Opera ‘Flauti magjik’ i Mozartit shfaqet në Teatrin e Durrësit ‘Aleksandër Moisiu’

Kryevepra operistike “Flauti Magjik” është ngjitur në skenën e teatrit “Aleksandër Mosiu” në Durrës.

E kompozuar nga Wolfgang Amadeus Mozart në vitin 1791, përralla e mbushur me simbolikë, magji, aventurë, me personazhe mistikë dhe meloditë e përjetshme, mblodhi rreth vetes spektatorë të grupmoshave të ndryshme.

Për artistët kjo ishte një përgjegjësi e dyfishtë. Nga një anë sjellja në jetë e partiturës së përjetshme të Mozartit me aftësi dhe saktësi, e nga ana tjetër përshtatja edhe me më të voglin e spektator.

Dritan Lumshi, dirigjent: I kemi sjellë diçka që të jetë shumë më pranë publikut. Të bëhet emë e kuptueshme dhe më afër tyre.

Ada Gurra, regjisore e Teatrit të Operas dhe Baletit: Është një mesazh shumë i bukur për fëmijët të cilët duhet gjithmonë të kuptojnë që e vërteta dhe të jesh i sinqertë dhe i pastër gjatë jetës tënde do të çojë gjithmonë drejt suksesit.


Artur Vera, solist: Ka qenë intensivisht prova për ta sjellë në shqip për fëmijët, të jetë sa më i kuptueshëm dialogu mes personazheve, por pastaj edhe pjesën e muzikuar ta bëjmë sa më të afërt për ta.

Albertina Del Bo, artiste: Ka qenë një eksperiencë fanatastike dhe një kënaqësi e madhe të punuarit me një grup të tillë artistësh. Jam ndjerë shumë e mikpritur dhe shumë e mbështetur. Do të kthehem me kënaqësi sërish në Shqipëri për të kënduar.

Një realizim i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, shfaqja erdhi për artdashësin durrsak për dy ditë rresht, e pas kësaj do të ngjitet në skenat e tjera të qyteteve./TemA/ KultPlus.com

Rama: Peizazh magjik nga grykëderdhja e Vjosës në Levan

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga grykëderdhja e Vjosës në Levan, Fier.

Rama e cilësoi grykëderdhjen e Vjosës një peizazh magjik për t’u vizituar.

Lumi i Vjosës, si lumi i fundit i egër në Europë, u shpall më 13 mars të këtij viti nga qeveria shqiptare “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “park natyror”.

Në 13 qershor 2022 u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe organizatës amerikane “Patagonia” për nisjen e punës së përbashkët për ta shpallur Vjosën “Park Kombëtar”.

Për shkak se, lumi Vjosa dhe lugina e tij është një park shumë kompleks, është marrë ekspertizë ndërkombëtare përveç asaj të brendshme, që të gjitha procedurat e shpalljes të Vjosës Park Kombëtar, të jenë me standardet më të larta ndërkombëtare.

Lumi Vjosa, në jug të Shqipërisë, është një nga lumenjtë më të njohur në Shqipëri, për sa i përket trashëgimisë natyrore dhe vlerave të biodiversitetit që mban. Formacionet e ndryshme gjeologjike, karakteristikat e relievit dhe kushtet klimatike të pellgut të Vjosës kanë kontribuar në një diversitet të madh habitatesh dhe speciesh, shumë prej të cilave mbeten të pazbuluara edhe sot e kësaj dite. Bollëku i Vjosës me peshq, duke përfshirë grykëderdhjen e saj dhe lagunën e Nartës, e bëjnë këtë rajon mjaft të rëndësishëm për peshkim dhe shumë banorë vendas e kanë ndërtuar jetesën e tyre bazuar në peshkim me praktika kryesisht tradicionale të cilat vazhdojnë edhe sot e kësaj dite./atsh/KultPlus.com