“M” një histori që sjell dramë e mister në natën e parafundit të PriFest

Vjollca Duraku

Të shtunën mbrëma, një natë para mbrëmjes përmbyllëse të Prishtina International Film Festival- Prifest është shfaqur Filmi “M”, me regji nga Vordan Tozija, i cili është bashkëprodhim i Maqedonisë, Kroacisë, Kosovës, Francës dhe  Luksemburgut.

Ngjarja zë fill në një pyll, në të cilin jetojnë djalosh i vogël nën kontrollin e plotë të babait të tij. Të “izoluar”  në atë pyll, gjithçka që ai e di ishte vetëm ekzistenca e tyre e mbrojtur me një pushkë krahu. Qetësia e këtij ambienti e shtyen djaloshin të të përthithë informacione të thella nga natyra, të cilat bubëziteshin me një fjalor të cekët, që më pas shpreheshin përmes figurave në një libër me vizatime. Libri vazhdonte të plotësohej ditë pas dite me mendimet dhe ndjenjat e djaloshit, përderisa pyetjet për ekzistencën dhe botën shtoheshin gjithnjë e më shumë.

Inicialin “M” ai e kishte të gdhendur në kyqin e dorës. Emri i tij ishte Marko. Ai identifikonte edhe elemente të tjera më këtë shkronjë si mjegulla, myku si për të gjetur ngrohtësi në gjithë këtë vetmi, e cila më pas zbutet pasi takon Miko-n. Shoku i tij ishte një djalë zemër mirë dhe i pafajshëm, nëna e të cilit vritet nga babai i Markos (paranojak), nën motivacionin e  vetëmbrojtjes, pasi mendonte që ajo mund t’u bënte dëm.

Si dëshmitar i ngjarjes, Marko fillon dhe e pyet për nënën e tij. Shpjegimi nga babai i tij i jepet në një formë fabule, duke e cilësuar si “zanë”, të cilën Marko do ta gjente vetëm pasi të rritej, në një vend të quajtur “Lugina e Bardhë”. Kureshtjen për siluetën e nënës së tij ai e shuan përmes një videoje në të cilën nga nëna e tij i thuhet që nuk ka dashur ta lë. Pas kësaj, ai së bashku me mikun e tij Miko-n niset drejt eksplorimit të botës.

Pas jetës në pyll, ku herë pas here i shfaqeshin njerëz të “ligj”, bota e tij bëhej gjithnjë e më e rrezikshme. Megjithatë, babai para se të vetëvritej i kishte bërë me dije se ai ishte njeri me një spektër special, i cili do t’i shpëtoj ligësive. Pas një rrugëtimi, Marko dhe Miko gjenden në një qytet të shkatërruar nga një lloj epidemije, e cila i kishte shndërruar njerëzit në Zombi.

Me fotografinë e nënës së tij në duar ai gjendej para një spitali, që nënkuptonte “Luginën e Bardhë”, mirëpo tashmë të shëndrruar në një gërmadhë me qindra zombi. Një jetë mes njerëzve normalë dhe anormalë shfaqej para syve të djaloshit i cili më vonë mbeti edhe pa shokun e tij të ngushtë Miko-n, pasi u vra. Ngadalë, “djali gjethe” siç e quante veten në pyllin magjik, kishte filluar të thahej, në kuptimin e demotivimit dhe dëshprimit, pasi shpresat për të gjetur nënën e tij kishin filluar t’i veniteshin.

Nga një botë plotë vegjetacion, ujë, ai tanimë gjendej në një qytet të shkretë. Përmes mjeteve informuese jepej konkulzioni se si natyra me urtësinë e saj kujdeset që të shpopullojë banorët e saj, përmes një epidemie, e cila i detyron ata që të asgjësonin njëri tjetrin, ku në këtë rast linte të nënkuptohej që po ndodhte një luftë mes njeriut dhe natyrës, ku kjo e fundit si e revoltuar me mënyrën e jetesës së faktorit njeri e kishte sjellë këtë të fundit në një gjendje kaotike.

Një njësi speciale e armatosur e të izoluar, për t’iu shmangur infektimit nga ai lloj virusi  gjejnë djaloshin, brenda një objekti. Në fakt ai kish qenë takimi të cilin ai kish kohë që po e kërkonte, pasi një pjesëtare e kësaj njësie i dhuroi një përqafim të ngrohtë si nënë dhe djal. Në sfond ilustrohej një figurë ku djali mbushej me gjethe pas përqafimit me nënën e tij, që shërbente si analogji me marrëdhënien e njeriut me natyrën, i cili do ta gjente vetën dhe do të jetonte i plotësuar vetëm pasi të jetonte në harmoni me “Nënën Natyrë”.

Pas përfundimit të filmit regjisori maqedon  Vordan Tozija, foli për idenë e zhvillimit të këtij filmi duke thënë se ishte krijuar së bashku me disa adhurues të filmave distopikë, që ne thelb përfshin historinë e universale të një fëmjie që kërkon të gjej nënën e tij.

“Jemi një grup i vogël regjisorësh nga ky regjion dhe e kemi këtë frustrim se gjithmonë eksporti që pritet nga ne është trajtimi ekzotik i Ballkanit, këto dramat e zeza që paraqesin vuajtje të rënda. Në rregull, e dimë në çfarë vendesh jetojmë, por nganjëherë duhet ta largojmë mendjen nga realiteti, dhe kështu doli edhe ky film. Njëfarë eksperimenti që përzien dramë, artistiken dhe “zombiet” në të njëjtin vend. E kemi bërë dhe jemi të lumtur që arritëm ta realizojmë atë”, ka thënë regjisori Tozija.

Më tej ai ka përmendur edhe regjisoren Vjosa Berisha duke e cilësuar atë si një njeri me zemër të madhe dhe mendje të hapur, dhe një punëtore të jashtëzkonshme.

“PriFest është një festival në zhvillim e sipër. Nuk e di sa ka mbështetje. Mendoj që nuk ka shumë pasi asnjë nga qeveritë në vendet tona nuk jep shumë mbështetje për kulturën, ata janë të interesuar për shumë gjëra të tjera, por ju mund të shihni këtu ju mund të shihni sa bukur që është,  se si njerëzit janë të lirshëm, mund të komunikojnë lehtësisht për punët e tyre, e jo gjëra të parëndësishme në të cilat jetojmë. Kështuqë po më pëlqen shumë” ka  thënë regjisori Tozija./ KultPlus.com

Filmi ‘M’ përmbyllë garën e filmave Ballkanik në PriFest

Natën e parafundit të festivalit, mbrëmjen e së shtunës, me filmin “M” përmbyllet gara e kategorisë së filmave të metrazhit të gjatë nga Ballkani.

Filmi trajton temën e rritjes dhe kërkimit të së vërtetës në një botë të mbuluar nga misteret dhe rreziqet. Në një pyll të vetmuar, Marko i ri jeton nën vëzhgimin e kujdesshëm të babait të tij mbrojtës dhe misterioz. Ekzistenca e tyre e mbrojtur është gjithçka që ai njeh. Marko gjen ngushëllim në librin e tij të dashur me figura, duke gjetur qetësi dhe përgjigje brenda faqeve të tij. Një ditë, një takim me një djalë të pafajshëm dhe zemërmirë të quajtur Miko sjell një dritë ngrohtësie dhe lidhjeje në botën e izoluar të Markos. Ndërsa kurioziteti i tij rritet, Marko dëshiron të zbulojë sekretet që ndodhen përtej kufijve të pyllit. Një kthesë mizore e ngjarjeve i jep atij dëshirën më shpejt se sa e priste. Një udhëtim i errët e pret, i mbushur me rreziqe të panjohura dhe një vështrim në një botë të ndryshuar përgjithmonë.

Skenari është shkruar nga Vardan TOZIJA dhe Darijan PEJOVSKI nën regjinë e Vardan TOZIJA.

Producentë të filmit janë: Darko POPOV, Vardan TOZIJA, Patrice NEZAN, Laurent VERSINI, Anita JUKA, Valon BAJGORA, Gazmend NELA, Adolf EL ASSAL.

Filmi “M” është bashkëprodhim i Maqedonisë, Kroacisë, Kosovës, Francës dhe  Luksemburgut.

Aktorët janë: Matej SIVAKOV, Saško KOCEV, Aleksandar NIČOVSKI, Kamka TOCINOVSKI, Bojana GREGORIĆ VEJZOVIĆ dhe Verica NEDESKA.

Filmi do të shfaqet më 14 shtator nga ora 19:30 në Kino Armata./ KultPlus.com