Luljeta Goranci, karikaturistja e vetme nga Kosova me ekspozitë në Pogradec

Artistë të karikaturës dhe letërsisë humoristike nga e gjithë bota janë bërë bashkë në Pogradec në konkusin Niko Nikolla. Mes tyre ishte edhe është karikaturistja e vetme grua në Kosovë, e cila është prezantuar për herë të parë me një ekspozitë në Shqipëri.

Luljeta Goranci është karikaturistja e vetme grua në Kosovë. Për herë të parë ajo prezantoi 30 punime për artdashësin shqiptar në një ekspozitë të çelur në Pogradec.

“Ka 50 vite që merrem në karikaturë, si në politikë dhe jetën e përditshme gjej elementë që me u kariku. Përmes karikaturës përcjell dhe mesazhe dhe më vjen keq që nuk organizohen  më shumë ekspozita të karikaturës, karikatura është ajka e artit sepse ke dhe art dhe mesazhe.” Politika dhe jeta e përditshme janë dy subjektet kryesore të artistëve të karrikaturës, pjesëmarrës konkursi mbarëkombëtar të letërsisë satirike-humoristike Niko Nikolla.

Vajza e karikaturistit të njohur, shprehet se ky konkurs ka bërë bashkë edhe këtë vit artistë nga gjithë bota.

Konkursi ndërkombëtar në nder të karikaturistit Niko Nikolla do të mbyllet me mbrëmjen gala të ndarjes së çmimeve në Tushemisht, ku do të ketë edhe një ekspozitë të librave humoristike./OraNews/KultPlus.com

Lulja ose një jetë e pikturuar në Prizren

Në prag të 70 vjetorit të lindjes dhe 50 vjetorit të krijimtarisë artistike të Luljeta Gorancit

Afrim Demiri

Nuk është lehtë të jesh prizrenas, aq më parë nuk është lehtë të jesh artist në Prizren. Estetika klasike e qytetit të lashtë të sfidon në çdo hap, ose si vlerë kulminante ose si preokupim, frymëzim i përhershëm që ta jep Prizreni. Këto ndjenja të mbizotërojnë, kur duhet të shkruash për Luljeta Kujtimi- Goranci, karikaturistën e parë në Kosovë dhe piktoren e dhjetra, qindra punimeve të shpërndara gjithandej nëpër botë.

Kur mendon se ke dalë nga një qytet muze dhe ke hyrë në një banesë prizrenase, mashtrohesh lehtë! Në të vërtetë nga muzeu i hapur, vizitori hyn në një galeri të hapur punimesh artistike, derisa mikëpritëse është vetë piktorja Lulja. Që në hyrje, në të dy anët e korridorit të pret portreti i të shenjtës Nanës Tereze, pastaj piktura e Hamamit të qytetit e zhytur në tone nostalgjike të kohës e deri tek ornamentet e ndryshme të enëve të qeramikës të cilat të ftojnë për një mëny të begat artistike.

 Prizreni në vitet e 70-ta, artit shqiptar i dhuroi dy karikaturistë, të cilët në punimet tyre nënshkruheshin me dy pseudonime karakteristike: njëri si “Therrë Murrizi” e tjetri si “Lulja”. Ishin këta Ramadan Zaplluzha dhe Luljeta Kujtimi-Goranci, që trokitnin fuqishëm në botën e artit. Luljeta, duke folur me pietet për Ramadanin e ndjerë, tregon se si  kishte filluar ta kultivoj artin e karikaturës.

“Në atë kohë isha e vetmja karikaturiste, fuqia shprehëse e karikaturës  më mahniste, më dukej se vija fitonte fuqi vetëm në karikaturë, duke shpalosur karakteret e inidvidit”, pohon Lulja, derisa kujton që në ndërkohë edhe Lule Krasniqi  kishte publikuar karikatura nëpër revistat tona të kohës dhe posaçërisht në revistën humoristike “Thumbi”.

Dy Lule sfidonin mentalitetin e kohës nëpërmjet artit të karikaturës. Karikaturat e saja, krahas edhe punimeve të tjera, në ekspozita kolektive ishin ekspozuar në Kosovë, Maqedoni, Vojvodinë , Shqipëri e gjetiu. Ndërkaq katër ekspozitat personale, Lulja në prag të 70 vjetorit të lindjes si dhe të 50 vjetorit të krijimtarisë së saj artistike, i kujton si katër ngjarje të veçanta të jetës artistike.

Qeramika, qelqi, letra, pëlhura janë materialet që piktorja Lulja, flet për strukturën, për vetitë dhe përshtashmërinë e tyre, derisa tregon se si i ngjyrosë me plot emocione. Mozaiqet, ornamentet dhe motivet janë të vjelura nga Prizreni, me kujdesin estetik.

Prizreni është motivi im i përjetshëm dhe nuk ka vepër art që e përfshinë të tërin, sa mendon që e ke krijuar një hark përfshirës tipik për të, sa të hapen edhe dhjetra të tjerë me plot motive”, shprehet ajo duke u ndjerë krenare që Prizrenit historik, ka arritur t’i dhurojë shumë punime të saj, të cilat ia shtojnë bukurinë atij.

“Me vite punimet e mia kanë qenë të ekspozuara në Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, ndjehem mirë që punimin tim të Mic  Sokolit, ua kam dhuruar trashëgimtarëve të familjes së tij, me rastin e 125 vjetorit të Lidhjes”, pohon Lulja.

Artit të saj ia shton  një përmasë të veçantë,  ndjenja e saj mirënjohëse.

“Nuk ka personalitet që ka mbështet çështjen tonë kombëtare, që nuk i kam punuar ndonjë vepër artistike, që nga çifti Klinton, Clarkut, kryetarit Bajden, e deri tek piloti i parë i NATO-s që  bombardoi Serbinë, etj”, thekson ajo.

Mirënjohja si art, apo arti si mirënjohje vijnë të bashkëdyzuara në krijimtarinë e zj.Lulja. Si kundërshpërblim, ajo na tregon dhjetra medalonësh falënderues, që kishte pranuar nga ata për punimet e saja. Shën Tereza, ishte motivi i saj i përhershëm.

“Nuk e di as vet, sa portrete të saja i kam punuar”, pohon ajo më zë të ultë, që kumbon si një lutje e qetë!

 Portreti  saj qëndron  edhe në Selinë e Vatikanit.

 “Është frymëzimi im, e ndjejë frymën e saj dhe dua ta zbatoj saherë që punojë më fëmijë me aftësi të kufizueme dhe të prekur nga Sindromi Down”, thekson ajo me modesti për punën e çmueshme që e bën falas, për bartjen e ndjenjës estetike të së bukurës tek fëmijët.

 Arti i Godancit, shpesh ka komunikuar me lexuesit, nëpërmjet ilustrimeve të aq shumë revistave dhe librave, qofshin shkollor apo artistik. Një poezi e poetit të vrarë nga serbët Ymer Elshani, ishte përcjellë me një ilustrim të saj, sikundër që poezitë e poetit të ndjerë rom Kujtim Paçakut, ishin ilustruar gjithashtu me punimet e saja.

“Ilustrimet e tilla janë një provokim i veçantë për piktorin, sikur hyn në një botë të huaj artistike, por pastaj e sheh se je identifikuar aq shumë me të sa prodhon vepra të fuqishme sa fuqia shprehëse letrare”, shpjegon ajo punën e saj si ilustratore  veprash.

Shija për estetizmin e saj, thotë se i buron nga nana e saj, kurse përkushtimi për punën, nga babai.

“Nana më njoftonte me veshjet tona popullore, me shoqen time të fëmijërisë, Edi Shukriun, në ditët e tregut në Prizren, shkonim nga një shitëse në tjetrën dhe i shikonim punimet e moçme, të qëndisurat në rrobet tona popullore”, kthehet në kohën e shkuar ajo, aty ku kishte filluar dashuria e saj edhe për modelimin dhe dizajnin.

Vajzat e saja Sivona dhe Albana kishin vazhduar punën e saj në modelim dhe dizajn, kurse Vlora iu kishte përkushtuar ekonomisë.

Ajo sot e asaj dite vuan pse nuk është bërë filigraniste, por motivet e filigranizmit i kishte transformuar në ornamentet e pasura të pasqyruara nëpër enë të rralla të qeramikës. Prizreni për të nuk ishte vetëm qytet historik, as vetëm kryeqyetet shpirtëror i shqiptarëve.

“Prizreni për mua është qytet art, artistikja në të pikon”, thekson ajo derisa ndjehet mirë që e ka bagatuar estetikën e tij, nëpërmjet shumë veprave.

Për Lulen, motivi i luleve mbizotëron nëpër punime. “Nuk është çudi shprehet ajo, janë të gjitha lule prizrenase, janë lule të fëmijërisë sime që janë kultivuar nëpër shtëpitë tona”, sqaron ajo kodin e fshehur krijues.

Laureatja e shpërblimit vjetor për kulturë në Prizren, dhe i shumë çmimeve dhe mirënjohjeve, kërkon që arti ta përçon ndjenjën e tolerances, përtej kufizimeve dhe urrejtjes.

“Arti duhet të provokon artistikisht, por nuk duhet të ngjallë urrejtje”, pohon ajo duke folur për kartikaturat e gazetës “Charlie Hebdo”. Ajo ndjente keqardhje që karikatura të ketë ngallë aq mllef. Sipas saj asnjë formë e artit nuk është krejtësisht realist, në çdo realizëm ka një tis magjik që e fuqizon veprën artistike.

Shumëçka ka mbetë peng në punën e saj 50 vjeçare. “Ende besoj që  kam kohë që pesë motive të parealizueshme deri  më sot, t’i realizoj”, pohon ajo.

Njërin prej tyre nuk e fsheh, synonte që portretin e nuses prizrenase, gjatë ceremonisë së zbukurimit me pika, ta përjetësoj në një pikturë. Pastaj heshtë pë një kohë! Mbase mendonte për Vrapuesen e Prizrenit, apo tek portreti i Bekim Fehmiut, ku ta dimë duhet ta presim ekspozitën e saj të pestë.

Akuarel, akuarel është fjala që e shqipton më së shpeshti gjatë bisedës, disi flet si për një gjuhë të saj ngjyrash dhe ka frikë se mos nuk po e kuptojmë që tonaliteti i ngjyrave për të është kryesori. “Jo të gjitha materialet janë të përshtatshme për akuarel, shpesh shkollat tona nuk i kushtojnë rëndësi punës praktike, por përvoja ime ka qenë mësuesja më e mirë për mua”, pohon ajo.

Degradimi i vlerave artistike në kohën tonë e zemëronte pa masë. “Artit i duhet promovimi i përhershëm, nuk kultivohen vlerat estetike ad hoc, tash u bë mirë që po kthehen disa Festivale, sikur ai i Karikatures në Ferizaj nga Shoqata “Hithi”’, komenton ajo.

Zbukurimi i vazove të ndjek në çdo kënd të banesës së saj, aty nuk kishte lule, por të punuara nga dora e zj.Lule ato vërtetë kundërmonin plot aromë artistike. / KultPlus.com