Shqipëria në panairin e turizmit ‘Fitur’ në Madrid nga 22-26 janar, mes 152 shteteve

Shqipëria do të prezantojë potencialet e saj turistike në Panairin Ndërkombëtar “Fitur” në Madrid,  i cili mbahet nga 22 deri në 26 janar.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot se “edhe këtë janar, Shqipëria turistike e nis vitin me pjesëmarrjen në panairin gjigant të turizmit “Fitur” në Madrid me pjesëmarrjen e 152 shteteve dhe më shumë se 9000 ekspozuesve”.

“Vendi ynë qëndron krenarisht si një prej destinacioneve më atraktive në Europë , ku gjatë vitit të fundit ka pasur një rritje të ndjeshme jo vetëm të vizitorëve nga Spanja, por edhe të atyre nga vendet e Amerikës së Jugut”, tha Kumbaro.

Nën sloganin “Albania, all senses”, Shqipëria synon të tërheqjen e vizitorëve përmes shembullit të praktikave pozitive e të qëndrueshme në turizëm që promovojnë destinacone të turizmit natyror, prodhuesit lokalë, traditat e lashta, produktet artizanale e mikpritjen shpirtërore.

Shqipëria mori pjesë edhe vitin e kaluar në panairin “Fitur” në Madrid, ku tërhoqi në stendën e saj mijëra vizitorë, të cilët treguan interes për të vizituar vendin tonë.

Vitin e kaluar Shqipëria u vizitua nga 11.7 milionë vizitorë të huaj. Rimëkëmbja e Shqipërisë në turizëm është vlerësuar dhe promovuar fort edhe nga Organizata Botërore e Turizmit duke e përzgjedhur vendin tonë disa herë si qendër të ngjarjeve dhe vëmendjes së industrisë globale të udhëtimeve dhe duke e bërë Shqipërinë kryesuese të Barometrit të Turizmit./atsh/ KultPlus.com

‘Jam plotësisht e lumtur dhe shpresoj që të kemi një fëmijë…’ — Intervista ekskluzive me mbretëreshën Susan të Shqipërisë në periferi të Madridit

Nga Aurenc Bebja*, Francë –  5 Janar 2025

“Diario de Burgos” ka botuar, të enjten e 22 marsit 1978, në faqen n°15, intervistën ekskluzive asokohe me mbretëreshën Susan (nënën e Princ Leka II) në përiferi të Madridit, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Mbretëresha Susan e Shqipërisë, në ekzil të artë në Madrid

Mbretëresha e Shqipërisë, Susan, në rezidencën e saj në Madrid. — (Foto EFE-FIEL). — Burimi : Diario de Burgos, e enjte, 22 mars 1978, faqe n°15
Mbretëresha e Shqipërisë, Susan, në rezidencën e saj në Madrid. — (Foto EFE-FIEL). — Burimi : Diario de Burgos, e enjte, 22 mars 1978, faqe n°15

Si çdo amvisë është e shqetësuar për rritjen e çmimeve

Ajo preferon një jetë të qetë në shtëpinë e saj në periferi të kryeqytetit të Spanjës

Mbreti Leka është zgjedhur “Mbret i Shqiptarëve” nga më shumë se tetë milionë nënshtetas në ekzil

Nga Taño PEREZ dhe Agustina LOPEZ DE LOS MOZOS

Ne dimë pak ose shumë pak për Shqipërinë. Ndoshta vendndodhjn e saj, diçka nga historia e saj aktuale : të dhëna të ftohta, të largëta, të pajetë nga një tokë e largët që nuk ka njexrrë kurrë zë dhe pothuajse kurrë nuk ka mundur të flasë me zërin e saj.

Për të na treguar për Shqipërinë do të shkojmë të takojmë një grua. Susan-a, shumë kilometra larg vendit të saj, mbretëron në zemrat e atyre tetë milionë shqiptarëve që, si ajo, jetojnë në ekzil (mërgim) për shkak të dominimit komunist.

Dy burra me tipare orientale na hapin derën dhe prej andej na shoqërojnë dy bóxer-ë (racë qeni) që nuk do të largohen kurrë nga ne.

— Më pëlqejnë shumë qentë dhe të gjitha kafshët, thotë ajo ndërsa përkëdheli Charly-n. Unë kisha një majmun të vogël, por ai ngordhi.

E lindur australiane

Mbretëresha e Shqipërisë, Susan, në rezidencën e saj në Madrid. — (Foto EFE-FIEL). — Burimi : Diario de Burgos, e enjte, 22 mars 1978, faqe n°15
Mbretëresha e Shqipërisë, Susan, në rezidencën e saj në Madrid. — (Foto EFE-FIEL). — Burimi : Diario de Burgos, e enjte, 22 mars 1978, faqe n°15

E shoqja e mbretit Leka, Susan-a, na përshëndet menjëherë, te dera e shtëpisë. Ajo është një grua e gjatë, me sy të çelur, bjonde. Ajo është e veshur thjesht – që është një nga kushtet për të qenë elegante –. Ajo i hedh flokët mbrapa dhe i mban të shtrënguara. Përshtypja e parë që ajo lë është qetësia e pamasë : fytyra e saj është pjekur, e butë, paqësore. Gjestet e saj, mënyra e saj e të folurit, nuk i prishin asgjë kësaj harmonie.

Gjatë gjithë intervistës ajo do të flasë me një theks të lehtë anglez, gjuhën e saj, pasi është e lindur australiane.

— Gjithashtu studioj shqip çdo ditë, me një mësues vendas

— Ne duam të dimë se çfarë bëni, si është një ditë e zakonshme për ju.

— Së pari, shtëpia, leksionet. Mbreti dhe unë jemi shumë të thjeshtë dhe e kalojmë kohën duke luajtur shah dhe duke lexuar. (Mbreti flet tetë gjuhë). Mundohemi të mos udhëtojmë shumë në Madrid, pasi trafiku është problem. Ne preferojmë t’i presim miqtë tanë në shtëpi. Jeta në fshat është shumë e bukur (ata jetojnë afër Somosoguas), larg zhurmës. Kur ra borë, ne bëmë një burrë dëbore gjashtë këmbësh në kopsht (sepse Mbreti është i gjatë, i thashë, dhe ajo buzëqeshi). Ai u shkatërrua përfundimisht nga qentë.

Miqtë e tyre janë njerëz “normalë” :

— Ne kemi miq në Trupin Diplomatik, por “flasim” më shpesh me të tjerë që nuk kanë lidhje me jetën politike.

“Plotësisht e lumtur”

Teksa bëjmë foto, shikoj dekorimin e shtëpisë: foto familjare, ndoshta objekte shqiptare. Shoh një kuti cigaresh me firmën e Arias Navarro-s. E pyes nëse janë miq.

— Po, ai është një mik i madh. Ai luan golf me ne, ne e kemi njohur që nga koha e tij si kryebashkiak i Madridit.

— Gjej rastin t’ju pyes nëse keni marrëdhënie me qeverinë aktuale, nëse e njihni Suarezin apo ndonjë ministër.

— Epo jo, por… — buzëqesh ajo, — shpresojmë të kemi.

Duke ndjekur fillin e bisedës, e pyes se si i duket tani Spanja.

— Unë kam parë ndryshime, çmimet janë rritur shumë, është për të të ardhur keq për terrorizmin, vdekjet, dhunën, prandaj preferoj shtëpinë dhe këtë qetësinë e fshatit dhe ju përgjigjem si grua, si çdo amvisë tjetër. Nuk dua të jap një opinion politik, ne jemi këtu mysafirët e Mbretërve dhe duhet t’u jemi shumë mirënjohës.

— Po Shqipëria ? Ajo na thotë se beson në “suksesin përfundimtar”.

— Shqipëria ka vetëm dy milionë e gjysmë banorë, ndërsa në të gjithë botën ka tetë milionë të mërguar. Ata kanë qeverinë e tyre në mërgim, bëjnë zgjedhje të lira çdo vit dhe zgjodhën Mbretin Leka si Mbretin e tyre të vetëm “Mbret të Shqiptarëve”, por jo ende, “Mbret i Shqipërisë”.

Për të përfunduar, i kërkoj të bëjë një bilanc të viteve të martesës :

— Jam plotësisht e lumtur — kjo është martesa e saj e dytë — dhe shpresoj që të kemi një fëmijë. Një pjesë të kësaj lumturie ia kam borxh Spanjës.

(Fiel — Shërbimet Speciale EFE)./ KultPlus.com

Vepra e humbur e Caravaggio shfaqet në ekspozitë në Madrid

Një nga zbulimet më të mëdha në historinë e artit, një pikturë e sapo verifikuar nga artisti i shekullit XVII Caravaggio (Michelangelo Merisi da Caravaggio) po shfaqet në muzeun “Prado” në Madrid, sipas BBC.

“Ecce Homo”, e cila tregon guvernatorin romak Ponc Pilatin që prezanton Krishtin para njerëzve, është një nga vetëm 60 veprat e njohura të mjeshtrit italian – që i shpëtoi vëmendjes së botës së gjerë të artit, pasi fillimisht iu atribua një artisti më pak të njohur.

Vepra u tërhoq nga shitja me urdhër të qeverisë spanjolle në vitin 2021, disa orë përpara se të shitej në ankand për një çmim fillestar prej 1,500 euro.

Tani, tre vjet pas asaj ndërhyrjeje vendimtare, vepra po ekspozohet për herë të parë që nga konfirmimi i statusit të saj të vërtetë.

Në fillim të këtij muaji, “Prado” tha se piktura ishte “pa dyshim, një kryevepër e Caravaggio”, duke e quajtur atë “një nga zbulimet më të mëdha në historinë e artit”.

Caravaggio, i cili vdiq në vitin 1610 në moshën 38-vjeçare, ishte i njohur për përdorimin dramatik të dritës dhe hijes për të sjellë një realizëm të thellë psikologjik në skenat e dhunshme që ai përshkruante, përgjithësisht.

Historianët e artit e kanë përshkruar punën e tij si fillimin e “Pikturës Moderne”.

“Ecce Homo” besohet se i përkiste koleksionit privat të mbretit spanjoll Philip IV, përpara se të ekspozohej në apartamentet e djalit të tij, Charles II.

Ajo u rishfaq në Madrid në prill 2021, ku u përshkrua si produkt i një artisti që i përkiste  piktorit spanjoll të shekullit XVII, José de Ribera.

Por, pasi ekspertët në “Prado” shprehën dyshimet e tyre për autorësinë e vërtetë të pikturës, Ministria spanjolle e Kulturës ndërhyri për të bllokuar shitjen e saj.

Ajo do të ekspozohet deri në tetor në një ekspozitë të veçantë pas një marrëveshjeje me pronarin e saj të ri, që besohet të jetë një shtetas britanik që jeton në Spanjë.

Sipas raportimeve të medieve spanjolle, piktura kaloi nga një pronar te tjetri duke arritur vlerën e 36 milionë eurove.

Jorge Coll, drejtuesi i galerisë së artit në Londër, “Colnaghi” tha për gazetën “El País” se piktura do të mbetej në koleksionet publike, në vend që të përfundonte në shtëpinë e pronarit. /atsh/ KultPlus.com

Hapet Festivali Ndërkombëtar i Dizajnit në Madrid

Është hapur që nga 20 shkurti Festivali Ndërkombëtar i Dizajnit në Madrid. Në këtë ngjarje përfshihen takime, seminare e ekspozita.

Madridi po pret edicionin e pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Dizajnit të Madridit nga 15 shkurt deri më 13 mars. Kjo ngjarje përfshin ekspozita, takime, seminare dhe konferenca.

Salla e Ekspozitave të Qendrës Kulturore, Fernán Gómez, do të jetë mikpritëse e ekspozitave zyrtare të këtij Festivali.

Alvaro Matias, Drejtor i Festivalit të Dizajnit në Madrid thotë se ka propozime të lidhura me dizajnin grafik, propozime të lidhura me dizajnin e hapësirave, me produktet, me ndriçimin. Të gjithë ata na ftojnë të reflektojmë për botën ku jetojmë, botën ku duam të jetojmë, si dhe të njohim bukurinë dhe përvojën që ofron dizajni në të gjitha formatet e tij.

Festivali është një platformë për sektorin e dizajnit në Madrid dhe gjithë Spanjën, me bashkëpunimin e institucioneve, markave, kompanive, muzeve dhe ambienteve në mbarë Madridin, duke treguar më të mirën në dizajnin lokal dhe kombëtar.

Një lloj hapësire për t’u ndalur nga ritmi i furishëm i imponuar nga qytetet tona, nga nxitimet,
nga të gjitha ato gjëra që duhet të bëjmë, nga stresi dhe për të menduar përsëri se si ndihemi – ne jemi të lodhur, të tensionuar, i gjithë trupi ynë ndihet kështu – dhe rilidhemi fillimisht me njerëzit përreth nesh dhe gradualisht me mjedisin shprehet Antoni Arola dizajnere.

Dizajni do të jetë një pjesë integrale e programit, duke ngritur profilin e talenteve krijues nga Spanja dhe e gjithë bota, përmes 41 ekspozitave, 7 instalimeve, 219 aktiviteteve dhe pjesëmarrjes së 637 profesionistëve. / KultPlus.com

Ermonela Jaho shkëlqen në operën “La bohème” në Madrid

Në mbrëmjen e djeshme në “El Teatro Real” në Madrid, Spanjë, u hap sezoni i operës “La bohème”, të kompozitorit Giacomo Puccini.

Në premierë shkëlqeu me performancën e saj të magjishme, sopranoja Ermonela Jaho.

Në rolin e Mimì-t, soprano Jaho dhuroi emocione të jashtëzakonshme tek publiku me një me kombinim të adhurueshëm të nivelit më të lartë artistik si në ekzekutim, ashtu dhe interpretim të këtij roli.

Në përfundim të shfaqjes artisten e përgëzojë edhe ambasadori, Gazmend Barbullushi. / KultPlus.com

Rrugët e Madridit ishin plot me dele, në vend të makinave (VIDEO)

Rrugët e Madridit ishin të mbushura me dele dhe zhurma këmbanash të dielën, ndërsa barinjtë drejtonin kopetë e tyre nëpër zemër të kryeqytetit spanjoll, duke ndjekur rrugët e lashta sezonale të bagëtive.

Sipas mediave të huaja, përcjell KultPlus, vendasit u rreshtuan anash rrugëve për të mirëpritur spektaklin, i cili u anulua vitin e kaluar për shkak të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19.

Ngjarja vjetore, e cila filloi më 1994, u lejon barinjve të ushtrojnë të drejtën e tyre për të përdorur rrugët tradicionale për të grumbulluar bagëtitë e tyre nga Spanja veriore në kullotat më jugore për kullotje dimërore.

Rruga do t’i kishte çuar ata nëpër një fshat të qetë disa shekuj më parë, por sot i sheh ata të përshkojnë qytetin e ngarkuar.

“Është e mrekullueshme. Unë vij çdo vit dhe ky është viti i parë që i sjell fëmijët kështu që është e mahnitshme”, ka thënë Graciela Gonzalez, 39 vjeç, transmeton tutje KultPlus.

Delet ecnin të “shoqëruara” nga zhurma e zileve të tyre të zhurmshme të qafës ndërkohë që barinjtë e veshur me veshje tradicionale shoqëruan tufat e tyre me muzikë popullore dhe vallëzim.

Dhe fëmijët, më shumë të mësuar të shohin bllokime trafiku në rrugët e qytetit shijuan mundësinë për t’u afruar me kafshët.

“Ne ndonjëherë mund t’i prekim ato”, thotë e entuziazmuar Carmen Iglesias, tetëvjeçare, e cila po shikonte spektaklin me babanë e saj dhe motrën e vogël Noa, gjashtë vjeçe. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=uz6Kpd0Us_A&ab_channel=ViralSeal

Madridi “mbyllet”, vala e Covid-19 alarmante

Madridi po kthehet nën masat e bllokimit në gjithë qytetin, pas një rritjeje me rastet e koronavirusit në kryeqytetin spanjoll.

Njerëzit nuk do të jenë në gjendje të largohen ose të hyjnë në Madrid përveç për arsye pune, arsimimi ose shëndetësore, e tubimet do të kufizohen në gjashtë persona dhe dyqanet, baret dhe restorantet do të duhet të zvogëlojnë kapacitetin me 50% dhe të mbyllen në orën 10:00.

“Madridi është i veçantë, sepse shëndeti i Madridit është shëndeti i Spanjës”, tha ministri spanjoll i Shëndetësisë, Salvador Illa, në një konferencë shtypi të mërkurën, derisa njoftoi masat, duke e quajtur situatën “komplekse” dhe “shqetësuese”.

Madridi raportoi 1,586 infeksione të reja të mërkurën, ose 40% të rritjes kombëtare. Qeveria e saj rajonale kundërshtoi masat, duke argumentuar se shpërthimi ishte nën kontroll, shkruan “Reuters”, përcjell albinfo.ch. / KultPlus.com