Veshjet e grave të Lunxhërisë, një gur i çmuar në gjerdanin e etnografisë shqiptare

Nga: Albert Vataj

Vështroni se me çfarë harmonie ngjyrash janë endur dhe stolisur këto veshje. Ky solemnitet i shpirtit krijues sfidon mbi çdo forcë harrimi që e kërcënon dhe vjen në dritën e syve që e adhurojnë si një shpërthim. Ajo bukuri kaq e dlirë dhe tejet e kthjellët është vetë shprehia e shpirtit të atyre njerëzve që nevojën për larmi dhe hire, e pasuruan me virtuozitetin e atyre duarve që endën me fije shpirti qëndismat që zbukurojnë ceremonialin festiv të këtyre veshjeve.

Si në çdo veshje dhe element të etnofolkut edhe veshjet e grave të Lunxhërisë nuk bëjnë përjashtim nga ai element që e bën mahnitës, harmonia. Dekorimet me fije të arta kanë një dizejnim dhe realizim, që do ta kishte zili çdo mjeshtri dhe do të sfidohej çdo mekanizëm. Ata derdhen me shumë finesë duke konturuar dhe zbukuruar në funksion të një ansambli të tërë dhe tejet të komplikuar trajtesash vizuale.

Hiri i këtyre veshjeve është vetë ai komunikim shpirtëror dhe estetik me të cilën brezat, mjeshtëritë dhe përsosja kanë u drejtohen gjeneratave, u flasin botëkuptimeve, u mëkojnë hoveve të zhvillimit.

Ata janë pasuri kombëtare, dimension estetik i shpirtit tonë krijues.

Janë dhe mbeten dëshmitarë të një tradite të shkëlqyer.

Copëza të mozaikut të asaj panorame të pamohueshme të qytetërimit dhe kulturës.

Folku shqiptar, në të gjithë komponentët e vet jetëshkruan nëpërmjet larmisë dhe ngjyrave, formave dhe përbërjes, rrugëtimin tonë në kaplimin e vlerave dhe atributeve të patëdyta që mëtojnë identitetin kombëtar shqiptar.

Në to janë derdhura si në memuar, fantazia dhe kodika, njëmendësia e zanafillës së ekzistencës sonë, shënjimi dhe simbolika, krejtato në trajtën e një sinjalistike të rrugëtimit tonë përgjatë ekzsitencës. /KultPlus.com