Rijetësimi i Kino Lumbardhit, finalist i çmimeve prestigjioze evropiane

Fondacioni Lumbardhi i Kosovës, është përzgjedhur si finalist i çmimeve prestigjioze “New European Bauhaus Awards” për vitin 2023!

Procesi i rijetësimit të Kino Lumbardhit, kinemaja emblematike e Prizrenit, është vlerësuar në mesin e 61 projekteve, nga mbi 1450 aplikime, në kategorinë tematike “Rifitimi i ndjenjës së përkatësisë”, nën shtyllën “New European Bauhaus Education Champions”.

Ky ishte një vlerësim i madh për angazhimi 8-vjeçar për rijetësimin e Kino Lumbardhit.

Ky nominim fokusohet në iniciativa në edukim dhe të mësuarit, në rastin e Lumbardhit, me theks në procesin e të mësuarit në ndërtim institucional, angazhim të komunitetit dhe pronarëve, si dhe trajtim të trashëgimisë kulturore dhe mjedisit të ndërtuar.

Fituesit e “NEB Awards 2023” do të shpallen në datat 21-22 qershor 2023, në Bruksel. Publiku pati mundësinë të votonte për tre projekte fituese përmes votimit online, votim i cili mbyllet sot.

Kinemaja Lumbardhi u krijua në 1952 në Prizren. E hapur si pjesë e një ndërtim modern kulturor në një shtet të sapokrijuar, fillimisht funksionoi si një kinema e brendshme. Në vitin 1959, kinemaja në ambient të hapur u vu në dispozicion të publikut. Deri në ndërhyrjen ushtarake në 1999, Lumbardhi funksiononte si një kinema e cila qeverisej si institucion publik i vetë-menaxhuar./atsh/KultPlus.com

Bendi indian “The Tapi Project” rikthehet te Lumbardhi

Lumbardhi ka paralajmëruar rikthimin e bendit indian “The Tapi Project” në bashkëpunim me Ansamblin Eksperimental të Lumbardhit, të shtunën me 3 shtator, me fillim nga ora 21:00 në Kino Bahçe.

Muzika dhe poezia e Tapi Project vijnë përmes kulturave dhe nënkulturave të Indisë moderne dhe përvojave të botës moderne gjithnjë në ndryshim. Performancat e tyre të drejtpërdrejta  janë një amallgamë ku shkrihen modernja me të lashtën dhe traditat e rrënjosura në realitetin gjithnjë në ndryshim të së tashmes.

Për më tepër, muzika e Tapit është e endur si pëlhurë, e rritur në mënyrë organike nga poezitë e Jogive. Nëpërmjet zërit të fuqishëm dhe sensual të Swatit, teksti gjallërohet, duke na gëlltitur në një oqean emocionesh përmes këndimeve mbi historitë për lumenjtë, jetën e brishtë, vlerat e humbura dhe në thelb, kërkimin universal të vetvetes.

I shoqëruar nga Ansambli Eksperimental i Lumbardhit, inicuar nga Ilir Bajri, e i përbërë nga Adorel Haxhiaj, Arian Randobrava dhe Pleurat Doli, Tapi rikthehet në Prizren dhe mëton të ndërthurë ndikime të ndryshme kulturore, muzikore dhe dikotomike të jetës, nga India dhe bota e gjerë e deri te ngjyrat muzikore të Kosovës.

Së bashku, kjo bisedë zanore krijon një performancë të titulluar AIKYA, që do të thotë njëshmëri.

Performanca do të paraprihet nga një eksperiencë kulinare Kosovaro-Indiane dhe nga muzika që na përgatitë për këtë rrugëtim të veçantë me fillim nga ora 20:00.

Kjo natë mundësohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kuadër të programit LXX. / KultPlus.com

Michelle Gurevich me koncert debutues te Lumbardhi në Prizren

E njohur edhe me emrin e saj të dikurshëm të skenës Chinawoman, Michelle Gurevich është këngëtare dhe kantautore kanadeze muzika e së cilës është e ndikuar nga trashëgimia e saj ruse dhe është përshkruar si rock i ngadalësuar dhe “lo-fi pop”.

Duke manovruar mes retro motiveve madhështore dhe një sinqeriteti befasues, këngët e Michelle Gurevich janë tragjikomike, të drejtuara nga melodia, sentimentale dhe të pezulluara në hijeshi. Ajo ndërthurë humorin me realizmin e errët në baladat e mjegullta dhe intime të lëvruara me tekste prerëse dhe fataliste.

Me performanca që rregullisht mbushin sallat në qytete si Stambolli, Berlini, Varshava dhe Athina, Michelle zë vend të veçantë në diasporën e Evropës Lindore, skenën queer të Berlinit dhe ato me shije për baladrinë melodramatike të Charles Aznavour, Zeki Müren dhe Nikolai Sliçenko.

Michelle Gurevich ka prodhuar gjashtë albume në studio dhe së fundmi ka publikuar këngën e saj më të re “Goodbye My Dictator”, duke krijuar referenca të forta me trashëgiminë e saj dhe situatën aktuale politike në Ukrainë.

Biletat për koncert mund të blihen te Kino Lumbardhi në Prizren, në Bubble Pub në Prishtinë dhe në Radio Bar në Tiranë.

Koncerti i Michelle Gurevich te Lumbardhi mbështetet nga Banka Raiffeisen në Kosovë. / KultPlus.com

“Lumbardhi prezanton: MALIBU”, ngjarja unike muzikore që shënon 70 vjetorin e Kino Lumbardhit

Lumbardhi prezanton: MALIBU është një ngjarje unike muzikore që hulumton dhe ndërlidhë përvojat tingullore me ato të filmit, përbrenda programit aktual LXX që shënon 70-vjetorin e Kino Lumbardhit.

Malibu është një muzikante elektronike franceze, puna e së cilës lundron mes ambientit dhe eteriales. E frymëzuar nga vokalet e buta jehuese dhe zhvillimet e akordeve melodike, tingulli i Malibu është zhytës, si në një det me tela dhe kore sintetike. Krijimet e saj muzikore, qasja ndaj shkrimit dhe përformanca njësuese audiovizive mund të konsiderohen lehtësisht kinematografike, nxitëse dhe emocionale.

Kjo përvojë e mbushur me një atmosferë të veçantë do të paraprihet nga një shfaqje speciale filmike dhe do të pasohet nga një sesion përmbyllës muzikor.

E dielë – 12.06.2022
22:00
Kino Lumbardhi / KultPlus.com

MKRS: Shtatë dekada nga hapja e kinemasë Lumbardhi, në Prizren

Në kuadër të programit për 70 vjetorin e themelimit të Kino Lumbardhit u promovua libri “Lumbardhi: një histori episodike” dhe filloi programi i filmit LXX në Kino Bahçe.

Në këtë ngjarje morën pjesë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, zëvendësministri, Sejnur Veshall dhe këshilltarët Nora Arapi Krasniqi dhe Onur Canhas.

Ministri Çeku në fjalën e tij bëri të ditur rëndësinë shoqërore dhe historike të kinemasë Lumbardhi si aset në mbrojtje të shtetit, i cili trajtohet me prioritet nga ana e Ministrisë së Kulturës, në kuadër të programit të restaurimeve dhe të reformimit ligjor të institucioneve të kulturës dhe kinematografisë, ndërsa theksoi përkushtimin institucional që kjo kinema të vazhdoj të ruaj vlerat e saj dhe funksionin në shërbim të komunitetit dhe shoqërisë.

Fjalën e morën edhe drejtoresha e Qendrës Filmike të Sarajevës, Ines Tanović, si dhe kuratorët e programit të filmit.

Ngjarja vazhdoi me promovimin e librit “Lumbardhi: një histori episodike” nga Bengi Muzbeg dhe Tevfik Rada, i mbështetur nga Ministria e Kulturës, libër ky që flet për takimin dhe ndërveprimin mes Kino Lumbardhit dhe Prizrenit, prej rrethanave që sollën te hapja e kinemasë në vitin 1952 e deri te ndalja e aktivitetit pas falimentimit të ndërmarrjes shoqërore “Kino Bistrica” në fillim të shekullit të ri.

Në Kino Bahçe programi do të vazhdojë deri në muajin shtator, me mbi 40 shfaqje filmike të prezantuara në orare dhe formate të ndryshme, thuhet në postimin në Facebook të MKRS-së. /KultPlus.com

Lumbardhi lanson ‘Pluhurosur’ nga Somer Şpat

Në kuadër të programit QARK, Lumbardhi prezanton projektin “Pluhurosur” nga Somer Şpat, përcjellë KultPlus.

Pluhulosur, përmes një libri që është punim dore nga vet artisti, sjellë në jetë një histori imagjinare të qytetit të Prizrenit, të krijuar përmes karaktereve fiktive, kapitujve të bazuar në imazhe arkivore, ditarëve dhe copëzave nga gazetat, duke mjegulluar kështu kufijtë mes reales dhe trillimit.

Pluhurosur filloi si një projekt kërkimor artistik mbi rëndësinë shoqërore të fotografive dhe historive të tyre nga vitet e 60-ta dhe të 70-ta në Prizren.

Lansimi i librit të bëhet në Kino Bahçe me 24 prill, nga ora 16:00.

QARK është format bashkëpunimi me artistë, hulumtues dhe kuratorë për të korresponduar me kërkimet dhe programet e Lumbardhit. Duke përdorur procesin bashkëpunues si një mjet të të mësuarit kolektiv, QARK synon t’i formësojë mënyrat në të cilat Lumbardhi operon, zgjerohet dhe angazhohet me komunitetin artistik dhe kërkimor.

QARK u përkrah nga Fondi Ndërkombëtar i Ndihmës i Zyrës Federale të Punëve të Jashtme Gjermane, Instituti Goethe dhe partnerë të tjerë. / KultPlus.com

Rreshjet e shiut nxjerrin në pah mbeturinat në Lumbardh të Deçanit (Foto)

Gjatë ditës së sotme ka mbretëruar një mot i ligë në Komunën e Deçanit, ku si pasojë disa fshatra të kësaj komune janë më të dëmtuar, si dhe penda e lumit Lumbardh, shkruan KultPlus.

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka pasqyruar gjendjen në këtë komunë, derisa ka thënë se disa fshatra janë më të dëmtuara, por që janë mobilizuar institucionet gjegjëse.

Shiu që ka rënë gjatë ditës së sotme ka vënë në pah edhe mbeturinat në Lumbardh të Deçanit duke krijuar kështu pamje jo të mira.

KultPlus ka siguruar fotografi nga qytetarët e kësaj komune që kanë treguar për gjendjen e këtij lumi.

Më poshtë gjeni fotot./ KultPlus.com

Vesna Pisaroviq performon në Lumbardh më 19 korrik

Këngëtarja kroate e pop dhe jazz Vesna Pisaroviq e shoqëruar nga ansambli i saj muzikor do të performojë në Lumbardh më 19 korrik në orën 21:00.

Pisaroviq do të performojë për herë të parë në Kosovë me një eksplorim ironik të trashëgimisë së muzikës jugosllave pop të viteve 1950 dhe 1960, The Great Yugoslav Songbook që bashkon një kombinim të zhanreve muzikore dhe i dekonstrukton ato të ngjasojnë me një montazh të veçantë muzikor.

“Përfshirë baladat e bendeve të mëdha dhe hitet e Eurovisionit, meloditë franceze dhe Schlagers italiane, meloditë tronditëse të shkrehura dhe meloditë eksperimentale të rokut, së bashku me ritmet latine të Mesdheut, projekti zhveshet dhe manipulon tingujt. Në këtë kornizë, në vend që të shfaqet e vjetra, formohet një krijim i ri i të kaluarës”, thuhet në njoftim.

Duke performuar për herë të parë te Lumbardhi, zëri i këngëtares Vesna Pisaroviq dhe ansambli i saj i partnerëve muzikor përfshirë Giorgio Pacorig në piano, Zeno de Ross në bateri dhe Romano Todesco në bas , do të sjellë në jetë një koleksion të improvizimit dhe eksperimentimit të xhazit.Koha.net

Chrysta Bell ndalet në “Lumbardh” në turneun e saj për “Feels Like Love”

Përmes një njoftimit për media, “Lumbardhi” thotë se ka kënaqësinë të prezantojë paraqitjen e parë të këngëtares dhe kompozitores amerikane Chrysta Bell në Kosovë, në kuadër të turneut Feels Like Love 2019 dhe episodit të dytë të Lumbardhi n’Behar.

“Performuesja, këngëtarja dhe aktorja nga Austin i Texasit, Chrysta Bell, e njohur gjerësisht për punën e saj bashkëpunuese me regjisorin David Lynch, përfshin elemente dinamike teatrale dhe kalon disa stile muzikore në përvoja të paharrueshme të performancës. Duke bashkëpunuar me Lynch, Bell nuk ka prodhuar vetëm muzikë me regjisorin dhe producentin, por gjithashtu luajti edhe në ringjalljen e vitit 2017 të shfaqjes televizive ‘Twin Peaks’”, thuhet në njoftimin për media nga Lumbardhi në Prizren,

“Me lansimin e albumit të saj ‘Feels Like Love’ më 5 prill, tingulli i saj i ri gjen artisten në një territor më të errët, me ndikime të new wave, post-punk dhe disko”, thuhet më tej aty.

Lumbardhi, përmes njoftimit bën me dije se performancës së këngëve të albumit të fundit të Bell, do t’i paraprijë Blerta Kosova e cila do të hapë mbrëmjen me performancën e saj të veçantë eksperimentale elektronike me sensacionet intensive, ëndërruese dhe sentimentale akustike.

Biletat për koncertin mund të gjenden te Lumbardhi në Prizren, në Dit’ e Nat’ në Prishtinë dhe Radio Bar në Tiranë. / KultPlus.com

Lumbardhi n’Behar sjell muzikantë botërorë në sezonin pranveror

Lumbardhi po prezanton sezonin pranveror të muzikës Lumbardhi n’Behar, i cili fillon më 7 prill 2019. Programi evolon nga sythi në lule, duke lulëzuar në programin e fundit të pranverës në mbrëmjen e 21 qershorit. Para rijetësimit të Kino Bahçes, Lumbardhi n’Behar do të kremton pranverën në Prizren, dhe paralajmëron një institucion gjithnjë-në-zhvillim dhe programet e tij në ardhje.

Programi do të nisë me rock-bendin kanadez nga Montreali, “Suuns”, që për herë të parë paraqitet në Kosovë, i përcjellë nga tingujt apokaliptikë të romantizmit, që në të njëjtin koncert të 7 prillit i sjell grupi eksperimental “Scattered Clouds”.

Në po të njëjtën skenë, 12 ditë më vonë skena do t’i takojë këngëtares, tekstshkrueses dhe modelistes nga Teksasi, Chrysta Bell, e njohur gjerësisht për punën e saj bashkëpunuese me regjisorin David Lynch. Bell do të interpretojë këngë nga albumi i saj i fundit “Feels Like Love” në vizitën e saj të parë në Kosovë.

Tinguj ndryshe do të sjellë bendi turk “Jakuzi” në koncertin e 3 majit. Bendi i themeluar më 2015, ”Lumbardhi N’Behar” do të performojnë pjesë nga albumi i tyre “Hata Payı”. Përveç tyre DJ lokal Karamucho e Ygretmen do të paraqiten me tingujt post-punk, punk blues.

Më 21 qershor në Prizren do të vijë grupi i njohur francez “Nouvelle Vague” me përshtatjen e melodive punk e post-punk dhe me stilin e viteve ‘50 dhe ‘60.

Këngëtarja prizrenase me emrin skenik Agona, po atë natë do të ofrojë rimishërim të jazz dhe blues. /KultPlus.com

Muhaxheri: Hidrocentralet në Lumbardh nuk do të ndërtohen, jemi në procedura të ndalimit

Ndërtimi i hidrocentraleve në Lumbardh, ka ngjallur reagime të shumta tek qytetarët e komunës së Pjesë dhe Deçanit.

Ditë më parë ata protestuan duke kundërshtuar projektin për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve.

E lidhur me këtë, kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka thënë se janë procedura të ndalimit të këtij projekti dhe se i njëjti nuk do të realizohet.

“Ky është problem, lakmi e disa pushtetarëve për të ardhur tek paraja në mënyrë të lehtë. Ata që e kanë kry procedurën e Lumbardhit të Deçanit prapë janë kthyer në skenë por me një formë tjetër, dhe ligj tjetër”, ka thënë Muhaxheri në “Zyrën e Ankesave” në RTV Dukagjini.

Muhaxheri ka shtuar se Lumëbardhin e Deçanit është kryer masakër, nga persona të papërgjegjshëm.

” Pas masakrës në Lumëbardhin e Deçanit dhe tmerrit që është kriju atje të gjithë e dinë që kjo nuk mundet mu realizua, edhe nuk kemi me lejua. Jemi në procedura të ndalimit të kësaj pune kuvendi komunal ka anulua çfarëdo vendimi që është marrë në vitin 2010-2012″, ka thënë Muhaxheri.

Ai ka shtuar se ka njerëz të fuqishëm dhe kompani të fuqishme që mendojnë se munden me shkelë vullnetin e qytetarëve dhe komunës, por kjo nuk do të ndodhë ./ KultPlus.com

Nesër protestë në Pejë në mbrojtje të Lumbardhit

Nesër me fillim prej orës 12:00 do të mbahet një protestë për mbrojtjen e Lumbardhit pasi që një kompani austriake “KelKos – Energy Peja” dëshiron që të ndërtojë një hidrocentral në rrjedhën e lumit.

Shoqëria civile gjatë ditës së nesërme ka thirrur një protestë në qendër të Pejës për të kundërshtuar këtë projekt.

Projekti për ndërtimin e hidrocentralit në rrjedhën e lumit “Lumbardhi” nga subjekti aplikues “KelKos-Energy Peja” po kundërshtohet nga qytetarë dhe aktivistë të mbrojtjes së ambientit në Kosovë.

Zëvendësministri i Financave dhe anëtari i Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike, Fatmir Gashi ka premtuar se nuk do ta miratojë kurrë projektin e kompanisë austriake “KelKos-Energy Peja”, e cila planifikon ndërtimin e hidrocentraleve energjetike në rrjedhën e lumit “Lumbardhi”.

“Fatmir Gashi as që ka nënshkruar dhe as që do të nënshkruaj gjëra të tilla ndonjëherë”, ka thënë zv/ministri Gashi, në një reagim të publikuar të mërkurën në rrjetin social Facebook. /Insajderi.com

Lumbardhi mirëpret artisten Lala Raščić

Në Kino Lumbardhi në Prizren më 22 shtator do të shfaqet premiera e performancës dhe shfaqjes e video artit EE-O nga artistja Lala Raščić, shkruan KultPlus.

Premiera do të fillojë në orën 19:00 në Lumbardhi, Prizren. Video arti dhe performanca, i cili është një prodhim origjinal, është komisionuar së bashku me KADIST (Paris / France) si pjesë e projektit 3-vjeçar “Not fully human, not human at all”.

Performanca përcjellët nga shfaqja e veprës në dy ekrane./ KultPlus.com

EE-O nga Lala Raščić , premierë në Lumbardhi

Premierën e performancës dhe shfaqjen e video artit EE-O të rtistës Lala Raščić do të keni rast ta shihni nga dita e shtunë në Lumbardhi në Prizren.

Video arti dhe performanca, i cili është një prodhim origjinal, është komisionuar së bashku me KADIST (Paris / France) si pjesë e projektit 3-vjeçar “Not fully human, not human at all”.

Performanca përcjellët nga shfaqja e veprës në dy ekrane dhe një koktej rasti.

Andaj për të mos e humbur këtë performancë, më 22 shtator në ora 19:00 në Lumbardhi në Prizren ju pret një mbrëmje e bukur. / KultPlus.com

Hashima në Lumbardhi

Fondacioni Lumbardhi më 7 shtator sjellë koncertin e Hashima, në Kino Lumbardhi në Prizren me fillim nga ora 21:00, shkruan KultPlus.

Hashima është një kuartet i jazz-it nga Beogradi që kombinon përvojat e ndryshme muzikore në një aventurë të re që është pak vështirë të përcaktohet në mënyrë stilistike. Midis muzikantëve që i frymëzojnë jane: Wayne Shorter, Vasilije Mokranjac, Igor Stravinsky.

Poetika e tyre bazohet në filmat dhe literaturën evropiane, të cilat janë ndërthurur në mënyrë sublime me thelbin e muzikës së tyre origjinale duke i dhënë asaj një karakter programatik. Temat e kompozimeve të Igor Mishkoviqit kryesisht përbëhen nga motive muzikore që janë zhvilluar plotësisht me anë të aranzhimeve dhe improvizimeve të lira, pa u kufizuar nga zhurma ose miniaturat delikate lirike. Te bendi mblidhen katër instrumente dhe ndjeshmëri të ndryshme, të zhveshura nga tiparet tradicionale stilistike, përmbajtja e saj e frymëzuar nga ishulli i larguar i braktisur në Japoni – Hashima.

Sponsor të këtij koncerti janë Raiffeisen Bank dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës. Hyrja do të jetë 2 EURO, dhe koncerti do të fillojë në orën 21:00. / KultPlus.com

“No Borders Orchestra” vjen me koncert në Lumbardh

Më 18 gusht në Lumbardh do të performojë orkestra e njohur si “No Borders Orchestra”, shkruan KultPlus.

No Borders Orchestra përbërë nga muzikantët të njohur nga çdo vend, grup fetar dhe etnik i ish-Jugosllavisë. Orkestra është një mishërim i gjërave që kanë rëndësi për Evropën moderne: diversiteti, integrimi dhe fryma e miqësisë.

Me muzikën e shkëlqyer muzikore, No Borders Orchestra, thyen kufijtë e të gjitha llojeve: midis vendeve, klasave dhe etnive, midis sallave të koncerteve klasike të elitave dhe skenave në sheshet me plot njerëz.

Programi:
P. I. Tchaikovsky: Serenade – Pezzo in forma di sonatina
A. Vrebalov: Pannonia Boundless
J. S. Bach: Concerto for violin and viola C minor
A. Schoenberg: Transfigured night

Dirigjenti i kësaj mbrëmje do të jetë Premil Petrović.

Koncerti në Prizren mbështetet nga Ambasada e Amerikës në Kosovë, Ministria e Kulturës si dhe Raiffeisen Bank.
“No Borders Orchestra” do të performojë më 20 gusht në Sarajevë ndërsa më 22 gusht në Beograd.

Tiketat për koncertin i cili do të mbahet në Lumbardh në Prizren duke filluar nga ora 21:00 janë falas. /KultPlus.com

‘Këngë te Kopshti’, koncerti që pret të ju magjeps

Fondacioni Lumbardhi kësaj radhe prezanton koncertin ‘Këngë te Kopshti’, që do të mbahet më datë 28 korrik, në orën 21:00 në Lumbardh.

Në këtë koncert do të performojnë tre bende fenomenale: SYTË, Oborri dhe BLLA BLLA BLLA…
SYTË:

EP e parë e bendit tregon historinë e dy shpirtrave të lidhur së bashku nga yjet. Vokali i sinqertë lundron nëpër tingujt e ëmbla të sintit dhe gitarave bittersweet, të cilat e ngjyrosin bazamentin që e krijon basi dhe tupanat hip hop, për të përshkruar një dashuri që duket sikur është përzgjedhur nga një konstelacion.


OBORRI:

Oborri është një duo bend i formuar në vitin 2014 në Prishtinë, Kosovë, i përbërë nga Arbër Salihu dhe Tomor Kuçi. Pasi që ishin aktivë për 8 vite në skenën e muzikës në Prishtinë , duoja nxori albumin “Oborri” në 2017. Grupit i bashkohet kompozitori Liburn Jupolli dhe bubnjari Vedat Hasani, kështu që në performanca live grupi bëhet me 4 anëtarë .


BLLA BLLA BLLA…:

Blla Blla Blla… është një bend shumë i njohur nga Shkupi. Në 2000 bendi nxorri albumin e tyre të parë dhe shumë të suksesshëm “Blla Blla Blla”. Ata janë edhe autorë të albumeve “Over the Blakanshire Reform”, “Lamtumirë ” dhe “Brum për Medioker”.

Biletat kushtojnë 2 euro para koncertit dhe mund të blihen në Prizren te Lumbardhi kurse në Prishtinë në Dit’e’Nat. Biletat te dera do të kushtojnë 4 euro.

Sponsor i programit veror janë Raiffeisen Bank dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit./KultPlus.com

“Këngë te Kopshti” në Lumbardh

Fondacioni Lumbardhi prezanton koncertin “Këngë te Kopshti”, që do të mbahet të shtunën me 28 Korrik 2018 në orën 21:00 në Lumbardh.

Në këtë koncert do të performojnë tre bende fenomenale: SYTË, Oborri dhe BLLA BLLA BLLA…

Biletat kushtojnë 2 EURO para koncertit dhe mund të blehen në Prizren te Lumbardhi kurse në Prishtinë në Dit’e’Nat. Biletat te dera do të kushtojne 4 EURO.

SYTË:

EP e parë e bendit tregon historinë e dy shpirtrave të lidhur së bashku nga yjet. Vokali i sinqertë lundron nëpër tingujt e ëmbla të sintit dhe gitarave bittersweet, të cilat e ngjyrosin bazamentin që e krijon basi dhe tupanat hip hop, për të përshkruar një dashuri që duket sikur është përzgjedhur nga një konstelacion.


OBORRI:

Oborri është një duo bend i formuar në vitin 2014 në Prishtinë, Kosovë, i përbërë nga Arbër Salihu dhe Tomor Kuci. Pasi që ishin aktivë për 8 vite në skenën e muzikës në Prishtinë , duoja nxorri albumin “Oborri” në 2017. Grupit i bashkohet kompositori Liburn Jupolli dhe bubnjari Vedat Hasani, kshtu që në performanca live grupi bëhet me 4 anëtarë .


BLLA BLLA BLLA…:

Blla Blla Blla… është një bend shumë i njohur nga Shkupi. Në 2000 bendi nxorri albumin e tyre të parë dhe shumë të suksesshëm “Blla Blla Blla”. Ata janë edhe autorë të albumeve “Over the Blakanshire Reform”, “Lamtumirë ” dhe “Brum per Medioker”.


Sponsor i programit veror janë Raiffeisen Bank dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Psychedelic Cinema Orchestra me koncert në Lumbardhi

Psychedelic Cinema Orchestra më 27 qershor me fillim nga ora 21:00 do të mbajnë koncert në Lumbardhi, shkruan KultPlus.

Formacioni i tanishëm i grupit është një bashkëpunim i veteraneve të Psychodelic Cinema Orchestra dhe anëtarëve të grupi kroat, Šumovi Protiv Valova, të cilët përshkruajnë muzikën që bëjnë si “psychedelic / ambiental instrument rock”.

Për performancën në Lumbardhi Psychedelic Cinema Orkestra do te jenë: Ken Winokur (perkusion, clarinet, junk), Jonathan LaMaster (violinë elektrike, kitarat, noisemakers), Ivan Čadež (bas, elektronikë, ondenot), Hrvoje Radnić (kitarë, laptop akustik), Hrvoje Nikšić (organ, sintet modular).

Koncerti do të shoqërohet gjithashtu me shfaqje filmash të Ken Brown. Filmat e Brown ishin projektuar në koncertet e bendeve të viteve 60 – Hendrix, Velvet Underground, Frank Zappa, Sly and the Family Stone, Neil Young, The Who, Pink Floyd dhe shumë të tjerë.

Filmat që rezultojnë, së bashku bëjnë kinematografinë aktuale PSYCHEDELIC dhe qëndrojnë sot si një dritare mahnitëse të një kohe tjetër. Biletat mund të blihen në Lumbardhi me çmim prej 2 Euro./ KultPlus.com

“BACA” sonte në Lumbardh

Sot e hënë me fillim nga ora 20:00 në Lumbardhi në Prizren, do të mbahet koncerti “BACA”, shkruan KultPlus.

Pjesë e këtij koncertit do të jetë Shaqir Hoti, muzicienti që tërë jetën i dedikoi punimit e studimit të instrumenteve burimore, e në veçanti okarinës ilire.

Shaqir Hoti do të jetë i shoqëruar nga muzicientët: Armend Xhaferi, Ilir Bajri dhe Nesim Mexhuni./ KultPlus.com

ALGIERS me koncert në Prizren

Lumbardhi nw bashkëpunim me NO RECESS prezantojnë koncertin e ALGIERS, të cilët do të performojnë në sallën e kinemasë në Lumbardhi-Prizren, të mërkurën, më 7 shkurt me fillim nga ora 20:00.

Koncertin e ALGIERS do ta hapë bendi I TPAME I TVRAME, një duo darkwave / coldwave / minimalwave / shoegaze / post-punk / industrial nga Tirana dhe Prishtina.

Muzika e ALGIERS përmban elemente të post-punk, no wave, blues, gospel dhe muzikës industriale. Muzika e tyre e vlerësuar nga kritikët është jashtëzakonisht politike; ata në këngët e tyre tingëllojnë të shqetësuar, të gëzuar dhe të zemëruar në të njëjtën kohë. ALGIERS shprehin aktivisht kritikë kulturore duke komentuar sferën politike, shoqërore dhe fetare.

ALGIERS është i bazuar në NEW YORK (ShBA) dhe Londër (Britani e Madhe). Grupi u formua në vitin 2009 në Atlanta, Gjeorgji, kur kitaristi Lee Tesche dhe basisti Ryan Mahan, të dy anëtarë të skenës së rock-ut dhe noise-it të qytetit, hasën në vokalistin dhe kitaristin Franklin James Fisher, i cili rrënjët muzikore i kishte në traditën e madhe të muzikës gospel të Deep South, soul-blues të Nina Simone dhe zhanrit funk. Të gjithë anëtarët e bendit luajnë në perkusione e tastierë dhe bëjnë programimin e daulleve.

Drejtori i Lumbardhit, Ares Shporta, shprehet i lumtur që në bashkëpunim me NO RECESS është bërë e mundshme që ALGIERS të performojnë në Prizren, respektivisht te Lumbardhi.

“Bashkëpunimi me NO RECESS është një mundësi e jashtëzakonshme për ta ndërtuar një platformë alternative në Prizren dhe kultivuar një audiencë të re në hapësirën e Lumbardhit. Jemi shumë të entuziazmuar për ardhjen e ALGIERS, por edhe të programeve tjera që do të pasojnë drejt pranverës”, pohon Shporta.

The Underside of Power, albumi i dytë i ALGIERS i publikuar në qershor 2017, është produksion i Adrian Utley dhe Ali Chant nga Portishead, derisa është miksuar nga Randall Dunn (Sunn O)))), me post-produksion nga Ben Greenberg (the Men, Hubble). The Observer e quan ‘fuzion fenomenal të muzikës klasike soul nga të 60-at me eksperimentim post-punk’, derisa ‘Rolling Stone’ e komplimenton si ‘mënyrë e re dhe origjinale për interpretim të blues-it’.

Drejtori i programit të NO RECESS, Alush Gashi, shprehet i lumtur që është bërë i mundshëm bashkëpunimi me ALGIERS dhe se ata do të performojnë në kuadër të serisë muzikore NO RECESS.

“ALGIERS janë një ndër bendet më të respektuara të skenës alternative botërore. Besoj se koncerti në Lumbardh do të jetë pikë referente për artistët tjerë të kësaj fryme muzikore që ta konsiderojnë Kosovën si pjesë e turneve të tyre ndërkombëtare”, shprehet Gashi.

NO RECESS është platformë kulturore e bazuar në Prishtinë, e cila mëton promovimin e shprehjeve alternative artistike në Kosovë, si dhe eksportimin e iniciativave të ngjashme jashtë vendit. Gjatë vitit të parë të themelimit të platformës (performanca e parë ishte më 21 dhjetor 2016 me REPETITOR nga Beogradi), para publikut vendor performuan Marc O’Reilly (IRL), Camera (GER), I Tpame I Tvrame (ALB), Kralj Čačka (Serbi, në bashkëpunim me festivalin POLIP), Desert Mountain Tribe (UK/GER), My Baby (NL), RiB (MK), Bledi Boraku dhe Dritëro Nikqi (ALB/KS), Stray Dogg (SRB), Transformer (UK), Tetris (KS), Chickn (GR), Inaktiv + Uj Pa Gaz (ALB), K-X-P (FIN), Birth Of Joy (NL), A Victim Of Society (GR), Ben Caplan & The Casual Smokers (CAN), Battleme (USA), Otherkin (IRL), AK/DK (UK), si dhe Damo Suzuki, këngëtari legjendar i bendit CAN, i cili performoi në Hamam Bar së bashku me Tetris nga Prishtina më 18 qershor 2017.

Bendi që do ta hapë natën është I TPAME I TVRAME, i përbërë nga Franc Kurti (Tirana) dhe Dina Hajrullahu (Prishtina). Në mars 2017, mini-albumi i tyre i parë “Future Attitude”, i incizuar dhe miksuar nga Bledi Boraku (Tiranë) dhe i masterizuar nga Philipp Läufer (Berlin), është publikuar në audio kasetë dhe digjitalisht nga Black Verb Records (Berlin). Altered EP u publikua në shtator 2017 në limited edition 50 kaseta (25 silver / 25 gold)./ KultPlus.com

“Carla del Ponte trinkt in Pristina einen Vanilla Chai Latte” do të shfaqet edhe në Prizren

Fondacioni Lumbardhi ka njoftuar se shfaqja “Carla del Ponte trinkt in Pristina einen Vanilla Chai Latte” e realizuar nga Qendra Multimedia (Prishtinë), do të mbahet në sallën e Lumbardhit, përcjellë KultPlus.

Shfaqja e cila vjen në Prizren më datë më 13 shtator në orën 20:00, realizohet në gjuhën angleze me titra në gjuhën shqipe. Hyrja është 2 euro dhe të gjitha të hyrat nga shfaqja shkojnë në kampanjën “Lumbardhi Public Again” në platformën KosovaIdeas.com.

Nё kёtё performancё kosovare-gjermane, koreografi nga Berlini Jochen Roller e bёn regjinё e dramës sё re tё dramaturgut nga Prishtina, Jeton Neziraj. Nё shfaqje, protagonistja kryesore ёshtё Carla Del Ponte e cila udhёton nё Kosovё me qëllim tё ndjekjes sё kriminelëve tё trafikimit tё organeve. Gjatё njё pauze tё shkurtёr, ajo shkon nё Starbucks Café nё Prishtinё dhe befasohet qё pija e saj e preferuar, Vanilla Chai Latte, e ka shijen e njëjtë me atё nё Europё. Ky incident shkakton pёrçartje nё lidhje me liberalizimin e dёshtuar tё demokracive tё vjetra europiane, atraksionin pornografik tё kapitalizmit perёndimor, tregtinё me organe dhe superioritetin e thikave zvicrane.

Koreografi Jochen Roller vё tekstin e Nezirajt nё lёvizje, me pesё aktoret e shquara kosovare tё cilat luajnë me tekstin nё gjuhёn angleze brenda njё koreografie të ritmit të shpejtë. Aktoret transformohen marrёzisht nga Carla Del Ponte në Madeleine Albright, në gruan e trishtuar gjermane, Marina Abramoviq, Nёnёn Tereze, organ-kërkues, organdhurues, Ulay, Bill Clinton, Elez Nikçi dhe në vёllaun e Carla Del Pontes.

“Carla Del Ponte pi Vanilla Chai Latte nё Prishtinё” ёshtё performancё verbuese e njё perspektive nё ndryshim të vazhdueshëm dhe e një koreografie të qëndrimeve tkurrëse. Ështё vallëzim propagandistik mbi këmbënguljen e ideologjisë – e shpejtё, e furishme, tragjike dhe qesharake.

Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Agnes Nokshiqi, Alketa Sylaj, Donikë Ahmeti, Lyra Xhoci dhe Vjosa Abazi. / KultPlus.com

Filmat e “Valës së re gjermane” vijnë në ekranin e Kino Lumbardhit

Fondacioni Lumbardhi në bashkëpunim me Qendra Multimedia nga Prishtina e prezanton një përzgjedhje të filmave nga regjisorë të së ashtuquajturës “German New Wave”. Në katër seanca, publiku do ti sheh filmat e katër regjisorëve të rëndësishëm gjerman siç janë Werner Herzog, Harun Farocki, Margarethe von Trotta dhe Alexander Kluge.

Të gjithë regjisorët janë të lindur pas luftës së dytë botërore, përveç Alexander Kluges që është i lindur një dekadë më herët dhe ka qenë pioner i kësaj lëvizjeje. Në vitet 1960’ këta regjisorë të ri -së bashku me shumë të tjerë- e kanë nisur një epokë të eksperimentimit artistik dhe politik në film, në një kohë kur filmi Gjerman pothuajse i harroi eksperimentimet e veta të periudhës para luftës së dytë botërore. Shumica e filmave të prodhuar janë politikisht dhe formalisht relevant edhe në ditët e sotme. Kjo periudhë produktive konsiderohet se ka vazhduar deri në fund të viteve 80’.

Programi është kuruar nga Tevfik Rada dhe është mundësuar nga Goethe Institut, me mbështetje të Ambasadës Gjermane në Prishtinë.

PROGRAMI:

Werner Herzog: Aguirre, Tërbimi i Perëndisë (1972)
26 Gusht, e Shtunë
20:00
LUMBARDHI

Harun Farocki: Punëtorët duke dalë nga Fabrika (1995) & Shprehja e duarve (1997)
29 Gusht, e Martë
20:00
LUMBARDHI

Margarethe von Trotta: Hannah Arendt (2012)
2 Shtator, e Shtunë
20:00
LUMBARDHI

Alexander Kluge: Vajza e Djeshme (1966)
5 Shtator, e Martë
20:00
LUMBARDHI