Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka ndarë sot çmimin “Qytetar Nderi i Gjilanit”, për gazetarin Marin Mema, për kontributin e dhënë në rrugëtimin e Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci, e në veçanti për angazhimin dhe kontributin e tij në shërbim të atdheut dhe kombit në përgjithësi, përcjell KultPlus.
Kryetari Haziri ka falënderuar kuvendarët e Gjilanit që votuan unanimisht për nismën e tij, në mbledhjen e të enjtes.
“Me votimin e Kuvendit të Komunës dhe në prani të shkëlqesisë së tij, ambasadorit të Shqipërisë në Kosovës, Qemajl Minxhozi, në prezencë të nënkryetarit të Bujanocit dhe udhëheqësve më të lartë institucional e regjional të Gjilanit, sot e ndaj çmimin në emër të të gjithë qytetarëve të Gjilanit, në vlerësim të punës dhe angazhimit që Marin Mema ka dhënë me punën e tij, e cila është mbarëshqiptare edhe përtej kufijve administrativë e politikë. Emri i Marinit tashmë përpos të një gazetari hulumtues, është emër i një patrioti që kalon përmasat e kufijve të Kosovës dhe Shqipërisë”, ka thënë Haziri duke shtuar tutje se Mema ka forcuar lidhjen tonë dhe ka faktuar prezencën tonë dhe shpërndarjen tonë të farës shqiptare me qenie, kulturë, prezencë dhe gjuhë. Gjilani është i vendosur në pikën kufitare mbrojtëse të shumicës shqiptare.
Ai më tej ka folur për fatin e shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë e Medvegjë të drejtave të tyre civile në Kosovë dhe të drejtave politike në Serbi.
“Gjilani vazhdon kontributin e vet për mbështetje të shqiptarëve në Kosovën Lindore, por njëkohësisht edhe të angazhimit për t’i sjellë Gjilanit figura të ndritura sikur Marini, i cili radhitet në mesin e emrave të shquar për ne, si Beqir Musliu, Bob Dole, presidenti Ilir Meta e të tjerë”, ka thënë ai.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka thënë se Gjilani i dha çmimin “Qytetar Nderi”, gazetarit që tashmë është i të gjithë neve kudo që jemi në Ballkan, Evropë dhe në botë.
“Ai me punën e tij ka zbardhur rolin tonë që kishim në të kaluarën dhe atë që kemi edhe sot. Marini është nga çdo trevë e shqiptarëve dhe jo vetëm kaq. Vepra e tij e ka ofruar atë në mesin e secilit prej nesh, në lagjen, familjen dhe qytetin tonë. Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, Asambleja Komunale dhe qytetarët e Gjilanit e më gjerë, kanë bërë diçka shumë të madhe për Marin Memën”, tha mes tjerash, ambasadori Minxhozi.
Ndërsa, gazetari i njohur shqiptar, Marin Mema, ka thënë se ky çmim dhe ky organizim është një kënaqësi dhe moment shumë i veçantë për të.
“Sot dhe gjithnjë e më shumë po dëshmojmë se dimë të afrohemi, por e ardhmja duhet të na ofrojë edhe më shumë. Duhet të çrrënjosen jo kufijtë mes nesh, por problemet që kemi e që janë gjera që gjithmonë na kanë mbajtur larg. T’i lëmë mëritë, përçarjet e konfliktet e të gjejmë rrugët e përbashkëta për të ecur bashkë në një rrugë që na përket. Pa të kaluarën, pa patriotizmin dhe pa historinë e ndritur që kemi, ne nuk ngremë dot, jo shtëpinë, por do ta quaja kështjellën e shqiptarisë. Është e nevojshme që ne të kuptojmë sakrificën që kanë bërë shqiptarët e mëdhenj e deri në sakrificën e luftës së Kosovës, ne kishim sakrifica të mëdha të prirë nga një luftë e madhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe sot kemi një betejë të madhe atë të rrugëtimit të sigurtë brenda tokave shqiptare me frymën dhe pasurinë e vendit tonë”, ka thënë mes tjerash Mema.
Gjithashtu, në këtë takim ka folur nënkryetari i Bujanocit, Shqiprim Arifi, i cili ka falënderuar kryetarin Haziri për vlerësimin që bënë për personalitetet e veçanta dhe meritore, sikur që edhe përkushtimin e vazhdueshëm që kryetari i Gjilanit ka dhënë në vazhdimësi për Kosovën Lindore.
Ndryshe, asamblistët e Kuvendit Komunal të Gjilanit me shumicë absolute kanë votuar të enjten për nismën e kryetarit Haziri për ta shpallur ‘Qytetar Nderi’ gazetarin e njohur shqiptar, Marin Mema. / KultPlus.com