Rexhep Qosja shpallet fituesi i çmimit “Lumo Skëndo”

Akademiku Rexhep Qosja është shpallur fituesi i çmimit “Lumo Skëndo” për vitin 2024.

Libri i tij “Për lirinë, të vërtetën dhe të drejtën” është vlerësuar si vepra më e mirë në lëmin e publicistikës dhe eseistikës. Juria e kryesuar nga Belina Budini, me anëtarë Uran Butka, Anastas Angjeli, Rudina Xhunga dhe Aida Tuci e vlerësuan veprën publicistike të Rexhep Qosjes me motivacionin: “përmes analizave të tij të mprehta dhe studimeve të thelluara mbi gjuhën shqipe, akademiku Rexhep Qosja ka dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e mendimit kritik dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare”.

Nëpërmjet një videomesazhi, Rexhep Qosja falënderoi përfaqësuesit e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, si edhe Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për çmimin “Lumo Skëndo”.

“Çmimi “Lumo Skëndo”, me të cilin vlerësohet vepra ime, është nderim i veçantë që më dhurohet në moshën në të cilën jam”, u shpreh akademik Qosja, i cili më pas ngriti lart figurën e Mit’hat Frashërit, i cili mbante Lumo Skëndon si emrin e penës.

Ky çmim shihet si një vlerësim për të nxjerrë në pah vlerat më të mira të botimeve në gjininë e publicistikës dhe eseistikës që kanë një rol në diskutimet publike. Për vitin 2024 ishin gjithsej 10 kandidatë, mes të cilëve Stefan Çapaliku, Enis Sulstarova, Sherif Bundo, Arben Imami, Luan Rama etj. /KultPlus.com

Juria e çmimit “Lumo Skëndo” shqyrton veprat më të mira të vitit 2024

Në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit u mblodh juria e çmimit “Lumo Skëndo”, për të shqyrtuar veprat më të mira që garojnë për këtë vlerësim për vitin 2024.

Juria e edicionit të katërt të çmimit “Lumo Skëndo”, drejtohet nga prof. Belina Budini dhe ka anëtarë: Uran Butkën, studiues i veprës së Mit’hat Frashërit, akademik Anastas Angjelin, gazetaren Rudina Xhunga dhe gazetaren Aida Tuci.

QKLL shkroi në faqen e saj online se, ky çmim shihet si një vlerësim për të nxjerrë në pah vlerat më të mira të botimeve në gjininë e publicistikës dhe eseistikës që kanë një rol në diskutimet publike. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ftoi botuesit dhe autorët të dorëzojnë pranë saj, veprat në këto dy gjini, të botuara gjatë këtij viti./atsh/KultPlus.com

74 vjet nga vdekja e Mid’hat Frashërit

Sot, përkujtojmë 74-vjetorin e ndarjes nga jeta të publicistit, shkrimtarit, përkthyesit, albanologut, diplomatit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare shqiptare, Mid’hat Frashëri (1880-1949)

Mid’hat Frashëri ishte publicist, shkrimtar, përkthyes, albanolog, diplomat dhe veprimtar i çështjes kombëtare shqiptare. Lindi në Janinë më 1880 dhe ishte i biri i Abdyl Frashërit, patriotit të shquar shqiptar.

Mid’hat Frashëri njihet edhe me pseudonimet “Lumo Skëndo” dhe “Mali Kokojka”. Mësimet e para i mori nga Naim dhe Sami Frashëri. Nën ndikimin e tyre, ai mori një kulturë të gjerë dhe zotëroi disa gjuhë të huaja. Në vitin 1908 themeloi gazetën “Liria” në Selanik. Nga viti 1897-1928 botoi me ndërprerje revistën “Kalendari Kombiar”. Në vitin 1909 botoi revistën “Diturija” në Selanik, në Konstancë dhe në Tiranë. Këto revista trajtuan çështje me rëndësi historike, gjuhësore, folkloristike dhe të traditave të popullit shqiptar. Mid’hat Frashëri zhvilloi një veprimtari të gjerë letrare, kulturore dhe politike.

Në Kongresin e Manastirit (1908) u zgjodh kryetar dhe u caktua në Komisionin e Alfabetit. Mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, më 28 nëntor 1912. U emërua ministër i Punëve Botore në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës. Gjatë periudhës së Princ Vidit, u ngarkua me detyrën e ministrit të Postave dhe Punëve Botore. Gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore qëndroi në vende të ndryshme të Evropës.

Në vitin 1918 u emërua ministër i qeverisë së Turhan pashë Përmetit dhe anëtar i delegacionit zyrtar shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në vitet 1923-1925, mbajti detyrën e ministrit fuqiplotë të Shqipërisë në Athinë. Gjatë ushtrimit të kësaj detyre, Mid’hat Frashëri protestoi për shpërnguljen me dhunë të shqiptarëve myslimanë të Çamërisë nga qeveria greke.

Në vitet 1926-1939 hapi librarinë “Lumo Skëndo” në Tiranë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore drejtoi organizatën e Ballit Kombëtar. Në përfundim të luftës, fillimisht shkoi në Itali dhe më pas në Londër, ku formoi Komitetin “Shqipëria e Lirë”.

Vdiq në Nju-Jork, më 3 tetor 1949. / KultPlus.com