Vjollca Duraku
Mbrëmë, në ambientet e librarisë Dukagjini është promovuar libri “Shtëpia pa pasqyrë” i autores Majlinda Bregasi. Libri shpërfaqë histori njerëzish me fëmijëri të grabitur, ku nëpërmjet tri linjave rrëfimtare, lexuesi udhëton nëpër hëndekët e fatit të individëve që janë vetëm pasojë e historisë së popullit të tyre.
Ceremonia promovuese u mbajt në një ambient të rrethuar me libra, me miq dhe adhurues të autores Bregasi, nën moderimin fantastik të gazetares Jeta Zymberi, e cila tha se libri eksploron thellë kujtesën kolektive të Kosovës dhe shqiptarëve, të cilëve historikisht i është kërcënuar ekzistenca.
“Vepra ofron një reflektim mbi mundësinë për ripërtëritje në një shtëpi që, edhe pse e zhveshur nga pasqyrat, mbi kokën e fëmijëve që luajnë pa lodra, ka gjithmonë një dritare”, ka thënë Zymberi.
Kurse redaktorja letrare e librit, Albulena Blakaj, për autoren Majlinda Bregasi ka thënë se është një intelektuale e mirfilltë, e cila sipas saj ndër të tjera, prioritet ka historinë e popullit të saj.
“Bregasi e do shumë popullin e saj. Kjo më pëlqen natyrisht. Edhe te romanet tjera ajo prek varrë të mëdha të popullit. Edhe te ky roman autorja i kthehet sërish historisë. I bashkon historitë, e bashkon kombin dhe anët e ndryshme të popullit në një roman. Historitë e mëdha ia ngarkon personazheve të vogla. Janë dy vajza të vogla me të cilat fillon romani, të cilat tërheqin valigjet drejt fshatit Pambuk. Besoj që autorja e ka përzgjedhur këtë emër për shkak se pamuku është ‘I butë’ për fëmijët, mirpo nuk është e mundur të mos na kujtoj skllavërinë”, ka thënë redaktorja Blakaj.


Tutje, redaktorja Blakaj ka thënë se autorja tregon një pjesë të historisë, duke vazhduar pastaj edhe me personazhet tjera ku përmbledh të gjitha tmerret që kanë ndodhur në Shqipërinë e periudhës së komunizmit.
“Na trgon çka është humbja, çka është përballja me tmerrin, çka është dhembja dhe gjithçka. Me personazhet tjera njihemi ngadal-ngadal. Autorja ka aftësinë për të mbajtur të lidhur me romanin, derisa ai të përfundohet. Janë të tipit kriminalistikë, ku gjithmonë ka një personazh që pritet të zbulohet se kush është, dhe nga vjen. Ngadalë shpalosen të gjitha ato që do t’i lexoni. Përmblidhet edhe lufta në Kosovë, edhe tmerri dhe lidhja që ekziston mes shqiptarëve në të dyja anët e kufirit. Romani ka një fund të lumtur. Fundi është krejtësisht i papritur” ka thënë gjithashtu redaktorja Blakaj.

Ndërsa, studiuesi Latif Mustafa ka thënë se personazhet janë identitete, pasi autorja refuzon që njeriun ta projektojë si produkt të identiteteve kolektive.
“Mendoj që libri i autores është roman deri diku politik, ngaqë trajton temën se kush jemi ne dhe gjeografinë si fatalitet. Është edhe një pjesë e luftës, në fillim kam menduar që flitet për luftën në Kroaci, pastaj në Bosnje. UÇK-ja nuk përmendet askund, nuk mund ta gjesh UÇK-në. Krejt në fund kupton që autorja ka reduktuar veten te tjetri, ku shkruan nën petkun e armikut”, ka thënë Mustafa.
Studiuesi Mustafa gjithashtu ka thënë se përmbajtja e librit është jashtëzakonisht interesante, e cila në thelb prek plagë të shoqërisë.
“Libri në përgjithësi është i shkruajtur në formën e mozaikut, ku autorja i hedh copëzat e mozaikut në bashkëveprim me ne. Kërkon angazhim intelektual nga ne, që ne t’i japim kuptimin final të asaj që ajo në fund zbulohet. Është një libër jashtëzakonisht interesant, i cili vërtetë ka prekur shumë plagë”, ka thënë ai.

Kurse, studiuesja e letërsisë, Blerinda Idrizi ndër të tjera ka folur për njërin ndër personazhet më me rëndësi, rreth së cilës zhvillohet narracioni i romanit “Shtëpia pa pasqyrë”.
“Teze “Sibila” është një karakter tejet intersant pa të cilën nuk do të kishte ekzistuar Lena, Serena dhe të gjithë karakteret e tjera. Unë mendoj që Sibila është lidhja që i mban të tërë, sepse ushqen kujdesin ndaj Lenës dhe Erës, marrëdhënieve të tyre, dhe njëkohësisht mundohet tu mbajë kujtesën e prindërve, duke ua bërë me dije që i kanë, që nuk i kanë, por që duhet pasur kujdes për të mos i përmendur. Mendoj që autorja ka pikasur edhe me përzgjedhjen e emrit “Sibila”, pasi “Sibila” sipas antikitetit është parathënëse, parashkruese, këshilluese apo njëfarë orakulli. Kur lexohet ai pak dialog i përfshirë në vepër të vë në mendim, në njëfarë trysnie sa kur fillon e lexon romanin fillon të kursehesh vet në mendimin tënd. Ajo ka gjuhë të kursyer”, ka thënë studiuesja Idrizi, duke potencuar se libri ka një narracion të fragmentuar dhe të traumatizuar.
“Kemi të bëjmë me një narracion të fragmentuar, të traumatizuar sepse e tillë është jeta e personazheve që ka ndërtuar autorja. I tillë vjen edhe narracioni, i cili është i pasur jo përmes dialogut, por përmes dialogut të brendshëm të personazheve dhe meditimit të tyre, sepse ka dy mënyra se si autorja procedon: me dialog dhe me meditim. Pikërisht përmes këtij dialogu të brendshëm dhe këtij meditimi vjen dhe kujtesa, ashtu ngacmuese dhe e fragmentarizuar sepse traumat shoqërore dhe traumat e diktaturave e kanë shumë të vështirë të krijojnë linearitetin mes hapësirës, mendimit dhe transformimit”, ka thënë Idrizi.

Ndërkaq, autorja Majlinda Bregasi ka ka thënë se ideja e saj për librin “Shtëpia pa pasqyrë” ka qenë që ta trajtojë luftën nga një aspekt tjetër, jo nga aspekti i viktimës, siç janë zakonisht shkrimet shqiptare.
“Është normale që shkrimtarët në Kosovë të shkruajnë për luftën në Kosovë, sepse e kanë në lëkurë dhe asht, madje të cilën tërë jetën kanë për ta mbajtur, dhe që kanë për ta përcjellur, për ta trashëguar ashtu siç na kanë përcjellë gjyshërit tanë memorien e tyre. Temën e luftës e kam prekur edhe te libri “Ikja”, por shumë pak sepse nuk më është dukur morale që unë nga Shqipëria të shkruaj një libër për luftën në Kosovë. Kam pritur nga të tjerët të shkruajnë, nga ata që e kanë ndier shumë më afër e sa unë”, ka thënë autorja Bregasi.

Tutje, autorja ka thënë se letërsia sa është e këndshme është aq edhe e rrezikshme, ngaqë futet në ndërdijen e njeriut në mënyrë krejtësisht të pavetëdijshme.
“Dua që lexuesi ta ndjeja, ta jetojë historinë, sepse vetëm në këtë formë nuk do ta harrojë sao që të shohë piktura të tjera, përjetime të tjera ka për t’I mbetur diçka në mëndje. Faktikisht, mendoj që për secilin art dhe artist në picture, muzikë që nëse nuk të lë një gjurmë brenda ajo i përket një arti fast-food”, ka thënë autorja duke I falënderuar të gjithë pjesëmarrësit për praninë e tyre në ceremoninë promovuese.
Majlinda Bregasi është shkrimtare e afirmuar, gjuhëtare dhe profesore e gjuhës italiane dhe latine në Universitetin e Prishtinës, ku aktualisht mban pozitën e drejtores së Institutit të Gjuhës dhe Kulturës Italiane. Si romanciere, është nderuar me çmimin prestigjioz pë veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku” dhe është nominuar për Çmimin Evropian për Letërsi. Libri “Shtëpia pa pasqyrë” është libri I pestë i autores Bregasi./ KultPlus.com
