Bradley Cooper në filmin e ri dedikuar jetës dhe karrierës së kompozitorit të famshëm amerikan, Leonard Bernstein, të titulluar “Maestro”, duket krejtësisht si kompozitori tashmë i ndjerë.
Ai veç rolit në këtë film, po ashtu është edhe regjisori i tij.
Cooper paraqitet me rolin e Bernstein gjatë fazave të ndryshme të jetës së tij.
Në filmin “Maestro”, rolin e bashkëshortes së Bernstein, Felicia Montealegre e luan aktorja Carey Mulligan.
Netflix ka ndarë pamje nga xhirimet e filmit në llogarinë e tyre në Twitter, ku fansat kanë mbetur të mahnitur nga dukja e tij.
Disa janë të mahnitur aq shumë me transformimin e dukjes së tij, me maskë e makijazh, sa që kanë komentuar se personi që ka bërë këtë transformim duhet të shpërblehet me çmimin kryesor.
Të tjerë kanë komentuar se Cooper në “Maestro” duket pikërisht si Bernstein.
Cooper në një intervistë për Variety më parë ka bërë të ditur se ky film do të lansohet vitin e ardhshëm. Ai po ashtu ka treguar se fillimisht ishte folur se regjinë e tij do ta bënte Martin Skorsezi, por se më pas këtë detyrë e mori Cooper.
Sa i përket jetës së Leonard Bernstein, ai ishte kompozitor, dirigjent, pianist, mësues muzike, autor dhe njeri humanitar.
Ai vlerësohet të jetë njëri prej dirigjentëve më të rëndësishme të kohës së tij, i pari që fitoi famë ndërkombëtare. Bernstein gjatë karrierës së tij u nderua me shumë çmime./21Media / KultPlus.com