Luiza Gega siguron finalen në kampionatin botëror të atletikës

Atletja shqiptare, Luiza Gega, ka siguruar finalen në kampionatin botëror të atletikës, përcjell KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur gazetari sportiv Arben Berisha nëpërmjet një postimi në Tëitter.

“Kampionia e Evropes ne vrapim me 3,000 m me pengesa, Luiza Gega e siguroi finalen ne kampionat boteror te atletikes. Finalja mbahet te dielen”, ka shkruar ai./KultPlus.com

Luiza Gega nuk i vendos vetes limite, rekord absolut me tre medalje ari në Kampionatin Ballkanik

Luiza Gega ka vendosur rekorde të reja. Kampionia e Europës u bë e para atlete që arrin të marrë tri medalje të arta në një Kampionat Ballkanik. Askush më parë nuk ia kishte dalë.

Treshen e të artave, Gega e plotësoi këtë të diel me triumfin në garën e 5000 metrave, ku po përpiqet të përshtatet gjithnjë e më shumë, dhe ku ka ambicie të mëdha në të ardhmen.

Atletja shqiptare ia doli të triumfonte në turneun që po zhvillohet në Kraljevo të Serbisë, duke dhënë kohën 16’07”93, ndërsa rivalet i la shumë prapa. Të shtunën, Gega fitoi dy herë. Ajo njëkohësisht u shpall kampione e Ballkanit në garën e saj të preferuar të 3 000 metrave me pengesa, dhe siguroi formalisht kualifikimin për në Lojërat Olimpike.

Koha ishte 9’21”53, ndërsa norma olimpike është deri në 9’23”. Formalisht kualifikimi u arrit sepse periudha e vendosur nga Federata Botërore e Atletikës nisi në 1 korrik, dhe gara në Kampionatin Ballkanik ishte e para për Luizën që nga ajo kohë.

Hapin e dytë drejt realizimit të misionit Gega e realizoi me fitoren e garës së 3 000 metrave pasditen e së shtunës. Shqiptarja dha kohën 9’21”48, ndërsa tani do të përqendrohet tek objektivi më i madh i sezonit, Kampionati Botëror. / KultPlus.com

Luiza Gega fiton medaljen e artë në Serbi, siguron biletën për në Lojërat Olimpike

Atletja Luiza Gega është sportistja e parë shqiptare që ka siguruar biletën kualifikuese për në Lojërat Olimpike, që do të mbahen në Paris në vitin e ardhshëm.

Kjo pasi Gega ka arritur të triumfoj në Kampionatin Ballkanik të Atletikës në disiplinën 3000m/p me kohën 9.21.53.

Medalje e artë dhe super kohe e arritur pavarësisht se gara u zhvillua në mëngjes.

Koha e arritur prej saj është normë kualifikuese për në Lojërat Olimpike Paris 2024.

Atletika i ka filluar kualifikimet nga data 1 Korrik 2023.

Norma kualifikuese është 9.23.00.

Ndryshe, sot në Kraljevo te Serbisë po zhvillohet Kampionati Ballkanik i Atletikës me pjesëmarrjen e 20 shteteve.

Luiza Gega triumfon në garën e 5000 metrave në Kampionatin Europian Ekipor

Atletja Luiza Gega triumfoi sot në garën e 5000 metrave në Kampionatin Europian Ekipor që po zhvillohet në Krakow të Polonisë.

Kryeministri Edi Rama, ndau sot në rrjetet sociale foto nga triumfii i atletes shqiptare.
“Luiza Gega triumfon edhe në garën e 5000m në Kampionatin Europian Ekipor, duke vijuar të mbajë lart flamurin kuqezi”, shkroi Rama.

Kampionia shqiptare ka lënë pas gjithë kundërshtaret me kohën 15:32.39, rreth 4 sekonda më e shpejtë se rivala Salpeter nga Izraeli./ atsh / KultPlus.com

Luiza Gega fiton Maratonën e Tiranës, thyen rekordin e saj personal

Luiza Gega, atletja me të cilën kombi ynë krenohet ndërkombëtarisht, ka fituar Maratonën e Tiranës.

Sportistja ka thyer rekordin e saj personal, ku herën e fundit e përfundoi maratonën për 70 minuta e 58 sekonda, ndërsa këtë herë për 70 minuta e 18 sekonda.

“Nuk di të them a ka kënaqësi më të bukur dhe emocion më të madh të garosh në vendin tënd. Gjithë rrugës ka njerëz që brohorasin. Unë sot kam thyer një record të ri kombëtar në gjysmë-maratonë. Nuk është se u përgatita por e pash që ishte e mundur dhe provova ta arrija. Vazhdoj të jem në top formë dhe këtë vit do ta mbaj mend gjatë”, u shpreh Gega për “Oversport”. / KultPlus.com

Luiza Gega thyen tjetër rekord kombëtar, kryeson garën për femra për kategorinë Gjysmë-Maratonë

Kampionia e Europës, Luiza Gega ka thyer një tjetër rekord kombëtar.

Gega ka fituar garën për ferma për kategorinë Gjysmë-Maratonë (Half Marathon).

Ajo ka kryesuar 21 kilometërshin për kategorinë femra për 70 minuta e 18 sekonda. Në një deklaratë para mediave, Gega deklaroi se ka përmirësuar kohën e rekordit dhe ka marrë një energji të jashtëzakonshme.

“Nuk di të them a ka kënaqësi më të bukur të vrapish në vendin tënd. Kam thyer një rekord të ri kombëtar në gjysmë maraton. Merr një energji që nuk e di se e ke ku gjatë gjithë kohës ka njerëz që të brohorasin. U mundova ta arrija deri në fund. Prej 40 sekondash kam përmirësuar kohën time dhe vazhdoj të jetë në top-formë. 2022 do jetë në memorien time për shumë gjatë”, tha Gega.

Çmimet që do fitojnë garuesit për kategorinë Gjysmë-Maratonë (Half Marathon) janë si më poshtë:

Çmimi i vendit të parë për kategorinë Half Marathon (21.0975 km) do të jetë 2000 Euro, për garuesit femra dhe meshkuj.

Çmimi i vendit të dytë për kategorinë Half Marathon (21.0975 km) do të jetë 1500 Euro, për garuesit femra dhe meshkuj.

Çmimi i vendit të tretë për kategorinë Half Marathon (21.0975 km) do të jetë 1000 Euro, për garuesit femra dhe meshkuj./rtsh.al/ KultPlus.com

Kryeministri Rama: Triumfi historik i Luiza Gegës si pasqyrë e mexhelisit tonë social-politik

Kryeministri Edi Rama theksoi se “sot nuk ka më protagonistë të braktisur të sportit, po ka sistem shpërblimesh për protagonistët, miratuar me vendim qeverie kohë më parë”.

Në një postim të ndarë sot në rrjetet sociale, Rama tha se “në bazë të këtij vendimi për vitin 2021 kanë përfituar shpërblim në bazë të rezultateve në arenën ndërkombëtare 14 protagonistë, 7 sportistë dhe 7 trajnerët e tyre. Ndërsa për vitin 2022 kanë përfituar 44 vetë, 22 sportistë dhe 22 trajnerët e tyre, për rezultate të larta ndërkombëtare. Gjithashtu, për herë të parë, janë dhënë shpërblime edhe për kampionë Ballkani, ndër ta edhe për Luiza Gegën”.

Duke folur për lajmet e rreme, kreu i qeverisë shprehet se “halli i madh këtu është se e keqja, e cila ka marrë formën e vorbullës marramendëse të lajmeve të rreme, fabrikimit të fakteve alternative, gjobave mediatike e sulmeve politike, të përziera me garuzhden e vjetër të egërsisë provinciale, ka dalë jashtë të gjithë kufijve të njerzillëkut më bazik”.

Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:

TRIUMFI HISTORIK I LUIZA GEGËS SI PASQYRË E MEXHELISIT TONË SOCIAL-POLITIK

Në një botë ku faktet janë gjithnjë e më të shpërfillura dhe mllefet e inatet gjithnjë e më shumë alternativë e fakteve, mexhelisi politik e mediatik shqiptar është kthyer në një “çmendinë”, që përditë çmend dynjanë!

Kjo s’është diçka e re dhe s’do t’i shkruaja këto rreshta, sikur të mos isha mahnitur nga çmenduria që plasi sheshit bashkë me triumfin historik të Luiza Gegës. Shenjat e para të çmendurisë u panë qysh në fillim, kur nisën edhe zërat që uronin Luizën për të sharë qeverinë. Qeveria e poshtër e kishte braktisur e syrgjynosur deri në Afrikë, vajzën e shkretë të jetimores së sportit shqiptar, ndërkohë që në fakt Luiza është mbështetur nga kryebashkiaku i Tiranës, për t’u stërvitur në lartësinë mbi 3 mijë metra të Kenias, ku stimulohet rritja e rruazave të gjakut.

Por shpërthimi çmendurak mori dhenë, kur kampionia e re e Europës u prit në kryeministri, për t’u nderuar siç i takonte pas një triumfi të paparë në historinë e sportit shqiptar. Kampionët e urrejtjes profesionale, modele të mbrapshta publike, që ushqejnë mllefin dhe yshtin inatin anonim të rrjeteve sociale, u lëshuan me tërbim në ekrane e portale, duke e komentuar ngjarjen si pengmarrje të Luizës për propagandë apo deri si shitje të shpirtit të saj tek regjimi!…

Foli më shumë se njëherë kampionia me gojën e saj, për si dhe sa shumë kanë ndryshuar gjërat, si është mbështetur sporti dhe ajo vetë vitet e fundit, e qysh mbështetja financiare ia ka bërë më të lehtë rrugëtimin e saj drejt majës. Madje ajo, vajzë e rrallë, me një mirësjellje mbresëlënëse, nuk harroi të dërgonte mesazhi falënderimi nga Mynihu, kur në fakt falënderimet i takonin vetëm e vetëm asaj. Po ku kanë veshë të dëgjojnë ata që edhe Amerikën duan ta mbrojnë nga ambasadorja amerikane, jo më Luiza Gegën nga unë!
Halli i madh këtu është se e keqja, e cila ka marrë formën e vorbullës marramendëse të lajmeve të rreme, fabrikimit të fakteve alternative, gjobave mediatike e sulmeve politike, të përziera me garuzhden e vjetër të egërsisë provinciale, ka dalë jashtë të gjithë kufijve të njerzillëkut më bazik. Helmimi i përditshëm i gjakut të shoqërisë është kthyer në rutinë dhe faktet trajtohen si opinione, ndërsa opinionet imponohen si fakte me inat, mllef e urrejtje të pangushëllueshme. Kur thua të vemë ndonjë rregull ligjor, se ky ortek llumi do të fundosë çdo vlerë njerzillëku e normë bashkëjetese shoqërore, duke e varrosur si qen të ngordhur, mundin e prindërve e përpjekjen e shkollës për edukimin e fëmijëve, të ngrihen e të thonë jo! Duhet veç vetërregullim, po se si e qysh do të ndodhë ky vetërregullimi nuk ta thotë dot kush! Nejse, s’është ky qëllimi i këtij shënimi të gjatë.

Sot unë dua të këmbëngul tek faktet! Pa asnjë shpresë se do të dalë kush e t’i kërkojë falje Luiza Gegës, se për falje lexuesve as bëhet fjalë. Por me bindjen që sidoqoftë, faktet u duhen atyre që kanë ende respekt për veten e për të vërtetën e mbështetur mbi fakte.

E PARA, sot nuk ka më protagonistë të braktisur të sportit, po ka sistem shpërblimesh për protagonistët, miratuar me vendim qeverie kohë më parë dhe në bazë të të cilit:
Për vitin 2021 kanë përfituar shpërblim në bazë të rezultateve në arenën ndërkombëtare 14 protagonistë, 7 sportistë dhe 7 trajnerët e tyre. Ndërsa për vitin 2022 kane përfituar 44 vetë, 22 sportistë dhe 22 trajnerët e tyre, për rezultate të larta ndërkombëtare. Gjithashtu, për herë të parë, janë dhënë shpërblime edhe për kampionë Ballkani, ndër ta edhe për Luiza Gegën.

E DYTA, sot nuk ka më shpërblime spontane për ata që nderojnë flamurin kuqezi në arenën ndërkombëtare dhe nuk ka më as harresa, për të paguar detyrimet që burojnë nga vendimi përkatës i qeverisë. Bashkëngjitur vendimi, të cilin jam i bindur që urrejtësit profesionistë të ekraneve e të portaleve, të cilët e duan me zor çdo gjë në Shqipëri sa më zi, e që edhe triumfin e Luiza Gegës e përdorën si zift për ta derdhur mbi armikun politik, nuk do ta lexojnë https://qbz.gov.al/…/024170e9-1ddf-429b-b0f6-8705f4bd33ff

E TRETA, sot nuk ka më vetëm shpërblime për rezultatet më të larta, po edhe trajtim të përhershëm për kampionët ndërkombëtarë shqiptarë, përfshirë edhe shqiptarët e Kosovës! Bazuar në një tjetër vendim qeverie të disa viteve më parë, “Për kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe përfitimin e trajtimit për përgatitjen sportive të sportistëve, që përfitojnë statusin e nivelit të lartë”, janë punësuar si më poshtë nga Ministria e Mbrojtjes:

1. Atletja Luiza GEGA.
2. Peshëngritësi Briken CALJA.
3. Xhudistja Nora GJAKOVA.
4. Xhudistja Distria KRASNIQI.
5. Xhudisti Indrit ÇULLHAJ.
6. Atleti Ilir KËLLEZI.
7. Peshëngritësi Ilirian SULI.

E KATËRTA, sot nuk ka më ndalesë në rrugën e progresit, që nënkupton edhe përmirësime e korrigjime të vazhdueshme të punës sonë, në shërbim të vendit dhe njerëzve të këtij vendi. Ministria e Mbrojtjes ka propozuar disa kohë më parë ndryshime ligjore, të cilat do të mundësojnë përfshirjen e kampionëve ndërkombëtarë në rangun e gradave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe krijimin e një strukture speciale, ku ata do të angazhohen si mentorë të ushtarëve tanë, me pagën sipas gradës, në shërbim të atdheut deri në daljen e tyre në pension. Këto ndryshime i shërbejnë njohjes së kontributit të sportistëve në promovimin dhe lartësimin e emrit të vendit tonë në arenën ndërkombëtare. Ligji është në fazën e bashkërendimit me institucionet e linjës, pasi është përmbyllur konsultimi publik dhe në mes të shtatorit do të hyjë në procedurën parlamentare.
Sportistët e punësuar aktualisht pranë Ministrisë së Mbrojtjes, që do të përfitojnë nga ky ligj gradën e kolonelit janë:

1. Luiza GEGA – “Kolonel”
2. Briken CALJA – “Kolonel”
3. Nora GJAKOVA – “Kolonel”
4. Distria KRASNIQI – “Kolonel”

DHE E FUNDIT, kur flitet për sportin të gjithë jemi në borxh, me këtë vend dhe rininë e këtij vendi, por ama kur flitet me fakte për mbështetjen për sportin, nuk ka asnjë krahasim të imagjinueshëm, se të mundshëm jo e jo, mes këtyre viteve të qeverisë sonë dhe të gjitha viteve të tjera bashkë. Pa ekzagjerim, as dita me natën nuk dallojnë kaq shumë sa këto dy periudha për sportin. Natyrisht do të kishim dashur të bënim më shumë më shpejt, por kur kujtoj se nga jemi nisur, them lavdi Zotit që ia kemi dalë të bëjmë sa kemi bërë. Ndërkohë që patjetër, padiskutim, edhe në sport dallimi mes ku jemi dhe ku duhet e duam të jemi është ende shumë i madh.

Si përfundim, jam i bindur që as tërë këto fakte nuk do të hedhin dot dritë mbi shpirtrat katran, ku merr jetë urrejtja profesionale e mendjembrapshtëve që e përndjekin këmba-këmbës këtë vend, qysh nga dita e krijimit të alfabetit shqip. Por s’kemi ç’bëjmë tjetër përveçse të marrim shembull nga Luiza Gega:

Të vrapojmë më shpejt! / KultPlus.com

Luiza Gega nderohet në Bulqizë me titullin “Qytetar Nderi”

“Mbretëresha” e Evropës, Luiza Gega, pas nderimeve dhe ceremonisë shtetërore që iu bë në kryeministri, ka marrë një tjetër vlerësim shumë të lartë. Qyteti i sajë i lindjes, Bulqiza, ka shpallur atleten “Qytetar Nderi”, një titull dhe një vlerësim shumë i lartë.

Me konsensus të plotë dhe me një mbledhje të jashtëzakonshme, Këshilli Bashkiak i Bulqizës i ka dhënë Luiza Gegës këtë titull. Ndërkohë ceremonia e dorëzimit do të bëhet ditën e hënë.

Luiza Gega u shpallet kampione Evropë në Mynih, në garën e 3000 mijë metrave me pengesa. Gega vendos rekord në këtë kampionat ndërsa i dhurojë Shqipërisë medaljen e parë në atletikë. / BalkanWeb / KultPlus.com

Luiza Gega shpërblehet me 100 milionë lekë të vjetra si kampione dhe rekordmene evropiane

Atletja Luiza Gega përfiton shpërblimin financiar prej 100 milionë lekë (të vjetra) nga qeveria, pas shpalljes kampione e Evropës në garën e 3 000 metrave me pengesa në Kampionatin Evropian të Atletikës që u mbajt në Mynih të Gjermanisë.

Ky shpërblim i akordohet sipas vendimit të qeverisë Nr. 789, datë 15.12.2021 për kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe trajtimin e sportistëve, që përfitojnë statusin e nivelit të lartë, dhe trajnerëve të tyre, që parashikon se, sportistët që thyejnë rekord evropian shpërblehen me shumën 60 milionë lekë (të vjetra). Ndërkohë, për ata që fitojnë vendin e parë në Kampionatin Evropian shuma që u akordohet është 40 milionë lekë (të vjetra).

Gjatë një ceremonie, Kryeministri Edi Rama i dhuroi Luiza Gegës Kordonin e Madh me Yllin për Mirënjohje Publike, ndërsa theksoi se “Gega i dhuroi vendit imazhin e një Shqipërie që ia del me kokën lart mes të gjithë të tjerëve”.

Kampionia e Evropës u shpreh se “doja t’i tregoja Evropës që edhe ne mundemi. Ndoshta vijmë nga një vend i vogël, por me punë mund t’ia dalim edhe më mirë se ata”.

Ndërsa ministrja Kushi tha se “sipas projektligjit të ri të sportit do të kemi për herë të parë edhe grada honorifike për sportistët elitarë dhe këto grada do të jenë jo vetëm si tituj, por edhe për shpërblim financiar dhe për pagat. Është një hap shumë domethënës, sepse vlerëson punën dhe talentin e sportistëve si Luiza, e cila pas këtij ligji do të gëzojë gradën ‘kolonel’”.

Luiza Gega arriti të thyejë rekordin e kampionatit evropian, me kohën 9 minuta, 11 sekonda dhe 31 të qindtat. Kampionia shqiptare shkoi në finale me kohën më të mirë në fazën kualifikuese dhe ishte pretendentja kryesore për të fituar këtë garë./atsh/ KultPlus.com

Nesër mbahet ceremonia e posaçme për Luiza Gegën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

Nesër në orën 11:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do të mbahet një pritje për kampionen e Europës në atletikë, Luiza Gega.

Lajmin e dha kryeministri Edi Rama, i cili ka ftuar të marrë pjesë në këtë ceremoni këdo që dëshiron të duartrokasë kampionen e parë europiane të atletikës me fanellën kuqezi të Shqipërisë.

“Shihemi nesër në 11.00 në ceremoninë e posaçme për nder të Luiza Gegës, me këdo e ka të mundur dhe dëshiron ta duartrokasë kampionen e parë europiane të atletikës me fanellën kuqezi të Shqipërisë”, ka shkruar Rama në një postim në rrjetet sociale.

Luiza Gega u shpall kampione e Evropës në garën e 3 000 metrave me pengesa.

Ajo arriti të thyejë edhe rekordin e Kampionatit Evropian, me kohën 9 minuta, 11 sekonda dhe 31 të qindtat.

Kampionia shqiptare shkoi në finale me kohën më të mirë në fazën kualifikuese dhe ishte pretendentja kryesore për të fituar këtë garë.

Gega diktoi ritmin gjatë gjithë garës./ KultPlus.com

Luiza Gega pritet me ceremoni në Rinas: Më krenare se kurrë për ngjyrat e flamurit

Kampionia e Evropës në atletikë Luiza Gega u prit sot me një ceremoni në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë.

Në ceremoninë e pritjes ishte e pranishme ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ministrja për Fëmijët dhe Rininë, Bora Muzhaqi, Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli etj.

Në fjalën e saj, ministrja Kushi tha se “Luiza përfaqëson shumë më tepër sesa një kampione Evrope në atletikë. Ajo është modeli i shkëlqyer jo vetëm në sport por në çdo fushe te jetës. Luiza është modeli që duhet të frymëzojë çdo të ri shqiptar, sepse vetëm me këmbëngulje mund t’ia dalësh. Ky vit ka qenë plot ngjarje të rëndësishme për sportin”.

“Kupa e Botës, Finalja e “Conference League”, Kampionati Evropian i Peshëngritjes. Ngjarje këto që kontribuojnë edhe në promovimin e Shqipërisë, në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë shqiptare. Po ashtu, domethënëse ka qenë edhe pjesëmarrja e sportistëve tanë në ngjarjet e rëndësishme sportive në botë. Kampionate, lojëra olimpike, mesdhetare. Dhe rezultatet kanë qenë si asnjëherë tjetër, Shqipëria po ngrihet në një nivel të ri në arenën ndërkombëtare”,- theksoi Kushi.

Ministrja Kushi tha se kjo e rrit akoma më shumë përgjegjësinë për më shumë mbështetje për sportin në përgjithësi dhe sportistët elitare në veçanti.

“Përveç Ligjit të ri për Sportin, unë jam krenare veçanërisht për ndryshimet e fundit në VKM, ku kemi parashikuar që të shpërblejmë edhe sportistët e sporteve individuale, të kategorive “të rritur” dhe “të rinj”, që arrijnë rezultate në veprimtaritë ndërkombëtare. Ishte një vendim për t’i dhënë vlerësimin dhe dinjitetin e merituar sportistëve tanë elitare, duke motivuar kështu jo vetëm ata por edhe gjithë të rinjtë e të rejat që merren me sport”, shtoi Kushi.

Kushi theksoi se, zhvillimi i infrastrukturës sportive vazhdon të jetë një sfidë, për t’u krijuar sportistëve kushte sa më të përshtatshme.

“Dy aktivitetet e mëdha dhe të rëndësishme, “Conference League” dhe “Kampionati i 100-të Evropian i Peshëngritjes” dëshmuan që investimet në infrastrukturë janë një potencial për të mirëpritur aktivitete prestigjioze ndërkombëtare, të cilat përkthehen edhe në benefite ekonomike për vendin”, tha Kushi.

“E dashur Luiza, Ndër emocionet më të veçanta që kam përjetuar gjatë punës sime si ministre Sportesh ka qenë momenti kur ti dhe Brikeni valëvitet flamurin tonë kuqezi në Stadiumin Olimpik të Tokios 1 vit më parë. E momenti i dytë më emocionues ka qene këtë të shtunë teksa ti, me lot në sy, valëvite përsëri flamurin shqiptar, duke e sjellë për herë të parë në Shqipëri medaljen e artë në atletike. Nuk ka emocion më të bukur sesa lotët e gëzimit”, – u shpreh ministrja Kushi.

Kampionia Luiza Gega tha se “ju falënderoj shumë për këtë pritje, ndihem shumë e vlerësuar. Ndoshta jam lodhur shumë për të qenë këtu sot, kam shumë vite që sakrifikoj për të qenë këtu jo me detyrim por me dëshirë, zgjodha të përfaqësoj qoftë veten time, por edhe ngjyrat e flamurit tim, dhe do mundohesha çdo ditë ti përfaqësoja denjësisht”.

“Sot jam më krenare se kurrë për ato ngjyra, kjo ishte edhe arsyeja pse ndoshta derdha lot në vijën e finishit, pasi mu kthye e gjithë koha mbrapsht për mundin e sakrificën e bërë. I  tregova Evropës se edhe ne mund t’ia dalim edhe pse jemi një vend i vogël dhe me shumë gjëra për të përmirësuar, por përsëri nëse punojmë fort dhe e duam këtë vend dhe atë që bëjmë, ne mund t’ia dalim”.

Sipas saj, vitet e fundit gjërat kanë ndryshuar për sportin.

“Këtë e kam ndjerë dhe e tregojnë rezultatet e mia, qoftë edhe ligji për sportin, shpërblimet më kanë dhënë një shtysë për të qenë edhe këtu sepse mbrapa ka edhe një shpërblim që merret, por qoftë edhe për gjithë mbështetjen nga Komitetit Olimpik apo Ministria e Arsimit dhe Sportit, qoftë edhe e Mbrojtjes ku unë bej pjesë, apo edhe bashkia e Tiranës. Kanë bërë të gjithë këtë që të vijë edhe kjo medalje që i kishte munguar atletikës. Uroj që të rinjtë shqiptarë të motivohen se mund t’ia dalin”, tha Gega.

Ajo falënderoi gjithashtu trajnerin e  saj për rezultatin e arritur.

Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli u shpreh se “Luiza Gega bëri krenarë të gjithë shqiptarët në mbarë botën. Luiza është modeli më i mirë që duhet të ndjekin të rinjtë shqiptarë. Sportistët janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë dhe kështu duhet ti presim të gjithë si sot”.

Ndërsa ministrja Buzhaqi përgëzoi Luiza Gegën për rezultatin e arritur si dhe për të gjithë mundin dhe përpjekjet e saj.

Luiza Gega u shpall kampione e Evropës në garën e 3 000 metrave me pengesa. Ajo arriti të thyejë edhe rekordin e kampionatit evropian, me kohën 9 minuta, 11 sekonda dhe 31 të qindtat. Kampionia shqiptare shkoi në finale me kohën më të mirë në fazën kualifikuese dhe ishte pretendentja kryesore për të fituar këtë garë./atsh/ KultPlus.com

https://fb.watch/f3rORpIW09/

Historike, Luiza Gega kampione evropiane 

Një prej sukseseve më të mëdha sportive të Shqiërisë është arritur të shtunën mbrëma. 

Është atletja Luiza Gega që ka fituar medaljen e artë në Kampionatin Evropian që po mbahet në Munih të Gjermanisë. Gega është kampione evropiane në vrapimin 3000 metra me pengesa.

Është ky suksesi më i madh në karrierën e 33-vjeçares e po ashtu i atletikës shqiptare në përgjithësi. Gega ka arritur në finish për 9 minuta, 11 sekonda e 31 të qindëtat. Ajo ka vendosur rekord të kampionatit evropian. Medalja e argjendtë i ka takuar gjermanes Lea Meyer, ndërsa të bronztën e fitoi britanikja Elizabeth Bird.

Ka kohë që Gega shquhet me rezultate të mira në skenën ndërkombëtare. Por të shtunën mbrëma ka shfaqur gjithë potencialin, duke i siguruar Shqipërisë medalje të rrallë të artë nga Evropiani. /KultPlus.com

Luiza Gega përfundon garën finale, ja ku u rendit atletja shqiptare

Luiza Gega përfundoi garën e 3 mijë metrave me pengesa. Atletja shqiptare u rendit në vendin e 13-të nga 15 finaliste. Hera e parë që një atlete shqiptare merr pjesë në finale.

Luiza Gega arriti të siguronte një vend mes 15 atleteve më të mira të botës, falë një paraqitjeje të shkëlqyer të bërë në kualifikuese. 32-vjeçarja regjistroi kohën 9.23.85, duke u pozicionuar e pesta në baterinë 2 dhe e 11-ta në renditjen e përgjithshme, në një garë ku konkurruan 41 atlete.

Gega ishte sportistja e fundit shqiptare që garoi në “Tokyo 2020”. Delegacioni shqiptar u paraqit më mirë se në “Rio 2016”, që kulmuan me Briken Caljan i katërti në botë dhe me Luiza Gegën finaliste.

https://player.boostplatforms.com/video?id=1628075684240

Luiza Gega, shqiptarja e parë që kualifikohet në finalen e atletikës në Lojërat Olimpike

Atletja Luiza Gega nga Shqipëria ka bërë historinë, duke u bërë shqiptarja e parë që kualifikohet në finalen e atletikes në Lojërat Olimpike ”Tokio 2020”, përcjell KultPlus.

Gega përfundoi garën e 3000 metrave me pengesa në kohën 9,23,85 duke u kualifikuar kështu automatikisht në finalen e madhe e cila pritet të mbahet me 4 gusht. / KultPlus.com