Artistet e njohura Lule Elezi dhe Zana Abazi Ramadani u prezantuan me koncert në Munih të Gjermanisë

Për 25 vjetorin e Çlirimit të Kosovës janë shënuar evente të ndryshme artistike brenda dhe jashtë Kosovës, shkruan KultPlus.

Me një dedikim të tillë është realizuar një mbrëmje artistike në Munih të Gjermanisë, ku dy artistet e njohura Lule Elezi në piano e sopranoja Zana Abazi Ramadani janë prezantuar me një koncert të përbashkët të organizuar nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Munih të Gjermanisë.

Më poshtë po e sjellim të plotë njoftimin e pianistes Elezi.

Nën organizimin e mrekullueshëm të Konsullit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Mynih z. Afrim Nura dhe Konsullatës së Përgjithshme, u shënua 25 vjetori i çlirimit të Kosovës në Mynih të Gjermanisë.

Kisha kënaqësinë e veçantë që në këtë event të rëndësishëm të performoja si soliste në piano dhe të shoqëroja zërin e ëmbël të sopranos sonë të mirënjohur Zana Abazi Ramadani❤️

Në këtë mbrëmje festive shënuam e festuam 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës, ku ishin të pranishëm institucionet bavarese, përfaqësues të korit konsullor si dhe bashkëatdhetar të dashur dhe personalitete të ndryshme.

Falënderoj për pritjen e ngrohtë dhe të përzemërt të Konsullit të Përgjithshëm, z. Afrim Nura dhe stafin e tij që ndihmuan në organizimin e kësaj mbrëmjeje festive.

Copyright photos: Blerim GJinovci./ KultPlus.com

Pianistja Lule Elezi me koncert recital për nder të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Të hënën, më 10 qershor, për nder të Lidhjes së Prizrenit, në Kino Lumbardhi në Prizren do të mbahet koncert recital nga pianistja e njohur Lule Elezi, nën shoqërimin e Orkestrës së Harqeve të Tiranës dhe dirigjent Oleg Arapi, përcjell KultPlus.

Në vijim gjeni njoftimin e Elezit:

Koncert festiv për nder të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Ndjehem shumë e lumtur dhe e përmbushur, me plot emocione që në qytetin e fëmijërisë sime, në Prizrenin e bukur do të mbaj koncert recital, si soliste në piano në shoqërimin e mrekullueshëm të Orkestrës së Harqeve të Tiranës, nën dirigjimin e Maestro Oleg Arapi.Ju mirëpresim në Kino Lumbardhi në Prizren, të hënën me 10 qershor, në ora 20:00.

Përndryshe, Lule Elezi është një ndër pianistet më të suksesshme të Kosovës e cila është prezantuar me koncerte solistike edhe në shtete të ndryshme të Evropës dhe më gjerë. /KultPlus.com

Pianistja e njohur Lule Elezi me paraqitje pianistike në Konsullatën e Republikës së Shqipërisë në Poloni

Pas shumë paraqitjeve pianistike brenda dhe jashtë Kosovës, pianistja e njohur Lule Elezi së fundi është paraqitë me një koncert recital edhe në Konsullatën e Republikës së Shqipërisë në Poloni, koncert që është mbajte para një audience të përzgjedhur, shkruan KultPlus.

Pianistja Elezi ka ndarë momente nga kjo mbrëmje pianistike, e cila ka shpjeguar se ky koncert ka ardh si rezultat i ftesës nga ana e Pawel Michalak, Konsull i Nderit i Republikës së Shqipërisë. Elezi në këtë mbrëmje është paraqite me vepra të njohura shqiptare, por edhe me vepra të Chopin.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e Lule Elezit.

Miq të dashur,

Me ftesë të Konsullit të Nderit të Republikës së Shqipërisë z. Pawel Michalak, kisha nderin e veçantë të mbajë koncert solistik në ambientet e Konsullatës së Republikës së Shqipërisë në Łódź të Polonisë.

Në praninë e një publiku të mrekullueshëm performova vepra nga kompozitorë të njohur shqiptarë dhe botërorë, në veçanti nga kompozitori romantik polak Frédéric Chopin , i cili njihet si “ Poet i pianos”.

Një falenderim të veçantë ia dedikoj Konsullit të nderit z. Pawel Michalak, dy shoqatave Poloni-Kosovë, me kryetar Haxhi Dulla dhe Poloni-Shqipëri, me kryetare Dorota Horodyska, të cilat inicuan në organizimin e koncertit.

Prania e përfaqësuesve të Ambasadës së Kosovës dhe Shqipërisë që erdhën nga Varshava në Łódź, gjatë performancës sime në koncert më dhanë emocione të veçanta dhe të paharruara./ KultPlus.com

Pianistja Lule Elezi me koncert recital në Poloni: Koncerti im recital në mjediset ku frymoi Shopeni do mbetet i paharruar

Pianistja e njohur Lule Elezi paraqitjen e radhës në nivel ndërkombëtar e shënoi në Qendrën Evropiane për Art dhe Kulturë në Sanniki të Polonisë, e cila përpos koncertit recital  në piano, po në të njëjtën mbrëmje ka përcjellë në piano edhe aktoren e mirënjohur polake Paulina Holtz, shkruan KultPlus.

Për këtë paraqitje pianistike ka njoftuar vet pianistja Elezi, e cila këtë paraqitje e përshkruan si një mbrëmje të mrekullueshme.

Më poshtë po e sjellim të plotë njoftimin e pianistes Elezi.

Ishte një privilegj dhe kënaqësi e jashtëzakonshme që përpara një audience të mrekullueshme e frymëzuese të mbaja koncert recital në Qendrën Evropiane për Art dhe Kulturë në Sanniki, Poloni, e cila mban emrin e kompozitorit më romantik të botës së muzikës Frédéric Chopin, i njohur si “ Poeti i pianos”.

Ishte një përjetim magjik, një nder dhe mundësi e rrallë për çdo artist, të luaja vepra të Shopenit pikërisht në Pallatin Aristokrat Mbretëror në të cilin në vitin 1828 Shopeni kaloi pushimet verore duke kompozuar veprat Rondo në C-dur dhe Trio në G- mol.

Mbrëmja u bë edhe më e veçantë kur pas Koncertit tim recital shoqërova në piano aktoren e mirënjohur polake Paulina Holtz Paulina Holtz – praca&pasja🌹, një nga personalitetet artistike më të dashur dhe admiruar në Poloni e më gjërë ,teksa ajo recitoi poezi të periudhës së romantizmit nga poetë Ballkanik, të kushtuara dashurisë.

“ Unë do të krijoj një botë të re për vehten time” tha Shopeni, e në fakt, me muzikën e tij ai krijoi një botë të re për të gjithë botën e për të gjithë brezat e ardhshëm.

Kjo është magjia e muzikës e sidomos e Shopenit, ndaj edhe Koncerti im recital në mjediset ku frymoi dhe krijoi Shopeni do mbetet i paharruar!

Për organizimin e këtij eventi falenderoj përzemërsisht zonjat e nderuara, Aleksandra Głowacka dhe Jola Róg🌹🌹./ KultPlus.com

Pas koncertit në Varshavë, pianistja Lule Elezi ftohet sërish në Poloni për tri koncerte recitale

Pianistja kosovare, Lule Elezi, ka marrë tri ftesa të tjera për koncerte recitale në Poloni, përcjell KultPlus.

Këto koncerte vijnë pas paraqitjes së suksesshme që Elezi pati në Varshavë me rastin e Pavarësisë së Kosovës.

Në vijim KultPlus ua sjell njoftimin e Lule Elezit:

Pas koncertit të suksesshëm mbajtur në Universitetin e Varshavës, nën organizimin e shkëlqyer të Ambasadorit Drilon S. Gashi me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ftohem sërish në Poloni nga tri institucione polake për tri koncerte recitale përpara një audience të mrekullueshme.

Muzika buron e rrjedh gjithmonë nga shpirti, por në këto koncerte çdo notë do ia kushtoj me zemër Babait tim, i cili u nda nga jeta së fundmi.

Dëshira e tij ishte të vazhdoj të luaj piano e të emocionoj publikun me interpretimet e mia, kësisoj unë do e përçoj magjinë e muzikës në çdo frymëmarrje timen./KultPlus.com

Pavarësia e Kosovës u shënua për herë të parë në Poloni, performoi pianistja e njohur Lule Elezi

16-të vjetori i Pavarësisë së Kosovës u shënua për herë të parë në Poloni, përkatësisht në Varshavë, shënim që u bë nga Misioni i parë i Republikës së Kosovës në Poloni, përkatësisht nga ambasadori Drilon Gashi, shkruan KultPlus.

Kjo festë është shënuar me pianisten e njohur Lule Elezi e cila në këtë ceremoni është prezantuar me vepra shqiptare por edhe veprat e njohura nga kompozitori polak Frédéric Chopin.

Për këtë shënim ka njoftuar edhe pianistja Lule Elezi e cila nëpërmjet një postimi ka ndarë edhe momente nga ceremonia e 16-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Poloni./ KultPlus.com

Në ditën kombëtare të Gjermanisë, pianistja e njohur Lule Elezi me koncert recital në Gjermani

Pianistja e njohur kosovare Lule Elezi ishte e ftuar me një koncert recital në manifestimin qendror “Gjermania – një atdhe” në Komunën e Bingen am Rhein, manifestim që është mbajt nën patronatin e kryetarit të kësaj komune, Thomas Feser, shkruan KultPlus.  

Ky manifestim që është organizuar për Ditën Kombëtare të Gjermanisë ka mbledhë figura të njohura politike e kulturore të Gjermanisë, ku pianistja Elezi është prezantuar me vepra të kompozitorëve të mirënjohur gjerman dhe shqiptarë si: Beethoven, Schumann, Dhomi…

Performanca e pianistes Lule Elezi ka ngjallë emocione te të pranishmit, por edhe te vetë pianistja Elezi.

Ajo në një prononcim për KultPlus ka thënë se një ftesë e tillë, pikërisht në një manifestim kaq të veçantë për shtetin e Gjermanisë e ka nderuar dhe emocionuar pa masë.

“Kisha kënaqësinë që të prezantohem para një audience të tillë, e sidomos në një manifestim kaq të rëndësishëm për Gjermaninë. Për këtë fakt edhe në përzgjedhjen e veprave bëra këtë përfshirje, duke prezantuar vepra të kompozitorëve gjermanë dhe shqiptarë”, ka thënë Elezi për KultPlus.

Pianistja Lule Elezi ka koncertuar në vende të ndryshme të Evropës, sikurse edhe në Kinë, Japoni, Rusi, SHBA… Pianistja e mirënjohur Lule Elezi po vazhdon paraqitjet e saj nëpër vende të ndryshme, duke pas parasysh se tashmë ajo ka të prenotuara disa evente të radhës brenda dhe jashtë vendit./ KultPlus.com

Gëzim Myshketa me dedikim emocionues pas “Ta zbardhi ftyrën”: Unë nuk kam lindur në Prishtinë, ama këtu mu duk se rilinda

Edicioni i pestë i mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” këtë vit u shënua me baritonin Gëzim Myshketa, mbrëmje kjo që dhuroi tejet emocion e që po vazhdon edhe më tej.

Tejet i emocionuar nga kjo mbrëmje ka mbetur edhe baritoni Gëzim Myshketa i cili sot i ka dedikuar një shkrim në shenjë falënderimi, organizatorëve të këtij eventi KultPlus-it dhe themelueses Ardianë Pajaziti.

Myshketa është shprehur se në këtë mbrëmje është rilindur shpirtërisht dhe ka ndjerë një dashuri të pakusht.

Ai gjithashtu është shprehur se popullin e Kosovës e do pa patriotizëm të kotë e të pa vend.

Ky është postimi i plotë i baritonit Myshketa:

Katër Ungjijtë e shenjtë dekretojnë :

“nemo propheta in patria” – “askush nuk është profet në vendin e tij”…

Nuk ndodh gjithnjë kështu ose të paktën jo kështu ( krejtësisht ) …

Unë nuk kam lindur në Prishtinë por në Durrës… ama këtu mu duk se rilinda!!!

Rilinda shpirtërisht e gjithë zymtësia e javëve të fundit jetese “në botën e pasur e të përparuar“ u venit.

U rilinda me shpresë e vrull të ri nga një dashuri e dëshiruar e pakufijtë e sinqertë…

Ndjeva të më duan aq shumë deri “siklet” , një “siklet” i ëmbël …privilegjues…

Ju dua populli im i Kosovës , i Prishtinës!

Ju dua pa patriotizëm të kotë e të pa vend!

Ju dua thjesht se më deshët!

Ju dua se emocionin që zinte fill nga gryka ime drejt jush ma keni kthyer 100 fish në kohë reale përgjatë të gjithë mbrëmjes e më pas, e tani , e nesër akoma.

Ju dua se po ndërtoni me shumë sakrifica të ardhmen TUAJ , ndaj mos kini asnjë shenjë të zbehtë ngurrimi a inferioriteti ndaj askujt !!! Jeni më të mirë e keni më shumë vlera se mjaft popuj të cilët “lluksin” e lirisë e kanë të tyrin prej shekujsh…

I Falem Nderit që më bëtë: KultPlus.com
Ardianë Pajaziti, Kult Plus, Lule Elezi, Elikona Hysaj Shala, Meriton Ferizi, Arsim Halili, Fëllënza Citaku!!!

Flm maestro LULE ELEZI.

Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës
Radion Televizioni i Kosovës- RTK
Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Nga një vullnetar që i këndonte refugjatëve të Kosovës në një yll të operave botërore, Gëzim Myshketa shkëlqeu mbrëmë në ‘Ta zbardhi ftyrën’

Era Berisha
Fotografitë: Nok Selmani

Edicionin e tij të pestë, projekti “Ta zbardhi ftyrën” që mbahet nën organizimin e gazetës online për art dhe kulturë ‘KultPlus’, mbrëmë e shënoi me një interpretim nga baritoni i famshëm shqiptar, Gëzim Myshketa, i cili u shoqërua nga pianistja e mirënjohur Lule Elezi dhe Kori i grupit të fëmijëve “Okarina”. Nëpërmjet perlave shqiptare, këndshëm të përzgjedhura në një mënyrë të përsosur, mbrëmja ka kulmuar me zërin e Myshketës që jehonte në hapësirë dhe kësisoj lëshohej rrëke nëpër secilin shpirt të pranishëm. Këngët e kënduara ekskluzivisht kanë pasur një vend të veçantë, me ç’rast kanë dhënë ndjesi nga më të ndryshmet, duke dëshmuar se arti operistik zë një vend të rëndësishëm në audiencën shqiptare, dhe se dashuria e pasioni i artistëve që veprojnë në botë, për të interpretuar në mesin e shqiptarëve, asnjëherë nuk u shuhet, shkruan KultPlus.

Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Universitare të Kosovës ka mirëpritur një numër tejet të madh të të pranishmëve që enkas kanë ardhur për të dëgjuar zërin e rrallë të baritonit Myshketa. Fytyra të reja, njerëz të moshuar dhe mosha nga më të ndryshmet, kanë mbushur hapësirën qosh më qosh. Dalja në skenë e këtij artisti në ndërlidhje me pianisten Elezi dhe “Okarina”, ka qenë diçka që mezi prisnin të ndodhte. Salla e mbushur nga artistë të njohur shqiptarë e jo vetëm, kanë përjetuar një mbrëmje të paharrueshme, duke marrë parasysh edhe ambientin e ngrohtë të krijuar nga reflektorët me ngjyrë të kuqe e vjollcë në prapavijë afër perdeve të zeza dhe ato të kaltër në formë lulesh në pjesën e tavanit. Po ashtu, dy reflektorët e ngrohtë kanë ndihmuar në përcjelljen më të pastër të gishtërinjve të pianistes Elezi dhe qëndrimit të Korit “Okarina”.

Teksa ora po shënonte 20:10, errësira kaploi vendin dhe duartrokitjet e shumta zënë vendin për të hap këtë mbrëmje që u transmetua drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Kosovës. Padurimi për të parë sa më shpejt artistët në skenë, qe e lartë, dhe kjo më së miri vërehej në sytë e çdokujt që lëvizte kokën majtas e djathtas.

Fillimisht, hapjen e edicioni të pestë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” e nisi drejtoresha e gazetës online KultPlus, Ardianë Pajaziti.

“Faleminderit të gjithëve që keni gjetur kohë për të ardhur dhe jeni bërë pjesë e mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” tash e pesë vjet. Unë dhe stafi i KultPlus-it jemi shumë me fat që kemi arritur të nxjerrim baritonin Gëzim Myshketa nga skenat më prestigjioze, për ta sjell në Prishtinë, pavarësisht faktit që tash e shumë vite janë duke u bërë kërkesa për ndërtimin e një salle operistike. Kjo tregon shumë për dashurinë e madhe të artistëve që kthehen në këtë vend pikërisht për dashurinë që kanë për ju”, ka thënë Pajaziti.

Pas këtij fjalimi, në sallë mbizotëruan brohoritjet dhe u krijua një energji e hatashme, kur baritoni Gëzim Myshketa doli në skenë, i shoqëruar nga pianistja Lule Elezi. Mbrëmja u zhvillua herë me rrëfime jetësore e herë me këndime, që zinin vend në momentin më të duhur. Baritoni Gëzim Myshketa ka rrëfyer shumëçka nga jeta e tij qysh nga fëmijëria e deri më sot, por ajo që shënoi hapjen e mbrëmjes ishte kënga e parë “Ta dish”, një vepër kjo që depërtoi përtej fenomenales.

Tutje, në një bashkëbisedim me moderatoren, Fëllënza Çitaku, baritoni Myshketa ka thënë se ka shumë emocione, pikërisht sepse ndodhet në mesin e shqiptarëve të tij.

“Jam shumë i emocionuar, më shumë se kurdoherë. Po këndoj mes shqiptarëve të mi dhe ju falënderoj shumë. Nuk kam fjalë! Unë kam zgjedhur një program të vogël me disa pjesë shqiptare që ia dedikoj atdheut tim, Shqipërisë e Kosovës. Kënga që e hap këtë mbrëmje është një këngë shkodrane “N’at Zaman” ose “Ta dish” dhe është pjesa e parë e albumit që unë bëra këtë vit me këngë të përzgjedhura shqiptare. Shpresoj të ju pëlqej”, ka thënë Myshketa i cili pas këtyre fjalëve e mbërtheu skenën dhe gjithë sallën me zërin e tij kumbor që rrëqethte secilin shpirt të pranishëm.

Pas këtij interpretimi të parë para publikut, Gëzimi u shpreh se të këndojë në Kosovën e lirë, për të, është goxha emocion.

“Kam ardhur në radhë të parë sepse jam në Kosovë, mes vëllezërve dhe motrave shqiptare. Të këndojmë së bashku në Kosovën e lirë dhe për herë të parë, është goxha emocion. Kanë kaluar gjashtë apo shtatë vite që kur isha në koncertin në Prishtinë në Katedrale. Jam shumë i emocionuar dhe dua ta falënderoj Ardianën për punën e jashtëzakonshme. Të kesh kaq shumë njerëz që vinë e të japin dashuri, vëmendje, në një mbrëmje të dedikuar ty, është shumë për mua. Jam shumë i lumtur dhe Kosovën e shoh më mirë dhe më mirë e pafsha edhe herëve tjera”, thotë ai.

Duke marrë parasysh se Opera e Kosovës për herë të parë është institucionalizuar, për Myshketën, të qenurit një nga emrat që luan për herë të parë në hapjen zyrtare të një titulli artistik siç është “La Traviata”, është shumë gjë e bukur. Ai thotë se po punohet shumë aty dhe beson që do të jetë një shfaqje shumë e bukur, kësisoj edhe ai do të kaloj dy javë të mrekullueshme në Kosovë.

Baritoni Myshketa ka përmendur edhe kohën kur ai ka dhënë një kontribut në një periudhë kur Kosova ka qenë jo në ditë të mira. Ai ka punuar si vullnetar në Durrës dhe i ka dhënë shumë shpresë shqiptarëve të Kosovës që kanë lënë vendin e tyre për tu strehuar.

“Ka qenë një eksperiencë shumë e dhimbshme, një emocion ndryshe. Unë kam qenë vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç dhe po shihnim pamjet brutale të miliona njerëzve që linin vatrat e tyre. Dhe e ndjenim që duhet të bënim diçka. Ne ishim gati për luftë. Filluam të pastronim pallatet sepse ishte gati e sigurt që edhe Shqipëria do hynte në luftë. Gjëja e parë që bëra ishte që së bashku me miq, merreshim me shpërndarjen e rrobave për njerëzit që kishin nevojë, në shkollën e muzikës në Durrës. Gjëja më emocionuese, ishte që ne bënim koncerte sepse kishte njerëz që akoma qanin, por e ndjenim që kishim nevojë t’i jepnim shpresë. Këndonim këngë patriotike dhe besoj që kam bërë koncert në gjithë kampet e refugjatëve”, shpalos Myshketa.

Sipas tij, një nga kujtimet e tij më të bukura ka qenë kur çdo natë, kanë ardhur dy-tre goca/çuna në shtëpinë e tij. Ishte një familje nga Peja që e kanë humbur babin e tyre dhe shkonin tek ai, dhe motra e Myshketës, bënte supë e rrinin bashkë.

“Jemi dëgjuar në telefon këto ditë dhe ka qenë jashtë mase emocionuese. Na presin në Pejë dhe besoj që do shkojmë aty. Unë vetëm kam kontribuar duke kënduar e duke i dhënë shpresë njerëzve. Ky ka qenë roli im si vullnetar. Ishte minimalja që do të bënte çdokush në ato momente të vështira. Atëherë ka qenë vaj dhe mundoheshim të qeshnim prej hallit, por sot është festë. Unë besoj që sot faktori shqiptar është më i fortë se asnjëherë më parë. Duhet t’i qojmë shtete tona si motra, më përpara”, tregon tutje.

Ndërsa, kur ndalemi tek karriera e tij dhe rrugëtimi i suksesshëm drejt majave të operistikëve botërore, baritoni Myshketa ka treguar se kur i lindi dashuria për këtë profesion.

“Në një tavolinë të një shtëpie shumë modeste në Durrës, ku ne ishim të internuar gjatë komunizmit si ish-familje borgjeze. Babai im ka qenë një baterist i jashtëzakonshëm. Gjithë xhaxhallarët e mi luanin instrumente por pasionin e kishte gjithë familja. Vendosa në këtë tavolinë ta bëja ‘show-in’ tim dhe kështu lindi pasioni. Ishim një familje shumë e thjesht por që bënte një jetesë në ato vite shumë të vështira, kur ishte pushtuar nga jugosllavët. Ne ishim poshtë një diktature që nuk lejonte shprehjen e lirë. Kemi qenë në situata shumë të vështira por në atë shtëpinë e thjesht, jetohej me muzikë dhe muzika jepte liri. Atë çka të tjerët nuk e kishin në jetën e përditshme, ne e gjenim duke kënduar këngët italiane fshehurazi”, thotë ai.

Sipas tij, ai ka nisur karrierën shumë i vogël dhe mendon që mund të dali edhe në pension për shkak se ai ka tridhjetë vjet punë.

“Kur shkova në Itali si tetëmbëdhjetë vjeçar e pas dy tri vitesh mësim, mora pjesë një nga konkurset më të rëndësishme operistike. Ka qenë konkurs i zërave operistik evropianë i të rinjve dhe unë zëra vendin e parë në mesin e 250 konkurrentëve. Mora familjen dhe i tregova që kjo është diçka serioze. Aty pastaj ka qenë kthesa kur kuptova që ky është rrugëtimi im”, thotë Myshketa.

Pastaj, pjesë e mbrëmjes u bënë edhe videot e shumta të shfaqura në ekran e që e surprizuan baritonin Myshketa në një mënyrë të bukur. Një kolazh i duartrokitjeve të adhurueseve të tij në Veronë kishte zënë vend. Për këtë moment, ka folur edhe vetë ai.

“E kam menduar gjithmonë që nuk jam vetëm këngëtar por është e rëndësishme që të jesh edhe personazh në skenë. Kam debutuar në vitin 2003 dhe janë gati njëzet vite nga ana profesionale operistike. Një kujtim shumë i afërt ka qenë debutimi këtë vit në Arena Di Verona dhe isha mes kolegëve më të mëdhenj që janë në botë. Ka qenë emocion kur mbaruam shfaqjen dhe po shkonim në restorant dhe gjetëm diçka të papritur. Gjithë sheshi po darkonte në një e gjysmë të natës dhe u ngrit në këmbë, e na duartrokiste neve. Më ka prekur ky gjest shumë”, shprehet ai.

Ndërsa, kur flasim për albumin e tij “Ta dish”, atëherë baritoni Myshketa thotë se ka lindur si ide gjatë periudhës së karantinës.

“Lindi si një ide gjatë karantinës dhe ideja ishte që do të doja ta bëja patjetër. Jam pak vonë për volumin e dytë sepse është një antologji e vogël e këngës qytetare shqiptare, e ripërpunuar për tercetë. Dua t’i marr ato perlat kryesore të muzikës shqiptare dhe t’i ri-sjellë për publikun, pa asnjë lloj përfitimi, veç pasion. Dua ta bëj një vetëm për Kosovën, me pjesët e Kosovës, një me Shkodrën, Korçën e kështu me radhë. Do të ishte një ëndërr që pas dymbëdhjetë viteve, të kem gjithë këto CD ku janë perlat e muzikë shqiptare, të përmbledhura. Në albumin ‘Ta dish’, këngët patriotike kanë më shumë emocion. Çdo këngë ka një histori të vërtetë”, shpalos Myshketa.

Pastaj, ishte kënga e pa-kënduar më parë nga baritoni, “Mallëngjimi” si dhe “Arbëreshe potpuri”, ato që shpërthyen jashtëzakonisht bukur. Inkuadrimi i publikut në këto këngë qe diçka që dëshmoi se mbrëmja “Ta zbardhi ftyrën” po kulmonte nga çasti në çast. Luhatja e kokës së baritonit Myshketa, lëvizjet e duarve, notat e larta që dilnin nga zëri i tij mahnitës, ishin elementet bazë që e bënin atë thjesht magjepsës. Të gjithë përhumbeshin pas interpretimit të tij dhe kjo dukshëm vërehej nga sytë dhe qëndrimi i gjithsecilit. Dukej sikur hynte në një botë tjetër kur këndonte, dhe në një tjetër kur fliste, por që të dyja këto, i bënte me një thjeshtësi të paparë.

Pas këtij emocioni, Gëzimi foli pak edhe për periudhën e pandemisë, një kohë kjo jo e mirë për shumë kënd. E njëjta vlen edhe për baritonin Myshketa i cili është shprehur se kohën e ka kaluar nëpërmjet incizimeve të këngëve shqiptare në rrjetet sociale, të cilat janë mirëpritur tejet mirë nga shikuesit.

“Çdo person që është i detyruar të rri mbyllur, nuk gëzon. Ne artistët e ndjejmë pak më tepër. U mbyllën gjithë sallat koncertale, gjithë teatrot. Unë aty në shtëpinë time fillova të bëj disa incizime dhe gjithë këngët shqiptare ia përcolla njerëzve nëpërmjet rrjeteve sociale. Kështu e kam kaluar kohën”, thotë ai.

Po ashtu, kur ndalemi tek ëndrra e tij e paplotësuar, atëherë baritoni Myshketa shpalos këtë ëndërr, që për të është e vështirë të realizohet, nga angazhimet e shumta të karrierës së tij.

“Ëndrra ime është që ta hap një restorant diku. Kurse, nga ana e karrierës e kam përjetuar gjithmonë lehtë. Kur vinë gjërat e bukura, vinë. Unë mundohem që gjithmonë të rritem në nivelin profesional por nuk është se nuk më zë gjumi nëse nuk kam një sukses çdo ditë. Jeta ka shumë gjëra të bukura. Gëzimi mundohet që pas çdo shfaqje teatrore, të mbyll personazhin e të kthehet tek jeta me të mirat e të këqijat e veta. Unë tani kam shumë projekte. Kam një turne në Francë, në Kanë, në Luksemburg. Pastaj, kthehem në Japoni, në Marsei. Kam shumë projekte, falë Zotit. Shpresoj që në radhë të parë, opera ‘La Traviata’ këtu në Prishtinë, të dali bukur pasi që publiku i Kosovës është publik shumë i vëmendshëm. Isha shumë i gëzuar sot në provat e kësaj opere, sepse të gjithë ishin shumë të pasionuar për të bërë. Sigurisht, dua të kthehem edhe në Tiranë. Më pëlqen shumë edhe pjesa regjisoriale, pse jo, ta zhvilloj akoma më shumë”, shpalos ai.

Krejt për fund, dy nga veprat ikonike si: “Unë biri yt Kosovë” dhe “Dua më shumë Shqipërinë” sollën në skenë edhe Korin e fëmijëve “Okarina”, që në ndërlidhje me baritonin Myshketa dhe pianisten Elezi, dhanë një emocion që rrallëherë përjetohet. Si një buqetë me lule plot, ishin fëmijët që këndonin njëzëri me baritonin Myshketa. Fotografitë e shumta, buzëqeshjet e pa-ndalura, u dalluan në moment. Prindërit krenarë që shikonin fëmijët e tyre të performonin, artdashësit e muzikës klasike si dhe asaj pianistike, kanë përjetuar një mbrëmje që do të mbetet gjatë në kujtesën e tyre.

Pastaj, ylli i edicioni të kaluar të mbrëmjes “Ta zbardhi ftyrën”, Gjon’s Tears, ka dhënë një video-mesazh, në pamundësi për të qenë i pranishëm në sallë.

“Mirëmbrëma për të gjithë ju atje në Kosovë. Ju falënderoj shumë për emocionet që mi përcjellni çdo herë. Shpresoj të jeni të gjithë mirë dhe doja ta falënderoja shumë për mbrëmjen “Ta zbardhi ftyrën”, Ardianë Pajazitin dhe KultPlus-in për evenimentin që është organizuar. Mbaj mend që e kam vlerësuar shumë edhe unë këtë natë artistike që kam pasur momentin për të treguar muzikën time. Do të doja shumë të isha aty për t’ia dhënë çmimin baritonit të madh, Gëzim Myshketës por jam në Paris, duke e krijuar albumin tim. Gëzim kënaqu këtë natë dhe jam i sigurt që është një koncert shumë i jashtëzakonshëm”, ishte shprehur Gjoni në videon e dërguar.

Për ta shpërblyer baritonin Gëzim Myshketa me çmimin tradicional të mbrëmjes artistike ‘Ta zbardhi ftyrën’, në skenë doli drejtoresha Ardianë Pajaziti, në ndërkohë u ftua edhe i gjithë ekipi i KultPlus-it si shenjë falënderimi për punën e madhe që bëjnë: Jeta Zymberi, Liridona Spahiu, Era Berisha, Flonja Haxhaj dhe Uranik Emini, të cilët dolën në skenë për të realizuar një fotografi që do mbetej gjatë në kujtesën e tyre e ku nuk munguan duartrokitjet e shumta nga publiku.

Për të finalizuar këtë mbrëmje magjike, Gëzimi kishte ruajtur për fund një ndër perlat më të bukura shqiptare, këngën “Luleborë” e cila u këndua njëzëri me publikun në sallë. Këto emocione të fuqishme që u përçuan nëpërmjet këngës kulmuan me duartrokitje të fuqishme duke e kthyer artistin edhe njëherë në skenë.

Por, nuk mbaroi gjithçka me kaq, tutje të pranishmit u ftuan në koktelin që ishte organizuar në KultPlus Caffe Gallery, ku baritoni Gëzim Myshketa gjithashtu u mirëprit me duartrokitje të forta e ku vazhdoi pastaj takimin me njerëzit dhe nënshkrimin e autografeve e një numër të pafund fotosh me gjithsecilin që shprehte dëshirë për të biseduar me të.

Për të treguar më shumë rreth natës së mbrëmshme dhe performancës unike të tij, për KultPlus foli baritoni Gëzim Myshketa.

“Qe një natë e jashtëzakonshme me shumë emocione. Jam shumë i lumtur që u ktheva në Prishtinë pas 6-7 vitesh. Publiku ishte i mrekullueshëm me një program shumë të sinqertë. Çdo gjë ishte shumë mirë dhe falënderoj shumë KultPlus-in, e sidomos Ardianën për punën e jashtëzakonshme të këtij eventi. Edicionin vendosëm që ta zhvillojmë në dhjetor dhe kemi punuar goxha për përzgjedhjen e pjesëve. Ishte shumë kënaqësi. Sonte do e veçoja ngrohtësinë e publikut. E dua Kosovën shumë”, ka thënë Myshketa.

Ndërsa, udhëheqësja e Korit të Fëmijëve “Okarina”, Elikona Hysaj Shala është shprehur e lumtur që fëmijët kanë ndarë skenën me baritonin e njohur Gëzim Myshketa.

“Gjithçka ka qenë në nivelin më të lartë të organizuar nga KultPlus. Çdo detaj i menduar mirë ka respektuar artistin, gjë që i bie se KultPlus di të respektojë artistin ashtu siç vlen dhe duhet. Gjitha këto nuk do të realizoheshin pa mundin e organizimin për të krijuar një mbrëmje kaq mbresëlënëse sikurse sonte. Kur takohen fëmijët me një bariton të përmasave botërore siç është Myshketa atëherë është një fat tejet i madh sepse ai ka dhuruar një dashuri të madhe për skenën dhe fëmijët në atë mënyrën që ata të kenë motiv edhe më tepër të vazhdojnë tutje. Ishte një bashkëpunim jashtëzakonisht i mirë. Asnjëherë nuk do ta harrojmë këtë takim në skenë”, thotë Hysaj-Shala.

Kujtojmë që në edicionet paraprake në “Ta zbardhi ftyrën” mysafirë ishin artistët e njohur si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli dhe Gjon’s Tears, të cilët edhe kanë një karrierë të pasur në botën ndërkombëtare.

Projekti “Ta zbardhi ftyrën” u organizua nga gazeta online për kulturë dhe art KultPlus, dhe kjo mbrëmje kishte sponsor medial Radio Televizionin Publik të Kosovës, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Komunën e Prishtinës, Universitetin e Prishtinës, AMC-në dhe Ujë Rugove. / KultPlus.com

“Ta zbardhi ftyrën” me baritonin Gëzim Myshketa, perlat shqiptare do të jenë madhështia e mbrëmjes

Pas katër edicioneve të suksesshme, KultPlus po sjellë edicionin e pestë me radhë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”.

“Ta zbardhi ftyrën” është një prej ngjarjeve më të bukura që përjetohen në kryeqytetin e Kosovës pasi që deri më tani ka arritur të sjell emra të mëdhenj të artit shqiptar të cilët kanë dhuruar emocione të forta e kanë rrëfyer histori të padëgjuara më herët.

Pas katër edicioneve të suksesshme me artistë që kanë një karrierë të pasur në botën ndërkombëtare, si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli dhe Gjon’s Tears, këtë vit vjen baritoni i famshëm shqiptar, Gëzim Myshketa.

Emocion, bashkëbisedim dhe performancë ju pret në këtë mbrëmje të veçantë, ku baritoni Myshketa, do të shoqërohet nga pianistja e mirënjohur Lule Elezi.

Perlat shqiptare do të ju rrëqethin gjatë kësaj mbrëmje e për t’i dhënë edhe më shumë madhështi, në skenë do të ngjitet edhe grupi i fëmijëve “Okarina” të cilët do të këndojnë bashkë me baritonin Myshketa.

Kjo mbrëmje ka sponsor medial Radio Televizionin Publik të Kosovës dhe do të transmetohet direkt prej orës 20:10 minuta.

“Ta zbardhi ftyrën” vjen më datë 7 dhjetor 2022, në ora 19:30 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.

Hyrja do të jetë e lirë, por për të rezervuar vendin tuaj, ju lutem shkruani në emailin [email protected] pasi vendet janë të limituara.

Edicioni i sivjetmë i “Ta zbardhi ftyrën” mbështetet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Miq të bashkuar për një kauzë madhështore, Fondacioni Vjosa do të ndërtojë kampus për adoleshentët autikë

Uranik Emini

Gala Mbrëmja Humanitare në Ditën Ndërkombëtare të Autizmit u mbajt në Gjilan mbrëmë, kur edhe Vjosa Foundation organizoi gjithçka në perfeksion për një kauzë që mori mbështetje të mënjëhershme, pra, ndërtimin e një kampusi për adoleshentët autikë. Në mesin e shumë njerëzve të njohur nga Kosova, kjo natë filloi me moderatoren Vlora Merovci, që lexoi letrën e shkrimtarit të njohur Edmond Tupja dhe ajo u përcjellë edhe nga bashkëprezantuesi Arbër Selmani, shkruan KultPlus.

Mysafirët po mbyllnin vendet e mbetura në resortin e mirënjohur “Vali Ranch”, për t’u bërë gati që të fillonte edhe transmetimi live në Radio Televizionin e Kosovës. Ndërsa themeluesi i Fondacionit “Vjosa”, Lulzim Behxheti, u ftua i pari që të marrë fjalën dhe të fillojë mbarë këtë mbrëmje madhështore.

“Përkundër sfidave të mëdha, me miq të vërtetë u mbledhëm për të dhënë kontributin për adoleshentët me autizëm në ndërtimin e kampusit të parë. Gjithçka filloi me disa skica të thjeshta por miqtë e mëdhenj dallohen kur janë puntë e rënda. E falënderoj së pari drejtoreshën e KultPlus, Ardianë Pajaziti, që ka bërë punë të madhe në këtë rrugëtim. Gjithashtu edhe kryetarin e Gjilanit, Alban Hysenin, kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën, dhe Ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi”.

Përshëndetjen më speciale, Behxheti e ruajti për fund kur edhe përshëndeti Vjosën, vajzën e tij.

Më pas, Ardiana Pajaziti u ftua për një fjalim të shkurtër rreth kësaj kauze dhe rrugëtimit të saj, me ç ‘rast ajo falënderoi të gjithë që kontribuan në këtë çështje.

“Për mua si drejtuese e KultPlusit dhe stafit, nuk është hera e parë që po përballemi me një kauzë të tillë. E kemi dhënë maksimumin për ta realizuar këtë mbrëmje, kjo për dallim nga mbrëmjet e tjera kulturore që organizoi, kur bëhet fjalë për kauza të tilla emocionet janë të shumfishta, përgjegjësitë janë gjithashtu të mëdha por dashnia për këto kauza është mbi të gjitha”, tha Pajaziti duke falënderuar të gjithë artistët që nuk hezituan për asnjë moment të bashkoheshin në një kauzë të tillë.

Misioni i saj janë fëmijët me autizëm, Doktoresha Shpresa Xhakli, zhvilloi një bashkëbisedim me moderatorin Selmani, me ç ‘rast u fol shumë për këta fëmijë dhe se sa shumë do të ndihmojë ky kampus për këta njerëz.

Gjatë gjithë mbrëmjes, Selmani dhe Merovci po ftonin artistët që të performonin në skenë dhe gjithashtu po qëndronin afër me njërëzit që po merrenin me thirrjet dhe donacionet.

Anna Krasniqi, e re në moshë por me shumë dashuri dhe pasion për pianon dhe këndimin, e nisi këtë mbrëmje së pari me një pikë të shkurtër me piano të cilën e trajtoi në mënyrën më dinjitoze pavarësisht përgjegjësisë së lartë që kishte.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, njoftoi se Komuna të cilën ai e drejton do të bëjë ndarjen e parcelës për ndërtimin e këtij kampusi, e madje për këtë pati edhe një dorështrëngim mes tij dhe Behxhetit.

Njëri prej njerëzve i cili ka përgjegjësi të plota rreth ndihmës që mund t’iu ofrojë si institucion njerëzve me autizëm është pikërisht i pari i shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili ishte i pranishëm në këtë mbrëmje.

“Fëmijëve me autizëm & Down Syndrome mund t’iu ndihmojmë të gjithëve, e këtë gjë do ta bëjmë edhe ne. Le t’i ndihmojmë fëmijët tanë, të rritur e miqtë tanë që të ndjehen sikurse të barabartë e në mesin e të gjithë neve”, deklaroi Latifi.

Portretet e varura në mur dhe të realizuar me dorë në fletë të thjesht nga Lulzim Behxheti, u vendosën në shitje gjatë kësaj mbrëmje dhe pati edhe thirrje të shumta e njerëz të interesuar që t’i blinin ato realizime artistike.

Kënaqësi të njëjtë shprehi edhe Kryetari Përparim Rama, i cili gjithë fjalimin e tij e filloi me falënderime për inicativën e mrekullueshme dhe gjithashtu edhe një historik të shkurtër për Autizmin dhe se si filloi vetëdijësimi për të.

“Sot në vitin 2022 nuk është vetëm çështja te vetëdijësimi te njerëzit me autizëm, por gjithashtu edhe pranueshmërinë, duhet të dijmë që të jemi të kënaqur që kemi njerëz në komunitetin tonë që kanë aftësi të veçanta. Kur flasim për njerëzit e veçantë, gjatë viteve në histori e dijmë që njerëz e personalitete të ndryshme nëpër botë si Leonardo Da Vinci, Bill Gates e Michelangelo kanë një autizëm të lehtë. Ne do t’iu ndihmojmë fëmijëve, prindërve nëpërmjet krijimit të institucioneve, ndërtesave e kampusve sikurse kjo. Ne si Komunë e Prishtinës e kemi ndërtesën, e cila sipas gjitha gjasave do të përfundojë në fund të prillit, Qendrën e Autizmit e shpresojmë që të zgjerohet kjo në të gjithë Kosovën”, tha Rama.

Performancat nga artistët që kanë pushtuar çdo skenë të mundshme të botës nuk munguan për të shënuar këtë mbrëmje të veçantë dhe me shumë sharm në të gjitha aspektet, por humanitare në radhë të parë.

Me zërin e saj që dridhëronte skenën dhe shtonte emocionet në shpirtin e secilit njeri, Inva Mula u kujdes të jepte gjithçka nga vetja që të pranishmit ta shijonin me të vërtet këtë gala mbrëmje.

Ndërkaq, ambasadorja e këtij fondacioni, Erza Muqolli, e cila ka një karrierë të jashtëzakonshme, arriti që përmes zërit të saj të ëmbël të përcjellë vetën në piano dhe të shfaq përpara aftësitë e mrekullueshme që i posedon. E për t’i dhënë edhe më shumë hijeshi kësaj mbrëmjeje, ishte e pranishme edhe një nga pianistet më të mëdha që ka Kosova, Lule Elezi, që i nderoi të gjithëve me performancën e saj në këtë mbrëmje Gala.


“Dancing House” me fëmijët të udhëhequr nga Artan Jerliu, i shtuan diversitetin e plotë kësaj nate të mbushur me yje.

Siç njoftoi Behxheti, nga kjo mbrëmje u tubuan 24 mijë e 565 euro nga shitja e portreteve si dhe përmendi edhe premtimin e parcelës nga Komuna e Gjilanit. Ndërkaq, fondi mund të mbushet edhe më shumë pasi portretet do të vazhdojnë të shiten dhe fëmijët autikë të ndihmohen. /KultPlus.com

Pianistja Lule Elezi performon në Copenhagen, veprat ua dedikoi viktimave të luftës në Ukrainë

Pianistja kosovare Lule Elezi së fundmi ka perfomuar në kryeqytetin danez Copenhagen, pasi ajo ka marrë ftesën nga Federata ‘Mjekët Shqiptarë Europë’, përcjell KultPlus.

Veprat që performoi, ajo ua dedikoi viktimave të luftës në Ukrainë.

“Vlen të theksohet se përkushtimi i Dr. Aurora Dolenberg dhe anëtarëve të Federatës së Mjekëve Shqiptarë, është për t’u admiruar. Ata me punën dhe përkushtimin e tyre, janë duke e ngritur imazhin e shqiptarëve kudo që jetojnë”, ka shkruar Elezi.

Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e saj të plotë:

Ndjehem e privilegjuar që përformova në kryeqytetin danez në Copenhagen, pasi mora ftesën nga Federata Mjekët Shqiptarë Europë , më saktë nga presidentja Dr. Aurora Dollenberg në hapjen e Konferencës XI-të Evropiane të Mjekëve Shqiptarë.

Veprat që përformova, ua dedikova viktimave të luftës në Ukrainë dhe uroj që paqja sa më parë të mbretërojë atje.

Vlen të theksohet se përkushtimi i Dr. Aurora Dolenberg dhe anëtarëve të Federatës së Mjekëve Shqiptarë, është për t’u admiruar. Ata me punën dhe përkushtimin e tyre, janë duke e ngritur imazhin e shqiptarëve kudo që jetojnë. / KultPlus.com

Vajzat dhe gratë e Kosovës që shkëlqyen në botë – Lule Elezi

KultPlus ju sjell 25 vajzat dhe gratë e Kosovës që u shndërruan në zërin e vajzave, djemve, grave dhe burrave të Kosovës.

Vajzat dhe gratë e Kosovës po vazhdojnë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme, duke shndritë nëpër botë.

Me rastin e 8 Marsit, KultPlus ka përzgjedhë 25 vajza e gra që nëpërmjet fjalimeve, performancës, muzikës, sportit, filmit e biznesit kanë ngritë dhe kanë përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze, e duke shndërruar Kosovën në një Kosovë të artë, në një Kosovë që synon Oscar, në një Kosovë që me rrëfimet e nxjerra po nga ky vend, i ka treguar botës po për dhimbjen, kurajën dhe guximin e vajzave dhe grave të vendit më të ri në kontinentin e vjetër.

Po këto vajza dhe gra u shndërruan në inspirimin e shumë vajzave, djemve, grave e burrave, të cilët kuptuan se ëndrrat nuk duhet dhe nuk mbeten vetëm ëndrra.

Në vazhdim, KultPlus ua sjell pianisten Lule Elezi, e cila ka koncertuar në skena vendore e ndërkombëtare, përfshirë në Suedi, Gjermani, Kinë, SHBA, Rusi, Japoni, Luksemburg, Francë, Bullgari, Itali, e të tjera.

Së fundmi Shoqata Ndërkombëtare “Chopin” pati organizuar në Vjenë koncertin e pianistes Lule Elezi. Në ngjarjen vjeneze, që zë vend më 15 nëntor, kjo pianiste kosovare luajti vepra nga kompozitorët e njohur Frederik Shopen, Ludvig Van Betoven dhe Rrauf Dhomi. Me këtë rast, pianistja Elezi promovoi edhe CD albumin pianistik.

Kryeqyteti i muzikës klasike kumboi nga interpretimi magjepsës i pianistes kosovare, Lule Elezi. Albumi i saj i incizuar gjatë pandemisë, në “Mozart House” në Vjenë, u prezantua pas koncertit, në koktelin e organizuar nga ambasadori kosovar. / KultPlus.com

“International Chopin Society” në Vjenë, përmbylli programin vjetor me koncertin e pianistes Lule Elezi

Pianistja kosovare Lule Elezi është prezantuar me një koncert solistik në Vjenë të Austrisë, e cila në të njëjtën kohë bëri edhe promovimin e albumit të saj me veprat e gjenive Shopen e Betoven, shkruan KultPlus.

Para një audience të përzgjedhur dhe të organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare “Chopin” në Vjenë,  Elezi është prezantuar me koncertin e saj në  “Palais Hanse” , e cila ka interpretuar veprat e Chopin, Rauf Dhomit dhe Ludwig van Beethoven, shkruan KultPlus.

Lule Elezi e cila është profesoreshë e pianos në Universitetin e Prishtinës, e cila  ka edhe shumë koncerte solistike nëpër botë, duke përfshirë edhe ato në SHBA, Japoni, Kinë, Saint Petersburg, Austri, Gjermani, Suedi, Francë, Luksembourg, Bullgari etj.

Ky koncert është organizuar edhe me mbështetje të Ambasadës së Kosovës në Austri, të cilët edhe organizuan një pritje për mysafirët, me rastin e prezantimit të koncertit të Lule Elezit./ KultPlus.com

Pianistja kosovare, Lule Elezi promovon albumin dhe mban koncert në Vjenë

Shoqata Ndërkombëtare “Chopin” ka organizuar në Vjenë koncertin e pianistes Lule Elezi. Në ngjarjen vjeneze, që zë vend më 15 nëntor, kjo pianiste kosovare do të luajë vepra nga kompozitorët e njohur Frederik Shopen, Ludvig Van Betoven dhe Rrauf Dhomi. Me këtë rast, pianistja Elezi promovon CD albumin pianistik.

Kryeqyteti i muzikës klasike do të kumbojë nga interpretimi magjik i pianistes kosovare, Lule Elezi. Në Vjenë të Austrisë, në mbrëmjen e së hënës së 15 nëntorit, pianistja Elezi do të interpretojë vepra nga të famshmit e muzikës, Frederik Shopen e Ludvig Van Betoven, si dhe të kompozitorit kosovar Rrauf Dhomi.

Në këtë ngjarje që organizohet nga Shoqata Ndërkombëtare “Chopin” e Vjenës dhe me mbështetje të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri, pianistja Lule Elezi do të promovojë CD albumin pianistik me veprat e gjenive Shopen e Betoven. Albumi i Lule Elezit që është incizuar gjatë pandemisë, në “Mozart House” në Vjenë, do të prezantohet pas koncertit, në koktelin e organizuar nga ambasadori kosovar.

Lule Elezi është nga pianistet elitare shqiptare në përgjithësi. U zhvillua në nivel artistik në Universitetin e Prishtinës, Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe në Akademinë e Muzikës në Sarajevë. Është dalluar për lojën e saj të fuqishme dhe aq delikate nga shtëpi diskografike evropiane, u shqua virtuoze në interpretim, vlerësuar vecanërisht për interpretimin e përzemërt të krijimtarisë së Shopenit.

Pianistja Lule Elezi ka koncertuar në skena vendore e ndërkombëtare, përfshirë në Suedi, Gjermani, Kinë, SHBA, Rusi, Japoni, Luksemburg, Francë, Bullgari, Itali, e të tjera. Lule Elezi jeton mes Kosovës e Gjermanisë dhe ushtron veprimtarinë si Profesor i rregullt në lëndën piano, në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës./KultPlus.com

Pianistja Lule Elezi me koncert në Vjenë, do të përurohet edhe albumi i saj me vepra të Beethoven e Chopin

Pianistja kosovare Lule Elezi do të ngjitet në skenën e “Palais Hanse” në Vjenë të Austrisë, e cila më 15 nëntor, para audiencës vjeneze do të luaj veprat e Chopin, Rauf Dhomit dhe Ludwig van Beethoven, shkruan KultPlus.

Organizatorët e këtij koncerti, që mbahet nën patronazhin e Shoqatës Ndërkombëtare të Chopin në Vjenë, kanë njoftuar se në kuadër të këtij koncerti, do të bëhet edhe promovimi i albumit të pianistes Lule Elezi.

Albumi është incizuar nga “ Austrian Gramophone” në “ Mozarthaus” në Vjenë, kurse në këtë album janë incizuar vepra të njohura nga opusi i dy gjenive, Ludwig van Beethoven dhe Frédéric Chopin”.

Organizatorët e këtij koncerti kanë ndarë një përvojë të pianistes Lule Elezi, e cila pas luftës kishte performuar për herë të parë në një piano plotësisht funksionale në Vjenë, përvojë që i kishte munguar në Universitetin e Prishtinës, pasi që, pianistja Elezi kishte kujtuar se në atë kohë, në Universitetin e Prishtinës nuk kishte një piano të vetme që funksiononte plotësisht.  

Lule Elezi e cila është profesoreshë e pianos në Universitetin e Prishtinës ka shumë koncerte solistike nëpër botë, duke përfshirë edhe ato në SHBA, Japoni, Kinë, Saint Petersburg, Austri, Gjermani, Suedi, Francë, Luksembourg, Bullgari etj.

Ky koncert është edhe në mbështetje të Ambasadës së Kosovës në Austri./ KultPlus.com

Eurodeputeti Lukas Mandl përzgjedhë interpretimin e pianistes Lule Elezi, e prezanton në Vjenë (VIDEO)

Me rastin e promovimit të librit “Kosovo and the Eu- State of Play” të eurodeputetit Lukas Mandl që është mbajtur së fundi në Vjenë të Austrisë, është prezantuar edhe interpretimi i pianistes kosovare Lule Elezi, interpretim që është përzgjedhë nga vet eurodeputeti, shkruan KultPlus.

Me këtë rast, interpretimi që është prezantuar në këtë eveniment është nga veprat e Beethoven, ku pianistja Elezi ka një numër të konsiderueshëm të interpretimit të veprave të këtij kompozitori.

Lule Elezi ka njoftuar për këtë paraqitje e cila është shprehur të jetë mjaftë e nderuar për këtë prezantim. KultPlus ju sjell më poshtë statusin e plotë të Elezit, sikurse që sjell edhe interpretimin e pianistes Elezi që është promovuar në këtë ngjarje me karakter ndërkombëtar.

Jam shumë e lumtur të ju informoj që një nga interpretimet e mia solistike nga kompozitori L.v. Beethoven është pjesë e prezentimit online të librit

“ KOSOVO AND THE EU- STATE OF PLAY” mbajtur më 17 shkurt 2021 në Vjenë.

Autori, Mag. LUKAS MANDL , është i njohur si Eurodeputet i Parlamentit Evropian (MEP) dhe politikan austriak që aktivisht punon për interesat e Kosovës.

Në këtë video mund ta përcillni performancën e Lule Elezit, pjesa e pianistes kosovare është prej minutës 31

Ai është mik shumë i çmuar i Kosovës.

Jam vërtet shumë krenare që për këtë eveniment kaq të rëndësishëm , vet Eurodeputeti Mag. LUKAS MANDL ka përzgjedhur një interpretim timin nga Beethoven të albumit që kam incizuar në Shtëpinë e Mozartit “ Mozarthaus” në Vjenë.

Në videon më poshtë , që është shkëputur nga ky eveniment mund të shijoni interpretimin tim🎶./ KultPlus.com

Pianistja e mirënjohur Lule Elezi emërohet Ambasadore e Paqes në rrjetin global GSFEN

Pianistja e mirënjohur Lule Elezi ka shënuar një tjetër sukses në karrierën e saj, duke u emëruar Ambasadore e Paqes e rrjetit të njohur global GSFEN, shkruan KultPlus.

Artistja që ditë më parë publikoi në Vjenë albumin e saj më të ri, përmes rrjetit social Facebook ka bërë të ditur emërimin, duke shprehur mirënjohe Prince Blessing Lawal për besimin e dhënë, si dhe për rekomandimin e Tahir Shabanit.

“Të dashur miq,

Jam shumë e lumtur që më datë 21 Qershor, Dita Botërore e Muzikës, u emërova Ambasadore e Paqes e rrjetit të mirënjohur global GSFEN!

I jam shumë mirënjohëse Prince Blessing Lawal për respektin dhe besimin që tregoi ndaj meje, duke më emëruar Ambasadore e Paqes!
Po ashtu, shfrytëzoj rastin t’i falenderohem për rekomandimin dhe përkrahjen e palodhshme z. Tahir Shabani!”, ka shkruar artistja Elezi. /KultPlus.com

Publikohet albumi i pianistes Lule Elezi, është incizuar në “Mozarthaus” të Vjenës

Pianistja Lule Elezi tashmë ka nxjerrur në dritë edhe albumin e saj të ri, shkruan KultPlus.

Elezi ka thënë se kjo është produkt i një pune shumëvjeçare pasi më parë kishte realizuar dhjetra koncerte në Kosovë dhe në botë.

“Albumi pritet të promovohet në Vjenë , si dhe të prezentohet para artdashësve kosovarë”, ka shkruar Elezi në llogarinë e saj në Facebook.

Këtu keni statusin e saj të plotë:

“Doli në dritë albumi im!

Mbas një përkushtimi disa muajsh doli albumi im. Është kurorëzim i punës sime shumëvjeçare mbas shfaqjes së dhjetëra koncerteve të mia në prani të auditoriumeve të respektuara në Kosovë, Evropë dhe në kontinente tjera të botës.
Albumi im është incizuar nga “ Austrian Gramophone” nê “ Mozarthaus” në Vjenë.
Albumi pritet të promovohet në Vjenë , si dhe të prezentohet para artdashësve kosovarë.
Veprat të cilat janë incizuar në këtë album janë vepra të njohura nga opusi i dy gjenive, Ludwig van Beethoven dhe Frédéric Chopin”.

Kastriot Tusha e Lule Elezi me koncert në Slloveni

Tenori shqiptar Kastriot Tusha dhe pianistja e suksesshme Lule Elezi do të prezantohen me një koncert të përbashkët në Slloveni, shkruan KultPlus.

Koncerti do të mbahet nesër, në Teatrin e Qytetit të Koprit, dhe ky koncert do të mbahet në kuadër të Ditëve të Kulturës Shqiptare.

Koncerti do të fillojë në ora 18:00, ku do të intepretohet një pjesë e përzgjedhur e kompozimeve të njohura shqiptare, dhe kjo ngjarje kulturore organizohet nga Shoqata Kulturore “Iliria” në Kopër, me mbështetje të Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

Kjo shoqatë tash e sa vite organizon aktivitete kulturore për Ditët e Kulturës Shqiptare, ku vitin e kaluar me një program të përzgjedhur ishte prezantuar po pianistja Lule Elezi me sopranon e njohur shqiptare Inva Mula./KultPlus.com

Lule Elezi me mjeshtërinë e saj në piano, i dha jetë koncertit të Filharmonisë së Kosovës

Muzika, ky art madhështor, që gjen mënyrën e të shprehurit përmes tingujve. Një art që nuk njeh gjuhë e nuk ka kohë.

Mbrëmë Salla e Kuqe në Prishtinë, ishtë mikëpritëse e një koncerti madhështor, qe nisi e mbaroi me duartrokitje e emocione të mëdha, shkruan KultPlus.

Nën performimin e pianistes Lule Elezi dhe me dirigjent Boian Viedenoff, ky koncert ishte edhe në rolin e koncertit inaugurues, duke qenë i pari që hap sezonin për vitin 2019/2020 për të gjitha koncertet e tjera në vazhdim, që do të mbahen për 10-të muajt e ardhshëm, nga Filharmonia e Kosovës.

Koncerti filloi me interpretimin e pianistes Lule Elezi, e cila si jo rrallë herë, mahniti publikun kosovarë me performancën e saj. Gishtat e saj tek shtypnin tastet e pianos, të krijonin bindje sikur ishin krijuar vetëm për piano dhe asgjë tjetër.

Emocionet ishin të paevitueshme, ndjenjat e kënaqësia që mbizotëronte në atë sallë ku ndëgjoheshin tingujt e bukur të muzikës klasike, e bënë natën e mbrëmshme një natë të veçantë shtatori.

Boian Videnoff, i njohur si dirigjenti artistik dhe gjeneral i Filharmonisë së Manhajmit si dhe për bashkëpunimet me solistët më në zë të kohës, u kthye para publikut të kryeqytetit tonë të bukur, për bashkëpunimin e radhës me Lule Elezin.

Lule Elezi luajti koncertin e vetëm për piano dhe orkestër të shkruar nga norvegjezi Edvard Grieg, njëherësh një prej koncerteve më të bukura të literaturës pianistike botërore.

Pianistja Lule Elezi, e cila në këtë mbrëmje pos që shkëlqeu me performancën e saj, në të njëjtën kohë shkëlqeu edhe me elegancën e saj skenike, e cila këtë koncert e vlerësoi si një ndër koncertet më për zemër përgjatë karrierës së saj.

Në një prononcim për KultPlus ajo është shprehur se ky koncert si soliste në piano, vjen për herë të dytë në bashkëpunim me orkestrën e Filarmonisë së Kosovës.

“Koncertin e parë e pata realizuar në vitin 2015, ku jam prezantuar me koncertin Nr 5 për piano dhe orkestër të kompozitorit të mirënjohur Beethoven (koncert mbretëror), kurse koncerti i mbrëmjes së fundit erdhi në një bashkëpunim të shkëlqyer me dirigjentin Boian Viedenoff”, ka thënë Elezi për KultPlus.

Ajo shpjegoi se në këtë mbrëmje është prezantuar me koncertin e kompozitorit Edvard Grieg, që njihet për veprat më romantike të literaturës pianistike në nivel botëror.

“Jam e nderuar që luajta koncertin për piano dhe orkestër nga Grieg, por në të njëjtën kohë që bashkëpunova me dirigjentin Viedenoff , pasi që, për këtë koncert ka ardhur enkas nga Gjermania”, ka thënë Elezi, e cila është mirënjohëse edhe për bashkëpunimin e ngushtë me drejtorin e Filarmonisë së Kosovës, Baki Jasharin, i cili bëri të mundur këtë paraqitje solistike, të përcjellë nga orkestra, sikurse që ka falënderuar edhe organizatorin e Filarmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, për koncertin e mrekullueshëm.

Pjesa e dytë dhë e fundit e koncertit ishte e rezervuar për Simfoninë 9-të në e-mol, të kompozitorit çek Antonio Dvorak, ndryshe e njohur si Simfonia ‘’Nga bota e re’’. Edhe kjo nën udhëheqjen e dirigjentit Boian Videnoff.

Salla e Kuqe, ishte e mbushur plotë me dashamirës të këtij arti të bukur. Publiku jetonte në çdo notë e çdo tinguj të falur nga orkestra. Thënë shkurt, e mira e muzikës është ndjesia, e për të ndjerë duhet vetëm të dëgjosh. /KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës e hapë sezonin në mungesë të sallës koncertale

Filharmonia e Kosovës ka mbajtur konferencë për medie në lidhje me koncertin e hapjes së sezonit 2019/2020.

Në këtë konferencë theks i veçantë iu dha mungesës së sallës koncertale, ku u tha se për 20 vjet, koncerte të tilla mbahen në salla të improvizuara, siç është Salla e Kuqe në Pallatin e Rinisë.

Baki Jashari, drejtor i këtij institucioni, dha detaje rreth programit vjetor  të Filarmonisë së Kosovës, teksa shtroi nevojën që të ndërmerret diçka për ndërtimin e sallës koncertale, e cila do të lehtësonte punën e këtij institucioni.

“Ky sezon fillon me koncertin e nesërm në sallën e kuqe. Është koncert inaugurues për të gjitha programet që do të jenë për 10 muaj, e që zgjat deri në qershor të vitit të ardhshëm. Viti 2020 shënon 20 vjetorin e themelimit të Filarmonisë së Kosovës. Veçanti e këtij koncerti janë dy performues që janë, Lule Elezi, piano dhe Bojan Videnoff dirigjent. Edhe për 20 vjet pas themelimit ky institucion nuk ka sallë koncertale”, ka thënë Jashari.

Lule Elezi, pianiste me përvojë të madhe në këtë drejtim ka thënë se është e përgatitur maksimalisht për këtë koncert.

“Jam e kënaqur që marr pjesë në këtë koncert si pianiste. Për mua është hera e dytë që performoj në Filarmoninë e Kosovës. Nesër mbrëma kam kënaqësinë që të luaj në piano me një dirigjent si Vidennoff. Jam përgatitur mjaft për këtë koncert dhe shpresoj që publiku do ngelet i kënaqur”, ka thënë Elezi.

E dirigjenti Bojan Videnoff ka thënë se është kënaqësi për të që e dirigjon një koncert të madh në Prishtinë. / EkonomiaOnline / KultPlus.com

Adelina Paloja dhe Lule Elezi u prezantuan me koncert në Lecco të Italisë

Në 40 vjetorin e çmimit Nobel për Paqe të Shën Nënës Terezë, në Komunën Lecco të Italisë është mbajtë një koncert nga Adelina Paloja, e përcjellë nga pianistja Lule Elezi.

Dy artistet kanë njoftuar se ky koncert ishte një përjetim i rrallë, ku u prezantuan arie nga: F.Schubert, A.Catalani, L.Antoni/G.Tukici, A.Mula, G.Puccini.

Kjo mbrëmje artistike është mbajtur nën patronatin e “Konzulati i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Milano”, “Shoqata kulturore e humanitare Stublla”, “Konzulati i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Milano”, “Komuna e Lecco-së”…/KultPlus.com

Sopranoja Adelina Paloja dhe pianistja Lule Elezi u prezantuan me koncert në Sofje të Bullgarisë

“Festival Musica Europa” që po mbahet në Sofje të Bullgarisë, nën organizimin e Filharmonisë së Sofjes, në mbrëmjen e së hënës ka prezantuar dy artiste kosovare, të cilat, nëpërmjet performancës së tyre, në këtë festival kanë prezantuar vepra të kompozitorëve shqiptarë, shkruan KultPlus.

Në këtë festival që mbështetet nga Ministria e Kulturës së Bullgarisë, ku në të njëjtën kohë po shënohet edhe 90 vjetori i Filharmonisë së Sofjes, sopranoja Adelina Paloja dhe pianistja Lule Elezi kanë shkëlqyer me paraqitjen e perlave shqiptare, të cilat edhe janë pritur jashtëzakonisht mirë nga audienca e atjeshme.

Veprat e : Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Rexho Mulliqi, Avni Mula, Rauf Dhomi, Baki Jashari e Kreshnik Aliçkaj kanë jehuar në Bullgaria Chamber Hall, ku edhe është mbajtë koncerti, koncert që është përcjellë nga një numër i madh i të pranishmëve.

Në këtë festival, Adelina Paloja dhe Lule Elezi ishin të vetmet shqiptare që janë prezantuar në një mbrëmje të veçantë, të cilat edhe i kanë promovuar veprat e kompozitorëve shqiptarë.

Dy artistet shqiptare shumë shpesh po marrin pjesë me paraqitje të përbashkëta, si brenda ashtu edhe jashtë vendit./KultPlus.com