Shuhet studiuesi dhe shkrimtari i mirënjohur, Moikom Zeqo

Studiuesi dhe shkrimtari i mirënjohur, Moikom Zeqo ka ndërruar jetë sot në mëngjes, në moshën 71-vjeçare, duke humbur kështu betejën me sëmundjen e rëndë, nga e cila vuante prej disa vitesh, njoftoi TCH.

Moikom Zeqo lindi më 3 qershor 1949 në qytetin e Durrësit. Familja e tij është me origjinë nga Libohova. Në Libohovë ai morri edhe arsimin fillor. Më 1967 nisi të ndiqte Fakultetin Histori Filologji, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës më 1971 në degën gjuhë-letërsi. Në vitet 1971-1974 punoi si gazetar dhe redaktor letrar i gazetës “Drita”.

Më 1974-76 punoi si mësues në Rrogozhinë. Më pas, në vitet 1979-1987 qe punonjës shkencor pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Më 1987-1990 punoi si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë. Në qershor të 1991 qe pjesë e grupit organizator të Kongresit të 10-të të Partisë së Punës.

Më 31 janar-10 maj 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më 1991 dhe 1992 kandidat për deputet, kur dhe u zgjodh dhe shërbeu deri më 1996 si deputet i PS-së. Më 1997-2005 ka qenë drejtor i Muzeut Kombëtar.

Është Doktor i Shkencave dhe mban Urdhrin e Lartë “Mjeshtër i Madh”.

Është autori i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të një numëri skenaresh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij. Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, serbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht si dhe në gjuhën tonë.

Është autor i tre ekspozitave vetjake në pikturë. Ka përfaqësuar Shqipërinë në Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me dhjetëra herë dhe është vlerësuar nga personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe të huaj. / KultPlus.com

Djali i Kristo Frashërit padit Moikom Zeqon për plagjiaturë

Djali i historianit Kristo Frashëri padit në Gjykatën e Tiranës për plagjiaturë Moikom Zeqon.

Padia mban datën 17 mars 2017, në të cilën Gjergji Frashëri akuzon Zeqon se i ka vjedhur pasazhe të botimit të tij historik, duke i botuar më pas në media.

Në padi, Gjergji Frashëri kërkon “Konstatimi i shkeljes të së drejtës së autorit me anë të riprodhimit të paautorizuar të pjesëve të librit “lllyrisches Dyrrah”.

Për pretendimin e kësaj plagjiature, siç transmeton Shqiptarja, Frashëri kërkon nga gjykata dhe Zeqo një dëmshpërblim monetar në vlerën e 100.000 mijë lekëve. Aktualisht në gjykatë janë zhvilluar shtatë seanca, ndërsa ende nuk ka një vendim nga gjyqtarja Irena Plaku, që shqyrton këtë padi.

Botimi për të cilën Frashëri pretendon se Zeqoja ka tjetërsuar në media me anë të plagjiaturës është botuar më 2015, njohur me kodin e ISBN si punim dhe autorësi e tij.

Ky botim historik është në shitje në treg, ndërsa pritet që gjykata e Tiranës të vendosë nëse nga Moikom Zeqo është kryer apo jo plagjiaturë, siç pretendon Gjergji Frashëri. / KulPlus.com

Libri Dyrrahu ilir