Kryeministri Kurti në Lybeniq të Pejës: Jemi shtet që s’i harron e as s’i falë krimet e kryera nga Serbia

Kryeministri Albin Kurti mori pjesë në tubimin përkujtimor për të vrarët e masakrës së Lybeniqit të Pejës, në 25-vjetorin e saj.

“Atë ditë, në 07:00 të mëngjesit, pjesëtarë të njësitit “Çakejt”, që ishin pjesë e njësitit “177” në Pejë të ushtrisë jugosllave, bashkë me pjesëtarë të njësitit ushtarak të Mbrojtjes Territoriale, u futën këtu në Lybeniq. Brenda pak minutash, u dëbuat nga shtëpitë tuaja dhe ju mblodhën pothuajse të gjithë banorët e Lybeniqit në mes të fshatit, afër xhamisë. Sipas skenarit të krimit, ushtarët serbë i ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit, që i urdhëruan të niseshin për në Shqipëri, kurse burrat i mbajtën aty”, tha Kurti në tubim.

Ai tha se “xhamia e Lybeniqit atë ditë u kthye në një vend krimi, kur ushtarët e Serbisë shtinë me armë automatike me rafalë të përsëritur, me qëllim që askush, prej të gjithë atyre burrave të mos shpëtonte i gjallë”.

“Nën pirgun e kufomave, mbijetuan 7 burra, kurse u vranë 59 burra të familjeve: Alimehaj, Ukshinaj, Huskaj, Hamzaj, Bobi, Shoshi, Morina, Jahmurataj, Avdullahaj, Bushati, Sylaj, Haradinaj, Rrustemaj, Lokaj, Rexhaj, Tahiraj dhe Berisha”, tha Kurti, duke theksuar se kjo masakër u dokumentua më 1999 edhe nga Human Rights Watch.

Kurti tha se ka dëshmitarë, të mbijetuar dhe trashëgimtarë të asaj historie që dëshmojnë se Serbia kreu spastrim etnik ndaj shqiptarëve vendas në Kosovë, kreu krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

“Ne jemi një shoqëri dhe një shtet që nuk i harron as nuk i falë krimet e kryera nga Serbia në Kosovë. Jemi një popull i gatshëm për të dëshmuar, jemi Republika që dita ditës po e kompleton infrastrukturën institucionale dhe ligjore, për t’i adresuar krimet e luftës. Për këtë arsye, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe unë personalisht si Kryeministër i saj, në vazhdimësi i kam inkurajuar dhe kam bashkëpunuar me shumë institucione dhe mekanizma shtetëror, për dokumentimin, memorializimin dhe adresimin e gjithë historisë dhe trashëgimisë së luftës në Kosovë. Ne jemi të vendosur që në këtë rrugë të shkojmë deri në fund, sepse shteti i Serbisë dhe kriminelët e luftës, nuk do të munden t’u shpëtojnë përgjegjësive institucionale dhe individuale për krimet dhe gjenocidin e kryer mbi neve, shqiptarët e Kosovës”, tha Kurti.

Kryeministri tha se “Serbia vazhdon ta shmangë përgjegjësinë e saj si shtet për krimet në Kosovë”.

24 vjet nga masakra e Lybeniqit

Sot mbushen 24 vjet kur më 25 maj 1998, forcat serbe hynë në Lybeniq të Pejës, duke vrarë e masakruan nëntë banorë të Lybeniqit, e më vonë edhe burrat e tjerë të fshatit.

Gjenocidi i kryer në këtë vendbanim ndaj popullsisë se pafajshme shqiptare më 25 maj 1998 dhe më 1 e 7 prill 1999, është njëri nga krimet me të mëdha që kanë kryer forcat policore, ushtarake e para ushtarake serbe në Kosovë.

Ky gjenocid që kryen forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe kundër banorëve shqiptarë të Lybeniqit, vlerësohet si gjenocidi më i madh që është kryer kundër popullsisë shqiptare në historinë e fshatit. /KultPlus.com