Kosova zë pjesë të madhe në profilin e Albrightit, para varrimit të saj

Pas pak nis ceremonia e varrimit të ish-sekretares amerikane Madeleine Albright. Në një profil të përgatitur për gruan e parë që barti pozitën më të lartë në politikën e jashtme amerikane, nuk ka se si të mungojë Kosova. “Pse jeni kaq pasiononte kur bëhet fjalë për Kosovën”, ishte pyetur dikur Albright. Përgjigja e saj është ritransmetuar pak para se të nisë ceremonia ku Zonjës Sekretare i jepet lamtumira e fundit.

Karriera politike e ish-sekretares Albright përshkruhet me Kosovën, pjesë të rëndësishme të saj.

Në një profil që e ka përgatitur PBS, pak para se të nis ceremonia mortore në Katedralen Nacionale në Washington, D.C, është rikujtuar rrugëtimi i refugjates që u bë Sekretare e Shtetit.

Albright është kujtuar për vendosmërinë e saj për të ndihmuar shqiptarët e Kosovës, pasi regjimi i Sllobodan Millosheviqit po kryente spastrim etnik ndaj tyre.

Intervenimi i forcave të NATO-s për t’i ndalur krimet e forcave serbe në Kosovë dhe bombardimet e 1999-s janë një prej ngjarjeve të cilat e shënojnë karrierën e Albrightit në lidership.

Në një përgjigje të saj, kur ishte pyetur se pse është kaq e lidhur me Kosovën, ajo thoshte se bëhej fjalë për regjimin e një personi, Sllobodan Millosheviqit që po kryente spastrim etnik. Për t’i dhënë kontekst insistimit të saj që të mbronte popullësinë shqiptare në Kosovë nga Millosheviqi, ajo përmendte atë që kishte bërë Hitleri e Stalini.

“Kurrë më s’do të ketë shtëpi dhe fshatra të djegura. Kurrë më nuk do të ketë masakra dhe varre masive”, kishte thënë Albright në Kosovë, pjesë nga fjalimi i së cilës është ripublikuar nga transmetuesi publik amerikan.

Në një bisedë të PBS me Presidentin Clinton, ai ka përmendur rastin e Kosovës si një nga ngjarjet që ndante krenarisht me miken dhe bashkëpunëtorën e tij të afërt, Sekretaren Albright.

Clinton kujtoi një nga momentet më të mira me Sekretaren Albright kur vizituan Kosovën në vitin 2019 për të shënuar 20 vjetorin e çlirimit të cilin e përshkroi si festim të fitores së Kosovës dhe ShBA-së.

“Po e kujtoja kohën kur së bashku me Sekretaren Albright udhëtuam në Kosovë para tre vjetëve kur po festohej 20 vjetori i fitores së tyre dhe tonës, në parandalimin e spastrimit etnik dhe vet ekzistencës së Kosovës”, tha presidenti Clinton.

Albright vdiq më 23 mars, në moshën 84 vjeçe. Ceremonia e varrimit të saj mbahet sot prej orës 11 të paradites, sipas kohës lokale në Ëashington D.C, që i bie në orën 5 te pasdites, sipas kohës në Prishtinë. /Express/ KultPlus.com

Ekspozitë me karficat simbolike të Madeleine Albright

Madeleine Albright i kishte bërë karficat që vinte në veshjet e saj një mjet të veçantë simbolik për të përçuar mesazhet dhe bindjet e saj. Tani koleksioni i bizhuterive të dhuruara nga e Madeleine Albright e cila vdiq muajin e kaluar, do të ndihmojnë për të rrëfyer trashëgiminë e saj diplomatike në një ekspozitë të re që po përgatitet në Muzeun Kombëtar të Diplomacisë Amerikane.

Kuratorja e muzeut Nancy Zinn, thotë se Albright u bë e njohur për përdorimin e karficave të xhaketës gjatë kohës që shërbente si ambasadore amerikane në Kombet e Bashkuara.

“Shumë njerëz e dinë se sa e famshme ishte ajo për koleksionin e saj të karficave dhe përdorimin e tyre për të shprehur gjendjen e saj, për të treguar historinë, për të ndarë përvojat. Dhe gjatë gjithë kohës deri ditën që vdiq, ajo mbante karfica për t’u shprehur këto çështje dhe idetë e saj”.

Ekspozita me rreth 200 karfica është planifikuar sipas temave dhe përfshin imazhe patriotike si flamujt dhe shqiponjat amerikane si dhe shumë simbole të tjera.

Kuratorja thotë se materialet variojnë nga një karficë në formë zemre prej balte e bërë nga vajza e diplomates Albright për Ditën e Shën Valentinit deri te “bizhuteritë ekstravagante, antike dhe të çmuara”.

“Ajo kishte balona. Kishte flutura. Kishte shumë karfica me rreze dielli e të tjera. Për situata të vështira ajo shpesh përdorte karfica simbolike në formë engjëlli ose pëllumbi të paqes”, thotë zonja Zinn.

Pasi 84-vjeçarja vdiq nga kanceri më 23 mars, Zinn thotë se u shtua numri i vizitorëve në internet në faqen elektronike “Read My Pins”.

“Ajo kishte një karrierë shumë të gjatë, të pasur dhe të plotë diplomatike, dhe ne i detyrohemi asaj shumë për këtë. Kështu që shpresoj që bizhuteritë mund të shihen si një lloj pikë fillestare për të mësuar më shumë rreth saj. Për të mësuar më shumë rreth punës që ajo bëri”.

Si sekretare e shtetit, Albright ishte gruaja në pozitën më të lartë në historinë e qeverisë amerikane. Ajo luajti një rol kyç për ta bindur presidentin e atëhershëm Clinton që të shkonte në luftë kundër udhëheqësit jugosllav Slobodan Millosheviç për trajtimin që bënte ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999. Si ambasadore e OKB’së, ajo mbrojti një politikë të jashtme të fortë amerikane, veçanërisht në rastin e trajtimit të Bosnjës nga Millosheviqi dhe ndërhyrja e NATO’s në Kosovë u quajt përfundimisht “Lufta e Madeleine”.

Kuratoja Zinn thotë se ekspozita e Albright do të hapet në Muzeun Kombëtar të Diplomacisë Amerikane në vitin 2026 dhe do të paraqesë sende të tjera personale duke përfshirë një komplet çaji që i është dhënë nga Ministri i Jashtëm rus Igor Ivanov. / KultPlus.com

Kështu duket busti i Madeleine Albright në Prishtinë

Ish-sekretarja e Shtetit Amerikan, Madeleine Albright, ka arritur sot në Kosovë. Ajo është pritur në aeroport nga ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Albright ka arritur në Kosovë pas ish-presidentit Bill Clinton dhe do të marrë pjesë bashkë me të në ceremoninë e shënimit të 20-vjetorit të hyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës.

Ish-sekretetarës i është punuar edhe një bust në Prishtinë, që do të zbulohet nesër.

Gazeta Express ka siguruar disa fotografi ku shihet kjo shtatore, që është punuar nga Luan Mulliqi.

Jahjaga: Madeleine Albright, njëra nga kontribuueset më të fuqishme në lirinë dhe pavarësinë tonë

Madeleine Albright, ish-sekretarja e SHBA-ve, zonja më e respektuar për shqiptarët, sapo ka arritur në Kosovë për të ju bashkuar festimeve për shënimin e 20-të vjetorit të lirisë së shtetit kosovar, ku me këtë rast ajo nesër do të mbajë një fjalim për ndërhyrjen e aleancës së NATO-s në Kosovë.

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka pritur në aeroport Madeleine Albright prej ku ka ndarë edhe disa fotografi të cilat i shoqëroi me një falënderim të veçantë për ish-sekretaren e SHBA-ve për gjithë kontributin e saj dhënë për vendin tonë në kohën më të vështirë. Ajo është shprehur krenare që ka pritur Albright duke e konsideruar si një nga kontribuueset më të fuqishme në lirinë dhe Pavarësinë e vendit tonë.

“Jam krenare që, njëzet vite pas çlirimit, të mirëpres në Kosovë ish-Sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeline Albright- njërën nga kontribuueset më të fuqishme në lirinë dhe pavarësinë tonë. Vendosmëria dhe përkushtimi i Sekretares Albright për ta ndalur gjenocidin në Kosovë dhe për t’ia kthyer lirinë dhe shpresën një populli të shtypur ishin kruciale për të ardhmen e popullit tonë. Sekretarja Albright, e cila ishte e pakompromis ndaj dhunës që regjimi i Millosheviqit po ushtronte në Kosovë, sot erdhi në një Kosovë që kultivon vlerat për të cilat ajo është angazhuar- lirinë, demokracinë, tolerancën dhe paqen.

Përjetësisht mirënjohës!”, ka shkruar Jahjaga në Facebook. / KultPlus.com

Xhaketa e famshme e William Wallker dhe kapela e Madeline Albright, në Ekspozitën Bazë të Muzeut të Kosovës

Xhaketa e famshme e William Walker, figura ndërkombëtare që i dha jehonë masakrës së Recakut, që ishte edhe sinjal për ndërhyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë, tashmë është ekspozuar në Muzeun e Kosovës, në kuadër të Ekspozitës Bazë që tashmë është hapur në këtë institucion kulturor, shkruan KultPlus.


Po në këtë ekspozitë janë prezantuar edhe gjësende personale të figurës së rëndësishme për popullin shqiptar, ish sekretares së SHBA-ve, Madeline Albright, ku kjo ekspozitë ka përfshirë kapelën, flamurin e SHBA-ve dhe aksesorë të Albright.

KultPlus, përgjatë ditës do të ju sjellë edhe eksponate, relikte dhe gjësende personale të figurave të rëndësishme që kanë kontribuar për shtetbërjen e Kosovës./KultPlus.com