Lumi i Shalës, destinacioni i rreth tetë mijë turistëve vetëm në qershor

Lumi i Shalës i cilësuar nga vizitorët që e kanë parë nga afër si perla e bukurive të Komanit është kthyer vitet e fundit në një destinacion turistik si për turistët vendas e për ata të huaj.

Natyra e paeksploruar, lumi i kaltër dhe mundësitë e shumta të aventurave bëjnë që ky vend të jetë në listën e vendeve për të vizituar gjatë periudhës qershor-gusht.

Emanuel Pjetri, guidë turistike në Pukë, tha për ATSH-në se “fundjavën e kaluar lumi i Shalës pati afërisht 1 700 vizitorë, ndërsa për muajn qershor mund ta kenq vizituar rreth 8 mijë vizitorë vendas e të huaj”.

“Në muajin korrik pritet të ketë një fluks më të lartë vizitorësh sidomos gjatë fundjavave”, tha Pjetri.

Për të shkuar tek Lumi i Shalës më parë duhet të kalosh tek liqeni i Komanit dhe  padyshim duhet që kjo “rrugë” të bëhet me varkë.

Gjatë udhëtimit turistët shikojnë  maje të larta malesh të mbuluara me bimësi, ndërsa në male ka disa shtëpi, ku ende banon dikush. Në ato male ndodhen edhe “Blinat e Toplanës” Monument Natyre, kategori e III-të sipas IUCN, ku ndodhen forma shkëmbinjsh edhe ndonjë shpellë.

“Udhëtimi me varkë nga Komani për tek lumi i Shalës zgjat 1 orë e 20 minuta, por për ta vizituar atë mund të nisesh edhe nga Puka. Turistët mund të shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare, si dhe zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës”, nënvizon Pjetri.

Sipas tij, lLumi i Shalës është padyshim destinacioni më i preferuar vitet e fundit, kjo për shkak të bukurisë mahnitëse që natyra i ka falur kësaj zone.

Lumi i Shalës buron rrëzë Alpeve Shqiptare dhe ka një gjatësi prej 37 km prej burimit në majën e Radohinës e deri në Drin. Lumi Shalës dallohet me ujin e tij të veçantë ngjyrë blu e thellë.

Ai është i pasur me një shumëllojshmëri peshqish, por më e përhapura është trofta, që rritet vetëm në ujërat e ëmbla. Ngjyra e kaltër dhe e ftohtë e ujit është karakteristike e këtij lumi, shkëmbinjt e thepisur që e rrethojnë, duken sikur prekin qiellin. / atsh / KultPlus.com

Lumi i Shalës, kjo mrekulli shqiptare që mahnit turistët

Është një mrekulli të shikosh këtë oaz aty ku Shala përqafohet me Drinin, tashmë liqeni i Komanit. Ka dy vjet që është bërë pika më e frekuentuar në veriun e Shqipërisë. I thonë dhe “Blini i Gurit t’Lekës”, sepse aty ka mbyllur vitet e fundit të jetës së tij, prijësi i Dukagjinit, Leka.

Grykëderdhja e lumit të Shalës në liqenin e Komanit është kthyer në një nga destinacionet më tërheqëse lumore të Alpeve shqiptare. Izoluar nga majat e larta, rrjedha e vrullshme e ujit të kaltër të Shalës i ofron aventurierëve një panoramë nga ato që ngjajnë me Tajlandën e largët.

Rruga për të shkuar deri në këtë panoramë të mrekullueshme është disi e gjatë, por jo e lodhshme, pasi është e larmishme. Vizitohet kryesisht nga turistë që nisen nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Lushnja… kryesisht Shqipëria e Mesme dhe ajo Veriore. Vizitorët e Tiranës nisen pak herët rreth orës 5 të mëngjesit dhe pas 2 orë udhëtim në rrugë të asfaltuar mbërrijnë në Vaun e Dejës dhe prej këtu duhet dhe 1 orë tjetër në rrugë të pashtruar për në pikën e nisjes së trageteve dhe varkave në liqenin e Komanit.

Oraret e tragetit janë 6 dhe 9 e mëngjesit. Megjithatë, për 90 euro në total (5 euro personi) varka me rreth 20 vende vihet në dispozicion të vizitorëve për të shijuar nga afër pikat interesante të liqenit të Komanit dhe të lumit të Shalës.

Lugina e Shalës, një zonë e virgjër lumore, e cila vetëm së fundmi është futur në guidat e agjencive turistike, po tërheq një vëmendje të veçantë, për shkak të natyrës së paprekur dhe mundësive të shumta që ofron.

Aventurierët e natyrës mund të shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare, si dhe zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës. Aty ka dhe një plazh të vogël ku mund të bësh dhe banjo dielli.

Ata më aventurierët, arrijnë të shijojnë këtë destinacion të ri duke ngulur çadrat e kampingut për një eksperiencë plotësisht individuale, rrethuar nga majat e larta, për të cilat vendasit tregojnë legjenda mesjetare.

Sipas gojëdhënave, princi Lekë Dukagjini, prijësi i dytë më i rëndësishëm i shqiptarëve pas heroit Gjergj Kastriot Skënderbeu, i kaloi vitet e fundit të jetës në këtë zonë, ku gjen emërtime të tij, si për shembull “Guri i Lekës”, një pikë strategjike që sheh luginën, nga ku mendohej që Dukagjini ruante vendin nga ardhja e turqve.

Lumi i Shalës është një atraksion i ri, i cili ka pak kohë që ka filluar të frekuentohet. Ai i tërheq vizitorët me ujin e kristaltë dhe natyrën e mrekullueshme.

Ky bum turistësh në dy vitet e fundit, i ka nxitur vendasit e përfshirë në industrinë e shërbimit dhe akomodimit të kërkojnë mundësi zhvillimi me nisma që do të financojnë bujqësinë e zonës, në mënyrë që vizitorët të shijojnë prodhime vendase. Aty ka dhe një bar të vogël të ngritur nga investitorë vendas, ku u shërbehet vizitorëve.

Dhe pas disa orëve shëtitje në ujërat e kthjellta, plazh në zhavorrin lumor dhe një dreke të shijshme në qetësinë e natyrës së gjelbër, vizitorët i hipin sërish varkave të vogla për të provuar rrugën e kthimit, e cila gjarpëron nëpër liqenin e Komanit. Dhe brenda ditës je përsëri në Tiranë por… ke kaluar një ditë ndryshe… / KultPlus.com