Autoritetet serbe i shpallën si filma me përmbajtje nacionaliste, skenaristi Islami: Prokuroria as që e ka idenë se për çfarë filma bëhet fjalë

Filmat “I pabesi” dhe “Heshtja vret” me skenar të Shkëlqim Islamit dhe regji të Musa Isufit akoma pa nisë rrugëtimin janë shpallë filma të ndaluar, dhe një vendim i tillë ka ardhë nga autoritetet serbe, pasi që të njëjtit kanë pas me u shfaqë në Luginë të Preshevës, shkruan KultPlus.

Të dy filmat përpos që janë ndaluar, për ta ka nisë edhe një procedurë gjyqësore, nëpërmjet të cilës, autoritet serbe po vlerësojnë se këta filma kanë përmbajtje nacionaliste dhe nxisin urrejtje ndëretnike.

Filmat që ishin mbështetë nga Qeveria e Kosovës si fond për mbështetje për Luginën e Preshevës ishin paraparë që të shfaqeshin në Preshevë, por një letër anonime drejtuar prokurorisë së atjeshme, ka bllokuar këta dy filma, e që përralla e tyre është ndërtuar nga skenaristi Shkëlqim Islami.

Skenaristi Islami është i befasuar me këtë veprim të organeve të drejtësisë, që kanë ndaluar filmat që janë shkruar nga ai, edhe pse, sipas tij, të dy filmat deri më tash janë parë vetëm nga ai, regjisori i filmit Musa Isufi dhe producenti Gani Veseli.

“Prokuroria as që e ka idenë se për çfarë filma bëhet fjalë, ata janë bazuar vetëm në atë letër anonime dhe bazuar po në atë letër ata tashmë kanë ndaluar prezantimin e filmave me arsyetimin se filmat kanë përmbajtje nacionaliste dhe nxisin urrejtje ndëretnike, gjë që nuk është e vërtetë”, ka thënë Islami për KultPlus, e që përmbajtja e këtyre filmave është krijuar po nga Islami, i cili shpjegon se ai nuk ka shkruar skenarët vetëm për këta dy filma, por edhe për tre të tjerë që janë në rrugëtim e sipër të realizimit.

“Nuk është e vërtetë që këta dy filma, por as tre filmat e tjerë që janë në realizim e sipër të kenë përmbajtje nacionaliste dhe që nxisin urrejtje ndëretnike. Këtë ua garantoj edhe prokurorëve serb, por edhe politikanëve shqiptarë në Luginë të Preshevës”, ka thënë Islami.

Se nëse kjo ndalesë ka ardhë edhe për faktin se këta filma janë mbështetë nga Qeveria e Kosovës, Islami nuk ka ndonjë përgjigje, përpos faktit që sipas tij, produksioni “Coloseum” i Gani Veselit, aktor dhe producent nga Presheva kishte pranuar një fond nga Qeveria e Kosovës, dhe si rezultat, e kanë angazhuar Shkëlqim Islamin që të shkruaj skenarët për filmat e paraparë. 

“Veseli kishte parë disa realizime me skenarë të mi dhe më ofroi që të shkruaj pesë skenarët e këtyre filmave, dy prej të cilëve tashmë janë ndaluar nga autoritetet serbe”, ka thënë Islami.

Por, sipas tij pse erdhi deri te ky vendim, Islami problemin e adreson te disa nga politikanë shqiptarë në Luginë, ku sipas tij, të njëjtit janë munduar ta anulojnë këtë projekt me pretekstin se këto projekte janë disa ‘vjersha’ dhe se nuk meritojnë buxhet për mbështetje.

“Dhe pas këtyre zhurmave, më pas ky rast ka shkuar edhe deri në gjykatë dhe deri te ndalesa e premierave”, ka thënë Islami.

Islami shpjegon se skenarët që ka shkruar për dy filmat e ndaluar për tematikë kanë vëllavrasjen, besën, tradhtinë…

Edhe përkundër faktit se këta filma tash janë ndaluar nga autoritet serbe, Islami thotë se shfaqjen e këtyre filmave nuk ka kush i ndalë, dhe se sipas tij, pikërisht ky vendim i organeve serbe i ka dhënë një shtytje edhe më të madhe promovimit të këtyre projekteve filmike.

“Produksioni është duke i vendosë datat dhe vendet se ku do të shfaqen këta filma”, ka thënë Islami.

Por çfarë ndjesie mund të sjell  ndalesa e një projekti filmik, Islamin ky veprim i autoriteteve serbe e ka kthyer në kohë.

“Një ndjesi të tillë e kam pas në vitin 2006, kur u pata regjistruar në Akademinë e Arteve në Prishtinë. Rrugës, deri sa po kthehesha në shtëpi, në Kumanovë, në kufirin Serbi- Kumanovë, më futën në një zyrë dhe më kontrolluan. Në xhep kisha një letër me poezinë e Ali Podrimës “Zgjohu Kosovë”, dhe ajo poezi ishte shkak që të më merrnin në pyetje për disa orë. Dhe këto ndalesa po vazhdojnë edhe sot, e që për mua janë vendime absurde”, ka thënë Islami.

“Ata asnjëherë nuk kanë me arritë që të na ndalojnë të krijojmë, të shprehim artin dhe kulturën tonë”, ka thënë Islami.

Ndërkohë, po këta filma të ndaluar nga Serbia do të shfaqen së shpejti në Kosovë, për të cilën ka njoftuar edhe ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte, Hajrulla Çeku, vendim që e ka pritë mirë edhe skenaristi Islami.

“Lajm shumë i gëzuar, por më vjen keq për publikun e Luginës së Preshevës, të cilët vazhdojnë të anashkalohen. Po edhe për këtë kemi alternativë, ne këta filma në të ardhmen do ti prezantojmë edhe në kanalin zyrtar të produksionit në YouTube”, ku mund ti shohin edhe qytetarët e Luginës, ka thënë Islami./ KultPlus.com

Serbia i ndalon filmat “I pabesi” dhe “Heshtja vret”, ministri Çeku: Së shpejti do të kenë premierën e tyre në Prishtinë

“I pabesi” dhe “Heshtja vret” janë dy filma që tashmë janë ndaluar të shfaqen në Luginë të Preshevës, dhe këta filma tashmë janë duke u trajtuar edhe nga sistemi i drejtësisë të atjeshme, me pretekstin se këta dy filma kanë përmbajtje të nxitjes së urrejtjes, shkruan KultPlus.

Të dy filmat janë realizuar me skenar të Shkëlqim Islamit dhe regji të Musa Isufit e që janë realizuar me mbështetje nga Qeveria e Kosovës, për mbështetje për Luginën e Preshevës.

Ministri i MKRS-së Hajrulla Çeku ka pritë sot në takim producentin dhe aktorin Gani Veseli dhe regjisorin e këtyre dy filmave Musa Isufi, duke shtuar se këta dy filma së shpejti do të kenë premierën në Prishtinë.

Më poshtë është njoftimi i plotë i ministrit Çeku.

Sot pata kënaqësinë t’i pres në ministri producentin e aktorin Gani Veseli dhe regjisorin Musa Isufi, dy filmat e të cilëve pushteti autokratik në Serbi nuk lejon të shfaqen në Luginën e Preshevës.

Filmat “I pabesi” dhe “Heshtja vret” që janë financuar nga Qeveria e Kosovës si pjesë e mbështetjes për Luginën, së shpejti do të kenë premierën e tyre në Prishtinë./ KultPlus.com

Referendumi i 1 dhe 2 Marsit 1992, vullneti i parë politik i Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën

Më 1 dhe 2 mars shënohet 30 vjetori i Referendumit për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën, kur u bë deklarimi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës për dy opsione: për Autonomi (politike e territoriale) në Serbi, dhe për bashkim me Kosovën.

Para 30 vitesh shqiptarët e Luginës së Preshevës në vigjilje të shkatërrimit të RSFJ –së me anë të Referendumit u deklaruan për autonomi politike e territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën. Organizimi i Referendumit të 1 dhe 2 marsit të 1992 ishte dhe mbetet rezultati më i rëndësishëm i dy partive të para politike, PVD dhe PDSH, që dy vite më parë kishin filluar me organizimin e pavarur politik të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Në Kuvendin për organizimin e Referendumit, së bashku me përfaqësuesit PVD –së dhe PDSH –së, ishin ftuar dhe morën pjesë shumica e delegatëve shqiptarë të Kuvendeve Komunale të Preshevës dhe Bujanocit, shkruan Titulli.com. Karakterin gjithëpërfshirës Referendumit ia siguroi edhe organizimi i tij jo vetëm në të gjitha vendbanimet e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, por edhe në shumë qytete të Zvicrës, Gjermanisë dhe shtete tjera evropiane.

Nga distanca 27 vjeçare, sot mund të veçohet rëndësia e madhe e Referendumit jo vetëm se për herë të parë popullata shqiptare e deklaroi publikisht vullnetin e saj politik, por edhe më i rëndësishëm ishte fakti se ky vullnet politik i shprehur në rrethana të shkatërrimit të një sistemi shtetërorë, ofronte opsionet politike për zgjidhjen e statusit të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Gjate vitit 1991- 1992 në tri komunat e Luginës se Preshevës: Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë u ngrit kjo iniciativë për formimin e partive politike dhe shoqatave qytetare me motiv për te mbrojtur dhe ngritur zërin e shqiptareve të këtij rajoni. Më 16 shkurt të vitit 1992 në Preshevë u mbajt Kuvendi i përberë prej 96 delegateve të cilët ishin përfaqësues të partive politike dhe të shoqatave të dala nga shqiptaret e tri komunave: Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë.Me shumicë votash u propozua për autonomi territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën.

Në këtë kuvend u propozuan tre opsione: Autonomi territoriale-politike, autonomi administrativo- kulturore dhe për autonomi territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën. Më 1 dhe 2 mars të vitit 1992 u organizua Referendumi gjithëshqiptare nga Lugina e Preshevës për këto tri komunat të cekura më lartë. Me deklaratën për autonomi territoriale me të drejtë të bashkimit me Kosovën. Iniciativa ishte e popullit që shtypej përditë e më shumë dhe e vetmja mënyrë ishte zgjidhja e madhe e referendumit që pati jehonë i cili la gjurmë për të ardhmen si argument demokratik. Mos demokratizimi i Serbisë ishte pengesë e Referendumit .Pankartat për ftesë të popullatës u hoqën nga policia serbe, nuk lejoheshin reklamat dhe ftesa e qytetarëve ishte pengesë e madhe nga qeveria serbe.

U hapen 75 vendvotime në shtëpia private dhe lokale po ashtu private, dhe për dy ditë dolën në votime qytetarët, pasi ditën e parë u penguan nga policia serbe. Radhët e qytetarëve ishin të mëdha për votime. Dolën mbi 46.000 votues. 98% e popullatës iu përgjigjen versionit pozitiv dhe Referendumi u vlerësua i suksesshëm. Edhe pse më 12 mars 2001 u nënshkrua teksti i marrëveshjes për armëpushim, më 7 maj u morr vendimi për çmilitarizimin e UÇMBP dhe marrëveshja e paqes u nënshkrua më 21 maj 2001 ajo nuk u përmbushë në praktikë, nuk u respektua nga ana serbe./Titulli.com/ /KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim një delegacion të Këshillit Kombëtar Shqiptar për Luginën e Preshevës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot priti në takim një delegacion të Këshillit Kombëtar Shqiptar për Luginën e Preshevës, të përbërë nga Ragmi Mustafi, Lirona Zuka dhe Alban Alili.

Në takim me këtë delegacion, Presidentja Osmani ka shprehur gatishmëri për ta mbështetur Këshillin Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës. Ajo ka bërë të ditur se në vazhdimësi angazhohet për promovimin e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc dhe ka adresuar problemet me të cilat ballafaqohen këta qytetarë, siç janë pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave nga Serbia dhe problemet e vazhdueshme me punësimin.

“E keni mbështetjen time dhe ju siguroj se do të përpiqem që zëri juaj të dëgjohet. Qytetarët e Luginës së Preshevës janë brengë e jona e përhershme, dhe do të ndërmarrim çdo veprim të mundshëm për t`i ndihmuar sa më shumë”, ka theksuar Presidentja Osmani, duke rikonfirmuar se problemet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës do të vazhdojë t’i ngrisë në instancat më të larta ndërkombëtare. / KultPlus.com

Shqipëria ka një lajm të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës

Shqipëria do të nënshkruajë një marrëveshje shumë të përshtatshme dhe pozitive për të gjithë shtetasit e Kosovës, shkruan KultPlus.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Blendi Çupi, ka njoftuar se shtetasit e Kosovës mund të marrin lejen e qëndrimit 5 vjeçare me vetëm një aplikim të thjeshtë.

Siç raporton A2 News, Çuçi ka thënë se ky është një lajm shumë i mirë, pasi shqiptarët që jetojnë në Kosovë që do të marrin leje qëndrimi me procedura të thjeshtuara. Është në vazhdën e disa marrëveshjeve që do të nënshkruajmë brenda sektorëve që përfshin Ministria e Brendshme”, tha Çuçi.

Përveç lejës së qëndrimit, shtetasve të Kosovës do t’iu ofrohet edhe leja e punës.

Probleme të tilla kanë shqiptarët nga Lugina e Preshevës, që vazhdojnë të mbesin të diskriminuar në Kosovë mbi këtë aspekt. /KultPlus.com