Ansambli XXI-Kosova në mënyrë spektakolare me premierën botërore “Polar Voices”, përmbyll “Kosova KamerFest”

Violinistja finlandeze Pia Siirala, dirigjentja irlandeze Lygia O’Riordan dhe Ansambli XXI-Kosova, mbrëmë në kuadër të festivalit  “Kosova KamerFest” kanë dhuruar një program plot lakmi. Me një numër të madh të të pranishmëve që kanë mbushur të gjitha karriget e vendosura në hapësirë, kjo treshe ka përmbyllur mahnitshëm koncertin e fundit që shënoi mbylljen e këtij festivali, i cili tash e disa net ka dëshmuar për një pasion të pakrahasueshëm ndaj muzikës klasike dhe jo vetëm, shkruan KultPlus.

Modelariumi i Fakultetit të Arkitekturës ka mirëpritur mbrëmë këtë treshe, që kanë performuar një program tejet të rrallë, e pothuajse edhe të padëgjuar më parë në kryeqytet. Interpretimi i tyre ka qenë diçka që jo çdokush mund ta bëjë. Karrige të shumta ishin të vendosura përballë “skenës”, dhe në dy anët e saj, kësisoj për të admiruar çdo pozicion të instrumentistëve që hapësira e ofronte. Akustika në këtë vend po ashtu ka qenë diçka mbresëlënëse, duke pasur parasysh qetësinë absolute që publiku e pati.

Duke qenë një numër më i lartë i të pranishmëve, hapësira u bë ende më e ngrohtë. Me një reflektorë, reflektimi i së cilit binte anash skenës dhe dritave normale të objektit, gjithçka filloi fiks në orën 20:19.

Kanë qenë gjithsej dy veprat e vetë violinistes Pia Siirala ato që kanë ardhur mahnitshëm nëpërmjet interpretimit të instrumentistëve të talentuar. Violinistja Siirala shqyrton në veprën e saj “Ulita’s walk”, ndikimin që ka muzika e popujve indigjenë të Rusisë në mënyrën se si muzika dëgjohet dhe perceptohet. Nëpërmjet luajtjes së violinës dhe kompozimit, ajo përpiqet të eksplorojë se çfarë mund të sjellë muzika arkaike, e bazuar në kujtesë në muzikantin e saj.

“Ulita’s walk”, qe një vepër tetëmbëdhjetë minutëshe e cila rrëqethu çdo të pranishëm. E vetme në mes të skenës, violinistja Siirala solli një teknikë tejet të rrallë. Prekte violinën me dorë, e me hark, teksa harkun e lëvizte me një ngadalësi adhuruese. Tingujt që pasonin, hynin thellë në shpirtin e pranishëm, asisoj që të depërtonin edhe më thellë me mesazhin e veprës.

Ndërsa, vepra tjetër nën emërtimin “Zërat polarë” (Pengeneku, Omryl’kot, Mulingaut, Rol’tytval-Jarar), që përkonte me emërtimin e këtij koncerti të fundit, nga violinistja Siirala, ka sjell në skenë Ansamblin XXI-Kosova, me ç’rast është krijuar një mbrëmje që vështirë se harrohet dot. Vepra për orkestër harqesh ka gjallëruar instrumentet diversive. Violina 1 qe e përbërë nga Sihana Badivuku, Leufat Buçuku, Fjollë Koxha, Arsim Gashi, violina 2 qe e përbërë nga Pleurat Doli, Dijetar Zeka, Eliona Raqi, Florentina Hyseni, Festim Haxhikadrija, në violë qenë Blerim Grubi, Entela Qarkaxhija, Alkesta Gllogjani, në violonçello qenë Miltiades Cassaras, Enis Alji, Donjeta Cërmjani si dhe në kontrabas Lulëzim Lushtaku.

Nën dirigjimin e jashtëzakonshëm të Lygia O’Riordan, vepra “Zëra polarë” ka përçuar një ndjesi magjike. Me një stil ndryshe të të dirigjuarit e performuarit, kjo mbrëmje ka qenë dëshmi e prurjeve unike nga bota, që sjellin diçka të veçantë nga vetja dhe e lënë haptazi në çdo vend që ata prekin. I tillë ke rasti me violinisten finlandeze Pia Siirala dhe dirigjenten irlandeze Lygia O’Riordan, të cilat në ndërlidhje me Ansamblin XXI-Kosova kanë përthekuar koncertin e fundit të këtij edicioni të festivalit “Kosova KamerFest”, në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ishin duartrokitjet e zgjatura ato që falënderuan këtë treshe për performancën e tyre të pakrahasueshme, me shpresën që të rikthehen përsëri në Prishtinë, për të shpalosur dashurinë e tyre ndaj botës së artit.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth koncertit dhe përshtypjeve të saj përgjatë edicionit, për KultPlus foli drejtoresha dhe njëherit violinistja Sihana Badivuku.

“Publikut besnik prishtinas, Kosova KamerFest i dhuroi 11 mbrëmje koncertale kamertale gjatë këtyre dy muajve. Koncerti përmbyllës ishte diçka më ndryshe dhe risi jo vetëm për publikun por edhe për ne, anëtarët e këtij ansambli ku së bashku fituam përvoja të reja të performimit të veprës botërore premierale “Zërat Polarë” e cila mbrëmë u realizua edhe si pjesë e provimit të Doktoratit të violinistes Siirala. Si drejtore artistike jam mjaft e kënaqur nga koncepti dhe laramania e veprave që u performuan nga artistët botërorë dhe vendorë me rreth 40 instrumentistë dhe rreth 15 vepra premierale”, ka thënë Badivuku.

Sipas saj, edhe këtë vit janë realizuar 7 punëtori në bashkëpunim me prodekanin e degës së muzikës së Fakultetit të Arteve, profesori Drinor Zvmberi dhe punëtori të audio inxhinierit nga Finlanda në bashkëpunim me Universitetin UBT – degën e audio-produksionit dhe menaxhimit që e udhëheq profesoresha Aida Gjikolli.

“Për mua secili koncert ishte i veçantë, duke filluar nga mbrëmja e parë me violinistin e mirënjohur Klajdi Sahatçi, pianisten Merita Rexha-Tërshana, tek koncerti i talenteve të Garave ArsKosova , koncerti për autizmin me fëmijët e talentuar nga shkollat e muzikës së Kosovës, pastaj mbrëmja me pianisten Kristina Laço-Petrollari, çelisten Dorina Laro, violinistin e ri te talentuar Dejon Bendaj, spanjollët Jose.M.Alvarez Losada dhe Pedro Mateo, francezët Celine & Eric Lesage, bullgaret Galina Kovcheva dhe Daniela Dikova, pianistet Syzana Jakupi dhe Alba Muçolli-Dehari, kolegët e mi Blerim Grubi e Aristidh Prosi dhe ENSEMBLE XXI-Kosova me artistet e lartpërmendura”, thotë tutje.

Ndërkaq, ajo po ashtu ka bërë të ditur se edicioni i 22-të varet nga mbështetjet financiare të institucioneve kulturore dhe ambasadave, bankave e kompanive të ndryshme që do të ndikojnë shumë në cilësinë dhe numrin e koncerteve posaçërisht të ansambleve dhe artistëve botërorë që kanë kosto dhe honorare sipas standardeve Evropiane-Botërore.

Fotografitë: Elbasan Kryeziu/ KultPlus.com