimin për viktimat, dëshmojmë për historinë e dhimbshme tonën, por edhe e ritheksojmë përkushtimin tonë që të mos reshtim së kërkuari drejtësi për to, derisa ajo të vihet në vend. Vetëm atëherë ato do të prehen të qeta dhe ndërgjegjja jonë do të qetësohet. Vetëm kur drejtësia të vendosë me fuqinë e ligjit, kur shteti serb të gjykohet për krimin shtetëror dhe kur kërkimfalja të vijë nga pasardhësit e sotëm të regjimit të djeshëm të Milosevicit, viktimat e pafajshme do të prehen qetësisht.

Lavdi të rënëve! / KultPlus.com

22 vjet nga masakra në Studime të Vushtrrisë ku për dy orë u pushkatuan 116 civilë

Janë bërë 22 vjet që nga koha kur në Studime të Vushtrrisë forcat kriminele serbe vranë 116 shqiptarë të pafajshëm.

Këta të fundit u nxorën nga kolona e qindra njerëzve që kishin marrë rrugë për Shqipëri.

Nga dëshmitarët mësohet se 116 civilët u pushkatuan brenda dy orëve.

Familjarë dhe qytetarë të tjerë kujtojnë çdo vit këto viktima, e ashtu do të ndodhë edhe këtë vit. / KultPlus.com

Fotografia që ngjalli emocione të mëdha në botë: Vajza e vogël ngushëllon nënën, kur serbët dëbuan shqiptarët

Andrew Testa është një fotograf anglez që ka kapur momentet më të vështira të shqiptarëve të Kosovës, gjatë kohës së luftës në fund të viteve të 90-ta, shkruan KultPlus.

Historia dhe përjetimet e këtij vendi, e kanë përcjellur për shumë vite këtë fotograf, i cili që nga ajo kohë është kthyer shpesh herë për ta vizituar Kosovën.

Thuhet se “Një fotografi vlen sa një mijë fjalë” dhe ky fotograf ka përdorur imazhet e fotografive për të treguar historinë e njerëzve të këtij vendi, në përudhen më të vështirë.
Ai ka kapur disa momente të refugjatëve kosovar që në fund të muajit mars ishin nisur për në Maqedoni. KultPlus ju sjellë një fotografi të asaj kohe.

Kjo fotografi më shumë se gjithçka tjetër tregon fatin e fëmijëve në luftë, që mbi vete marrin përgjegjësitë dhe dhimbjen që në rrethana normale do duhej të mbahej larg syve të tyre. Në rrethanat e asaj kohë, ata bëhen personazh i fatit të dhimbshëm. Kjo fotografi paraqet një vajzë të vogël e cila shihet e ulur shumë pranë nenës së saj dhe përpiqet që ta ngushëlloj atë.
Lidhur me këtë fotografi, autori Testa kishte shkruar se fotoja është shkrepur atëherë kur refugjatët janë ndalur për të pushuar pas kalimit në Maqedoni përmes rrugës hekurudhore. Fotografia është shkrepur më 31 mars të vitit 1999.

“Ushtarët serbë i kishin detyruar ata të largoheshin nga treni dhe kishin konfiskuar pasaportat e burrave dhe kartat e identitetit. Një vajzë e re përpiqet të ngushëllojë nënën e saj”, shkruhet në përshkrimin e fotografit./ KultPlus.com

Krijoi mozaikun e Bllacës por nuk e nderuan, Kabashi: Më injoruan organizatorët, nuk më prezantuan si autor të mozaikut

Suada Qorraj

Interesimin për artin e kishte pasur qysh fëmijë e për të ndërtuar rrugën e tij drejt suksesit kishte filluar që prej kohës kur ishte nxënës, për ta vazhduar më pas edhe në studime. Teksa sot gëzon një numër të madh të ekspozitave të mbajtura, çmimeve të fituara, e mozaikëve të krijuara, ishte pikërisht mozaiku i ‘Murit të kujtesës’ për të cilin Fatos Kabashi punoi me ditë të tëra që mori jehonën më të madhe, shkruan KultPlus.

Në një intervistë për KultPlus artisti Fatos Kabashi ka treguar se mozaikun e nënës Sherife me vajzën e saj Besianën e kishte filluar që në tetor të vitit të kaluar, për ta përfunduar gjashtë muaj më pas, në marsin e këtij viti.

“Mozaikun e nënës shqiptare Sherife Lutës me vajzën e saj Besianën e kam filluar ta punoj më 15 tetor të vitit 2020 dhe e kam përfunduar më 20 mars të vitit 2021, më ka marrë afërsisht 6 muaj. Projektuesit e murit të kujtesës me të cilët edhe kam bashkëpunuar janë Jahja Lluka dhe Luan Tashi”, pohon Kabashi.

Për artistin Kabashi punimi i një mozaiku të tillë ishte përcjellur vazhdimisht me emocione të mëdha sepse gjatë tërë kohës ai kishte në mendje se si refugjatët shqiptarë kishin kaluar përgjatë kufirit pa bukë e ujë, por mbi të gjitha edhe të maltretuar. Ai shton se herë pas herë edhe ka qajtur gjatë punës ngase si fëmijë edhe vetë e kishte përjetuar luftën.

“Tek mozaiku i nënës shqiptare me vajzën e saj të vuajtur dhe të atyre refugjatëve që shihen në prapavijë, gjatë gjithë kohës që kam punuar kam ndjerë emocion të veçantë, por edhe dhimbje sepse çdo herë më ka shkuar mendja se si kanë kaluar mbi 400 mijë civil shqiptarë gjatë këtij kufiri pa bukë, pa ujë e të maltretuar nga paramilitarët serb. Për mua ka qenë shumë e ndjeshme dhe herë pas here kam qajtë sepse edhe vetë si fëmijë 12 vjeçar e kam përjetuar luftën në Kosovë dhe mbaj në mend se si kemi vuajtur”, rrëfen për KultPlus artisti.

Tutje ai tregon edhe për përbërjen e materialeve që janë përdorur për realizimin e këtij mozaiku duke theksuar se krahas gurëve natyral të prerë në formën e duhur, janë përdorur edhe rrjetat, ngjitësit dhe elemente të tjera që e bëjnë një mozaik të qëndrueshëm edhe në ambientet e jashtme. Ai krahas kësaj shton se për punimin e mozaikut duhet një përkushtim detajist në mënyrë që të arrihet synimi.

Përurimi i ‘Murit të kujtesës’ në të cilën gjendet mozaiku i punuar nga Fatos Kabashi është bërë të shtunën e javës që lamë pas, organizim ky për të cilin artisti thekson se është ndjerë tejet i dëshpëruar, pasi, siç është shprehur tutje ai për KultPlus, të pranishmit nuk patën mundësi që të njohin dhe të dijnë se kush ishte krijuesi i atij mozaiku, sepse këtij të fundit nuk ju dha mundësia që të dalë para publikut.

“Aq sa kam qenë i lumtur që kam qenë i pranishëm po ashtu jam ndarë shumë i dëshpëruar nga organizimi jo i mirë. Të gjithë mysafirët e ftuar e të paftuar, gazetarë, media e fotografë nuk e patën mundësinë ta njohin krijuesin e këtij mozaiku. Mua nuk m’u dha mundësia të dal para publikut t’i përshendes dhe ti them dy – tre fjalë. Aty u ndanë shumë mirënjohje për punët që i kanë bërë, kurse arsyeja kryesore pse edhe ishin mbledhur aty ishte mozaiku, por mua as mirënjohje nuk më është ndarë. Nuk dua ta fajsoj askënd mirëpo kjo është një mosmirënjohje për punën dhe mundin që kam bërë”, rrëfen Kabashi kur pyetet se si është ndjerë në ditën e përurimit të ‘Murit të kujtesës’.

Por, mbi të gjitha, Kabashi nuk harron të përmend faktin se prezenca e protagonisteve të mozaikut, Sherife Lutës dhe vajzës së saj Besianës e ka bërë atë të ndjehet shumë mirë sepse që të dyja ishin të kënaqura me punën e tij.

Mozaiku i ‘Murit të Kujtesës’ nuk është ndër sukseset e vetme të artistit Fatos Kabashi, ai deri më sot ka marrë çmimin ‘Muslim Mulliqi’ dhe çmimin ‘Fytyra Universale’. Krahas kësaj numëron pesë ekspozita personale të mbajtura deri më sot.

Kabashi kryesisht ka zgjedhur të fokusohet në krijimin e mozaikëve sepse është ndër teknikat që i ka pëlqyer më së shumti dhe njëkohësisht është mishëruar me të. Ai deri më sot ka punuar 164 mozaike të ndryshme./ KultPlus.com

Kurti njofton për dy identifikime të reja nga Kizhevaku, në përvjetorët e Kralanit dhe Rezallës

Ditën e djeshme u shënua 22 vjetori i masakrës së Rezallës, një masakër e tmerrshme që la pas 98 viktima të fshatit Rezallë, shkruan KultPlus.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot përmes një statusi në rrjetin social Facebook, bëri të ditur se janë bërë dy identifikime të reja nga Kizhevaku. ”Pikërisht në këtë përvjetor, kemi pranuar informatat se nga mostrat e eshtrave që janë zhvarrosur gjatë vitit të kaluar nga varreza masive në Kizhevak dhe janë dërguar për analizë të ADN-së, konfirmohet se këto eshtra iu përkasin viktimave të luftës në Kosovë. Deri më tani ka dy identifikime të reja për të cilat jemi në komunikim me familjet e personave të identifikuar”, ka theksuar Kurti në njoftim.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të Kurtit:

Për çdo ditë përkujtojmë masakrat e para 22 viteve. Dje u mbushën 22 vjet nga masakra e Kralanit, kurse sot 22 vjet nga masakra e Rezallës. Në masakrën e Kralanit u vranë 87 shqiptarë që ishin qytetarë të komunës së Klinës, Malishevës, Gjakovës dhe Skënderajt. Nga kjo masakër janë më shumë se 40 të zhdukur, vendndodhja e të cilëve ende nuk dihet. Ndërkaq, nga masakra e Rezallës kemi 98 viktima, shqiptarë të ekzekutuar, banorë të këtij fshati dhe të fshatrave përreth. Rezalla nga lufta e fundit kishte 44 të zhdukur, nga të cilët 2 viktima janë gjetur në ditët e para të pasluftës në Rezallë dhe 29 viktima tjera janë gjetur në varrezën masive Gurorja në Rudnicë të Rashkës. Rezallës i mungojnë edhe 10 persona të zhdukur gjatë luftës së fundit.

Më 5 prill të vitit 1999 serbët rrethuan shtëpitë e këtyre familjeve dhe pushkatuan pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj. Nga masakra e Rezallës vetëm tre kanë shpëtuar të gjallë.

Andaj sot, krahas nderimit për të vrarët në masakrën e Rezallës, ne duhet të kujtojmë me nderim edhe rrëfimet tragjike të të mbijetuarve. Duhet të kujtojmë edhe Bacën Misin Deliu, të mbijetuarin e masakrës, i cili nga viti 2019 nuk është më në mesin tonë, por ‘ai mbijetoi dhe rrnoi për të tregu’. Baca Misin në çdo përvjetor dhe mundësi që i është dhënë, ka rrëfyer historinë tragjike të një prej masakrave më mizore të kryera nga ushtria e Serbisë gjatë luftës në Kosovë. Ai rrëfente dhe fliste, sepse donte drejtësi. Prandaj drejtësia duhet të vendoset, krimet duhet të ndëshkohen.

Pikërisht në këtë përvjetor, kemi pranuar informatat se nga mostrat e eshtrave që janë zhvarrosur gjatë vitit të kaluar nga varreza masive në Kizhevak dhe janë dërguar për analizë të ADN-së, konfirmohet se këto eshtra iu përkasin viktimave të luftës në Kosovë. Deri më tani ka dy identifikime të reja për të cilat jemi në komunikim me familjet e personave të identifikuar.

Varreza masive në Kizhevak të Serbisë ndërlidhet me varrezën masive në Rudnicë dhe ne presim që edhe personat e tjerë, viktimat nga masakra e Rezallës e që janë në listën e personave të pagjetur, të gjenden në Kizhevak. Megjithatë kjo do të dihet pasi të përfundojnë gërmimet dhe zhvarrimet në këtë lokacion, si dhe të përfundojnë të gjitha ekzaminimet e nevojshme mjeko-ligjore.

Andaj, është shumë me rëndësi që gërmimet të rifillojnë në këtë lokacion, dhe në lokacionet e tjera të mundshme të varrezave masive.

Ne mbetemi të përkushtuar që të vazhdojmë punën tonë duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve, trajtimit më të mirë ligjor dhe institucional familjeve te tyre dhe të punojmë për vendosjen e drejtësisë. / KultPlus.com

22 vjet nga masakra në Abri të Epërme, ishin masakruar 23 anëtarë të familjes Deliu

Më 26 shtator të vitit 1998, në fshatin Abri e Epërme, forcat serbe kishin kryer një nga masakrat më mizore gjatë luftës në Kosovë.

Në këtë ditë ishin masakruar 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq, nga mosha gjashtë muajsh deri në 94 vjeç.

Nga 25 shtatori, familja Deliu ishte strehuar në mal, për t’i shpëtuar sulmeve serbe, transmeton KultPlus. Një ditë më vonë, më 26 shtator, rreth orës 10:00 paradite, aty kishte depërtuar këmbësoria serbe. Me këtë rast ishin dëgjuar të shtëna armësh e britma njerëzish.

Pas sulmit u zbulua, se të gjitha viktimat, fëmijë, pleq, gra e të rinj, ishin qëlluar në kokë nga afërsia. Trupat e të ekzekutuarve tregonin dëshmi të qarta të një kasaphane. / KultPlus.com

YIHR organizon aksion rrugor për Diten e Paqes, kërkohet vetëdijësim nga qeveria dhe qytetarët për të pagjeturit e luftës

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Paqes, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut- Kosovë përmes një aksioni rrugor i rikujtoi shoqërisë kosova si dhe qeverisë se nuk do të mund të arrihet paqja e qëndrueshme nëse vazhdojmë të rrijmë ‘sy mshelë’ ndaj çështjeve që lidhen me të kaluarën tonë.

Të gjithë të veshur me të zeza, me sy të mbyllur e me pankarta në të cilat shkruhej ‘’Sy mshelë në ‘Paqe’’, ‘S’ka Paqe pa Drejtësi’ dhe shifra të të vrarëve, të dhunuarve dhe të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë YIHR KS zhvilloi aksionin rrugor, duke i rikujtuar kështu qeverisë se ka përgjegjësi ligjore dhe morale për të trajtuar me seriozitet çështjet e lidhura me luftën duke përfshirë shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë luftës, personat e pagjetur, viktimat civile, viktimat e dhunës seksuale, dhe kriminelët e luftës. Njëjtë, shoqëria kosovare duhet të ketë përgjegjësi kolektive për të njohur dhe mos harruar asnjëherë faktet e së kaluarës.

Drejtoresha ekzekutive e YIHR, Marigona Shabiu vlerëson se nuk është bërë mjaftueshëm për këto kategori dhe se e kaluara duhet të mësohet pa mite, duke respektuar viktimat pa gjykime etnie.

“Ne si organizatë po shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Paqes me mesazhin që ne jemi sy mbyllur në paqe, për vetë faktin se nuk kemi trajtuar të gjitha krimet e luftës dhe nuk kemi sjellë drejtësi për viktimat e luftës nga të gjitha komunitetet’’, thekson Shabiu.

Përderisa nisma ‘’Sy mshelë në paqe’’ ka për qëllim rëndësinë e ballafaqimit me kaluarën, institucionet kritikohen se nuk kanë bërë aq sa duhet.

‘’Ne dëshirojmë ta kritikojmë Qeverinë dhe t’i bëjmë presion në mënyrë që t’i kthejnë sytë nga e kaluara dhe të ballafaqohen me të me seriozitetin e duhur’’, u shpreh për KultPlus koordinatorja Bjeshka Guri.

Ndërkaq aktivisti Bestar Krasniqi nga të gjitha grupet e luftës veçon të pagjeturit, të cilët për Krasniqin mbeten arsye për mos festim të Ditës Ndërkombëtare të Paqes.

‘’Nuk mund të kemi paqe, as ta festojmë ne këtë ditë duke e ditur se ka mijëra të pagjetur, e mijëra familjarë të cilët nuk e dinë se ku janë të dashurit e tyre’’, theksoj aktivisti i YIHR.

Nga lufta e fundit në Kosovë janë vrarë mijëra shqiptarë, janë dhunuar burra dhe gra, ndërkaq ende shumë mbesin të pagjetur, ndërkaq në njoftimin e ngjarjes nga organizata bëhet e ditur se përmes aksioneve simbolike, YIHR KS do të mbaj aktuale këtë temë derisa ajo të trajtohet me seriozitetin e duhur.

Ky aksion rrugor u realizua nën mbështetjen e USAID dhe NED. / KultPlus.com

Gruaja e Adem Jasharit e cila në kohë lufte barte municione dhe luftonte

Për figurën e Adem Jasharit kemi dëgjuar shumë, ai ka qenë dhe vazhdon të mbetet heroi i luftës së fundit në Kosovë, mirëpo pak kanë dëgjuar për gruan e tij, Adilen, shkruan KultPlus.

“Të gjithë e njohin Adem Jasharin, por askush nuk e njeh gruan e tij, Adilen, e cila në kohën kur po luftonte Ademi, ajo barte municion dhe luftonte gjithashtu. – Ana Di Lellio(sociologe italiane)

Adile Jashari lindi më 10 maj të vitit 1957, në fshatin Akrashticë të Vushtrrisë. Shkollën tetëvejeçare, Adilja e kreu në fshatin e lindjes, në Akrashticë. Rreth moshës 20-vjeçare martohet me Adem Shaban Jasharin e Prekazit.

Më 22 janar të vitit 1998, sapo kishte ngrënë syfyr me familjarët, kur papritmas breshëria e armëve të forcave serbe kishte goditur kullën. Në ditët më vendimtare të historisë sonë më të re, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, Adilja, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes ndodhet në Kullën e Qendresës.

Përveç burrave, të cilët kishin zënë pozicione dhe luftonin, ajo, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes, ndodhej në bodrumin e fortifikuar, ku ndihmonte dhe i furnizonte me municion luftëtarët e familjes. / KultPlus.com

Dua Lipa i tregon botës për vështirësitë e refugjatëve nga lufta e fundit në Kosovë

Ditë më parë, më 20 qershor u shënua Dita Ndërkombëtare e Refugjatëve.

Personazhe të famshëm nga mbarë bota kanë kujtuar ata që vuajnë më së shumti në mungesë të kushteve elementare, e që shpesh janë refugjatët në vende të huaja.

Artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, është një nga yjet e famshëm të tregut ndërkombëtar, e cila rrjedh nga një familje refugjate.

Familja e saj u shpërngul në Mbretërinë e Bashkuar nga Kosova, në vitet ‘90.

Ka qenë babai i këngëtares, Dukagjin Lipa, ai i cili në një sërë fotografish prekëse të publikuara në rrjetin social, ku shfaqen refugjatët nga lufta e fundit në Kosovë dhe ata sirianë që Dua vizitoi një vit më parë në Liban, ka shkruar disa fjalë për refugjatët.

“Dje ne kujtuam kohën kur para 21 vitesh mbi 1 milion shqiptarë të Kosovës u nxorën nga shtëpitë dhe u larguan nga vendi i tyre, si shkak i fushatës brutale të spastrimit etnik nga forcat serbe në Kosovë. Në të gjitha “Ditët Botërore të Refugjatëve”, dhe në çdo ditë tjetër ne do të jemi pranë refugjatëve dhe njerëzve të shtypur në vuajtjen e tyre. Shpërndani dashuri, jo luftë.”

Ky postim është shpërndarë më pas nga Dua Lipa, e cila u ka treguar mbi 47 milionë njerëzve që e ndjekin në Instagram, situatën e tmerrshme në të cilën ndodhej vendi i saj dikur dhe padyshim peripecitë e saj si emigrante.

Ndonëse Dua ka lindur në Britani të Madhe, pasi prindërit e saj emigruan gjatë luftës, në 2006 ajo është rikthyer në Kosovë, për tu larguar më pas sërish drejt Mbretërisë së Bashkuar ku edhe arriti majat. / KultPlus.com

Ekspozita e Ridvan Slivovës pasqyron ngjarjet e viteve 98-99, thirrje që të ruhet historia

Bujar Meholli

Fotografinë artistike e dallon forma ose koncepti, pra një artist gjithmonë ka ngacmim estetik ose konceptual. Siç dihet, arti fotografik është tejet i rëndësishëm. Të jesh fotoreporter është natyrisht më e vështirë, sepse një fotoreporter ngarkohet t’i përcjellë ngjarjet përmes fotografive, rrjedhimisht të merr pjesë edhe vet në to, shkruan KultPlus.

Emri i Ridvan Slivovës është tashmë i njohur për publikun shqiptar. Fotoreporteri Slivova e ushtron këtë profesion për mëse 30 vjet. Pjesëmarrës në shumë ekspozita e bashkëpunëtor i shumë gazetave dhe revistave. Përgjatë kësaj periudhe me aparatin e tij, ai arriti të përjetësoi shumë ngjarje të rëndësishme, në të cilat qe prezent.

Specifikisht, në luftën e fundit në Kosovë gjatë viteve 98-99, ai arriti t’i nxjerr disa fotografi të cilat sot i ekspozoi në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë. Dhe këtë Slivova vendosi ta bëjë pikërisht në përvjetorin e 12-të të Pavarësisë së Kosovës.

Ekspozita që u organizua me rastin e këtij përvjetori mban titullin “Kujtesa e Kosovës: Jeta nën qiell e najlon”. Ky titull domethënës e kthen shikuesin në retrospektivë, dhe ia ngjallë ato kujtime të dhimbshme, kur kosovarët e detyruar nga gjenocidi serb ikin dhe braktisin vendlindjen. E kush më mirë mund t’i përjetësoi këto dyndje të shqiptarëve sesa aparati fotografik i Slivovës?

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare Fazli Gajraku e hapi ekspozitën, i ngazëllyer dhe krenar për bashkëpunimin me Slivovën.

“Jemi mbledhur për ta hapur këtë ekspozitë, dhe për t’i shprehur mirënjohjen e sinqertë fotografit Slivova, që ka qenë çdoherë i gatshëm për bashkëpunim, ai i ka realizuar këto fotografi në periudha shumë të rëndësishme për Kosovën”, tha Gajraku.

“Mendoj se është ekspozitë e rëndësishme, dhe i nxis edhe individët tjerë që t’i shfaqin materialet që i kanë në arkivat e tyre”, vazhdoi ai.

“Dëshirojmë të kemi këso bashkëpunime dhe ndërgjegjësime, është me rëndësi jetike që të pasqyrohen ngjarje të tilla të historisë së Kosovës në mënyrë që të ruhet kujtesa” përfundoi drejtori Gajraku.

E pranishme në këtë ngjarje ishte edhe ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, e cila vlerësoi artin e Slivovës dhe organizimin e ekspozitës.

“Kjo veprimtari kujton kohën e luftës së Kosovës dhe mbijetesën e popullit kosovar në atë tragjedi. Përmes këtyre fotove shohim fuqinë e artit dhe paraqitjen e realitetit, njëkohësisht përçimin e mesazhit të fortë, që ta kujtojmë atë kohë”, potencoi Dumoshi, duke premtuar mbështetje për organizime të tilla.

“Ky dokument me foto e ngjarje gjatë atyre viteve është dëshmi që paraqet solidaritetin, mallin për vendlindjen, një realitet për ata që e përjetuan atë kohë”, përfundoi ajo duke falënderuar Bibliotekën dhe duke nxitur bashkëpunim në organizime të tjera.

Edhe Sazana Çapriqi, kryesuese e Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtar, u shpreh e lumtur për jetësimin e kësaj ekspozite.

“Një popull që nuk e mban mend historinë e tij, është i dënuar t’i përsëritet historia” pohoi ajo. Çapriqi e konsideroi të rëndësishme ekspozitën derisa falënderoi Slivovën për angazhimin.

“Angazhimi i artistit Ridvan Slivova për të kontribuar ishte i madh, dhe mendoj se është inkurajues edhe për artistët tjerë. Të gjithë e kemi për detyrë ta ruajmë të kaluarën dhe ta përcjellim te gjeneratat e ardhshme”, potencoi ajo.

Para se ekspozita të jetë e qasshme për publikun, fjalën e mori vet autori Slivova, i cili tha se është shumë i lumtur për interesimin dhe mundësinë e ofruar për ta jetësuar këtë ekspozitë.

“Ndihem mirë që m’u dha mundësia ta shfaq punën time”, tha ai fillimisht.

“Në ato vite, isha edhe vet mes popullatës dhe për mua ishte e vështirë. Këtu shihet largimi i popullatës nga fshati, më vonë edhe gëzimi me ardhjen e KFOR-it dhe kthimi i tyre do të thosha në gërmadha, në shtëpitë e shkatërruara”, u shpreh Slivova duke përfunduar.

“E fundit që do të dëshiroja të jetë storie e përfunduar është ajo për të pagjeturit”, tha ai duke i ftuar të interesuarit t’i shohin fotot e ekspozuara.

Ekspozita tashmë është e hapur në hollin e Bibliotekës Kombëtare dhe qysh në fillim ka zgjuar interesimin e shumë njerëzve, i cili pritet të dendësohet në vazhdim. /KultPlus.com