Stilistja shqiptare, Nensi Dojaka përzgjedhet nga Megan Fox për premierën e filmit ‘Machine Gun Kelly’s Life In Pink’

Nensi Dojaka është stilistja më e famshme shqiptare në botë. Krijimet e Nensit janë gjithnjë e më shumë në faqet e revistave të modës si: “Harper’s Bazaar”, “Elle”, “Vogue”, “British Vogue”, “Hello Magazine” etj.

Nensi, një vajzë nga Tirana, por e shkolluar në Londër, për design, pasi arriti të shpallej stilistja e vitit nga një konkurs i Fondacionit “Louis Vuitton”, vazhdon të tërheqë vëmendjen e botës së artit dhe luksit.

Së fundi ka bërë bujë veshja që ajo ka stiluar për aktoren amerikane Megan Fox. E veshur e gjitha në rozë, me një fustan minimalist, karakteristikë e krijimeve të Nensit, Megan Fox është parë në premierën e filmit “Machine Gun Kelly’s Life In Pink”. Ajo madje kishte përshtatur dhe flokët me fustanin, duke i lyer rozë.

Të gjitha mediet të cilat kanë pasqyruar premierën e filmit “Machine Gun Kelly’s Life In Pink”, kanë përmendur edhe markën e fustanit që kishte veshur Megan Fox.

Një vit më parë, stilistja shqiptare Dojaka, arriti të mundë 1900 stilistë të tjerë në konkursin LVMH, duke fituar një çmim prej 300 mijë eurosh si dhe një vit trajnim nga ajka e stilistëve botërorë. Kryetari i jurisë tha atëherë, se vota për Nensin kishte qenë në unanimitet të plotë, gjë që nuk ndodhte që nga themelimi i kësaj gare.

Karakteristike e veshjeve të Nensi Dojakës janë format gjeometrike, prerjet asimetrike dhe përdorimi minimalist i pëlhurës, ndërsa një nga adhurueset e saj më të mëdha vazhdon të mbeten Bella Hadid dhe Rihanna. / KultPlus.com