Lugina Vipava, shumë pranë kryeqytetit slloven, Lubjanë, ende nuk është e njohur për turistët për bukuritë dhe veçantitë që e karakterizojnë.
Sipas CNN Travel, në këtë rajon jashtëzakonisht pjellor, kombinohen natyrshëm peizazhet karstike me kështjellat mesjetare, si dhe vera me ushqimin jashtëzakonisht të mirë.

Ky vend njihet për mikroklimën, të ngjashme më atë të Mesdheut, por dhe për erërat e forta që sjellin kushtet optimale të rritjes së rrushit për verëra të klasit të lartë në Slloveni.

Dhjetëra kantina, ndonëse prodhojnë një verë shumë cilësore, janë të nënvlerësuara – ndër to dhe kantina shumë të vjetra, si ajo “Vipave”. Që nga viti 1894, kjo kantinë bashkon verërat nga 350 prodhuesit më të mirë të verës në vend.

Fshatrat e këtij rajoni, janë dhe prodhuesit më të mëdhenj të pemishteve me kajsi, pjeshka dhe hurma, por njihen edhe për prodhimin e proshutave të thara, duke konkurruar denjësisht me fqinjët italianë. Ushqimin fantastik vendas, turistët kanë mundësi ta shijojnë në fermat dhe restorantet e agroturizmit, të vendosura në ndërtesat e vjetra të shekullit të 17-të.

Ndër të tjera, vende të shumta të Luginës kanë trashëguar edhe një histori gati 2000-vjeçare, e cila dëshmohet më së miri në mbetjet arkeologjike. Të tilla janë mbetjet e kalasë romake Castra, pranë lumit Hubelj, e ndërtuar rreth shekullit të 3-të, por edhe kishat e shumta baroke, apo Manastiri i famshëm Capuchin, në bibliotekën e të cilit ruhen dorëshkrimeve të rralla. /A2 / KultPlus.com
