Bukuria e liqeneve të ngrira të Lukovës (Foto)

Turistë të shumtë kanë frekuentuar zonat e mbrojtura përgjatë fundjavës që lamë pas.

Administrata e Zonave të Mbrojtura Korçë zhvilloi një guidë drejt liqeneve të Lukovës, që ndodhen afër fshatit Bishnicë të njësisë administrative Velçan, Pogradec, me turistë vendas, nga Maqedonia e Veriut dhe Gjermania.

Ky destinacion mund të arrihet nëpërmjet një shtegu të gjatë, rreth 7 km, i cili nis nga fshati Bishnicë, Pogradec.

Liqenet e Lukovës, monument natyre, janë dy liqene akullnajore me sipërfaqe rreth 10 ha, ku duket se pranvera ende nuk ka trokitur. Një kurorë pyjesh të përzierë ahu dhe bredhi me lartësi deri në 22 m dhe me diametër të trungut 30 cm rrethojnë këto dy liqene.

Kjo zonë ofron jo vetëm turizëm natyror, por edhe kulturor, pasi gjatë rrugëtimit për në liqenet e Lukovës, mund të vizitohet edhe “Ura e Golikut”, gjurmët e vjetra të rrugës “Egnatia” e shekullit XVIII. Në krah ndodhen edhe Varret e Selcës, të cilat i përkasin shek. IV-III para Krishtit, unikale në llojin e tyre./atsh/KultPlus.com

Restaurohet Kisha e Shën e Premtes në Lukovë

Kisha e Shën e Premtes në Lukovë, e restauruar tashmë plotësisht, është kthyer në një stacion të ri përgjatë tureve të vizitorëve në jug të vendit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kjo kishë, e shpallur monument kulture i kategorisë së I-rë, e cila tashmë i është nënshtruar restaurimit tërësor që e ka nxjerrë nga gjendja e rrezikut për shembje.

“Mirëmëngjes dhe me Kishën e rilindur të Shën e Premtes në Lukovë, monument i shek. XVII, tani gati për të pritur miqtë vizitorë, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Punimet që janë kryer në kishën Shën e Premte në Lukovë, për resturim dhe konservim, e kanë nxjerrë këtë monument kulture nga gjendja e rrezikut.

Kjo kishë e tipit bazilikë (nga greqishtja e lashtë, portiku mbretëror), e ndërtuar mbi një kodër, daton që nga shekulli i XVII-të. E pozicionuar në lagjen perëndimore të Lukovës, kisha ndodhet, pothuajse e braktisur, në mes të një ullishteje.

Kisha bën pjesë në grupin e bazilikave me kupolë. Në të mund të hyhet prej dy dyerve, një në anën jugore dhe tjetra në anë perëndimore. Kisha ka gjashtë kolona, mbi të cilat kalojnë harqe. Veçanërisht e rëndësishme ishte kulla e këmbanës, e dhuruar nga mbreti i Napolit në 1695, e cila u zhduk në 1967, me shkatërrimin e shumë kishave dhe xhamive gjatë periudhës të diktaturës.

Kisha është një prej objekteve më interesantë që duhen vizituar në Lukovë, fshatin e bukur bregdetar, 20 kilometra larg Sarandës. / KultPlus.com