Poezia e Gjeneralit të skenës

Naime Beqiraj

(Lumi qiellor)

Para se të bëhej regjisor, Bekim Lumi ishte recitues. Deklamonte poezi në shkollë fillore, në gjimnaz, e kur erdhi në studime ishte deklamues i njohur. Por ai nuk mjaftohej vetëm me recitim, me zërin e kadifenjtë dhe ndjenjën me të cilën përcillte vargjet të cilat nganjëherë shoqëroheshin me tinguj kitare, që admiroheshin nga të rinjtë, sidomos studentët. Shkruante poezi, por rrallë.

Në vitet kur po binte perdja e hekurt e komunizmit në trojet arbërore, Bekimi organizonte tribuna e debate, intervista skenike e mbrëmje letrare në të cilat promovonte letërsinë moderne. Në të gjitha këto ngjarje që i praronte dora e tij, ndjehej fryma e regjisë e deri në milimetra shenjohej lëvizja e artistëve dhe e krijuesve në ambientet skenike, sidomos në Sallën e Kuqe të Fakultetit Filozofik në Universitet të Prishtinës.

Por këto ngjarje nuk zgjatën. Ambientet po mbylleshin për publikun, lexuesit e letërsinë shqipe. Kafenetë nuk ishin zgjidhje. Poezia e mirë po krijohej gjithnjë e më rrallë. Bekimi zgjodhi të studionte regjinë e teatrit në Tiranë. Ne që e kishim shok, besonim shumë që do ta zhvillohej si regjisor. Në një vizitë që ia bëra në Tiranë në pranverën e vitit 1993, e pashë një Bekim tjetër. Tërësisht të dhënë pas teatrit. Nuk e ngacmova për poezinë. E lashë ta merrte malli vetvetiu për të. Por ai ishte thelluar edhe në shkrim. Më vonë e kuptova.

Përveç në teatër ku mbetet gjeneral i pa pensionuar, Lumi ka lënë gjurmë në jetën letrare e kulturore të shqiptarëve, duke e përfshirë këtu shkrimin, mësimdhënjën në regji, pastaj publicistikën, diskursin shkrimor e studimor e deri te gazetaria e kulturës dhe intervistat me krijues në një radio ndërkombëtare; revista Loja të cilën e themeloi vet. Nervi i pazakonshëm edhe për disiplina të tjera artistike, nuk e pajisin me aksesorë, por e thellojnë krijuesin e disiplinuar, të informuar e të talentuar.

Në këtë libër që po e lexojmë së bashku, Beka edhe kur krijon vargje, mjetet shprehëse poetike i shef me gjuhën skenike. Ai përdor ngjyrat, dritat, kompozicionin, lojën, mizanskenën, e në fund të gjitha i vesh me kostumet, ose i zhvesh deri në detajet origjinale edhe skajet e kostumeve – atribueset që shfaqen në poezitë e librit Engjëlli blu.

(Engjëlli blu përmbi shi)

Poezia, ky art filigranist të cilën e kishte për zemër krahas teatrit, thyhet si mejtim e i drejtohet qiellit dhe thellohet edhe me të. Engjëlli i tij është i kaltër (por Bekimi e shkruan blu), ndërkaq shiu i kësaj poezie merr epitete: (i mërzitshmi, i tejdukshmi, i pangjyrshmi, i lagshti, i ujti, i pikshmi, i qullti), ose në një poezi tjetër: çon ateherë dashni shiu. Ndonëse për fenomenin shi, për atmosferën shi, për shoqëruesin shi, janë shkruar vargje nga poetët e të gjitha kombeve, e edhe nga poetët shqiptarë, ky variant mes figurash shiu nuk njihet të jetë thurur në asnjë fjali të vetme. Të shtatat janë diskurs origjinal i Lumit, kurse pas tyre ai thur gjendje të pikave të shiut si në akuarel të cilat i quan pikëza. Ato marrin trajtën e interpretimit, vijnë: të pasqyrta, të befshme dhe me ngjyrim bardh e zi si në filmat alla Çaplin.

Figura e engjëllit blu diskursohet me tema të zgjedhura me kujdes e me gjuhë të sofistikuar. Shprehjet antitetike: i pikon, i mvrejtun, i trembun, i drojtun, i ambël i këputun, në shkallët e mermerta i mbledhun krruspull: pastaj gjetje të rralla figurash: si ‘i carrok i braktisun; dhe tjetra: me sytë e ullinjtë turbullue nga andrrat e l’byrta”, mandej: ‘i shkrepëse pa zjarm dhe figura tjetër krahasuese n’trishtim ma t’zi se korbi i Edgar Allan Poe-së. Libri Engjëlli blu, fluturon përtej pamjes, rrëfimit – edhe kur rrëfen. Ai është klasik edhe kur ndez tema urbane; ai është modern edhe kur e shenjtëron traditën.

Më shumë se sa parimsinë e të ndjekurit të teorive letrare, të shkollave letrare, të figuracionit, Lumi ka ndjekur vijueshmërinë e parimit estetik. I mbushur poezi, dikur si recitues i autorëve klasikë e modernë, Bekimi, poezinë e shihte si mbushje. Mandej, edhe dijet e pakufishme që i kishte gjatë punës si profesor i regjisë dhe regjisor në teatër, shigjetuan një poezi klasifikisht skenike, ndonëse datat e shenjuara në fund të poezive, na lënë të kuptojmë që pjesa më e madhe e këtyre vargjeve janë shkruar gjatë periudhës së studimeve në Tiranë.

(Nâna drithëruese)

Figura e Nânës në poezinë e Lumit vjen jo vetëm si eçtim. Ajo është gërshet i thurur me stil ku fjalët në pesë vargje përbirohen të ndërtuara papritur si fletë malli e petale diskursi për djalin student që nuk e kishte parë Nanën kohë të gjatë:

U eçtova
Krejt detin e piva
Më zuni malli
Nanë
Sa i kripun ky loti yt

Pas mallit të prajshëm që gërryen në vargjet e mësipërme, poezia Of Nanë, që nga titulli, ngjitet mbi klithma, ndërtohet ngjitas ekspresivitetit. Kjo poezi e tipit bisedor është lexim i mëtejshëm i mallit për qenjen Nânë e cila te Lumi vjen edhe si mall sipëror, kuptim i thellë e herë herë si përulësi me kast përballë mungesës. Mandej vjen falja e në klithmë Nâna bëhet Nanloke:

Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si bojaxhi i keq që jam
Flok’t me gëlqere te bardhë mërzie t’i ngjyrosa

Kjo metaforë vizuele, rrit mbi vete fajësinë e asaj që Lumi muk e shenjon si brishje të harresës, as lutje për të, por kulm të klithmës. Edhe poezia Dorasit e luleve është po ajo ajo krijesë që i shëmbëllen thjeshtësisë, ndonëse në pikëzimin tematik është e ndryshme me apokrife. Në këtë krijim, sikurse disa nga poezitë e tjera të Lumit, vargu i jep atribute befasuese vargut pararëndës:

Me thikë jo
As me revole
Me dorë
Vrasin
Dorasit e luleve

(Pentagrami biblik)

Segment origjinal i poezisë midis dy kopertinash të Engjëllit blu janë poezitë e ndërtuara mbi pentagram biblik. Lumi, e ka njohur mirë Biblën, ka frekuentuar bashkësi ungjillore kudo ku ka jetuar, mandje zëri i tij është regjistruar si kolanë leximore biblike të variantit gegnisht para dy dekadash në SHBA. Në poezitë frymëzim nga Bibla, ai lidhjen e bën me trungun e një toke që është përjetim i tij, si të poezia Libri i Zanafillës:

Në fillim shtatë shtrigat morën
Lotin
Gjakun
Thikën
Dhe me to krijuen nji gadishull
Me emnin Ballkan
I futën frymën e urrejtjes
Dhe gadishulli nisi
Me vdekë

Krijimi që e përballë urrejtjen brenda tekstit poetik, shkon përtej Frymës Biblike duke ndërtuar kështu një koncept të pasur poetik ku përfshin edhe personazhin jashtë biblik të Gilgameshit, e bashkë me të ndërton ndërlidhjen e dy kodeve letrare, që të dyjat, të pa përmbytura në rrugëtim e në kërkim të urtisë. Por e pathëna ndeshet në vargun e vetëm lirik, në fund të vjershës Përmbytja:

kur Hyji shpalli lajmin e
përmbytjes në arkën e noes u futën të
gjithë gilgameshi u fut në barkën e
utnapishtimit si mëkatar e notar i
keq që jam në detin e
syve tu sall unë
u mbyta

Lutja Biblike e Lumit, vazhdon në krijimin tjetër të këtij cikli, në triptikun Shujta Atdhetare. Ndryshe nga të tjerat, vijëzimi biblik në këtë tiptik është lutje shqiptare drejtuar Zotit. Ndërkaq poezia apokrife i ndesh notat e tekstit biblik me ato të tekstit poetik përballë të cilave përbirohet thjeshtësia e krijimit:

të shtatën ditë të Krijimit
Hyji nuk pushoi
por në çehren e vet
maroi lulet

Cikli i poezive biblike, sa është përshpitje po aq është e dukshme si diskurs modern. Gjuha si qendër e si pikëpamje është kërkuese, e natyrshme, kurse detaji deri në milimetër, shfaq vështrim e jo zbukurim, pra, del më e gjerë, më e lehtësuar e më pak figurativ. Vargjet si këto sjellin ritëm dhe muzikalitet, ndryshe nga puna e regjisorit plot thyerje e lojë që të ndalin frymën. Prandaj, ngjyrimi që shfaq në poezitë midis dy kopertinash, sjell komunikim drithërues.

(Filigranisti i gjuhës)

Bekim Lumi është mjeshtër. Fuqia shijehollë e skenës, fillimin e ka pasur në artin më të hollë – poezinë. Gjuha e Bekimit nuk është e zakonshmja. Askund në libër nuk ndeshim zbehtësi fjalësh, zbehtësi mendimesh, por shquajmë togfjalëshat e përsosur, si: vorr pa penxhere, nektar shtrigash, vdekje ekzakte, ‘lteri i qiellës, lot vajtojcash, supe akrepash. Ai u vë pikën vargjeve që ndriçojnë skuta, si:

-heronjtë vetëm djathtas vdesin;
-flok’t me gëlqere te bardhë mërzie t’i ngjyrosa;
-kur çon dorë me e hjekë krejet plisin;
-tue rrjedhë ashtu përallshëm;
-çadrat e urrejtjes i hapin njerëzit;
-bebëzat e synit ia peshkojnë me grep;
-siç var degët shelgu i vajtimit;
-emnin tand nder dhambë e kafshova;
-zjarminë e ballit sipri ty ta hodha;
-gurë varresh pa emën mbetën cungjet;
-buzën ia shkrumojnë t’ligat e ujit.

Segment tjetër i gjuhës poetike, është gegnishtja e librit. Bekimi ka qenë përherë bir i gegnishtes, duke i perceptuar artet te bukuria e gjuhës. Besonte edhe atëherë kur gjuha e poezive Buzët e Evropës dhe Sytë e Evropës është më sarkastike dhe ekspresive se sa e poezive të tjera.

Poezia nuk është teatër, as si përceptim, as si madhësi. Prandaj, i vetëdijshëm që shpërthimi poetik është më sublim, më minimalist se sa i teatrit, Lumi i lidh fjalët e shpërthimit me penj të hollë, asi të padukshëm, por të fortë. Gjuha teatrale në këtë libër është e kthyer së prapthi, për të mos thënë është e përmbysur duke mos lejuar që puna e tij e përditshme, puna e tij e përnatshme – teatri, të mos i prekë fijet e mbështetjes karshi poezisë. Me gjuhë poetike, ai nuk i kundërvihet teatrit. Ai luan me gjuhën dhe e bën atë përtej së qenës poetike. Dhe e gjen të bëftë, befasisht të beftë.

Në Engjëlli blu, nuk ndeshim parakalim vargjesh, parakalim figurash, as gjendjesh. Vargjet e as gjendjet nuk janë të holluara me substancë tjetër. Ato nuk lexohen të përfshira si nëntekst. Testamentin poetik, Lumi e shëndosh Testament, me mbështjellje nënteksti:

jo ditën e vdekjes
mbi rrasë të vorrit
ma shkrueni ditën
që u mërgova

Këtë vargje midis dy kopertinash libri, janë vetëm disa nga pikëshikimet artistike të Bekimit. Shfaqjet e tij teatrore vazhdojnë të kujtohen, të paktën nga ky brez po e po. Shkolla e tij regjisoriale do të vazhdojë të mbetet ajo që e la; e fuqishme, minimaliste, kreative. Mungon vetëm Lumi.

I sfiduar konvencionesh, Lumi në këtë krijim ndërton poezi pa pasur para saj asnjë model pasqyrimi. I ka mjaftuar frymëzimi, shija e hollë dhe gjuha.

Prishtinë, korrik, 2021

©naimebeqiraj

Ky tekst është pasthënje e librit poetik të Bekim Lumi, i edituar nga Multimedia. /KultPlus.com