Prezantohet për herë të parë në Kosovë puna e artistit shqiptar Lui Shtini

Alberina Haxhijaj

Sonte në galerinë LambdaLambdaLambda, është hapur ekspozita “Fused” e artistit shqiptar nga Kavaja, Lui Shtini, i cili jeton dhe punon në Amerikë. Kjo është ekspozita e parë e artistit në Kosovë por edhe në regjion në përgjithësi, shkruan KultPlus.

Në vitin 1960 një ndër testet më të përdorura në psikologji ishte testi i HermannRorschach, i krijuar në vitin 1932 dhe që përmbante 10 imazhe. Testi Rorchach, përdorej nga psikologët të cilët përmes tregimit të këtyre imazheve tek pacientët, nxirrnin në pah personalitetin e tyre dhe mendimet e tyre të brendshme. Pikërisht puna e artistit, Lui Shtinit është krahasuar shumë herë me imazhet e Rorchach-it.

Pjesë e trupit të cilat i përdor artisti si: dhëmballa, kraharori, legeni, trungu trupor, organet gjenitale e të tjera të cilat marrin forma abstrakte, nxjerrin në pah preokupimet dhe interesat e vëzhguesit, por jo vetëm.

Sjellja e artistit Lui Shtini në Prishtinë, ka qenë një rastësi e këndshme për themelueset e galerisë Isabella Ritter dhe Katharina Schendl.

“Është shumë interesante sepse kemi zbuluar punën e Luit, punë e cila është e njohur në Amerikë dhe e kuptuam nga emri që ai ishte shqiptar dhe pastaj edhe u takuam me të në një galeri në New York. Kjo menjëherë na bëri që të interesohemi që të ekspozojmë edhe punën e tij. Të tregojmë punën e një artisti i cili është i njohur në Amerikë, por njëkohësisht edhe të sjellim punën e një artisti që është nga Ballkan”, u shpreh Isabella Ritter.

Sipas saj pikërisht në punën dhe në mënyrën e përdorimi të materialeve dhe në teknikat që artisti përdor mund të vërehet ndikimi lokal e që është një pasuri më shumë në punën e tij si artistë.

“Puna që ai bënë është shumë bashkëkohore pasi që ai eksploron organet dhe si ato funksionojnë por edhe gjëra më të mëdha, pra dy identitete që mund të krijojnë një union ose që edhe mund të largojnë njëra-tjetrën. Pra mendoj që është shumë esenciale për trupin e njeriut, për shoqërinë por jo vetëm për këto. Gjithashtu ishte interesante të tregoheshin materialet dhe mënyra e punës. Ato janë një lloj trashëgimie nga mënyra e realizimit të pikturave në rajon por do të theksoja se në një gjuhë krejtësisht tjetër të cilën ai vet e ka krijuar sepse kurrë nuk kam parë punë si kjo më parë”, u shpreh ajo për KultPlus.

Sipas saj nuk është shumë e rëndësishme se cila pjesë e trupit është në pikturë, por më shumë ka të bëjë me këtë ‘jo-mirësi’ sepse vrojtuesi mendon se e njeh një organ apo pjesë të trupit që ai ka përdorur, por ajo nuk është e plotë, është abstrakte. Sipas saj ajo që mund të vërehet është ana njerëzore, e cila prek vrojtuesin pasi që “mendoni se ka diçka organike në të me të cilën mund të lidheni”.

Për artistin ka qenë shumë e rëndësishme që puna e tij është paraqitur edhe në Kosovë, mirëpo ai për arsye personale nuk arriti që të ishte i pranishëm. Kështu urime e tij më të mira dhe falënderimet për të pranishmit i përcolli galeria.

Lui Shtini (1978 Kavaje, Shqipëri) ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë, Shqipëri nga viti 1997 deri në vitin 2000 dhe ka ndjekur Shkollën e Pikturës dhe Skulpturës Skowhegan në vitin 2007. Ai jeton dhe punon në Brooklyn, NY.
Shtini ka mbajtur ekspozita vetjake në CorbettvsDempsey, Chicago (2017, 2014), Kate WerbleGallery, Nju Jork (2016, 2013), CherryandMartin, LosAngeles (2015), dhe Van de Weghe Fine Art 2013, 2009). Puna e tij është ekspozuar në mjediset ku përfshihen: Silberkuppe, Berlin, Byroja, Nju Jorku, Galeria JackHanley, Nju Jork dhe Galleries Mason Gross, Universiteti Rutgers, NewBrunswick.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 11 nëntor, 2018./ KultPlus.com

Lui Shtini vjen me ekspozitë personale në LambdaLambdaLambda

Lui Shtini këtë të martë do të prezantojë në LambdaLambdaLambda ekspozitën e tij të titulluar “Fused”, shkruan KultPlus.

Pikturat që do të karakterizojnë ekspozitën personale të Lui Shtinit janë të përzgjedhura nga veprat e vitit 2015 që shënojnë fillimin e eksplorimit të artistit në përplasjen e dy entiteteve brenda një përbërjeje horizontale. Në kërë ekspozitë për herë të parë do të ekspozohet kjo seri e pikturave.

Bashkimi i dy formave vjen si zgjerim i veprave të mëparshme të Shtinit të cilat janë fokusuar në një karakter të vetëm, duke lejuar një marrëdhënie më komplekse midis sipërfaqes, materialit dhe mediumit.

Lui Shtini është i lindur më 978 në Kavajë të Shqipërisë ndërsa ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë, që nga viti 1997 deri në vitin 2000, po ashtu ka ndjekur edhe Shkollën e Pikturës dhe Skulpturës Skowhegan në vitin 2007. Ai jeton dhe punon në Brooklyn, NY.

Ekspozita hapet të martën, më 11 shtator duke filluar nga ora 19:00 në LambdaLambdaLambda./ KultPlus.com