“Luftë dhe Trëndafila”, një histori bazuar nga ngjarje të vërteta që autoren Ambra Hysa e sjell në një tjetër dimension

“Luftë dhe Trëndafila” është novela e cila shënon librin e katërt për autoren e re Ambra Hysa.

“Luftë dhe Trëndafila” flet për një gamë të gjerë temash mbi dashurinë e shtruar paralelisht me një dramë familjare e cila ka rrënjët e thella të një dashurie sublime, siç është ajo prind-fëmijë.

Për të shkruar këtë vepër, autorja është inspiruar nga ngjarje të vërteta të ndodhura gjatë luftës Ukrainë-Rusi andaj dhe ndjeshmëria gjatë procesit të shkrimit ka qenë e madhe dhe njëkohësisht sfiduese për autoren.

Autorja përdor një gjuhë të bukur dhe të prekshme për të parëndësuar mesazhin e saj, dhe për të ju dhuruar lexuesve një përvojë të përjetimeve dhe emocioneve të thella.

Ky libër do t’i ndihmojë lexuesve të kuptojnë më mirë ndjenjat e tyre dhe të zbulojnë mënyra se si të thellojnë lidhjet e tyre me të dashurit.

Përmes kësaj interviste për KultPlus, Ambra përcjell maturi, seriozitet dhe mesazhe të sigurta që prekin zemren e lexuesit. Ajo na zbulon më shumë rreth librit, procesit të shkrimit, frymëzimit, rreth dashurisë nga syri i saj dhe mënyrës se si duhet ruajtur dhe thelluar marrëdhëniet qoftë familjare apo shoqërore, dhe krejt në fund ajo na zbulon edhe një të re e cila pritet të vijë shumë shpejtë.

KultPlus: “Luftë dhe Trëndafila” është libri juaj i katërt, një novel që është pritur mjaft mirë, mund të na tregoni fillimisht rreth inspirimit për këtë vepër?

Ambra Hysa: “Luftë dhe Trëndafila” është esencë dashurie e cila depërton thellë në imagjinatën e lexuesit…është romancë e trëndafiltë e shtruar paralelisht me një dramë familjare e cila ka rrënjët e thella të një dashurie sublime, siç është ajo prind-fëmijë. Është inspiruar nga lufta Ukrainë-Rusi, bazuar nga ngjarje reale të ndodhura atje…

KultPlus: Si iu afruat procesit të shkrimit për këtë libër?

Ambra Hysa: Kishte një valë frymëzimi që më pushtoi të gjithën, në momente të tilla kur frymëzimi të rrethon, mbushesh me një energji që dëshiron ti japësh trajtë dhe jetë…vetëm në letër.

KultPlus: Na shtjello pak titullin e librit, pse “Luftë dhe Trëndafila”?

Ambra Hysa: Sepse ku ka trëndafila nuk mund të ketë “luftë”, çdo lufte i duhen trëndafilat…është një lojë ekstremesh, një moment kur njeriu ndihet mes dy zjarresh dhe zgjedh kë duhet të ushqejë e kush duhet të triumfojë. Në jetën e lexuesit dominon ajo pjesë që për sytë e tij dominon edhe vet novelën.

KultPlus: Çfarë e vendos librin tuaj në dallim nga të tjerët të natyrës së njëjtë?

Ambra Hysa: Energjia me të cilën është shkruar, të gjithë autorët kanë stilin unik…stili im i shkrimit është si një takim i përzemërt mes rreshtash me çdo lexues.

KultPlus: Mund të ndani një moment sfidues gjatë krijimit të këtij libri?

Ambra Hysa: Momentet prekëse kur duhet të vijëzoja, të përshkruaja në libër ngjarje vërtet të rënda, pasoja të luftës, si kosto morale dhe emocionale në jetën e personazheve…

KultPlus: Mund të flisni për temat ose mesazhe që shpresoni që lexuesit të marrin nga libri?

Ambra Hysa: “Dashuria shëron çdo plagë, në bashkëpunim me kohën, janë medikamentet më të mira”. Dhe jeta duhet jetuar thellësisht, me të gjithë forcën e shpirtit. Çdo ditë pranë të dashurve tanë, sikur të ishte dita e fundit…duke dashur familjen, partnerin, si burimin kryesor të energjisë për jetën. Duke dhënë dashuri ne marrim në këmbim energji e cila na shërben për të qenë njerëz më të mirë dhe për të lënë gjurmë më të mira.

KultPlus: Si e ka formuar sfondin tuaj përvoja e shkrimit të këtij libri?

Ambra Hysa: E ka ngjyrosur edhe më shumë, e plotëson dhe i jep ngjyrat e stilit dhe personalitetit tim. Më rrit si përvojë dhe më mëson të përkushtohem më shumë dhe të dua ta rijetoj përvojën magjike të shkrimit të një libri.

KultPlus: Si i janë përgjigjur lexuesit librit tuaj deri më tani?

Ambra Hysa: Me shumë dashuri, jam rrethuar nga një dashuri dhe dashamirësi që mban nuancën e trëndafilave të kuq.

KultPlus: Mund të na jepni një shikim të fshehtë në atë që jeni duke punuar aktualisht ose çfarë keni planifikuar për të ardhmen?

Ambra Hysa: Kam dëshirë ti lë një hapësirë novelës ” L&T”, megjithatë nuk e mohoj që viti 2023 ka nisur me objektiva të reja.

Mendoj të sjell një libër tjetër në përmbyllje të këtij viti, duke qenë se ky vit është i veçantë për mua…por nuk dua të zbuloj më shumë. Nuk më pëlqen shumë të flas për planet e së ardhmes…ia lëmë kohës duke shpresuar dhe punuar gjithmonë për më të mirën! / KultPlus.com