Lufta e Vlorës e 1920-ës për mbrojtjen e integritetit tokësor të Shqipërisë

Më 3 shtator të vitit 1920 përfundoi Lufta e Vlorës, një cikël betejash i patriotëve shqiptarë kundër forcave ushtarake italiane të cilat që më 9 dhjetor 1919 kishin marrë nën protektorat Shqipërinë, pas vendimeve të dala nga Konferenca e Paqes në Paris.

Të revoltuar nga kjo padrejtësi, më 29 janar 1920 u mblodh “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare Vlorë”.

Sulmi ndaj garnizonit italian filloi që më 6 qershor 1920. Në këto luftime morën pjesë rreth 20.000 trupa. Sulmet u zhvilluan në disa lokalitete si në gjirin e Vlorës, Ujin e Ftohtë, Vlorë-Kaninë, Panaja, Llogora, Himarë, Selenicë, Gjorme, Matohasanaj, Tepelenë. Me përfundimin e Luftës së Vlorës, garnizonet italiane u tërhoqën edhe nga Saranda, Durrësi e Shëngjini.

Luftëtarë vinin nga të gjitha zonat e Shqipërisë si dhe nga shqiptarët e Amerikës të cilët drejtoheshin nga 12 komandantë nën drejtimin e përgjithshëm të Qazim Koculit. Në zonën e çliruar, Drashovicë, u vendos shtabi i luftës me prefekt Qazim Kokoshin.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton në një postim të sajin edhe moton që shoqëroi luftëtarët e Vlorës dhe që ishte huazuar nga vargjet e Lasgush Poradecit “Ja do mbetet Vlora e jona, ja do bëhet gur e hi”./atsh/KultPlus.com

5 qershor, 1920: Kur në Vlorë filloi lufta për çlirim 

Lufta e Vlorës ishte një luftë e armatosur e popullit shqiptar për çlirimin e krahinës së Vlorës nga pushtuesit italianë dhe për bashkimin e saj administrativ me pjesën tjetër të Shqipërisë. Forcat italiane ishin vendosur në Vlorë gjatë Luftës së I Botërore. 

Vendimi për fillimin e Luftës së Vlorës u mor nga përfaqësuesit e krahinës së Vlorës të mbledhur në Kuvendin e Barçallait më 29 maj 1920, i cili zgjodhi për organizimin dhe drejtimin e luftës Komitetin “Mbrojtja Kombëtare” me kryetar O. Haxhiun. Ai formoi gjithashtu edhe një komision ushtarak me Ahmet Lepenicën në krye, i cili më vonë u zëvendësua nga Q. Koculi. Qeveria e Tiranës dha ndihmën e vet, pavarësisht se nuk mori pjesë zyrtarisht në luftë.

Lufta e Vlorës nisi më 5 qershor 1920 dhe u zhvillua në mënyrë frontale. Përballë ushtrisë së rregullt italiane, që kishte në Shqipëri dy divizione, u vunë forcat shqiptare, të grumbulluara mbi baza vullnetare e që arrinin në rreth 4 mijë veta. Më 5-6 qershor u goditën njëherazi të gjitha garnizonet italiane në krahinë, që nga Tepelena e deri në Drashovicë. Sulmi mbi forcat italiane në qytetin e Vlorës dhe rrethinat filloi më 11 qershor. 

Lufta për marrjen e Vlorës vazhdoi gjatë dhe u zhvillua me mësymje dhe kundërmësymje, në një nga të cilat spikati trimëria e Selam Musait.
Gjatë Luftës së Vlorës (1920), trupat italiane nuk mundën të çanin rrethimin e forcave shqiptare. Roma u detyrua më në fund të hiqte dorë nga sovraniteti mbi krahinën e Vlorës dhe të nënshkruante me Qeverinë e Tiranës “Protokollin shqiptaro-italian” të 2 gushtit 1920. 

Më 3 shtator 1920 forcat shqiptare hynë triumfalisht në qytetin e Vlorës të zbrazur nga trupat pushtuese. Bashkë me krahinën e Vlorës, qeveria italiane u detyrua të tërhiqte garnizonet ushtarake edhe nga Saranda, Durrësi e Shëngjini. / KultPlus.com