Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit bëri publike sot, listën me 5 finalistët që kandidojnë për Çmimin “Lumo Skëndo”.
Ata janë: Ilir Ikonomi me veprën “Fan Noli-Apostulli”, botuar nga UET Press; Thomas Frashëri me “Frashëri i shquar, i panjohur” botuar nga “Onufri”; Ardit Bido me “Beteja për 20 përqindëshin”, botuar nga Dudaj; Natasha Lako me librin “Njeriu si një tjetër”, botuar nga UET Press; Blendi Fevziu me “Takimet e mia me…” me botues UET Press.
Çmimi “Lumo Skëndo” i jepet veprës më të mirë në eseistikë dhe publicistikën shqiptare të një viti. Në këtë përzgjedhje vlerësohen autorët më të mirë në gjinitë e publicistikës, eseistikës dhe studimore, duke sjellë në vëmendjen e publikut emrin e një figure të shumanshme, siç është bibliofili Mit’hat Frashëri.
Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë “Lumo Skëndo” është akorduar për herë të parë në vitin 2006. Ky çmim i shërben vlerësimit dhe stimulimit të botimeve me vlera të spikatura bibliofilike dhe intelektuale, nëpërmjet evokimit të personalitetit të kulturës dhe të mendimit shqiptar Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri), veçanërisht si themelues i bibliofilisë shqiptare./atsh/KultPlus.com