Në shenjë të kremtimit të festave të fundvitit, të mërkurën, më 18 dhjetor 2024, në orën 19:00, KultPlus organizon Mbrëmje Letrare me poetin e njohur, Lulzim Tafa.
Në këtë mbrëmje do të marrin pjesë personalitete të jetës kulturore dhe akademike, poetë, aktorë, lexues të poezisë dhe miq të poetit.
Në këtë mbrëmje do të lexohen poezi nga krijimtaria e poetit Lulzim Tafa, poezi që do të shoqërohen me tinguj të kitarës dhe shije të verës.
Mbrëmë në ambientin e KultPlus Caffe Gallery ai që sundoi vendin ishte Konkursi Mbarëkombëtar i Poezisë, i organizuar nga KultPlus, “KultStrofa”. Poezia, kjo hyjneshë ndër vite, na nderoi mbrëmë me prezencën e saj të plotë, teksa emocionet sa vinin e rriteshin për konkurrentët e njashtu edhe për pjesëmarrësit. Mbretëria e fjalëve të thurura nëpërmjet poezive diversive ka mbizotëruar vendin nga cepi në cep, për të krijuar kështu një mbrëmje plot magji e shkëlqim që jo shumë lehtë harrohet dot, shkruan KultPlus.
Ceremonia e konkursit mbarëkombëtar “KultStrofa” konsiderohet si një ndër konkurset më serioze në nivel mbarëkombëtar, andaj në natën finale të edicionit të shtatë u ndanë edhe çmimet e këtij konkursi poetik i cili çdo vit pret poezi krejtësisht të veçanta e autentike jo vetëm nga Kosova por edhe Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Lugina e Preshevës, Gjermania, Spanja, Italia, Zvicra e gjer nga SHBA.
Qe rënia e borës ajo që na zuri në befasi të gjithëve, e që bëri që të pranishmit të vinin ngadalë por në numër të lartë. Shkrimtarë, artdashës, poetë e gazetarë, mbushën vendin për të përcjellë nga afër gërshetimin e letërsisë, kulturës e artit. Ambienti në KultPlus Caffe Gallery ishte tejet i ngrohtë. Karrige në çdo hapësirë, dritat e stolisura në dritare që e bënin akoma më festive këtë mbrëmje, si dhe shoqëruesi ynë kryesor; bora që binte me një ritëm të shpejtë por tejet të bukur. Shkëndija të veçanta shiheshin në sytë e gjithsecilit, e kjo vlen të theksohet se përjetohet enkas për poezitë e brishta.
Mbrëmë, atmosfera poetike ra mbi të pranishmit si një fener në errësirë dhe mori përsipër ceremoninë e konkursit mbarëkombëtar “KultStrofa”, organizuar nga KultPlus.
Fillimisht, në hapjen zyrtare të natës finale, fjalën e mori moderatorja dhe aktorja Vlora Merovci e cila edhe bëri me dije se ne këtë edicion të “KultStrofës” kanë aplikuar mbi 180 poezi.
“Të nderuar poetë në të gjitha anët që keni aplikuar në konkursin e poezisë në nivel mbarëkombëtar KultStrofa, zonja e zotërinj, faleminderit për prezencën e juaj në KultPlus. Edicioni i shtatë na ka tubuar edhe sonte, pra është një konkurs që vazhdon të mbetet një prej konkurseve më me emocion”, thotë ajo.
Sipas saj, poetët nga e gjithë bota kanë aplikuar dhe janë mbi 180 poezi nga vendet e rajonit, Evropës dhe ShBA.
“Tash e shtatë vite, konkursi organizohet nga gazeta online për art dhe kulturë, KultPlus dhe këtë vit mbështetet nga MKRS, Hotel Nartel dhe Ujë Rugove”, thotë ajo.
Para se të niste i gjithë ky organizim, aktorja Merovci po ashtu interpretoi poezinë fituese të edicionit të kaluar, “Dhimbja është turpëruese” të Rudina Çupit.
Tutje, fjalën e mori edhe drejtoresha e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila shprehet tejet e lumtur që edhe sivjet në dhjetëshen finaliste ka emra shumë të mirë që janë përzgjedhur sipas shijes së hollë të jurisë. Ajo po ashtu bëri të ditur se në edicionin e dhjetë të konkursit KultStrofa, pritet të publikohet libri me njëqind poezitë e edicioneve paraprake.
“Faleminderit të gjithëve që keni ardhur në ceremoninë e edicionit të shtatë të KultStrofa. Sikurse e potencoi edhe Vlora, ky konkurs është mbështetë nga MKRS dhe ne jemi shumë të nderuar që po vazhdon tradita e këtij konkursi ku çdo vit jemi duke i nxjerr dhjetë finalistë dhe me këtë vit po e shënojmë shtatëdhjetë poezi që janë nxjerr nga çdo edicion. Ne po synojmë që të vazhdojmë me edicione të pafundme, por kur të organizohet edicioni i dhjetë, njëqind poezitë e edicioneve të konkursit do të dalin në formatin e një libri. Mezi prita ta ndaj këtë lajm me ju”, thotë Pajaziti.
Sipas saj, ajo së bashku me stafin e KultPlus, janë të nderuar që çdo vit kanë pasur një juri prestigjioze dhe shijet e tyre e kanë obliguar Pajazitin që ta publikoj një format të librit siç e përmendi më herët.
“Unë e shfrytëzoj rastin me e falënderu jurinë profesionale që janë të pranishëm me ne sonte dhe që e kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Në këtë edicion kanë ardhur mbi 180 poezi, dhe ato që kanë ardhur jashtë afatit, na vjen keq mirëpo nuk janë përfshirë për arsye se dëshirojmë ta mësojmë audiencën që afati është afat dhe ora është orë. Nga fillimi kemi punuar në këtë drejtim dhe kështu do të vazhdojmë tutje. E përshëndes kryetaren e jurisë, Entela Kasi e cila na ka nderuar shumë me marrjen e kësaj përgjegjësie për përzgjedhjen e dhjetë finalistëve, njëherit është edhe kryetare e PEN-it të Shqipërisë. E falënderoj Lulzim Tafën, një poet mjaft i njohur dhe i përkthyer në disa gjuhë të botës, që na ka nderuar me pjesëmarrjen e tij dhe natyrisht e falënderoj Vlora Konushevcin, e cila natyrisht sa herë që poston poezi, e ka një fuqi të jashtëzakonshme dhe ka merita të plota për prurjet e këtyre dhjetë poezive në këtë edicion”, përfundon Pajaziti.
Ajo tutje i falënderoi edhe anëtarët e jurive të kaluara që kishin ardhur në këtë mbrëmje si shkrimtarët: Agim Vinca, Sali Bashota e Arbër Selmani, por njëkohësisht e falënderoi për prezencën edhe shkrimtarin e njohur nga Shqipëria, Sadik Bejko.
Qershia mbi tortë e kësaj mbrëmjeje ishte prezenca e këngëtarit Endrit Krasniqi, njëkohësisht fituesi i edicionit të dytë të Festivalit të Këngës në RTK, i cili përveç këngës tashmë të njohur “Flas me gjethen”, ka interpretuar këngët e veta personale, e që u shpalosën si një ëndërr brenda ëndrrës. Ndërsa, si një gjethe vjeshte që bie lehtësisht, ishte zëri i këngëtares së re, Anna Krasniqi e cila interpretoi këngën “Stay”. Timbri i saj vinte në veshët e të pranishmëve si një melodi e papërsëritshme, teksa kënga e merrte atë me vete dhe e dërgonte në piedestalin e artit, aty ku ngrihen zërat dhe gjendet e vërteta.
Tutje, kryetarja e jurisë së këtij konkursi, Entela Kasi, kryetarja e PEN-it të Shqipërisë, e konsideroi punën e KultPlus një punë që duhet të duartrokitet e vlerësohet.
“Ju përshëndes të gjithëve. Në fakt, për mua personalisht mbetet privilegj, nder dhe detyrë që të jemi në këtë anë të Prishtinës, kudo ku janë hapësirat tona. E kam pritur me shumë kënaqësi ftesën e Ardianës, për të qenë në KultPlus e në KultStrofa, për këtë aktivitet të rëndësishëm, i cili tashmë është shndërruar në një traditë të një konkursi i cili do të ketë rrugën e gjatë. Letërsia në fakt është art magjik, sublim dhe poezia është tepër e thellë e tepër shpirtërore. Në historinë e botës, dikur poezia këndohej dhe rrëfehej, por tash ne jemi në këtë kohë moderne dhe pavarësisht ndryshimeve, ajo asnjëherë nuk e humb peshën e saj”, thotë ajo.
Sipas saj, juria pati fatin që të jenë pjesë e edicionit të shtatë të KultStrofa, dhe ajo që është më e bukura për të ka qenë që mendimet e tyre janë përputhur tejet shumë, të menduara në mënyrë të njëjtë, asnjëherë duke mos i ditur emrat e askujt sepse është ruajtur anonimiteti.
Ajo tutje bëri të ditur se është ndarë një certifikatë për drejtoreshën e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti, me mirënjohjen më të thellë, për promovimin e kulturës, letërsisë dhe identitetit të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve.
“Në promovimin e vlerave të kulturës kombëtare për trashëgiminë e identitetit, për çështjet e rëndësishme të komunikimit dhe mediave, KultPlus mbetet një nga mediat apo mediumet më të rëndësishme jo vetëm në Prishtinë por edhe në Shqipëri, e po ashtu edhe në Kongresin Amerikan. PEN Qendra e Shqipërisë ka menduar t’i akordoj një certifikatë mirënjohjeje zonjës Pajaziti me mirënjohjen më të thellë, për promovimin e kulturës, letërsisë dhe identitetit të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve”, shpalos Kasi.
Mirënjohja iu dha drejtoreshës Pajaziti nga profesori dhe bashkë-themeluesi i PEN-it të Shqipërisë, Sadik Bejko.
Pas këtyre fjalimeve, më në fund, radha që vargjet të fillojnë të jehojnë bujshëm para të pranishmëve, erdhi. Edicioni i shtatë i konkursit të poezisë “KultStrofa”, edhe kësaj here erdhi me një frymë tejet unike. Vendi gumëzhinte nga heshtja për secilën poezi të interpretuar, teksa poetët u mblodhën për të shkëlqyer në skenë. Në fytyrat e tyre rrinte një çudi që ishin zgjedhë pjesë e dhjetëshes finaliste. Ata me secilën poezi kanë hapur zemrat e tyre para botës, teksa secili varg që buronte nga ta, vinte me një brishtësi të rrallë. Me duar që dridhen, ton të qëndrueshëm, fryma e tyre erdhi krejt këndshëm. Poezi pas poezisë, ato u shpalosën si petalet e lules e sikurse dielli në perëndim. Kështu, mbrëmja u vulos me strofa që shpërthyen valë-valë e që dëshmuan se poezia ka kurorën mbi të gjitha zhanret e tjera.
Para të pranishmëve, më në fund u shpalosën poezitë e dhjetë finalistëve të përzgjedhur nga juria e përbërë nga: Kryetare në PEN të Shqipërisë, Entela Kasi (kryetare e jurisë), poetja Vlora Konushevci dhe poeti Lulzim Tafa.
Leonora Lokaj, Nagjije Kastrati, Vlora Kozhani-Tolaj, Valmira Rashiti, Flutur Mustafa, Sadete Tërnava, Hyrë Fazlija, Ardiana Thaci-Mehmeti, Alketë Spahiu, Kaltrinë Uka, ishin poetet finaliste të edicionit të shtatë të “KultStrofa”. Është hera e parë që dhjetësha finaliste përmban vetëm gra, dhe kjo është diçka shumë e veçantë dhe rastësore. Njëra pas tjetrës, ato interpretuan poezitë e tyre, ndonëse emocionet ishin të pranishme. Teksa nata po merrte formën më të mirë, fjalët e poeteve e ndriçuan hapësirën ëmbëlsisht.
Në një mënyrë krejt rastësore, nga vetë autorët e pranishëm, u interpretuan poezitë: “Nën timbrin e këtij malli”, “Qysh me e kornizu kohën”, “Guri i koshares”, “Të ringjallem nga hiri”, “Kripë e mjaltë”, “Diplomaci”, “Dashnia jem s’asht e kësaj bote”, “Harrimi është amorf”, “A m’vjen vera kah dera” dhe “Si m’shikon ashtu?!”.
Më pastaj, u ndanë mirënjohjet ndaj poeteve: Vlora Kozhani-Tolaj, Leonora Lokaj, Ardiana Thaci-Mehmeti, Flutur Mustafa, Sadete Tërnava, Hyrë Fazlija, Alketë Spahiu.
Nagjije Kastrati u radhit në vendin e tretë në këtë edicion me poezinë “Guri i koshares”, ndërsa Valmira Rashiti u radhit e dyta me poezinë “Qysh me e kornizu kohën”.
Autorja Kaltrinë Uka, fitoi vendin e parë në edicionin e shtatë të këtij konkursi me poezinë “Nën timbrin e këtij malli”, e cila pas marrjes së trofeut, u ndje shumë e emocionuar dhe nuk i dilte pothuajse asnjë fjalë, por gjë e mirë është që poezia e saj ka thënë shumë. Ajo potencoi se të gjitha poezitë e tjera e inspiruan dhe i dhanë një motiv shtesë për të shkruar.
Ndërkaq, ishin shkrepjet e fotografive që dëgjoheshin në çdo çast, gotat e verës duke kërcitur si muzikë, meloditë e ëmbla shqipe që u derdhën mbi atmosferë pas gjithë kësaj mbrëmjeje plot emocione. Buzëqeshjet e plasaritura në fytyrat e secilit kanë shënuar fundin e kësaj nate të paharrueshme.
‘KultStrofa’ organizohet nga gazeta e parë shqiptare për art dhe kulturë ‘KultPlus’, dhe është konkurs mbarëkombëtar i tëri si ide origjinale e prodhuar nga KultPlus.
Kjo ngjarje është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hotel Nartel, Ujë Rugove. / KultPlus.com
Në kuadër të aktiviteteve të shumta që u organizuan në edicioni 27-të të Panairit të Librit në Tiranë, të shtunën, më 16 nëntor 2024, në orën 16:00, Shtëpia Botuese “Onufri”, promovoi librin me poezi të zgjedhura të poetit Lulzim Tafa, me titullin “Ekspozitë me ëndrra”. Përzgjedhjen e poezive e ka bërë Sali Bashota, ndërsa parathënien e ka shkruar Besnik Mustafaj.
Në fjalën e tij, shkrimtari Besnik Mustafa, tha: “Mendimi i parë që më erdhi, ishte se parathënien mund ta bëja thjesht duke shkëputur vargje apo strofa nga poezi të ndryshme dhe t’i bashkangjisja njëra me tjetrën, diçka e ngjashme me punën e artistëve bashkëkohorë për të krijuar instalacionet. Ishte një mundësi që ma jepte vetë lënda poetike, që kisha në dorë, përzgjedhur nga tetë libra të autorit, botuar në Prishtinë gjatë një periudhe 30 vjeçare”.
Duke i përmendur disa nga vlerat letrare, estetike, figurative etj., të poezisë së poetit Tafa, shkrimtari Mustafaj, ndër të tjera, e dalloi koherencën, një cilësi kjo fort e rrallë te poetët në përgjithësi, duke shtuar:” Koherenca, për të cilën po flas, është sigurisht çështje stili. Madje, burimin e ka te vetë thelbi i stilit, në kuptimin që i jep Aristoteli stilit, kur thotë se stili është vetë personaliteti i poetit”.
Në fund të fjalës së tij, Besnik Musfafaj, tha:”Poezia e kësaj përmbledhjeje jep arsye për një analizë shumë më të gjerë të shpalosjes së poetit Lulzim Tafa si i çliruar nga tabutë, apo, thënë me fjalët e Podrimjes si guximtar intelektual”.
Poeti dhe studiuesi i letërsisë shqipe, Sali Bashota, i cili kishte bërë përzgjedhjen e poezive, tha:
“Mbi tridhjetë vjetët e krijimtarisë poetike të Lulzim Tafës që janë paraqitur në tetë libra me poezi: “Gjaku nuk bëhet ujë” (1993), “Metaforë e pikëlluar” (1995), “Planeti Babiloni” (1997) , “Vdekja çon fjalë” (1998), “I kam edhe dy fjalë” (2012), “Shtini n’dhe këto fjalë” (2015), “Flirt” (2019) dhe “Rivali i Adamit” (2024), dëshmojnë për individualitetin e një poeti që udhëtimin e tij krijues e bën vetëm me zjarrin e poezisë në shpirt”.Prirja e tij kryesore, pra poezia, e ka krijuar ndjesinë shpirtërore për ta fuqizuar teknikën e tij shkrimore, duke depërtuar në shtresat semantike të tekstit poetik, si me idetë, motivet, temat, por edhe me përbërësit e tjerë. Që nga fillimet e tij krijuese, Lulzim Tafa, bën një lojë të shkathët poetike me fjalë të zgjedhura dhe me figura të bukura, madje bën një lojë magjike me gjuhën e tij poetike, në radhë të parë, për ta kapur esencën e ndjenjave kryetipore përbrenda ritmit të ideve dhe mendimeve në një udhëtim të sigurt, të zjarrtë e pasionant”.
Më tutje, Bashota tha poezitë e Lulzim Tafës për Nanën janë poezi antologjike, ndër më të bukurat, që hyjnë përbrenda hierarkisë së vlerave të poezisë së sotme shqipe, pikërisht me mrekullimin e magjisë së dashurisë për Nanën, në radhë të parë, përmes gjuhës, mendimit dhe figurës”.
Në vazhdim të fjalës së tij, Bashota, tha se “Lulzim Tafa edhe kur e përgatit ekspozitën e tij poetike me ëndrra, mendon për zhgjëndrrën dhe jetën. Në botën e tij letrare funksionalizohen gjithnjë idetë fundamentale. Poezitë “Ekspozitë me ëndrra”, “Ëndrra për kalorësit e botës”, “Pasaktësia e një ëndrre”, “Teoria e shpjegimit të ëndrrave”, “Tri pyetjet për shpjegimin e andrrave”, “Andrrat nuk
janë si njerëzit” etj., sikur i nënshtrohen analizës dhe vlerësimit të poetit që ta projektojë ëndrrën më të bukur krijuese, mbase në themel të krijimtarisë së tij letrare. Në këtë mënyrë, prania e ëndrrës në poezinë e Lulzim Tafës është rishfaqje e dimensionit letrar, filozofik dhe psikologjik, e artikuluar në disa variacione”.
Në fund të këtij aktiviteti promovues, poeti Lulzim Tafa, pasi falënderoi të pranishmit, në mënyrë të veçantë botuesin “Onufri”- Bujar Hudhrin, pastaj shkrimtarët Besnik Mustafaj dhe Sali Bashota, lexoi vargjet e poezisë “Ekspozitë me ëndrra”: “Në galerinë e arteve/Së shpejti kam me e hap/Një ekspozitë me ëndrra/Dhe keni me pa/Si ka me i shky sytë/ Njerëzimi/Dhe ka me lu’jt mendsh/ Kritika”/.
Libri “Ekspozitë me ëndrra”, i poetit Lulzim Tafa, do të promovohet edhe në Prishtinë, dhe së shpejti mund ta gjeni në libraritë e Kosovēs./KultPlus.com
KultPlus këto ditë ka hapur thirrjen për edicionin e shtatë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, dhe ky konkurs është i hapur për të gjithë poetët.
Ky konkurs ka një histori të pasur me kontributet e jashtëzakonshme të poetëve, të cilët janë nderuar me një ceremoni të veçantë, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë “KultPlus”.
Por këtë vit, premtohet një edicion i veçantë, i mbushur me një atmosferë poetike që do të ndriçojë mbi të pranishmit.
Sot është bërë publike edhe juria profesionale e këtij edicioni dhe përbëhet nga: Kryetare në PEN të Shqipërisë, Entela Kasi (kryetare e jurisë), poetja Vlora Konushevci dhe poeti Lulzim Tafa.
Organizatorja e këtij konkursi, Ardianë Pajaziti, ka bërë të ditur se konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë edhe talentët e rijnë. Pajaziti gjithashtu ka treguar se kandidatët mund të aplikojnë me një poezi të pabotuar, duke e dërguar në adresën [email protected], duke përdorur subjektin “Për konkursin e poezisë ‘KultStrofa’. Afati i fundit për aplikim është data 14 nëntor 2024, ora 23:59.
Asnjë aplikim nuk pranohet nëpërmjet formave të tjera. Juria profesionale do të përzgjedhë dhjetë poezi-finalistë, të cilët edhe do të jenë të ftuar në ceremoninë kryesore, dhe më pas juria profesionale do të shpall edhe tre çmimet kryesore të konkursit, çmimin e parë, të dytë dhe të tretë.
Kujtojmë që fituesi i konkursit të parë ishte poeti i njohur Ragip Sylaj. Pas tij, vazhduam rrugën me krijimtarinë e poetëve të tjerë si: Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami-Atashi, Zhaneta Barxhaj dhe Rudina Çupi. / KultPlus.com
Më 30 tetor 2024, në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB, u mbajt takimi me poetin Lulzim Tafa, në praninë e studentëve, profesorëve, gazetarëve, miqve të poetit. Aktiviteti u mbajt në kuadër të projektit të PEN Qendrës së Kosovës – Ora e shkrimtarit, përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, i cili që një muaj po zhvillohet në disa qendra të Kosovës.
Poeti dhe studiuesi, Sali Bashota, i cili e moderoi këtë takim, duke e paraqitur profilin krijues të poetit Lulzim Tafa, ndër të tjera, tha: “Mbi tridhjetë vjetët e krijimtarisë poetike të Lulzim Tafës që janë paraqitur në tetë libra me poezi: “Gjaku nuk bëhet ujë” (1993), “Metaforë e pikëlluar” (1995), “Planeti Babiloni” (1997) , “Vdekja çon fjalë” (1998), “I kam edhe dy fjalë” (2012), “Shtini n’dhe këto fjalë” (2015), “Flirt” (2019) dhe “Rivali i Adamit” (2024), dëshmojnë për individualitetin e një poeti që udhëtimin e tij krijues e bën vetëm me zjarrin e poezisë në shpirt”.
Më tutje, Bashota, në mesin e shumë poezive me vlerë letrare dhe estetike, në mënyrë të veçantë e dalloi triptikun poetik të Lulzim Tafës, kushtuar Nanës, duke theksuar se “tri poezitë e Lulzim Tafës për Nanën janë poezi antologjike, ndër më të bukurat, që hyjnë përbrenda hierarkisë së vlerave të poezisë së sotme shqipe, pikërisht me mrekullimin e magjisë së dashurisë për Nanën, në radhë të parë, përmes gjuhës dhe mendimit. Në këto tri poezi, burimi i emocioneve fuqizohet e dramatizohet nëpërmjet shenjave të dashurisë në çdo fazë të jetës, herën e parë dhe shenjave të mërzisë, dhimbjes, mungesës, herën e dytë, për të qëndruar gjithmonë përbrenda shpirtit të poetit. Në çdo çast është e pranishme dashuria e përjetshme dhe e pakrahasueshme për Nanën. Pra, këto elemente metaforike e simbolike janë të pranishme në triptikun poetik “Paralajmërim për ata që do t’iu vdes Nana”, “Sa shpejt më harroi Nana” dhe “Nana as sot nuk heq dorë nga lulet”. Në këtë mënyrë, Lulzim Tafa, e tejkalon perceptimin simbolik e mallëngjyes, duke e mishëruar dashurinë për Nanën përbrenda imazhit të pavdekësisë”.
Pasi e lexoi poezinë e tij të parë që e kishte shkruar, poeti Lulzim Tafa evokoi kujtime të bukura për fillimet e krijimtarisë së tij letrare, çastin e takimit me poetin Vehbi Kikaj (periudha e shkollimit fillor), pastaj me poetin Ali Podrimja (periudha e botimit të librit të parë me poezi në
edicionin botues të “Rilindjes”, por edhe takime të shumta me poetë shqiptarë, si dhe me poetë nga shtete të ndryshme të botës.
Duke u përqendruar në mënyrë të veçantë për fenomenin se si shkruan dhe pse shkruan, poeti Tafa, e vlerësoi lart artin e të shkruarit të poezisë, ndërlidhjen shpirtërore me të, madje duke i rikujtuar mendimet e tij të shfaqura edhe më herët, ndër të tjera, tha: “Poezia përcjell emocion, e emocionet te askush nuk janë të njëjta dhe askush nuk i përjeton njëjtë”. Një vëmendje të rëndësishme ia kushtoi leximit nëpër të gjitha fazat e shkollimit të tij, duke i porositur gjeneratat e reja që t’i përkushtohen sa më shumë leximit të veprave letrare. E mori shembull personal se si lexon çdo ditë nga 100 -150 poezi të poetëve të ndryshëm shqiptarë dhe botërorë. Me këtë rast, ndër të tjera, tha: “Unë në secilin rast unë jam me lexuesin. Ne shkruajnë për ta. Lexuesi ka të drejtë të lexojë dhe të mos lexojë. Ndodh që lexuesi e ndërpret leximin dhe kjo është e drejtë e njohur e tij”.
Gjithashtu, poeti Tafa, foli edhe për përkthimin, duke thënë se përkthimi i një poezie të bukur në një gjuhë tjetër, më së miri mund të bëhet nga poetët që merren edhe me përkthime, duke përmendur rastin, kur vetë kishte përkthyer disa poezi të poetit të njohur malazias, Jevrem Bërkoviq. Ndërsa për veprat e tij të përkthyera në shumë gjuhë të botës, evokoi kujtimet më të bukura nga përkthimi i veprës së tij të parë e deri më sot.
Më tutje, Tafa foli edhe për dukuri e fenomene letrare, për letërsinë përballë zhvillimeve teknologjike, për përvojën e tij krijuese, por edhe për përvojën e shkrimtarëve të ndryshëm botërorë, se si i kanë shkruar veprat e tyre, pastaj për rëndësinë e promovimit të veprave, për vlerësimin e tyre, duke iu dhënë edhe këshillave poetëve të rinj.
Në fund të takimit letrar u zhvillua një bashkëbisedim midis poetit dhe të pranishmeve, ku dominonin pyetjet për procesin e shkrimit, për frymëzimin, motivet, temat, por edhe për vlerën dhe rëndësinë e poezisë në shoqërinë e sotme
Ora e shkrimtarit u mbyll me leximin e poezisë “Vdekja e të paqenës”, të cilën këto ditë e kishte shkruar poeti Lulzim Tafa./KultPlus.com
Poeti Lulzim Tafa është ftuar në Sarajevë në manifestimin kulturor “Ditët e Sidranit”, i cili do të mbahet nga data 30 shtator deri më 5 tetor.
Ky festival mbahet në nder të 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh boshnjak, Abdullah Sidran, i cili para pak kohësh iku në amshim.
Manifestimi është organizuar nga qyteti i Sarajevës dhe Teatri Kamertal 55, në bashkëpunim me komunitetin shqiptar në Bosnje dhe Hercegovinë. Për disa ditë radhazi do të ketë aktivitete të ngjeshura kulturore dhe artistike, të cilat do t’i kushtohen jetës dhe veprimtarisë së Sidranit.
Sipas mediave boshnjake, manifestimi do të përmbyllet më 5 tetor me lexim artistik të poezive të Abdullah Sidranit dhe poetit kosovar Lulzim Tafa./KultPlus.com
I nderuar z. kryetar, z. nënkryetar, z. sekretar dhe anëtarë të Akademisë së Shkencave,
Shkëlqesia Juaj, Ambasador i Republikës së Kosovës në Shqipëri,
Të nderuar miq,
Zonja dhe Zotërinj.
Duke qenë poet me përgatitje profesionale të juristit, gjithmonë kam qenë i intriguar për ta gjetur përkufizimin më të saktë për poezinë. Kam lexuar shumë teoricienë të njohur të letërsisë, të artit në përgjithësi, estetë e filozofë të ndryshëm, dhe, në fund, përgjigja më e mirë që e kam gjetur deri më tani rrjedh pikërisht nga pyetja: “A thua do ta dimë ndonjëherë se çka është poezia?”
Edhe pse kjo pyetje vazhdon të qëndrojë prej kohësh, misionin që ka poezia, unë e kam kuptuar herët, qysh kur kam filluar të shkruaj, si fëmijë, si nxënës. Pra, atë mision që t’i bëj bashkë fjalët që kurrë më parë nuk kanë qenë pranë njëra-tjetrës dhe me to të thuhen bukur gjërat.
Pra, jo domosdoshmërisht të thotë vetëm gjëra të bukura, por e rëndësishmja, atë që e thotë, ta thotë bukur. Pra, njësoj si kur flet për jetën, dashurinë e gëzimin, ashtu edhe kur flet për vdekjen, dhimbjen e trishtimin.
Por, edhe misionin tjetër të letërsisë si një botë paralele, ta bëjë imagjinaren të duket si reale, e realen si imagjinare.
Që imagjinarja të jetë më e bukur se realja ndodh shpesh, por vetëm në raste të rralla si ky rast, ndodh që realja të jetë më e bukur se imagjinarja.
Pse e them këtë? Sigurisht jo vetëm për të përçuar një emocion të ngrohtë që unë tani e ndiej, por sepse për ne kosovarët që e kemi jetuar kohën e robërisë e të represionit, vetëm në ëndrrat tona më të bukura kemi mundur të ëndërrojmë që një ditë, të papenguar nga askush, të mund të vijmë në Tiranë, ta shohim Tiranën, ta shohim Shqipërinë, e lëre më që një kosovar apo disa kosovarë (sepse kjo Akademi ka edhe kosovarë të tjerë, të cilët janë pjesë e këtij tempulli) të jenë pjesë e institucionit më të lartë të dijes, shkencës, artit e kulturës së kombit.
Dhe, e them tani, pa frikën se mund të rrëshqas në patetizëm, pasi e them nga zemra, se për ne shqiptarët e Kosovës, Shqipëria ka qenë dhe mbetet dashuri e madhe.
Z. kryetar, z. nënkryetar, anëtarë të Akademisë, me mirënjohje dhe respekt, e pranoj këtë nderim.
Natyrisht, është privilegj i jashtëzakonshëm për mua të jem pjesë e këtij institucioni që përfaqëson arritjet më të larta të shkencës, artit dhe kulturës së kombit tonë.
Ky nder më bën të reflektoj për përgjegjësinë që ka ky anëtarësim dhe përkushtimin që duhet të tregoj, për të kontribuar në mënyrë domethënëse për avancimet e gjithanshme.
Do të angazhohem për të qenë në lartësinë e besimit që keni vendosur tek unë dhe për të punuar me pasion e përkushtim, në emër të asaj që kjo akademi përfaqëson.
Ju falënderoj për këtë nder dhe për mundësinë që më jepni për të bashkëpunuar me ju.
Me padurim po pres të ndaj idetë dhe përvojat e mia me ju dhe të kontribuoj për të ardhmen e shkencës, artit dhe kulturës shqiptare në përgjithësi, në përputhje me misionin që ka kjo akademi.
Lulzim Tafa, Rivali i Adamit, Botimet AAB, Prishtinë, 2024.
Lulzim Tafa është poet. Kjo fjali do të mund të thuhej në fund, por unë guxoj ta them në fillim, ashtu siç ai guxon të shkruajë, ashtu siç shkruan. Përmbledhja e poezive “Rivali i Adamit” e konfir mon edhe një herë, pas krejt çmimeve e çmuar- jeve, poetin Lulzim Tafa.
Rrahman Paçarizi
“Mbrëmë m’u shfaq në andërr/ Hija ime. /Vend s’kishin lënë pa e kafshuar/ Ckurril/ gjaku prej syve./ Më shih, t’përgjakur/ Ti ke faj, më tha / Duke të ndjekur ty / Më kafshuan mua.”
Kjo poezi nuk është në fillim të përmbledhjes. Programi filozofik personal i autorit Lulzim Tafa që përmblidhet në këtë poezi, më detyroi ta nxjerr në fillim, për ta nisur me këto vargje e për ta përmbyllur me një poezi tjetër të fuqi- shme, me një lirikë (Lirika për Lulin është gjith- çka, gjithçka.)
Kush s’ka folur me hijen – hija është poetike vet- vetiu dhe duket nganjëherë e frikshme, por të qenët e frikshme tregon se ajo është besnike, të ndjek të vjen pas, pa çka se kafshohet e bëhet
gjak veç pse është besnike. Morali i gjithë për- mbledhjes përqendrohet këtu, ndonëse në poezitë e tjera, sidomos në ciklin “N’zanafillë” shfytyrohen deri në përbuzje, deri në tallje ma- dje disa kode dominante të shoqërisë njerëzore. Për mua, filozofia poetike e Lulzim Tafës për mblidhet në këtë poezi programatike, e cila zë vend kah fundi i përmbledhjes, pasi ka guxuar ta shkruajë, ashtu siç e ka shkruar, ciklin “N’zana- fillë”, me çka e nis përmbledhjen e tij të fundit, duke e vendosur veten si personazhin e kontra- diktës, për t’ia mundur frikën atij/asaj që shkru- an për turmat. E Tafa nuk shkruan për turmat (se turmat i kafshojnë hijet), pasi jeton me poe- zinë – ndryshe do ta kishte tradhtuar atë.
Në planin e motiveve, Lulzim Tafa i përbuz men- talitetet e turmave, ideologjitë totalitare: “E di që Zoti është/ I gjithëmëshirshëm/ Dhe fal/ Por, shumë po tutna me vdekë/ Se një herë në Andërr/ e kam dushë/ Hazreti Havën.” Ai, përveç kontrastit që e ndërton, duke luajtur me figurën e Evës/Havës e Adamit/Ademit, arsyeton gjithçka, pasi në këtë cikël thotë se ka jetuar në një kohë me me ta, ka bërë dashuri me ta (Ideja për leqe / erdhi nga Eva/ që të mos ziheshim / me Adamin…) dhe ka bartur pasojat e përzënies nga Edeni, bashkë me ta.
Kjo tregon se Lulzim Tafa i konteston kultet, gati i tall, pasi ata janë njerëz, si ai, si ata. Molla është vetëm metafora e përzënies, është preteksti për përzënien nga Edeni, e thotë ai. Në thelb të gjithçkasë, pra, është mëkati, është kodi biblik i Kainit, edhe vetë fryt i mëkatit. E ne?!
Kodet morale, sado që i ironizon ekstremisht, e përcjellin poezinë e Lulzim Tafës, pasi ai, në fakt, nuk i tall kodet morale, por perceptimin për to, fshehjen e turmave pas tyre. Ai e sulmon menta- litetin ballkanik që mbështetet në rrenën e kre- kosjen: “Çdo i dyti mediokër qe kam taku/ E ka lexu Orwellin/ Çdo i treti/ Edgar Allan Poe-n…? Në këtë rrenë e mediokritet natyrisht që “TRA- DHTARËT Pak dallojnë nga heronjtë/ Njëjtë/ N’tela t’sharkisë/ Shpallen…”. Ata e festojnë edhe pavarësinë në mënyrën e tyre: “Sot është dita/ Kur edhe hajnat/ Dalin nëpër vorre.” Ai e ironizon sloganin “Bac u kry!” me një slogan tje- tër “Bac s’po kryhen”: “Shokët e tu janë shumë/ Shtatëdhjeteshtatëmijë/ Po shkojnë tu’ u shu- mu/” Më shumë se ideja, në këtë poezi ka fuqi gjuha “s’po kryhen”, thotë. S’po kryhen do me thënë, por e teprojnë, e kanë tepru. Semantikisht kundërvihen fort këto slogane “Bac u kry / Bac, s’po kryhen”.
Dhe, si për ironi, aty ku flitet për heronj e për shtatëdhjeteshtatëmijë trima, vjen poezia “Sllavisha me Yugo të kuqe”. Sllavisha është sinonimi i paramilitarit serb. Pasi i jep fund ironisë, Lulzim Tafa, këtu u kthehet kodeve.
Kjo poezi, për mua është shëmbëllimi i vetë Lulzim Tafës si njeri e si poet. Ashtu siç Kafka e ndërton një proces gjyqësor në një roman, Lulzim Tafa “rapor- ton” për një proces gjyqësor, ku dëshmon për Sllav- ishën pa mbiemër, por me Yugo të kuqe. Me një gra- dacion të goditur, poeti dëshmon: “Zotëri Gjykatës/ Ma dogjën shtëpinë/ (Pardon, para se të ma digjnin zemrën/ ma dogjën shtëpinë)/ Shtëpia kishte një bibliotekë/ E biblioteka plot libra”. Ai, megjithatë, mbështetur pikërisht në kode morale arrin të falë: “Zotëri Gjykatës/ Unë po i fali/ Fali edhe ti/ Se edhe këta e kanë një Zot/ E ndoshta i vret”. Në fakt, ky është besimi. Ai i beson një diçkaje më të madhe se mediokriteti njerëzor, i beson edhe fuqisë së fjalës, e poezisë. E dëshmon këtë edhe në poezinë/letrën drejtuar poetit ukrainas Dmytri Chystiak: “Fol me poetë rusë se ata/ E ndalin atë luftë./ Poezia është më e fuqishme se ushtria se lufta./ Vera Polozkova e din se/ Pushkini ishte më i fortë se Putini./ Lulzim Tafa ironizon edhe me kozmopolitët, në vazhdën e sfidimit të ideologjikëve:
“Unë jam kozmopolit/ Edhe në shtrat si në jetë/ Dallime nuk bëj./ Më kujtohet një rast/ Para lufte/ Me Tatjanën kam bërë seks/ Si me një Shqipe”. Shih oksimoronin: “Me Tatjanën kam bërë seks, si me një Shqipe”. Ai është koz- mopolit sepse ka bërë seks me Tatjanën. Me Tatjanën sllave ka bërë seks si me një Shqipe. Në ciklin e fundit poeti u këndon lisave, duke ua bërë me dije se ç’i pret – sopata, pra. “Qava për ju sonte/ deri sa ju pashë/ tek flinit në këmbë./ E di/ se jeni duke e parë në ëndërr/ Sopatën zjarrin/ Grumbulluq/ Te rrënjët/ Një gjarpër.” Ç’m’i kujton vargjet e Azem Shkrelit teksa qante për Arbërinë. Në planin e ideve, përmbledhja “Rivali i Adamit” e poetit Lulzim Tafa është programi i tij filozofik e politik. Në planin e poezisë, është konfirmim i Lulzim Tafës poet – këtë e bën përmes gjuhës, fig- urave që më shumë se në vargje shfaqen në vetë poezitë e në vetë ciklet. Rima, së cilës asnjëherë nuk i ka kushtuar rëndësi, në këto poezi i del vetiu dhe natyrshëm, brenda ritmit të cilin e ndërton duke kursyer fjalët e tepërta. Lulzim Tafa e ndien gjuhën, madje thellë, në vetë palcën e saj. Ndry- she nuk do të thoshte “s’po kryhen”, s’do t’ua vinte emrat që ua ka vënë ‘Tatjanës’ e ‘Shqipes’, s’do t’ia atribuonte Sllavishës “Yugon” e kuqe, as do t’i kërkonte gjykatës t’ia falte se ‘nashta Zoti i vret”…
Dhe krejt të fundit, qëllimshëm e nxora nga var- gu poetik poezinë “Sa shpejt më harroi Nana”. Ka nja dy vjet që kam jetu me këtë poezi. Tafa ma lexoi atë poezi një mbrëmje vjeshte në një kafene në sheshin e Prishtinës, ashtu siç Ali Podrimja na i lexonte poezitë, jo për siguri, por sepse Aliu ishte poet, e poet është edhe Luli.
Ja (se s’kam zemër me e futë në rreshtat konven- cionalë të shkrimit prozaik):.
“Nana sot e ka datëlindjen U bë katër vjeçe. Sa ngadalë u rritkan të vdekurit. Ajo tash atje është fëmijë Prindërit e mbajnë për dore Edhe andej si dikur Këndej. Vrapon pas fluturash Mbledh lule Sa shumë i donte Nana Lulet Edhe emrin ma la Lul Gati sa ma la Lule. Nana i ka katër vjet E ende nuk flet Sa herë shkoj n’vorre. Sa rand ish mos me u përgjigj Nana kur e thërret. Mundohem me e mësu Edhe njëherë me fol prej fillimi Si ajo mua dikur. Është llastu Dhe gjithë ditën rri në prehen të Nanës s’ vet Jam idhnu me ty Nanë Dije. Qysh pse? Kur të vij atje të kallxoj Ncncnc Sa shpejt m’harroi”
Tri shtyllat, tri kodet, temat, motivet e mëdha të poezisë së Lulzim Tafës janë poezia për hijen, poe- zia për Slavishën me Yugo të kuqe dhe “Sa shpejt më harroi Nana”. Te këto poezi, Lulzim Tafa që luan me secilin simbol kombëtar, fetar e njerëzor, ulet në tokë dhe derdh lot për njerëzoren, shfaqet i ndjeshëm. Gjetjet si “nana u bë katër vjeçe” janë kulmi i mërzisë që e kërkon ngushëllimin te bota e përtejshme, ku nana rilind e shndërrohet në fëmijë të cilin prindërit e mbajnë përdore. Por, ndonëse katër vjeç nana ende nuk flet, nuk përgjigjet, ndaj, fare në kulmin e mallit, ai i drejtohet: “Jam idhnu me ty Nanë/ Dije.” Pastaj kalon në delir dhe bash- këbisedon me të: “Qysh pse?”.
Në planin e figurave dhe të poetikës, edhe kjo
përmbledhje është në linjë me botimet e mëher- shme. Lulzim Tafa, tashmë ka një stil të konsol- iduar të shkrimit dhe poezitë e tij e kanë brenda vetes një fabulë. Ato në një anë janë poezi medi- tative (Sa për dijeni, andrrat nuk ishin si njerëzit/ ato kur vuajnë/vdesin), e në anë tjetër kanë fabulë (mbrëmë gjithë natën e lume/kam pa në andërr/ një andërr/tu’ lëngu)/. Dhe, kjo nuk është e leh- të për ta bërë. Në këtë pikë, ai më afrohet në një masë me poezitë e Ali Podrimjes, por më një dozë më të theksuar të ironisë, me krahasim e
kundërshti më të theksuar. Masa, preciziteti më të cilin ky autor arrin ta kombinojë fabulën (za- konisht të thurur si thënie popullore) me inten- sitetin e ironisë dhe kundërshtisë e krahasimit të theksuar, mendoj se janë elementet të cilat e bëjnë efektin e tyre te lexuesi. Dhe, këto i them mbështetur në një periudhë të gjatë kohore sa e përcjell Lulzim Tafën në rrugëtimin e tij po- etik. Në anë tjetër, ndonëse nuk e synon ritmin e rimën, në shkallën që këtë e bëjnë poetët e ndi- kuar nga teoritë letrare, ai arrin ta kapë ritmin me një saktësi të çuditshme, edhe pse shpesh, duke e këputur vargun teknikisht, sikur mundohet t’i bëjë bisht ritmit, sikur përpiqet ta shpërqendro- jë lexuesin nga ritmi për ta zhytur brenda ideve. Dhe, ky është qëllimi i vetëm që fatmirësisht, Lulzim Tafa nuk e arrin kur shkruan poezi – nuk arrin të të shpërqendrojë ritmikisht – natyrisht që kjo është një cilësi e të shkruarit. Ritmi e rima janë elemente mnemotike që e gërvishtin mem- orien dhe mbeten aty përgjithmonë.
Gjithsesi, edhe kjo shkëputje, edhe prerjet e
tjera janë në funksion të “rrëfimit” poetik, me ç’rast poeti Lulzim Tafa duke rrëfyer ta vë një pritë dhe të pret aty për të të befasuar, si një element i rëndësishëm i poezisë së këtij lloji.
Në anë tjetër, në poezinë lirike, Lulzim Tafa më përafrohet me Azem Shkrelin, në kuptim të ndje- sisë e mendjemprehtësisë – ndjesisë që e bën ta lëshojë veten krejt përtokë për ta përjetuar një situatë narrative dhe mendjemprehtësisë për ta shtrënguar telin e kitarës aq sa të nxjerrë tingu- llin më të bukur, por jo aq sa s’do të mbante më. Dua, ta ritheksoj se figurshmëria e përshkon të gjithë poezinë e Lulzim Tafës dhe kjo fig- urshmëri nuk ndalet te raporte fjalësh brenda një vargu apo në raporte ndërmjet vargjesh – kjo figurshmëri e përfshin poezinë si të tërë secila është qoftë figurë më vete, qoftë tufë figurash të goditura, të mbështetura më shumë në semantikë, sesa në raport fjalësh të figurshme.
Përfundimisht, me këtë përmbledhje, Lulzim Tafa
dëshmon siguri në të shkruarit e poezisë, guxim për trajtimin e temave në mënyra ndonjëherë tronditëse, duke shpërfillur masat e besimet dhe rikonfirmon një stil krejt të veçantë të të shkruarit të poezisë, pa u kornizuar brenda te- orish letrare dhe pa u ndikuar nga modele të të shkruarit.
Luli e ndien poezinë e jeton me të: “Sa thellë shti duart/i ka në mua sonte/thellë/shumë thellë/ te rrënjët e idhnimit”.
Dhe, krejt në fund, më lejoni të rithem: Lulzim Tafa është poet!/KultPlus.com
Kolegji AAB, sot ka organizuar një ceremoni të veçantë me rastin e ditës së lindjes të poetit dhe studiuesit Agim Vinca, duke e nderuar me titullin “Profesor Nderi”.
Ceremonia u mbajt në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB, ku u vlerësua kontributi dhe roli i rëndësishëm që Vinca ka dhënë në arsim, kulturë dhe shkencë. Prorektorja e Kolegjit AAB ndërsa moderoi këtë ngjarje, e cilësoi Vincën si emer të dijes dhe frymëzimit, duke shtuar se kontributet e tij në arsim dhe letërsi kanë lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në qarqet akademike por edhe përtej.
Rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri, në fjalën e tij të rastit përshëndeti të pranishmit dhe tha se institucioni jep vlerësime të rezervuara për individë me merita të jashtëzakonshme, ndërsa përmendi personalitetet e shquara që kanë marrë titullin “Profesor Nderi” deri tani.
“Profesor Vinca, duke ju dhënë titullin “Profesor Honoris Causa”, ne ju njohim jo vetëm talentin e jashtëzakonshëm letrar, por edhe kontributin e madh në arsim si dhe angazhimin e palëkundur në kërkimin e së vërtetës, të bukurës dhe të drejtësisë. Ju, duke pranuar këtë titull, na nderoni edhe ne si kolegë e si institucion, ku gjithashtu keni dhënë kontributin tuaj si profesor, por edhe si anëtar bordi”, u shpreh rektori Olluri.
Poeti i mirënjohur Lulzim Tafa, solli disa nga kujtimet më të bukura që ka me Vincën si një mik i tij, por edhe figurë e dalluar në fushën e poezisë. Ai citoi disa vargje dhe tha se zëri i tij ishte i lartë dhe i fuqishëm edhe kur ka qenë vështirë të flitej. Kurse figurën e tij Tafa e cilësoi si shumëdimensionale me veçori të dallueshme.
Profesori Bedri Zyberaj, pati një përmbledhje për profilin e Agim Vincës si pedagog dhe studiues i letërsisë. Ai kujtoi kohët kur Vinca u zgjodh si “profesor ordinar”, deri tek veprimtaria e tij e bujshme që nderohet edhe në ditët e sotme.
Vinca, përshëndeti të gjithë që ishin prezent në Teatrin Kamertal dhe kujtoi themelimin e Kolegjit AAB, deri tani si një gjigant në fushën e arsimit.
“Lidhjet e mia me AAB-në janë të hershme dhe mund të them se jam edhe bashkëthemelues i institucionit, që sot është shndërruar në një gjigant falë punës dhe përkushtimit nga stafi dhe udhëheqësit”, tha ai.
Gjithashtu, ai ndau edhe përvojën si profesor në Kolegjin AAB, ku shtoi se për studentët çdoherë këmbëngulte të kishin tri elemente: dije, kulturë dhe ethos, sepse sipas tij janë më të rëndësishmet për formimin e karakterit të njeriut.
Në fund të ceremonisë rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri dhe poeti Lulzim Tafa, i ndanë titullin “Profesor Nderi” Vincës me motivacion: “Për kontributin e dhënë në arsim, kulturë dhe shkencë, si dhe për meritat e jashtëzakonshme për artin dhe letërsinë ndërkombëtare”.
Në këtë ngjarje pati edhe recitime të poezive të autorit nga artistët Fitnete Tuda, Arta Lahu dhe Alban Zogaj, të shoqëruar nga kitaristi Riad Ramadan,i si dhe këngë të vjetra shqipe nga Ermal Demiri./ KultPlus.com
Asambleja e Përgjithshme e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ka njoftuar se gjatë ditës së sotme ka zgjedhur anëtarë të jashtëm të akademisë Mira Muratin që është kryeshefe në OpenAI dhe poetin e njohur Lulzim Tafa.
Mira Murati, është një nga shqiptaret më me ndikim në fushën e teknologjisë, e cila u bë e njohur për publikun botëror për rolin e saj në inteligjencën artificiale (AI) dhe sukseset e arritura në fushën e teknologjisë, si kryeshefe në OpenAI.
Ndërsa, poeti Lulzim Tafa, është i njohur për artin e tij, si njëri ndër poetët shqiptarë më të përkthyer në botë, njëherësh laureat i shumë çmimeve ndërkombëtare. Ai ka fituar dhjetëra çmime prestigjioze ndërkombëtare për letërsi, ndërsa mban shumë tituj nderi në akademi e universitete botërore. Së fundmi, Lulzim Tafa, u dekorua edhe nga presidenti francez, Emanuel Macron, me dekoratën “Oficer i Urdhërit Kombëtar të Letrave dhe Arteve”, që është dekorata më e lartë të cilën shteti francez e ndan në fushën artit dhe letërsisë.
Krahas Mira Muratit e Lulzim Tafës, në Asamblenë e Përgjithshme të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si anëtarë të saj u zgjodhën edhe Lea Ypi, Gëzim Alpio dhe Angjelin Perljucaj./KultPlus.com
Poeti i njohur kosovar, Lulzim Tafa, është duke marrë pjesë në takimin e 56-të ndërkombëtar të shkrimtarëve në Bled të Sllovenisë, i organizuar nga PEN Qendra e Sllovenisë dhe Komiteti i Shkrimtarëve për Paqe.
Përmes një postimi në profilin e tij në facebook, ai ka njoftuar do ta përfaqësojë PEN Qendrën e Kosovës, ku edhe do të mbajë një fjalim në Asamblenë Gjenerale të Komitetit të Shkrimtarëve për Paqe.
“Sot erdha në Bled të Sllovenisë për të marr pjesë në takimin e 56-të ndërkombëtar të shkrimtarëve, i organizuar nga PEN Qendra e Sllovenisë dhe Komiteti i Shkrimtarëve për Paqe. Në këtë takim që do të zgjasë tre ditë, ku do të marrin pjesë shkrimtarë nga shumë vende të botës, unë do ta përfaqësoj PEN Qendrën e Kosovës dhe do të mbaj një fjalim në Asamblenë Gjenerale të Komitetit të Shkrimtarëve për Paqe. Në këtë takim do të flasë edhe Kryetarja e Parlamentit të Sllovenisë, Zonja Urška Klakočar Zupančič”, ka shkruar Tafa.
Takimi i 56-të ndërkombëtar të shkrimtarëve në Bled të Sllovenisë do të zhvillojë punimet për tri ditë, nga 16 deri më 18 prill. /atvlive/KultPlus.com
Poeti i njohur nga Kosova, Lulzim Tafa, këto ditë, nga presidenti i Francës Emmanuel Macron, është dekoruar me urdhrin e lartë të këtij vendi “Oficer i Urdhrit Kombëtar të Letrave dhe Arteve”.
Kjo është Dekorata më e lartë që deri më tash i është dhënë ndonjë shkrimtari a artisti në Kosovë.
Me këtë rast PEN Qendra e Kosovës e uron Lulzim Tafën për marrjen e këtij çmimi prestigjioz dhe e falënderon Francën për përzgjedhjen e anëtarit të PEN Qendrës për dhënien e kësaj Dekorate.
PEN Qendra e falënderon Lulzim Tafën për kontributin që ka dhënë në këtë Asociacion dhe i dëshiron edhe çmime e dekorata të tjera në fushën e artit në të cilën ai shquhet-poezi./ KultPlus.com
Vetëm pak ditë pasi Presidenti Francez, Emanuel Makron e dekoroi në Tiranë shkrimtarin Ismail Kadare me urdhërin “Oficier i Madh i Legjionit të Nderit”, Ministrja e Kulturës së Francës, Rima Abdul Malak e ka nënshkruar dekretin me të cilin i akordon poetit të mirënjohur kosovar, Lulzim Tafa, dekoratën ”Oficier i Urdhërit Kombëtar të Letrave dhe Arteve”.
Kjo është dekorata më e lartë që shteti francez e jep në fushën e artit dhe letërsisë dhe po ashtu është edhe dekorata më e lartë që ndonjë artist apo shkrimtar nga Kosova e ka marrë deri më tani nga shteti francez. Me këtë dekoratë Franca nderon personalitete të shquara franceze dhe ndërkombëtare për të arritura në fushën e artit dhe të letërisisë.
“Urdhërin Kombëtar të Letrave dhe Arteve” e ndanë Ministria e Kulturës së Francës dhe nga viti 1957 dhe është nën patronatin e Presidentit të Republikës së Francës.
Lulzim Tafa është njëri ndër poetët kosovarë më të njohur në botë, veprat e të cilit janë përkthyer në rreth tridhjetë gjuhë të botës. Tafa nga kritika letrare botërore është cilësuar si një ndër poetët kryesorë postmodernistë të Evropës, ndërsa përmes librave të tij është mjaftë i njohur edhe për lexuesit në Francë.
Kohët e fundit, Lulzim Tafa, është bërë i njohur edhe për artin e tij në shërbim të paqes. Ai u bë shumë i njohur para shpërthimit të luftës në Ukrainë me poezinë ”Fol me poetët rusë” si dhe me letrat dërguar shumë artistëve dhe shkrimtarëve rusë me lutjet që të ndikojnë te politika që ta parandalojnë luftën.
Si rezultat i përpjekjeve të tij anti luftë me anë të poezisë ai është nderuar nga shumë institucione kulturore e arsimore edhe në Ukrainë si dhe është dekoruar edhe nga Patriarku i Ukrainës, Patriarku Filaret me urdhërin “Yuri i Shenjtë Fitimtar”.
Lulzim Tafa po ashtu ka fituar shumë çmime prestigjioze ndërkombëtare, mban shumë tituj nderi në akademi dhe universitete ndërkombëare.
Ndër të tjera është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Evropës si dhe anëtar i Akademisë së Shkencave, Arteve dhe Letërsisë në Paris.
Ceremonia e dekorimit të poetit Lulzim Tafa me urdhërin “ Oficer i Letrave dhe Arteve” do të bëhet me ceremoni zyrtare në Rezidencën Franceze në Prishtinë. /KultPlus.com
Luftërat dhe katastrofat njerëzore, siç është ajo që po ndodh në luftën mes Izraelit dhe Palestinës ka vënë në pah fuqinë e madhe të fjalës së shkruar.
Poetja e famshme Izraelite Tsipi Sharoor i ka drejtuar një kërkesë të veçantë poetit të njohur kosovar, Lulzim Tafa, në profilin e tij në Facebook, për të shkruar një poezi dedikuar luftës në Izrael.
Poezia e Tafës ka demonstruar ndikimin e saj të madh në shpërndarjen e mesazhit të paqes, siç ka bërë edhe në rastin e luftës në Ukrainë. Kjo thirrje për të shkruar një poezi lidhur me konfliktin në Izrael është një kërkesë për ndërhyrje artistike të poetit të mirënjohur kosovar i cili ishte i bërë shumë i njohur në botë me poezinë e tij të famshme “Speak to Russian Poets” (Fol me poetët Rusë), që poeti Tafa e kishte shkruar pak para fillimit të luftës në Ukrainë, meqë rast ai kishte marr shumë nderime nga Ukraina, përfshi edhe dekoratën më të lartë të Patriarkut të Shenjtë të Ukrainës, Patriarkut Filaret.
Lulzim Tafa është njëri nga poetët më të njohur kosovar në botë, veprat e të cilit janë përkthyer në dhjetëra gjuhë botërore./ KultPlus.com
Poeti i njohur kosovar, Lulzim Tafa ishte i ftuar si mysafir nderi në Kongresin Botëror të Poetëve, shkruan KultPlus.
Përmes poetit Lulzim Tafa, letërsia shqipe u bë pjesë e këtij Kongresi, i 42-ti me radhë, ku sivjet për herë të parë u mbajt në një anije gjigante ku morën pjesë poetë nga mbarë bota.
Kongresi nisi në Romë-Itali dhe lëvizi bashkë me vargjet e poetëve nëpër ujërat e Mesdheut, në Maltë, në Greqi për tu kthyer përsëri në Itali.
Në ditën e fundit të këtij Kongresi, një nderim i madh ju bë poetit Lulzim Tafa, ku në mesin e qindra poetëve nga e mbarë bota, poeti kosovar ishte njëri nga 8 poetët që Kongresi i nderoi me titullin më të lartë “Doctor of Literature”.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Tafa, teksa është shprehur i nderuar për këtë vlerësim që i është bërë.
“Të nderuar miq! Një nderim i madh mu bë në ditën e fundit të Kongresit Botëror të Poetëve. Në mesin e qindra poetëve nga e mbarë bota, isha njëri prej 8 poetëve që Kongresi i Nderoi me titullin më të lartë “Doctor of Literature””, shkruan Tafa. / KultPlus.com
Poeti i njohur kosovar, Lulzim Tafa do të jetë i ftuar si mysafir nderi në Kongresin Botëror të Poetëve, shkruan KultPlus.
Ky kongres, i 42-ti me radhë, sivjet për herë të parë mbahet në një anije gjigante dhe do të marrin pjesë poetë nga mbarë bota.
Kongresi do nisë në Romë-Itali dhe do të lëvizë bashkë me vargjet e poetëve nëpër ujërat e Mesdheut, në Maltë, në Greqi dhe përsëri do të kthehet në Itali.
“Poezia mbi ujë”, shprehet poeti Lulzim Tafa teksa tregon që është i lumtur që do të jetë pjesë e kësaj eksperience e njëkohësisht për faktin që në këtë kongres do të jetë prezente edhe letërsia shqipe.
“Jam i lumtur që do t’i takoj shumë nga miqtë e mi poetë nga të gjitha anët e globit, po ashtu jam i lumtur që në këtë kongres do të jetë prezente edhe letërsia jonë”, shprehet Tafa.
Kongresi Botëror i Poetëve do të mbahet më datë 22 deri më 29 shtator. / KultPlus.com
Lulzim Tafa është zgjedhur anëtar i jashtëm i Akademisë boshnjake të Shkencave dhe Arteve, përcjell KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Tafa nëpërmjet një postimi në Facebook.
Në vijim gjeni postimin e plotë të tij:
Të nderuar miq!
Akademia Boshnjake e Shkencave dhe Arteve më ka njoftuar se kuvendi i kësaj Akademie më ka zgjedhur anëtar të jashtëm të saj.
Sarajeva është një nga metropolet kryesore të kulturës në Evropë, dhe mua më ka nderuar gjithmonë.
Në vitin 2012 është botuar libri im në gjuhën boshnjake, me një parathenje të Abdulla Sidranit, i cili më ka bërë shumë të njohur te lexuesit atje. Në gusht do të jem në Sarajevë, për të marr pjesë në ceremoninë e promovimit të anëtarëve të rinj të Akademisë./KultPlus.com
Poeti s’i vinte kurrë Pikë vargut Por kur u mbush Mall mërgimtarësh një ditë Ajo pikë i ra në zemër. U ngut të ateronte në Kosovë dhe nga sot vdekja u bë lirikë e bukur poeti nuk vdiq veçse i ra pika e vargjeve në zemër
Plotësim i autorit Lulzim Tafa për poezinë
“Lament” e kam shkruar para 26 viteve, ditën që Azem Shkreli “kapërceu vigun dhe vajti” (24 maj 1997), ditë e shtunë. Duket që Azemi e ka parandierë vdekjen e vet në ditën e shtunë, derisa ka një varg poezie ku thotë “Mund të jetë e shtunë pas tërë një të premteje”/ KultPlus.com
Poezia është pikturë që dëgjohet” – ishin fjalët e Leonardo da Vinҁit me të cilën filloi “Ora e Poezisë” në The British Shool of Kosova. E shënjuar në kuadër Ditës së Poezisë, kjo ngjarje mblodhi nxënës, profesorë, poetë dhe familje të poetëve tashmë të ndjerë. “21 marsi – Dita e Botërore e Poezisë, u festua dje e po vazhdon të shënohet edhe sot e shpresoj që poezia të jetë emër kuptimi gjatë tërë vitit.
Po, sepse ky art fin do të jetë vazhdimësi e kulturës që e krijuam me shekuj”, tha ndër të tjera drejtori i BSK Lulëzim Tytynxhiu, i cili shtoi se ne si shkollë, jemi munduar që letërsinë, veҁmas poezinë si art i zgjedhur jo vetëm ta kemi të rëndësishëm në orët e letërsisë, por edhe të jetë jo vetëm stoli e bukur e ngjarjeve të shkollës por edhe vlerë e kuptim e lëndëve të letërsisë shqipe, të letërsisë angleze dhe letërsisë gjermane”.
Poetët e njohur Lulëzim Tafa dhe Ilire Zajmi lexuan vargje nga krijimtaria e tyre, ndërkaq edhe ju përgjigjën pyetjeve të shumta të nxënësve dhe të profesorëve.
Nxënësit: Orgesa Gashi, Inesa Petroshani, Tuba Hasani, Eliza Hoti dhe Puhiza Rafuna interpretuan vargje nga poetët: Azem Shkreli, Ali Podrimja, Edi Shukriu, Ramadan Musliu dhe Basri Ҁapriqi. Pjesë në kitarë u interpretua nga Ëmbla Tytynxhiu, kurse pikë muzikore nga tradita arbëreshe interpretoi Nida Shulemaja. Në sond u pëlqyen vizatime e portreteve të poetëve nga nxënësit Sara Abdullahu dhe Jon Dobruna, në përkujdesje të profesoreshës së arteve pamore Fjolla Ferati, kurse ngjarja ishte projekt i poetes Naime Beqiraj e cila po ashtu edhe e moderoi aktivitetin. Në fund, pjesëtaret e familjeve të poetëve të ndjerë: Podrimja, Musliu dhe Ҁapriqi, falënderuan organizatorët për këtë aktivitet interesant, dhe për dashamirësinë që treguan në këtë ditë që të mos harrohen poetët e ndjerë. / KultPlus.com
Poeti Lulzim Tafa ka njoftuar që ka pranuar dekretin për emërimin e tij si anëtar nderi i Bordit në Këshillin e Ambasodrëve Shqiptar, përcjell KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur Tafa përmes një postimi në “Facebook”, ku thotë se ndihet i nderuar që Këshilli i Ambasadorëve Shqiptar e ka vlerësuar punën e tij të deritanishme në fushën e diplomacisë kulturore.
Postimi i tij i plotë:
Sot në Tiranë, nga shkrimtari Besnik Mustafaj, Kryetar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptar dhe ish ministër i punëve të jashtme të Shqipërisë, pranova dekretin për emërimin tim, anëtar nderi i Bordit në Këshillin e Ambasadorëve Shqiptar.
Ndihem i nderuar që Këshilli i Ambasadorëve Shqiptar e ka vlerësuar punën time të deritanishme në fushën e diplomacisë kulturore.
Pas kësaj ngjarje, do të marr pjesë edhe në promovimin e librit “BITCOIN & KRIPTO-MONEDHAT” të autorit, Prof. Dr. Adrian Civici./ KultPlus.com
Poeti Lulzim Tafa ka njoftuar se partiarku i shenjtë i Ukrainës Filaret e ka nderuar me urdhërin “Yuri i shenjtë Fitimtar”, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur Tafa përmes një postimi në “Facebook”, ku thotë se ndihet i nderuar për këtë, ku përmes fjalës si “armë” kryesore në luftën që po ndodh në Ukrainë, ka ndikuar qoftë edhe pak me poezitë dhe shkrimet e tij.
Postimi i tij i plotë:
“Unë nuk kam bërë asgjë për Ukrainën, poezia dhe ato letra ishin vetëm një klithje. Të nderuar miq, me dekretin Nr.702 Patriarku i Shenjtë i Ukrainës Filaret më paska nderuar me urdhrin “Yuri i shenjtë Fitimtar”. Patriarku është udhëheqësi shpirtëror i miliona Ukrainasve dhe personaliteti me ndikimin më të madh në Ukrainë, bashkë me Presidentin Zelenski. Para kësaj, unë jam nderuar edhe nga disa institucione akademike e kulturore atje. Unë nuk bëra asgjë për Ukrainën, vetëm shkrova disa vargje dhe iu drejtova poetëve me disa letra, kaq munda dhe kaq bëra. Fjala ishte e vetmja armë që kisha për ta drejtuar kundër kësaj lufte. Populli i Ukrainës po përjeton momente të vështira dhe duket se edhe fuqia e fjalës u ka mjaftuar për të më bërë gjithë këto nderime. Një mik imi poet në Kiev më tha se gjatë liturgjisë kryesore në lutjet e javës, në mesin e personaliteteve botërore, për të cilët besimtarët janë lutur atje, ka qene edhe emri im. Kjo më ka nderuar më shumë se çdo gjë tjetër”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com