Nga veprat e panjohura të Lumturi Blloshmit te artistët austriakë, ekspozita “Petalet e panumërta” bashkon artin, politikën dhe mjedisin

Nga veprat e panjohura të Lume Blloshmit te imazhet bashkëkohore të Ryts Monet. Të enjten në mbrëmje është çelur në galerinë “Zeta” ekspozita “Petalet e panumërueshme”. Kuratorët Markus Waitschacher dhe Endri Dani kanë përzgjedhur 11 artistë, 6 shqiptarë dhe 5 austriakë përmes konceptit të luleve si gjenezë e natyrës.

Vepra të panjohura që shfaqin lule nga Lume Blloshmi, punë të Agron Dines, Fatlum Doçit, Remijon Pronjës, Abi Shehut shfaqen përkrah artistëve austriakë, duke bashkuar breza, qasje e mediume artistike që përmes imazheve dhe koncepteve kërkojnë të rrisin ndërgjegjësimin për natyrën, duke e përjetësuar në vepra.

“Kjo ekspozitë i kushtohet luleve. Fatmirësisht jemi ende të rrethuar prej tyre edhe pse ndonjëherë, lulet duhet të udhëtojnë gjysmën e planetit tonë për të qenë me ne, duke u pjalmuar nga pajisjet elektronike dhe duke vuajtur shumë nga sjellja jonë. Një prej veprave tregon anët e ndryshme të luleve dhe parave. Kartëmonedhat janë të fshehura, sa duket vetëm dekorimi me lule. Të përdorura dhe të keqpërdorura nga pushtetet politike – në anën e pasme të tyre shohim ndër të tjera presidentë, ministra por edhe diktatorë, kolonizatorë dhe simbole politike, të ndërthurura” tha Kuratori Markus Waitschacher.

Të pranishëm në çeljen e ekspozitës ishin edhe ministrja austriake e Integrimit Karoline Edlstadler dhe ministri Austriak i Ekonomisë Martin Koher. Në fjalën e tyre ata folën për artin si urë bashkuese mes vendeve dhe pohuan mbështjetjen për integrimin e Shqipërisë.

Eshte nje ekspozite qe tregon kontradikten mes natyres dhe te ardhmes. tregon se ne duhet te krijojme ura mes Austrise dhe Shqiperise, mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perendimor. Detyra jone kete here eshte te mbeshtesim, Malin e Zi e Shqiperine, ne rrugen e tyre drejt BE, qe te behen anetare te plote. ne flasim per ekonomine, paqen e sigurine, por nuk duhet te harrojme qe menyra e vetme per te krijuar ura, eshte arti e kultura. BE nuk eshte plote pa Ballkanin Perendimor” tha ministrja Edlstadler.Ekspozita me vizatime, piktura, skulptura dhe video çelet në kuadër të nismës austriake “të imagjinosh dinjitetin” e cila synon përmes artit të ndryshojë perceptimet, qasjet kundrejt natyrës, ambjentit dhe ekosistemit./KultPlus.com

Ekspozita retrospektive e Lumturi Blloshmi në Prishtinë, një udhëtim në universin e saj artistik

Flonja Haxhaj

Mbrëmjen e së premtes, Galeria Kombëtare e Kosovës, mori tjetër pamje e imazh me hapjen e ekspozitës ‘Lumturi Blloshmi, nga e para’, si një rikthim të një pune më shumë se 50-vjeçare që artistja Blloshmi la pas vetës, e që u soll në Prishtinë nga kuratorja Adela Medetja, shkruan KultPlus.

Ekspozita ‘Lumturi Blloshmi, nga e para’ vjen në Prishtinë pas prezantimit të suksesshëm në Bienalen e 59-të të Venecias. Nderkaq, në Prishtinë, kjo ekspozitë retrospektive ofroi një prezantim më të detajuar dhe të zgjeruar të veprave të kësaj artiste të shquar shqiptare, duke zbuluar historinë e krijimtarisë së saj më shumë se gjysëm-shekullore.

Ekspozita erdhi si një udhëtim kronologjik në jetën artistike të Lumturi Blloshmi dhe përfshin një gamë të gjerë të punëve të saj. Në ‘Lumturi Blloshmi, nga e para’ u prezantuan autoportrete, peizazhe, portrete, kompozime në pikturë, fotografi, dhe instalacione që shpërndahen në mënyrë koherentë nëpër galeri.

Kuratorja e ekspozitës, Adela Demetja, tha para të pranishmëve se për dallim nga Bienalja e Venecias, ekspozita në Prishtinë prezantohet një punë edhe më e detajuar e artistes Blloshmi, nga ato të viteve 1962 deri më 2018.

“Kësaj here, në këtë ekspozitë ne sjellim retrospektivën më të madhe të artistes deri më sot, dhe jam shumë e lumtur që këtë retrospektivë ajo do ta ketë për herë të parë në Prishtinë dhe në Galerinë Kombëtare këtu, e para, sepse e dëshironte vetë Lumturia këtë gjë ngaqë ishte shumë e lidhur me Kosovën dhe është ndjerë shumë e vlerësuar në Kosovë atëherë kur është ekspozuar. Sigurisht, shumë nga ne Lumturinë e kanë njohur personalisht, gjithashtu dhe një pjesë të krijimtarisë së saj, por thellësinë e punës së Lumes që është shtrirë për më shumë se 50 vjet ndoshta askush nga ne nuk ka pasur mundësinë ta shohë më përpara”, u shpreh Demetja, duke shtuar më tutje se karakteri i fortë i Blloshmit dhe gjithmonë largpamës e bëri atë një artiste eksperimentale dhe që shumë shpesh ishte një ose dy hapa para kohës së saj.

Në hapjen e ekspozitës ‘Lumturi Blloshmi, nga e para’ ishte i pranishëm edhe nipi i Lumturi Blloshmit, Ervin Blloshmi, i cili u shpreh falënderues dhe mirënjohës për secilin që ka punuar për të sjellë këto vepra në Prishtinë.

“Adela si një studiuese dhe admiruese e krijimtarisë së Lumturisë e bëri përsëri të mundur që veprat e saj të shijohen nga publiku i gjerë dhe ka bërë një punë fantastike. Unë si trashëgimtar dhe përkujdesës i krijimtarisë së saj do t’u jem gjithmonë mirënjohës për punën dhe djersën që ka futur i gjithë ekipi në organizimin e kësaj ekspozite. Fuqia që Lumturi Blloshmi kishte të paketuar në vetvete ishte si një forcë e mbinatyrshme, ajo kurrë nuk e vuri në pikëpyetje ekzistencën e saj si artiste, egoja pa të cilën nuk mund të arrihet asnjë gjë, nuk e tradhëtoi kurrë atë, vepra e saj paraqet realitetin në një sinqeritet lakuriq nëpërmjet simbolizmit, ekspresionizmit dhe dialektikës artistike, mjeshtëria e trajtimit të materialeve qëndron krah për krah me konceptualitetin për të transmetuar një goditje emocionale që konfirmohet nga shikuesit dhe admiruesit e artit të saj”, u shpreh Blloshmi në vijim.

Ndërkaq, për shumë vite Lumturi Blloshmi u krahasua me Frida Kahlon. Puna e saj në artin pamor nisi në vitet 1973-1974, një periudhë delikate në artin shqiptar. Lumturi Blloshmi arriti të krijojë dhe t’i shmanget presionit të kohës duke u fokusuar tek peizazhi dhe natyrat e qeta. Në fillim të viteve ’90, Blloshmi kërkoi dhe gjeti një karakter tjetër artistik dhe u bë shumë shpejt pjesë e atyre artistëve që i dhanë frymëmarrjen e parë artit modern dhe postmodern shqiptar përmes performancave dhe instalacioneve.

Lumturi Blloshmi lindi në Tiranë në vitin 1944. U diplomua për pikturë në vitin 1968. Në vitin 1988 çeli ekspozitën e parë personale në Berat dhe po atë vit mori pjesë në Bienalen e Ankarasë (Egjypt). Gjatë viteve ’89-’91, çeli dy ekspozita vetjake në GKA. Midis viteve 1992- 2010 Blloshmi ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme në grup si në Selanik, Madrid, Lion, Budapest, Stamboll, Paris, Zyrih, Gjenevë, Modena, Hag, Neë York etj. Ishte fituese e konkursit ndërkombëtar “Onufri ’94”./KultPlus.com

Në Bienalen e Venecias hapet pavijoni shqiptar “Lumturi Blloshmi. Nga e para”

U hap sot në hapësirat e Arsenales në Bienalen Ndërkombëtare të Venecias, pavijoni shqiptar, prezantuar me artisten Lumturi Blloshmi, kuruar nga Adela Demetja.

Në këtë edicion të 59-të Shqipëria vjen për herë të parë me një ekspozitë personale të një artisteje grua dhe që nuk jeton më.

Ceremoninë e hapjes e përshëndeti ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila ndër të tjera u shpreh se “Lumturi Blloshmi është simboli i tejkalimit. I tejkalimit të çdo lloj vështirësie që të përball jeta.

“Lumturi Blloshmi është simbol i brezit të vet, që krijoi në një periudhë të egër për artin e më pas u përballën me ndryshimet e sistemeve politike, që i detyronin të vraponin për të kapur kohën e humbur nën diktaturë”, tha ministrja.

Margariti e cilësoi ekspozitën një copëz autentike shqiptare, që i prezantohet botës si një histori personale, por edhe si përfaqësuese e një brezi artistësh, që tejkaluan barrierat e regjimit, duke filluar çdo herë nga e para.

“Jam e kënaqur që këtë vit kemi në Bienale një skuadër më së shumti femërore, paraprirë nga Lumja, te Adela e stafi që bënë të mundur ngritjen e këtij pavijoni, në një format, që aq sa zbulon aq edhe na lë shijen e misterit dhe dëshirën për të zbuluar më shumë mbi botën e një artisteje; që i rri më së miri konceptit të përgjithshëm të këtij edicioni, që kurohet nga Cecilia Alemani, e para grua italiane në këtë pozicion kaq të rëndësishëm”, u shpreh Margariti.

Ndërsa kuratorja Adela Demetja u shpreh se asnjëherë nuk është vonë për të bërë gjënë e duhur, që do të thotë promovimin e veprës së Lumturi Blloshmit.

“Lumja na ka lënë një arkiv shumë të pasur, e shtrirë në një periudhë të gjatë kohore. Na ka lënë vepra, dorëshkrime, letra, përmes së cilave kuptojmë botën e saj dhe kontekstin ku ajo jetoi”, tha Demetja.

I pranishëm ishte edhe nipi i artistes, Ervin Blloshmi, i cili u shpreh se Lumja “u martua me artin e saj”, jetoi për të dhe tejkaloi të gjitha pengesat që i përballi jeta.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë shumë artistë e artdashës nga Shqipëria e Kosova dhe pavijoni shqiptar u vizitua nga personalitete të artit dhe kulturës botërore.

Artistja Blloshmi u nda nga jeta në vitin 2020 për shkak të COVID-19.

Pavijoni

Puna ndër vite e Lumturi Blloshmit dhe koncepti kuratorial e vendos Pavijonin Shqiptar brenda kuadrit politik, artistik dhe konceptual të edicionit të 59-të të Bienales së Venecias dhe diskursit aktual të artit bashkëkohor.

Prezantimi me titull “Lumturi Blloshmi. Nga e para” është i konceptuar si një ekspozitë që synon të hulumtojë, shqyrtojë, prezantojë dhe ripozicionojë veprën dhe jetën e Lumturi Blloshmit në historinë e artit kombëtar dhe ndërkombëtar.

Prezantimi është konceptuar në tre pjesë. Thelbi i ekspozitës përbëhet nga një përzgjedhje e veprave të Blloshmit nga periudha të ndryshme. Arkitektura e ekspozitës është krijuar në bashkëpunim me arkitekten gjermane Johanna Meyer-Grohbrügge.

Nëpërmjet një mjedisi të ndërtuar virtualisht publiku qaset në botën personale dhe mjedisin krijues të Blloshmit, përmes një arkivi virtual, të krijuar në bashkëpunim të ngushtë mes kuratores dhe artistit britanik të realitetit virtual Alexander Walmsley.

Atmosferën e plotëson një film për Lumturi Blloshmin në formën e një dokumentari eseistik. Ky i fundit synon të dokumentojë jetën e Blloshmit, punën dhe qenien e saj. Sipas kuratores Demetja, dokumentari është në vetvete një lloj vepre artistike e bashkëkrijuar nga mendimet/veprat/imazhet e Lumturi Blloshmit dhe nga regjisori meksikan Tin Dirdamal.

Skuadra e Pavijonit Shqiptar:

Kuratore: Adela Demetja

Asistent kuratore: Eni Derhemi

Artist i Realitetit Virtual: Alexander Walmsley

Regjisor: Tin Dirdamal

Arkitekte e ekspozitës: Johanna Meyer-Grohbrügge

Këshilltare e Pavijonit: Vivien Trommer

Përfaqësues ligjor i Lumturi Blloshmit: Ervin Blloshmi

Komisioner: Ministria e Kulturës së Shqipërisë /atsh/ KultPlus.com

Zbulohet një copëz nga pavijoni shqiptar në Bienalen e Venecias

Shqipëria do të përfaqësohet në edicionin e 59-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, ngjarjes më të madhe të artit bashkëkohor në botë, me veprën e Lumturi Blloshmit.

Në një atmosferë miqësore, mes artistësh e gazetarësh, kuratorja Adela Demetja ndau konceptin e saj kuratorial për përfaqësimin e Shqipërisë në këtë Bienale.

Nga ana e saj, ministrja e Kulturës, Elva Margariti u ndal te rëndësia e këtij aktiviteti artistik të zhvilluar mbrëmë, ku u zbulua një copëz nga pavijoni shqiptar në Bienalen e Venecias, përfaqësuar nga artistja Lumturi Blloshmi, nën titullin “Nga e para”.

“Në një atmosferë miqësore, mes artistësh e gazetarësh, kuratorja Adela Demetja ndau konceptin e saj kuratorial për përfaqësimin e Shqipërisë në këtë arenë ndërkombëtare të artit pamor: arkivën digjitale të artistes dhe një sekuencë nga filmi dokumentar eksperimental, që hedh dritë mbi botën e Lumes, që pak e njohën”, tha Margariti.

Piktorja e njohur Lumturi Blloshmi u nda nga jeta nga jeta si pasojë e COVID-19, në 27 nëntor 2020.

Lumturi Blloshmi lindi në Tiranë në vitin 1944. U diplomua për pikturë në vitin 1968. Në vitin 1988 çeli ekspozitën e parë personale në Berat dhe po atë vit mori pjesë në Bienalen e Ankarasë (Turqi).

Gjatë viteve ’89-’91, çeli dy ekspozita vetjake në GKA. Midis viteve 1992- 2010 Blloshmi ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme në grup si në Selanik, Madrid, Lion, Budapest, Stamboll, Paris, Zyrih, Gjenevë, Modena, Hagë, New York etj. Gjithashtu, Blloshmi ka fituar konkursin ndërkombëtar  “Onufri ’94”. Vitet e fundit Lumturi Blloshmi u prezantua me ekspozita në disa galeri private në Tiranë, Durrës dhe Korçë./atsh / KultPlus.com

Bienalja e Venecias, Margariti: Lumturi Blloshmi, artiste që fliste përmes artit

U zhvillua dje në teatrin “ArTurbina”, takimi mes kuratores së pavijonit shqiptar në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, Adela Demetja dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të saj mbi veprën e Lumturi Blloshmit.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margriti e cila thekson se, çdo bisedë për Lumturi Blloshmin është një zbulim personal.

“Ajo ishte një artiste që kishte kaq shumë për të thënë dhe që për të tejkaluar çdo lloj kufizimi kishte zgjedhur të fliste përmes artit”, theksoi ministrja.

“Ishte frymëzues takimi i mbrëmshëm mes kuratores së pavijonit shqiptar të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, Adela Demetja, që do të çojë veprën e Lumes në këtë aktivitet madhor të artit pamor, dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të artistes: Eleni Laperi, Suzana Varvarica Kuka dhe Krenar Zejno”, tha Margariti.

“Kolazhi i fotografive, që ndërtonte rrugëtimin jetësor të artistes u shoqërua me copëza kujtimesh dhe lexim të veprave të saj, që vinin si reagim ndaj realitetit, demokracisë së vonë, shoqërisë komuniste dhe dëshirës për liri”, u shpreh Margariti.

Shqipëria do të përfaqësohet në edicionin e 59-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, ngjarjes më të madhe të artit bashkëkohor në botë, me veprën e Lumturi Blloshmit. /atsh/ KultPlus.com

Adela Demetja, artistja e parë femër që përfaqëson Shqipërinë në bienalen e Venecias me veprën e Lumturi Blloshmit

Pavijoni Shqiptar në edicionin e 59-të të Bienales së Venecias do të përfaqësohet nga Lumturi Blloshmi, artistja e parë femër që përfaqëson Shqipërinë me një prezantim personal në Venecia, kuruar nga kuratorja shqiptare Adela Demetja.

Pak ditë më parë artistja Blloshmi bëri një vit që u nda nga jeta për shkak të covid 19.

Biografia e jashtëzakonshme e Lumturi Blloshmit, personaliteti i saj i fuqishëm dhe mbi të gjitha vepra artistike cilësore, e bëjnë atë vlerë unike dhe domethënëse për artin bashkëkohor kombëtar dhe ndërkombëtar.

Puna e Lumturi Blloshmit përshtatet gjithashtu më së miri me temën e këtij viti të Bienales së Artit të Venecias, titulluar “Qumështi i ëndrrave”.

Prezantimi me titull “Lumturi Blloshmi. Nga e para” është i konceptuar si një ekspozitë që synon të hulumtojë, shqyrtojë, prezantojë dhe ripozicionojë veprën dhe jetën e Lumturi Blloshmit në historinë e artit kombëtar dhe ndërkombëtar. / KultPlus.com

8 tablo të artistes Lumturi Blloshmi ekspozohen te galeria ‘Kalo’ (VIDEO)

Prej tre muajsh artistja Lumturi Blloshmi nuk është më fizikisht midis nesh. Ajo humbi betejën nga pandemia Covid 19. Por, krijimtaria që ka lënë pas është një pasuri jo vetëm për artet pamore, Galerinë Kombëtare të Arteve, edhe koleksionistët privat, por veçmas për artdashësit.

8 tablo të artistes Lumturi Blloshmi janë ekspozuar këto ditë në galerinë “Kalo” nën titullin “Mendje e bukur”. Kuratorja Suzana Varvarica rrëfen kontributin e artistes, që diti të guxojë

“Në këto ditë të vështira pandemie po kujtojmë Lumturi Blloshmin me punët e saj, brenda këtyre tetë punimeve shikojmë Lumen përmes artit pamor”, thotë kuratorja Varvarici.

Suzana Varvarica argumenton se Lumturi Blloshmi do të njihet në historinë e artit shqiptar të shekullit XX, si artistja më kreative e grupimit femëror. Pasi ka qenë e para që ka eksploruar një mendësi ndryshe nga ai i para viteve ’90, duke guxuar në pikturë, në instalacion dhe me objektet e riciklueshme në natyrë, të cilat i ndërthurte më së miri me performancën e fotografisë, muzikës dhe dansit. 

“Ishte një artiste revolucionare në kuptimin e bukur të fjalës, që theu kornizat, edhe jo se nuk e provoi se çfarë ishte realizmi socialist, por e kishte shumë të vështirë që të përshtatej me të”, tregon Varvarica.

Ndërsa, për tablonë “Aksionistja” që çelur këto ditë në Galerinë Kombëtare të Arteve në ekspozitën “Synime” e kuruar nga Adela Demetja dhe Ermirë Krasniqi, Varvarici analizon arsyet se përse nuk është më përfaqësuesja e veprave të saj

 “Nuk mund të them se përfaqëson të gjithë personalitetin krijues të Lumes kjo tablo, por që ta kujtosh në këtë 7 Mars Lumen, në këtë ditë që lidhet me dijen, mendoj se kjo ekspozitë rëndon shumë edhe është shumë e rëndësishme. Janë punime që e përfaqësojnë, pavarësisht se ka realizuar dhe instalacione të tjera”.

Ekspozita “Mendje e bukur” vazhdon që të qëndrojë hapur në galerinë “Kalo”./ shqiptarja/ KultPlus.com

Agim Morina për Lumturi Blloshmin: Shpirti i saj i vuejtun është i shpërndamë nëpër çdo pikturë

Vdekja e piktores Lumturi Blloshmi përveç që ka tronditur skenën artistike, ka ngjallur edhe reagime të shumta, që bëjnë të besojnë se ajo do të rroj nëpërmjet krijimtarisë së saj të pasur, shkruan KultPlus.

Poeti Agim Morina në një shkrim të shpërndarë në facebook dhe me titull “U njohëm më 27 nëntor”, ka kujtuar mënyrën e takimit të parë me piktoren.

Ishte pikërisht 27 nëntori, dita kur këta dy artistë ishin takuar për herë të parë, e që vite më pas piktorja Blloshmi do të vdiste në këtë datë. Morina në shkrimin e tij përmendi ekspozitën e mbajtur në fund të vitit 1995 “Onufri” në Tiranë.

Nga të gjitha krijimet artistike të ekspozuara, atij i kishte lënë mbresë vepra e Lumturisë, me ç’rast edhe kishte pasur mundësinë ta takonte dhe t’i ndante me të mendimet për to.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Agim Morinës:

U NJOHËM MË 27 NËNTOR

Kur shkova në Tiranë, në fund të vitit 1995, arrita në kohën kur, disa javë më pas, u hap ekspozita Onufri. Ajo u hap më 27 nëntor, që i bjen rrafsh para 25 vjetësh. Në ekspozitë shkova me një ndjenjë pasigurie për atë se çfarë kam me pa. Pas gjysmë shekulli të ndrydhjes staliniste, nuk mund të prisja ndonjë mrekulli. E merrja me mend se nuk do të shihja grushta burrash e grash muskulorë me kazma e lopata në duer, tue vështru rreptas larg në horizont, nuk do t’i shihja tue ba thirrje për çarje bllokadash e kthimin e kodrave në fusha, por, doemos – mendoja unë – kanë me qenë prapë po ata trupa me muskuj, po aj optimizëm i rremë dhe naiv, tipik për enverizmin, veçse tani pa kazma e lopata dhe pa parulla.

Kur hyna në sallën e madhe të Galerisë Kombëtare, thjesht, u mrekullova me punimet e piktorëve shqiptarë. Ishin mbresëlanëse. Thjesht mbeta pa fjalë. Energjia që gufonte në ato punime ishte vullkanike. Natyrisht, kishte eksperimentime, ndërthurje stilesh e rrymash të ndryshme artistike, ku ndonjëherë mundeshin me u dallu lehtë edhe piktorë e punime të veçanta të artit botënor prej nga ishin frymëzu, që nga klasicizmi, impresionizmi, kubizmi, surealizmi, pop-arti, op-arti, hiper realizmi etj. Por, megjithatë, në krahasim me rrethanat nëpër të cilat kishin kalu piktorët shqiptarë kishin arrijtë në caqe të mahnitshme artistike. Shihja potencialin që kishte nisë me shpërthy dhe do të derdhej në dhjetëvjeçarë të ardhshëm. Thjesht, vizita në galeri u kthy në një festë të vogël për sytë e mi.

E veçantë nga të gjithë me stabilitetin e shprehjes artistike m’u duk punimi i autorit “L. Bloshmi.“ Para punimit të tij mbeta tue kundru gjatë. Si ishte e mundun? Kompozicioni i zgjidhun mirë, koloriti i balancuem, siguria e hoveve të penelatave dhe një trajtim artistik që tregonte një shpirt kryengritës. Ky autor ishte më i veçantë. Pas një kohe iu drejtova një kujdestareje të galerisë dhe e pyeta se kush ishte autori i këtyre punimeve. Ajo buzëqeshi me mirësjellje e më tha:

– Nuk asht autor! Asht autore. Quhet Lumturi Bloshmi.

– Shumë mirë! – gati klitha e vazhdova – punimet e saja po më pëlqejnë shumë. Po më duket krejt e veçantë…

– Po, asht e veçantë… Por, ajo asht këtu, nëse doni ta takoni? – më tha ajo.

Befasitë po renditeshin njëna pas tjetrës.

E ndoqa pas kujdestaren dhe u ndala prapa një zonje, koka e së cilës u kthy ngadalë kah unë. U shfaq një fytyrë me sy të mëdhej, buzë të holla, shikim të mprehtë. E shkujdesun në veshje dhe me flokë pak të hapërdamë, mbështjellë me një shall lara-lara ajo buzëqeshi ambël. I erdhi shumë mirë që punimi i saj më kishte lënë përshtypje. Por edhe habi, se si nga të gjitha punimet më kishte pëlqy e saja. Biseduem një copë kohë dhe e lamë të takoheshim prapë. Gjatë gjithë bisedave, ajo asnjëherë nuk më foli për rrethanat e randa të jetës së saj. Ma vonë kam me kuptu këtë prej të tjerëve. Por, vetëm kështu pata arrijtë me kuptu se pse thellë në sytë e saj përhidhej një flutur ankthi e dhembjeje, që ajo përpiqej me e fshehë e me e mbajtë vetëm për vete.

Sonte mora lajmin e hidhun që Lumturi Bloshmi na paska lanë. Saktësisht, në ditën e 25-vjetorit që u patëm njohë atë ditë në Galerinë e Arteve në Tiranë. I qoftë i lehtë dheu! Shpirti i saj engjëllor, i vuejtun e kryengritës, i shpërndamë nëpër çdo pikturë të saj në trajtë ngjyrash e vijash, ka me na ba dritë përgjithmonë. / KultPlus.com

Ministrja e Kulturës për Blloshmin: Ti na fole me veprën tënde më shumë se mijëra fjalë

Për vdekjen e piktores Lumturi Blloshmi nga Covid-19 ka reaguar edhe ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në facebook ministrja ka shkruar për veprimtarinë e bujshme të Blloshmit.

“Covid 19 na mori sot një tjetër emër të madh të artit shqiptar: Lumturi Blloshmin, ndër të paktat artiste pamore të brezit të saj, që sfiduan kohën, sistemet politike, ndryshimet e mëdha”, ka shkruar Elva Margariti

Tutje ka kujtuar momentet kur ishte ndalur para bustit të saj në Galerinë Kombëtare të Arteve

“Një portret i skalitur ashtu si ishte arti dhe qëndrimi i saj estetik”, ka shkruar Margariti.

Për fund, ministrja ka vlerësuar se Blloshmi ka folur me veprën e saj më shumë se me mijëra fjalë.

E krahasuar me Frida Kahlon, Lumturi Blloshmi mban mbi shpinë 25 vite krijimtari. Ajo njihet si piktorja që lëvroi ndër të parat performancën dhe instalacionin në vendin tonë. Vitet e fundit Lumturi Blloshmi u prezantua edhe me ekspozita në disa galeri private në Tiranë, Durrës, apo Korçë. / KultPlus.com

Koronavirusi i merr jetën piktores së njohur, humb betejën pas 3 javësh Lumturi Blloshmi

Ka vdekur për shkak se ishte infektuar me Covid-19, piktorja e njohur shqiptare, Lumturi Blloshmi.

Mësohet se ajo po luftonte me virusin e rrezikshëm prej tre javësh, pa mundur t’i bëjë ballë.

E krahasuar me Frida Kahlon, Lume Blloshmi mban mbi shpinë 25 vite krijimtari. Ajo njihet si piktorja që lëvroi ndër të parat performancën dhe instalacionin në vendin tonë.

Puna e saj në artin pamor nisi në vitet 1973-1974, një periudhë delikate në artin shqiptar. Lumturi Blloshmi arriti të krijojë dhe t’i shmanget presionit të kohës duke u fokusuar tek peizazhi dhe natyrat e qeta. Në fillim të viteve ’90, Blloshmi kërkoi dhe gjeti një karakter tjetër artistik dhe u bë shumë shpejt pjesë e atyre artistëve që i dhanë frymëmarrjen e parë artit modern dhe postmodern shqiptar përmes performancave dhe instalacioneve.

Lumturi Blloshmi lindi në Tiranë në vitin 1944. U diplomua për pikturë në vitin 1968. Në vitin 1988 çeli ekspozitën e parë personale në Berat dhe po atë vit mori pjesë në Bienalen e Ankarasë (Egjypt). Gjatë viteve ’89-’91, çeli dy ekspozita vetjake në GKA. Midis viteve 1992- 2010 Blloshmi ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme në grup si në Selanik, Madrid, Lion, Budapest, Stamboll, Paris, Zyrih, Gjenevë, Modena, Hag, New York etj. Ishte fituese e konkursit ndërkombëtar “Onufri ’94”.

Vitet e fundit Lumturi Blloshmi u prezantua edhe me ekspozita në disa galeri private në Tiranë, Durrës, apo Korçë. / rita.tv/ KultPlus.com