Sot bëhen 23 vjet nga fillimi i luftës në Kosovë, e cila kishte nisur në fshatrat e Drenicës, Likoshan dhe Çirez, ku te vendi i quajtur “Te tre lisat” ishin zhvilluar luftimet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave kriminale serbe.
Në luftimet e zhvilluara kishin mbetur të vrarë disa policë serbë. Si pasojë e kësaj, forcat e armikut kishin rrethuar të dy fshatrat, ku kishin ekzekutuar 24 civilë të pafajshëm.
Në rrethimin e fshatrave, armiku kishte përdorur artileri të rëndë, duke përfshirë helikopterë dhe shumë mjete tjera të blinduara, përfshirë edhe tanke. Qysh në ditën e parë të luftimeve, armiku kishte kryer masakrat ndaj civilëve, vetëm në familjen Ahmeti kishte vrarë 11 persona.
Pas pak ditësh, më 5 mars, ushtria dhe policia serbe kishin rrethuar familjen e Komandantit Legjendar të UÇK-së, ku familja Jashari kishte rezistuar për 3 ditë dhe 3 net në luftimet kundër armikut.
Me luftën e Prekazit, tani më çdo gjë ishte e qartë, në Kosovë lufta për liri nuk do të kishte më të ndalur. Gjatë luftimeve deri në çlirimin e vendit, rreth 1 milion shqiptarë ishin dëbuar nga Kosova, 15 mijë ishin vrarë, 2 mijë e 400 prej tyre kishin rënë dëshmorë. Armiku kishte kryer shumë masakra, si atë në Abri, Reçak, Meje, e shumë e shumë të tjera.
Gjatë luftës ishin zhdukur rreth 5 mijë njerëz, fati i shumicës prej tyre është zbardhur deri në vitin 2007, por ende nuk dihet për fatin e mbi njëmijë shqiptarëve të zhdukur. Në këtë periudhë kohore ishin përdhunuar afër 20 mijë femra shqiptare.
Gjatë periudhës kohore mars 1998 – qershor 1999, njësitë kriminale dhe artileria e rendë serbe kishin shkatërruar dhe djegur pjesërisht ose tërësisht rreth 1.100 vendbanime shqiptare, kishin plaçkitur, djegur e shkatërruar mbi 200 mijë shtëpi, banesa, lokale afariste, punëtori zejtare, fabrika, shkolla, biblioteka, monumente kulturore-historike, objekte kulturore, shkencore, fetare etj./ KultPlus.com