Ndërsa miliona pushues dynden në ishujt tropikal të Tajlandës çdo vit – për plazhet e tyre të izoluar, ujërat e pastra kristal dhe festat e gjalla të natës – ekziston një perlë e fshehur në Evropë që ofron një përvojë të ngjashme shumë më pranë Britanisë së Madhe, shkruan Laura Mckenna në të përditshmen britanike “Mirror”.
I vendosur në malet e Shqipërisë, Lumi i Shalës, është quajtur ndryshe “Tajlanda e Evropës” falë ujërave të tij bruz – që të lënë pa frymë – dhe peizazhit të gjelbëruar, duke ofruar një copëz të parajsës pa shpenzimet e një udhëtimi në Azinë Juglindore.
E përkryer për një arratisje gjatë muajve të vjeshtës, Shqipëria ofron temperatura te ngrohta rreth 25 gradë Celsius në tetor – dhe shumë diell për adhuruesit e plazhit.
Ujërat e pastra kristal, rëra e bardhë e butë dhe një ambient magjik ju presin në një nga destinacionet më pak të njohura të Evropës.
Shqipëria është e pasur me burime ujore, me një vijë bregdetare të mrekullueshme prej 476 kilometra – e mbushur me mbi 1400 ishuj shkëmbinj gëlqerorë, shkëmbinj nënujorë koralorë dhe peizazhe ekzotike ishujsh.
Për adhuruesit e diellit që nuk duan të rezervojnë fluturime të shtrenjta në distanca të gjata, Lumi i Shalës ndodhet në veri të Shqipërisë dhe aksesohet vetëm me varkë.
I izoluar nga pjesa tjetër e botës, të jep ndjesinë e të qenit në një nga ishujt e largët të Tajlandës.
Lumi i Shalës përshkon rrugën e tij përmes Alpeve mahnitëse Shqiptare, me ujëra të pastra kristal dhe male të gjelbërta plot gjallëri – që mahnisin vizitorët.
Bukuria e tij natyrore shpesh krahasohet me vendet më të famshme piktoreske të Tajlandës, duke e bërë atë një destinacion të domosdoshëm për adhuruesit e natyrës.
Adhuruesit e natyrës, gjithashtu mund të shijojnë aktivitete si zhytje, not, kajak dhe ecje, të gjitha duke u rrethuar nga peizazhe që të lënë pa frymë.
Pavarësisht nëse jeni duke kërkuar aventura apo kërkoni të eksploroni bukurinë e pacënuar të Shqipërisë veriore, ky rajon i ka të gjitha.
Për vizitorët që kërkojnë një ritëm më të ngadaltë, Lumi i Shalës ofron mjedisin perfekt për t’u çlodhur.
Atmosfera e qetë i fton vizitorët të qëndrojnë të qetë pranë tij, duke ofruar paqe dhe qetësi pa shpenzuar shumë.
Kur një influencer ne TikTok shpërndau një video të ujerave të kristalta bruz, ndjekësit e tij u mahnitën kur zbuluan se peizazhi perfekt nuk ishte në një ishull të Oqeanit Indian.
“Kam qenë në Shqipëri disa herë. Është vendi im i preferuar i të gjitha kohërave – pasi kam udhëtuar mjaft. Do t’ua rekomandoja të gjithëve”, shkroi një ndjekës.
“Mendoja se ky vend ishte në Tajlandë”, tha një tjetër.
Udhëtimi në Shqipëri mund të realizohet lehtësisht me fluturimet direkte të disponueshme nga Britania e Madhe përmes aeroporteve kryesore të Bristolit, Birminghamit, Lutonit dhe Stanstedit, me çmime deri në 24 euro në tetor për turistët fleksibël.
Lumi i Shalës është pak larg shtegut të rrahur dhe mund të arrihet vetëm me varkë nga porti në Liqenin e Komanit.
Megjithatë, përpjekja ia vlen, për të përjetuar një nga sekretet më të ruajtura të Evropës.
Vizitorët që duan të qëndrojnë në një nga akomodimet në dispozicion, pranë Lumit të Shalës do të paguajnë rreth 84 euro në natë, megjithëse mund të gjeni hotele më të lira pranë Liqenit të Komanit./atsh/KultPlus.com