Amfiteatri i Durrësit, ‘magnet’ për turistët

Durrësi po tërheq gjithnjë e më shumë turistë, falë edhe thesareve të tij kulturore dhe historike. Amfiteatri Romak, një nga atraksionet kryesore të qytetit antik, mahnit vizitorët me historinë dhe arkitekturën e tij të lashtë.

“Jam nga Sllovakia, Amfiteari është shumë i bukur. Është hera e parë që vij  në Shqipëri dhe mendoj që është mahnitëse.”

“Më pëlqen ky vend, historia e tij, edhe mozaikët që pash.”

“Kthehemi për të disatën herë në Shqipëri sepse më pëlqen shumë, veçanërisht Durrësi”.

“Është shumë i bukur ky sit, historia e tij është interesante po aq sa mënyra që i ka rezistuar kohës.”

Amfiteatri, i ndërtuar në shekullin e II Pas Erës Sonë gjatë periudhës Romake, mbetet një nga destinacionet turistike më të vizituara në vend. Statistikat tregojnë një rritje të dukshme të interesit të vizitorëve gjatë periudhës Janar-Korrik.

Jona Saraçi, specialiste në Qendrën Muzeore të Durrësit, thekson se turistët që e vizitojnë Amfiteatrin i përkasin grupmoshave të ndryshme, por mbizotëron mosha e tretë.

Amfiteatri ka një kapacitet prej rreth 15,000 spektatorësh dhe është përdorur për lojëra gladiatorësh dhe shfaqje të tjera publike në atë periudhë.

Me kalimin e kohës, ai ka mbetur një dëshmi e fuqishme e historisë dhe traditës së lashtë të Durrësit, duke tërhequr çdo vit mijëra vizitorë vendas dhe të huaj./klantv/ KultPlus.com

Tepelena turistike magnet për vizitorët

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se Tepelena turistike vetëm zhvillohet dhe është bërë një magnet që vetëm thith të tjerë vizitorë që vijnë për ta shijuar.

Kryeministri Rama ishte sot në restorantin “Uji i Ftohtë” në Tepelenë, ku vlerësoi potencialet turistike që ofron zona.

Zhvillimi i infrastrukturës dhe mbështetja e qeverisë për sektorin e agroturizmit ka nxitur zhvillimin e bujtinave e hoteleve të ndryshme në zonë, të ndërtuara kryesisht nga emigrantët që rikthehen.

Kryeministri Rama po zhvillon sot një takim me kabinetin qeveritar, në Tepelenë. Më herët ai informoi se mbledhja e zgjeruar e qeverisë do të zgjasë dy ditë me reflektime dhe qarkullim mendimesh e idesh, në prag të një sezoni të ri reformimesh dhe vetëreformimi./atsh/KultPlus.com