Bashkëdyzimi i dy botave të ndryshme shpalosen në një “Ditë Vere” të (jashtë)zakonshme

Uranik Emini

Një shfaqje që në shikim të parë mund të duket asgjë tjetër sikurse vetëm një “Ditë Vere” e zakonshme, së fundmi u shfaq në qendër të skenës, por me një mesazh të veçantë prapa vetes. Ky prodhim me një ekip të madhe mbrapa vetes, u shkëput nga skena tradicionale e teatrit, duke u shpalosur në një mjedis të hapur dhe duke ofruar një përvojë të freskët dhe me të vërtet të “ftohtë” për shikuesit e teatrit. “Ditë Vere” prezantoi tre personazhe intriguese, duke personifikuar temat e fatit, fatkeqësisë dhe zonjës, të mishëruara nga aktorë të rinj e të talentuar, që patin fatin edhe të debutojnë në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Në thelbin e tij, “Ditë Vere” është një eksplorim i përplasjes së fateve të ndryshme, ku dy personazhe nga fusha krejtësisht të ndryshme të jetës e gjejnë veten në një pikë të njëjtë, atë të vetëvrasjes. Në një botë ku njëri ishte bekuar me të gjitha privilegjet dhe komoditetet që mund t’i ofronte jeta, dhe tjetri kishte njohur vetëm vështirësi dhe zhgënjim, rrugët e tyre u bashkuan me qëllimin e përbashkët për t’i dhënë fund jetës së tyre.

Fat-miri, mishëronte thelbin e mungesës së shpresës dhe dëshirave në jetë. Edhe pse për të çdo aspiratë, çdo ëndërr, çdo synim nuk ishte thjesht i arritshëm, por i pashmangshëm, ai kishte çdo gjë që dëshironte dhe jetonte pa shpresën se diçka e re mund të ndodhte, por e dinte se realizimi i të gjitha dëshirave të tij, ishte i paevitueshëm. Duke pas gjithçka në jetë dhe aftësi për çdo gjë, atij i mungonte diçka shumë e thjeshtë, shpresa për të përjetuar diçka ndryshe.

Ndërkaq, Fat-keqi, jeta e të cilit kishte qenë e mbushur me fatkeqësi, ai ishte tanimë i familjarizuar me një seri zhgënjimesh të pafundme. Që nga dështimi për të mësuar aftësi të reja deri te të qenit i paaftë për të krijuar lidhje domethënëse, ekzistenca e tij dukej pa qëllim. Në sytë e Fat-keqit, jeta ishte bërë një luftë e pamëshirshme, një udhëtim i shkretë pa asnjë rezultat të sukesit, por çdo veprim, fjali, bisedë e tij kishte të njëjtin rezultat, atë të dështimit.

Udhëtimet e tyre të kundërta, njëri i zhytur në dëshpërim dhe tjetri i mbushur me shpresë, përbëjnë thelbin e “Ditë Vere”. Ky prodhim unik paraqet shkrirjen e këtyre dy jetëve në dukje të ndryshme, duke i çuar ato në një takim fatal, ose edhe jo…

Në shfaqje gjithashtu paraqitet edhe pjesa e “mrekullive” duke lënë një pikëpyetje në qoftë se ato ekzistojnë me të vërtetë. E pikërisht, përmes një shalli paraqitet edhe një kthesë e papritur e fatit, Zonja, e cila ndalon tragjedinë, i jep krejtësisht një kuptim tjetër rrjedhës së shfaqjes. E gjitha skena në ambient të hapur u pasurua edhe me kompozimin e Memli Kelmendit që kishte ndikim të madh në kalimin nga njëra skenë në tjetrën.

Derisa personazhet takohen në këtë mjedis të ri, ata fillojnë të kalojnë kohë me Zonjën dhe njëkohësisht të bëjnë një “garë” mes veti se kush do ta fitojë atë në fund.

Ndërkaq, Regjisori i shfaqjes, Kaltërim Balaj, tha për KultPlus se ndjehet shumë falënderues për të gjithë ata që dhanë kontribut që kjo shfaqje të shkojë sa më mirë, duke dhënë edhe disa detaje nga prapaskenat.

“Këtu jashtë nuk ka pas prapaskena hiç. Kemi punuar në sy të të gjithë publikut, nga skena në skenë. Na kanë pa duke përparuar çdo ditë. Realisht, shfaqja është “Ditë Vere” dhe e shkruar për një ditë të bukur vere me fate të ndryshme dhe me dramën që e ka, ku në një ditë të bukur vere është një ditë shumë e trishtë për personazhet. Shfaqja ka qenë e planifikuar për 18 tetor, mirëpo Teatri e ka përcjellë motin dhe ka vendosur që ta bëjë më 15 tetor, megjithatë pa pas mundësi që të parashikojmë në tërësi motin, që ka qenë shumë i ftohtë sot”.

Balaj u shpreh mirënjohës edhe për aktorët, që përkundër të ftohtit, nuk u dorëzuan dhe nuk u ndalën së punuari.

“Jam shumë falënderues për aktorët që në këtë të ftohtë, jo vetëm që nuk janë dorëzuar, por s’ka pasur që i ndalë as fryma as i ftohti. E falënderoj publikun që qëndroi deri në fund dhe teatrin që na ka qëndru mbrapa me mbështetje të plotë”, tha ai.

Potenciali i aktorëve në Kosovë, qoftë atyre të rinj apo rezidentë të teatrit, është shumë i madh sipas Balajt.

“Mendoj që në këtë shfaqje kemi pas potencial të jashtëzakonshëm, e besoj që në Kosovë nuk mungon aspak. Si zgjedhje regjisoriale ka qenë që personazhet kryesore të jenë moshat më të reja. Aktorët e ansamblit kanë qenë shkollë për ne, ndërsa të rinjtë kanë qenë një motor i pandalshëm për ne. Një inspirim që të vazhdoj tutje, por sigurisht e kemi pas edhe një siguri dhe mbështetje në përvojën dhe shkollën e ansamblit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, për të cilin jam shumë falënderues”, përfundon regjisori i shfaqjes “Ditë Vere”.

Njëri ndër protagonistët kryesor të shfaqjes, Andi Bajgora, foli për KultPlus rreth rolit të tij dhe se sa shumë ia vlejti që e gjithë kjo shfaqje, përkundër ftohtit, të realizohet në këtë mënyrë.

“Në këtë shfaqje janë tri karaktere, Fatmiri, Fatkeqi edhe Dama (Zonja), më shumë paraqiten sikurse koncepte sesa personazhe reale. Po, është diçka nëpër të cilën kalojmë të gjithë ne nëpër to. Thjesht janë të ndara nëpër dy ekstreme, se si dikujt në jetë i shkon gjithçka mirë, dhe dikujt tjetër çdo gjë keq. Kjo është një mundësi absolutisht shumë e madhe për mu dhe ia ka vlejte deri në pikë të fundit që ta realizojmë këtë shfaqje edhe në ditën më të ftohtë nga të gjitha provat që i kemi bo”, thotë Bajgora.

Zonja, e luajtur nga aktorja e re dhe debutuese Era Balaj, u shpreh për KultPlus se i gjithë procesi ishte shumë i veçantë.

“Kjo shfaqje ia ka vlejte jashtëzakonisht shumë. Procesi për mu ka qenë shumë i veçantë, për mu është hera e parë me një shfaqje në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe është një eksperiencë që nuk do ta harroj kurrë. Ekipa ka qenë fantastike dhe teatri, stafi gjithçka shkoi shumë mirë. Filmi e ka emocionin e vet, mirëpo mendoj që nuk janë të krahasueshme për mendimin tem. Me u paraqit përpara publikut në mënyrë të drejtpërdrejt, është diçka të cilën kur e mendoj, nuk e di nëse e boj qysh duhet. Rolin të cilin e kom bo është një zonjë, një damë që jo domosdoshmërisht duhet me qenë dama të cilat i imagjinojmë ne. Me e tregu anën tjetër të një zonje që e din çka don, e din ku qëndron dhe me i marr të gjitha senet që ajo i don në fund”, përfundon ajo.

Udhëheqësi artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Mehmeti, tregoi se merita kryesore për kalimin e teatrit në skenë alternative, është e gjithë ekipit që punoi për realizimin e kësaj shfaqje.

“Nëse më pyet 100 herë, unë 98 herë e zgjedhi skenën alternative. Kjo nuk është meritë e imja, shfaqja e sotshme, por meritë e të gjithë bordit dhe personave të përfshirë në këtë shfaqje. Planifikimi ka qenë që kjo shfaqje të mbahet në shtator, megjithatë kanë ndodhur disa ndryshime të cilat në skenën alternative nuk shkojnë ashtu qysh ti i planifikon, kemi arrit që ta realizojmë me 15 tetor. Kjo shfaqje do t’i ketë edhe disa repriza në fund të tetorit dhe fillim të nëntorit, e pastaj shfaqja do të “paketohet” për stinën e pranverës dhe verës në mënyrë që të jetë tamam siç duhet”.

Sipas Mehmetit, teatri është teatër aty ku ndodhë.

“Teatri është teatër aty ku është. Në realitet nëse e shohim si skenë me madhësi, gjerësi dhe madhësi, as ndërtesa kryesore e Teatrit Kombëtar të Kosovës aktualisht, nuk ka skenë në Kosovë që i plotëson në plotni kërkesat e regjisorit. Mendoj që secila skenë i plotëson kushtet, megjithatë duhet ta kesh parasysh se ku je duke punu. Nuk jemi duke punuar në gjende të zakonshme, por megjithatë po arrijmë të krijojmë diçka që, unë e them çdo herë që renovimi i Teatrit Kombëtar, ka sjellë një fat në fatkeqësi për të gjetur skena alternative. Tani do ta kemi edhe një skenë tjetër në hapësirat e ish-RTV21, ku do t’i kemi 3 skena për zhvillim minimalisht normal të teatrit klasik”, thotë ai.

Në rolet kryesore luajtën artistët Andi Bajgora, Art Pasha, Era Balaj, Lumnije Sopi, Veton Osmani, Adhurim Demi dhe Naim Berisha, të shoqëruar nga instrumentistët nga Filharmonia e Kosovës, Meriton Ferizi dhe Aurora Kabashi.

“Ditë Vere” na sfidon të marrim parasysh fuqinë transformuese të shpresës, edhe në momentet më të errëta, dhe të pyesim nëse fati me të vërtetë i jep formë jetës sonë apo nëse, në fund, janë zgjedhjet tona ato që përcaktojnë udhëtimin e së ardhmes.

Ky produksion ka nxitur publikun të përqafojë pasiguritë e jetës dhe të gjej shpresën edhe në vendet më të vështira, ose qoftë edhe në raste të tilla kur vetëm një ndodhi më normale mund t’i dhurojë kuptim të ri jetës tënde. /KultPlus.com

“Gratë” si një binom i pathyeshëm me mëkatet krahas heshtjes dhe refuzimit të shoqërisë

Uranik Emini

Gratë bëjnë mëkate sapo të zgjohen nga gjumi. Në çdo lëvizje të tyre, në çdo mimikë të fytyrës dhe në çdo veprim që ato bëjnë, ekzistojnë mëkatet si një binom i jashtëzakonshëm. Pra, mëkatet dhe gratë në një vijë lineare, bashkëveprojnë sikurse të ishin një. Shfaqja “Gratë”, e cila medoemos mori duartrokitje të shumta nga publiku, shfaqi edhe një herë tjetër diçka për të cilën ndoshta edhe nuk bisedohet shumë, e shfaqi magjinë e teatrit dhe mënyrën se si ky i fundit mund të hy thellë në shpirtin tonë dhe të prekë vendet ku ftohtësia dhe e “keqja” ka kapluar gjithë atë pjesë, shkruan KultPlus. 

Aktoret Edona Reshitaj, Gresa Pallaska, Lumnije Sopi, Sheqerie Buqaj, Shengyl Ismaili e Xhejlane Godanci me shkrime nga Agnesa Mehanolli, Brikena Sopi e Ulpiana Maloku, shfaqen përpara publikut dhimbjet e përditshme të grave dhe diskriminimin e vazhdueshëm që ato përjetojnë. Fuqi, zë kumbues, lëvizje të shumta dhe këngë të ndërthurura bashkë, e plotësuan shfaqjen e mbrëmshme, që pati premierën në Amfiteatrin e Ri të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Që nga kohërat më të lashta, ato greke e antike, teatri ka zënë një vend të rëndësishëm në jetën e njerëzve. Megjithatë, sikurse në shumë sfera të jetës, një problem në këtë fushë ishte edhe pjesa ku gratë paraqiteshin si inferiore ndaj burrave, e sikurse në ditët e sotme, roli i gruas në shoqëri ishte shumë i kufizuar në disa mënyra.

Edhe pse sot, në Teatrin Kombëtar të Kosovës ekziston një grup i madh i grave që aktualisht punojnë aty dhe janë pjesë e teatrit dhe shfaqjeve të ndryshme, paraqitja e këtyre të fundit në skenë; vite më parë konsiderohej si diçka e “rrezikshme”. 

Pavarësisht normave dhe traditave që u thanë grave jo, prania e këtyre të fundit në teatër po përparonte vazhdimisht gjatë viteve. Kjo ndodhi edhe në teatrin e hershëm amerikan. Kishte një numër të madh të grave teatrore, aktoreve në skenë, shfaqje me role kryesore të grave dhe gra dramaturge.

Fuqia e gruas në teatër dhe absolutikisht jo vetëm kjo, u pa në shfaqjen “Gratë”

Si mund të ndërtojmë në këtë bërllog? “Gratë”, një udhëtim kaotik teatror, është provokim për shoqërinë që refuzon t’i pranojë problemet e veta. Një shoqëri e cila i detyron gratë të heshtin! Krijuar nga një ekip i grave, artiste të jashtëzakonshme të teatrit, “Gratë” është një bashkim i hidhërimit, butësisë dhe dhembjes. Është një thirrje, një protestë teatrore, një pyetje…

Në një intervistë për KultPlus, regjisorja polake, Naztazja Domaradzka, tregon se kjo shfaqje nuk do të ekzistonte në qoftë se nuk do të ishte publiku.

“Unë mendoj se kjo është një shfaqje që nuk mund të ekzistojë pa publikun, është një shfaqje e bërë për audiencën. Unë nuk jam nga këtu dhe nuk kam idenë se çfarë do të thotë të jesh një grua nga Kosova, mund të kem të përbashkët disa gjëra, por nuk e di jetesën e një gruaje në Kosovë. Megjithatë, në bashkëpunim me aktoret dhe gjithë ekipin u munduam ta shfaqim atë në mënyrën siç duhet”.

Bashkëpunim i jashtëzakonshëm për një punë të madhe

“Bashkëpunimi ishte i jashtëzakonshëm. Ne patëm kohë vetëm 4 javë që të punojmë bashkë dhe kjo e bën edhe më të veçantë. Kur ju vini për herë të parë në Kosovë ato përshtypjet e para janë se ky është një vend shumë liberal dhe ka shumë rini, por kur hyn më thellë e shihni se gjërat nuk janë ashtu siç duken. U ndjeva shumë e befasuar që në vitin 2022 është bërë ilegale që të kontrollohet virgjëria e grave në Kosovë. Ka një tollovi të madhe që njerëzit nuk po e ballafaqojnë dhe mendojnë se çdo gjë është mirë pasi nuk bisedojnë për këto gjëra”, thotë regjisorja.

Tutje, ajo shpjegon se shfaqja shërben si një thirrje për të ndryshuar gjërat, jo vetëm nga burrat por edhe gratë.

“Mendoj se është një thirrje për të ndryshuar gjërat. Për të treguar se ne flasim vetëm për disa gjëra të caktuara. Ne kemi menduar që ta vendosim përgjegjësinë e këtyre gjërave te publiku, jo vetëm te burrat por edhe te gratë dhe të tjerët. Unë do të doja shumë që kjo shfaqje të shkonte në festivale të ndryshme, dhe njëri prej vendeve është sigurisht edhe Polonia, aty prej nga vi unë”, thotë Domaradzka.

Ajo gjithashtu tregon se bashkëpunimi mes saj, si një regjisore nga Polonia, dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës erdhi natyrshëm. 

“Unë isha duke punuar me Fondacionin e Familjes Bogujevci gjatë verës, në një projekt të shkruar nga dramaturgja britanike Sarah Hehir dhe në fund të periudhës laboratorike bëmë një pushim të shkurtër. Aty rastisti të jetë edhe drejtori i TKK-së, ku folën për gjendjen e grave në art në Kosovë”, thotë regjisorja.

Një shfaqje tërësisht dhe vetëm me gra për gratë

“Mendoj se kjo është hera e parë që në TKK luhet një shfaqje vetëm me gratë e këtij institucioni dhe sigurisht që kjo është një ndryshim në vete. Unë mendoj se këto gra meritojnë më shumë projekte të tilla dhe shpresoj që kjo të jetë një nxitje për artistet kosovare që të fillojnë të punojnë së bashku më shumë dhe të fokusohen në solidaritetin femëror”, shprehet mes tjerash.

Edhe aktorja Shengyl Ismaili, thotë për KultPlus se puna në këtë shfaqje është një ndjenjë jashtëzakonisht e veçantë.

“Këtu janë gjashtë histori që flasin për diskriminimin e gruas ndër shekuj, e unë luaj njërën nga historitë. E trajtoj dhunën e burrave ndaj grave”, thotë ajo.

“Të punosh vetëm me gra për gra është një ndjenjë jashtëzakonisht e veçantë. Duke filluar nga ne aktoret e deri te regjisorja, ndriquesja, kompozitorja, skenografia, dramaturget, koreografia, pra të gjitha jemi gra dhe kjo e bën edhe më të veçantë”, shprehet Ismaili.

Laborator teatër – teksti i ndërtuar gjatë provave

Ismaili gjithashtu tregon edhe pjesën se si kjo shfaqje dhe procesi i provave ka qenë shumë i vështirë

“Procesi i provave ka qenë shumë i lodhshëm, sepse kjo shfaqje është një laborator teatër, që nënkupton se teksti është ndërtuar gjatë rrugës (pra, provave) si dhe ka pjesë autoriale të vetë aktoreve”.

Aktorja beson se ato kanë dhënë maksimumin për këtë shfaqje, derisa pret që publiku të vazhdojë ta vlerësojë atë.

Aktorja tjetër, Xhejlane Godanci, thotë për KultPlus se kjo shfaqje ka qenë një sfidë në vete, por beson që ato ia kanë dalur suksesshëm ta paraqesin atë siç duhet në skenë.

“Kemi punuar për tri javë. Jemi angazhuar bashkë edhe me dramaturget në përpunimin e tekstit që të dalë teksti shumë më i mirë. Është edhe regjisorja polake që e ka bërë tekstin dhe sigurisht është një sfidë për neve që të bëjmë shfaqje të tilla, edhe pse kam punuar edhe në të kaluarën që ishin si rrëfime. Por në këtë shfaqje u paraqiten edhe pjesa vizuele për ta kompletuar më shumë. Secila kemi qenë e angazhuar për diçka dhe mendoj që së bashku ia kemi dalë”, thotë ajo.

Thirrja që elektrizoi të pranishmit dhe shfaqi madhështinë e gjithë shfaqjes, ishte pak para fundit, kur trupa e aktoreve, po bërtisnin “Gratë”, “Gratë”, “Gratë”, “Gratë”, “Gratë” nën përcjelljen e duartrokitjeve të fuqishme nga publiku.

Përpos aktoreve, edhe gra të tjera kanë marrë pjesë në këtë shfaqje, si konsulente e dramaturgjisë Doruntina Basha, skenografe Yllka Brada, mjeshtre ndriçimi Lucia Sanchez Roldan, kompozitore Rona Berisha Castrioti, koreografe Behije Murtezi, asistente regjie Xheraldina Krasniqi dhe asistente dramaturgjike Zoga Çeta Çitaku.

“Gratë” do ta ketë reprizën sonte më 22 dhjetor dhe një tjetër më 23. /KultPlus.com