Fotografitë e humbura të këngëtarit David Bowie nga albumi i vitit 1969 janë zbuluar. Në fotografitë e siguruara nga “MailOnline”, këngëtari i hitit “Heroes” kishte pozuar për albumin e dytë përpara fotografit Vernon Dewhurst.
Në njërën prej fotografive, Bowie shfaqet gjysmëlakuriq dhe shikon drejt kamerës me një qëndrim stoik, kurse flokët i ka të lëshuara dhe kaçurrela.
Në një tjetër fotografi këngëtari shihet tek pozon nëpërmjet një xhami, me ç’rast pamja përreth është e turbullt.
Fotografia, e cila më pas ishte përdorur për kopertinë, ishte mbivendosur në veprat e artistit hungarez Victor Vasarely.
Albumi i dytë i Bowies është “Space Oddity” dhe përmban po ashtu një këngë me të njëjtin titull, e cila ishte bërë hiti i parë komercial i yllit ikonik të muzikës.
Albumi ishte ripublikuar më 1972 me titullin “Space Oddity”, pas suksesit të atij të pestit “The Rise And Fall Of Ziggy Stardust And The Spiders From Mars”.
Tashmë janë bërë pesë vjet qëkur Bowie ka vdekur në janarin e vitit 2016, në moshën 69-vjeçare. Ai ka vdekur pas një beteje 18-mujore me kancerin.
Ishte i martuar me supermodelen Iman nga viti 1992 deri në ditën e vdekjes. Me të ka vajzën Alexandria Zahra Jones, tani 20-vjeçare, e njohur si Lexi, e cila është artiste në California.
Muzikanti ishte baba edhe i Duncanit 50-vjeçar, të cilin e kishte nga martesa me ish-bashkëshorten Angie. Bowie dhe Iman u martuan në një ceremoni romantike në Luzanë të Zvicër, në prillin e vitit 1992, që më vonë u zyrtarizua me martesë në Florencë.
Në fillim të këtij viti, Iman ka thënë se kurrë nuk do të martohet më pas vdekjes së bashkëshortit dhe ka deklaruar se këngëtari për të ishte “dashuria e vërtetë”.
“David është në zemrat dhe mendjet tona përditë. Ai ishte dashuria ime e vërtetë. Vajza më ka pyetur një ditë nëse do të martohesha përsëri dhe i kam thënë shkurt: ‘Kurrë’”, kishte thënë supermodelja 65-vjeçare gjatë shkurtit. / Koha.net / KultPlus.com