Prezantohet edicioni i 12-të i Projektit Ndërkombëtar NET/RRJET nën drejtimin e Majlinda Kelmendit

Organizata joqeveritare Integra, ka bërë të ditur se “Expoart.40”, do të prezantojë edicionin e 12-të të Projektit Ndërkombëtar, NET/RRJET.

Në njoftim thuhet se prezantimi do të bëhet sot, nën drejtimin artistik të Majlinda Kelmendit, duke filluar nga ora 18:00, në Qendrën Barabar në Prishtinë.

“Expoart.40 nën drejtimin artistik të Majlinda Kelmendit, prezanton edicionin e 12-të të Projektit Ndërkombëtar NET/RRJET, konceptuar dhe organizuar nga expoart.40. Këtë vit, nën kurimin e Zeni Ballazhit dhe në partneritet me Barabar Centre, ky edicion vazhdon traditën e ndërtimit të lidhjeve artistike mes Kosovës dhe skenës ndërkombëtare të artit”, thuhet në njoftim./KultPlus.com

“Legjenda e gjallë e Kosovës” e quan Federata Evropiane e Xhudos Majlinda Kelmendin

Ikona e sportit kosovar, Majlinda Kelmendi, ka dhënë një intervistë për ueb-faqen e Federatë Evropiane të Xhudos.

Kelmendit, në hyrje të intervistës, i referohen si legjendë e gjallë e Kosovës, pas sukseseve të saj si njëra prej xhudistëve të mira në botë.

“Për të bërë përmbledhjen e ekipit…nga t’ia nis…po e nis me pjesën pikëlluese, pasi Loriana i dha fund karrierës. Ajo erdhi nga Zvicra në Kosovë tetë vjet më parë dhe fitoi medalje evropiane dhe botërore për ne, duke u bërë njëra prej sportisteve më të mira në historinë e Kosovës dhe mori pjesë dy herë në Olimpiadë”, ka thënë Kelmendi për Federatën Evropiane të Xhudos.

Kelmendi pos që foli për Loriana Kukën, përmendi edhe trajnerin Toni Kukën, si dhe Akil Gjakovën, Nora Gjakovën dhe Distria Krasniqin.

“Në përgjithësi, jam shumë e lumtur me performancën e secilit. Edhe Nora edhe Lori ishin të lënduara tre muaj para Lojërave andaj ishte e vështirë për to që të përgatiten mirë”.

“Akili ishte thjesht i mrekullueshëm dhe është mëkat që ai nuk fitoi medalje”.

“Distria kishte shumë vetëbesim, si gjithmonë ,dhe me këtë rast dua ta falënderoj bosin e madh, Tonin, që ma ka besuar të ulem në karrige dhe t’i stërvit sportistet”.

“Falë tij, Kosova i ka tani pesë medalje olimpike dhe të gjitha janë nga xhudo. Ne jemi plot gëzim dhe mirënjohje”./ KultPlus.com

Kelmendi: Trajneri Kuka nuk më ka bërë thjesht kampione të botës, por një heroinë të Kosovës

Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) është duke realizuar një seri të intervistave të titulluara “Legjendat”, ku protagonistë janë disa prej xhudistëve më të suksesshëm në botë, shkruan KultPlus.

Xhudistja më e suksesshme kosovare, Majlinda Kelmendi, është pjesëmarrëse në episoden e fundit.

Në intervistën e fundit, trajnerja Kelmendi, duke mbajtur një fotografi në dorë, ndan historinë e saj si xhudiste, duke filluar që nga fillimet e saj dhe duke arritur në momentin e madh kur fitoi medaljen e artë olimpike në Rio në vitin 2016.

“Është kujtimi më i mirë i jetës time. Kjo foto më emocionon sa herë e shoh. Kështu që nuk dua ta shoh aq shpesh. Sot nuk po dua të qaj”, shprehet Kelmendi, derisa në fotot duket e përlotur bashkë me trajnerin e saj, Driton Kuka.

Kelmendi tregon se sa shumë e ka ëndërruar që një ditë të jetë kampione e botës, dhe këtë gjë e arriti vetëm duke punuar pa ndalur.

“Kur kam qenë 12 vjet e kam dhënë një intervistë për njërin prej televizioneve publike në Kosovë. Aty jam pas përgjigjur se kur të rritem do të bëhem kamione bote. Driton Kuka ka pasur ndikim të madh të unë dhe ka qenë i vetmi trajner i imi. Ai nuk më ka bërë thjesht një kampione të botës ose një kampione olimpike, por një heroinë të Kosovës”, tregon ajo, duke na njoftuar se me xhudon “ka rënë në dashuri” si tetëvjeçare.

Kelmendi, edhe në “Legjendat” nuk ka harruar ta falënderojë Kukën për sukseset që ka arritur nën drejtimin e tij.

“Ai më ka bërë heroinë. Çdo gjë që e kam e kam falë trajnerit. Ai qanë shumë kur fitojmë. Është i fortë, por qanë”, thotë ajo mes tjerash.

Në përfundim, ajo ka shprehur ambicien e saj të ardhshme, që përfshin rikthimin në majat e botës, por kësaj radhe si trajnere e xhudos. /KultPlus.com

“Ethos”, ekspozita që u prezantua në muret e objektit të Komunës së Prishtinës

Expoart.40 ka hapë ekspozitën e radhës të titulluar “Ethos”,  por veçantia e kësaj ekspozite është se veprat e kuruara tashmë janë vendosë në muret e objektit të Komunës së Prishtinës, përkatësisht në korridoret e këtij objekti, shkruan KultPlus.

Komuna e Prishtinës ka njoftuar për këtë ngjarje kulturore, dhe KultPlus ju sjell të plotë njoftimin rreth kësaj ekspozite.

🌅Në ndërtesën e vjetër të Kryeqytetit, u hap ekspozita “Ethos” e mbështetur nga Drejtoria e Kulturës dhe e realizuar nga @Expoart.40, e cila eksploron lidhjen në mes të identitetit dhe vlerave dhe se si këto mund të shfaqen nëpërmjet artit bashkëkohor.

Punimet janë realizuar përgjatë muajit gusht nga artistët e rinj studentë të Artit Konceptual dhe Mediave të Reja, Arkitekturës si dhe Dizajnit të Modes në bashkëpunim me ligjërues ekspertë të fushës së artit të cilët kanë inspiruar rrugëtimin e tyre profesional.

Falenderojmë artistët tanë të rinj të cilët ngjallën koridoret e Institucionit të Kryeqytetit me shpërfaqjen e artit të tyre unik.

@Drejtoria e Administratës

#PrishtinaePërjetimeve 💛/ KultPlus.com

Kelmendi: E dija që do e pushtoja botën, rrezikova edhe të paralizohesha

Kampionia olimpike dhe trajnerja e xhudos Majlinda Kelmendi ka dhënë një intervistë të gjatë për faqen zyrtare të Federatës Ndërkombëtare të xhudos ku ka rrëfyer karrierën e saj, vështirësitë nëpër të cilat kaluar për ta arritur deri tek shpallja si më e mira e botës në këtë sport.

Që në fillim të kësaj interviste, Majlinda thotë se e kishte ndjerë që në moshën 12 vjeçare se një ditë do të ishte më e mira në botë.

“Mendoj se u bëra kampion olimpik për shkak të karakterit tim. Tingëllon e çmendur dhe ndoshta edhe budallaqe, por që në moshën 12-vjeçare e dija se do të isha më i miri në botë. Në atë kohë Kosova nuk ishte as shtet. Gjithmonë kam punuar shumë, shumë dhe edhe kur isha 15 vjeç, si kadet, luftoja me të më të rriturit”, tha fillimisht Majlinda Kelmendi.

Ai më tutje prek dhe flet për sukseset e saj të njëpasnjëshme duke rrëmbyer medalje të elitare botërore dhe evropiane.

“Në vitin 2009 u bëra kampion i botës për të rinj dhe kampion i Evropës për juniorë. Evropiani në Armeni ishte hera ime e parë që luftoja për Kosovën si shtet dhe që atëherë i thashë vetes ‘Unë jam më e mira në botë’, thjesht duhej ta tregoja. U deshën katër vite të tjera për të marrë medaljen tek të rriturit, por në kokën time isha më e mira. Në vitin 2013, në Rio Ëorlds, u bëra kampione e botës për të rriturit dhe më pas qëllimi im vazhdoi dhe nuk ishte thjesht të isha atletja më e mirë -52 kg, por të isha gruaja më e mirë në botë nga çdo kategori. E dija që stërvitesha si e çmendur dhe ndoshta më shumë se kushdo tjetër”, theksoi ajo.https://zeri.info/inarticle.html

Më pas ajo zbulon se si në vitin 2015 Kelmendi pati probleme serioze shëndetësore dhe mjeku i kishte rekomanduar që të largohet nga sporti, por që ajo nuk e bëri këtë.

“Fitova botërorin dhe evropianin dhe gjithçka tjetër, por në vitin 2015 pata një hernie diskale në qafë dhe mjeku më tha se duhet të ndaloja ose do të paralizohesha. Krahu i majtë tashmë ishte bllokuar dhe kështu më duhej të merrja vendim që të ndaloja ose të vazhdoja dhe të rrezikoja gjithçka. Zgjodha të vazhdoj edhe nëse mund të ketë pasoja katastrofike; Më duhej të vazhdoja. Fizikisht isha keq, por mendërisht isha ende aq e fortë. Me krahun tim të majtë as 50% e dija që kisha krahun tjetër dhe e dija se medalja e artë olimpike ishte aty për ta marrë”, rrëfen Majlinda.

Tani, si 32 vjeçare, Kelmendi tregon se si nuk kishte shijuar as pushime familjare për shkak të përkushtimit ndaj karrierës.

“Tani jam 32 vjeç. Ju e dini që nuk kam pasur pushime familjare që nga mosha 12 apo 13. Edhe pas botërorit u stërvita sërish pas vetëm një jave. Nuk e kam shijuar aq shumë karrierën time dhe shikoj prapa dhe mendoj se duhet ta kisha shijuar më shumë. Më dhanë një muaj pas Olimpiadës, por pas dy javësh u ktheva, ishtezgjedhja ime për të vazhduar stërvitjen. Nëse stërvitja do të duhej të ishte në orën 10:00, unë tashmë isha aty në 8:30. E përdora tepër trupin tim. Nëse do të ishte e mundur do të kthehesha dhe do t’i bëja të gjitha përsëri. Më pëlqeu ajo ndjenjë e pamundësisë për të marrë frymë. Është e vështirë të stërvitesh, por edhe më e vështirë të humbasësh. Nuk doja ta kisha kurrë atë ndjenjë”, thotë Majlinda në fund./ zeri/ KultPlus.com

Hapet “Kthim”, për herë të parë ekspozohet puna e 20 artistëve të rinj që ndërlidhin njerëzoren me digjitalen

Era Berisha

Artistët si: Antika Veseli, Arbreshë Qerimi, Arjeta Bislimi, Azra Ibrahimi, Besarta Hoxha, Djellza Berisha, Djellza Hyseni, Doresa Zulfaj, Emine Dajaku, Erblina Mahaj, Erion Kllokoqi, Erleta Krasniqi, Era Goga, Fitim Haziri, Flamur Bilalli, Jon Rexhaj, Krenare Sylejmani, Leonita Muja, Reita Rrecaj dhe Rinor Daut, kanë ekspozuar sot punën e tyre unike nëpërmjet ekspozitës nën emërtimin “rETurN” apo “Kthim” me kuratore Majlinda Kelmendin, një ekspozitë kjo që synon t’u japë mundësi artistëve të rinj për t’u promovuar në skenën e artit, shkruan KultPlus.

Sot duke filluar nga ora 18:00, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka mirëpritur një numër të madh të artdashësve, të cilët kanë mbushur katin e dytë qosh më qosh. Një atmosferë e ngrohtë dhe në të njëjtën kohë diversive, është krijuar nëpërmjet gjithsej 20 pikturave të cilat kishin zënë vend në një formë të gjysmë hënës.

“rETurN” apo “Kthim”, ka shpalosur një punë intensive nëpërmjet përçimit të botës intensive e të brendshme të këtyre studentëve që ëndërrojnë vazhdimisht, me ç’rast ngjyrat tejet ekspresive e kanë pikturuar atë ndjesi më së miri. Bota në shpirtin e tyre ka dalë përtej në pikturë dhe ka lëvizur nëpërmjet figurave abstrakte, këndshëm të krijuara. Tema me motive të ndryshme kanë prekur çdo cep, dhe kjo lehtazi admirohej nga gjithsecili i pranishëm.  

Impulsi krijues i tyre është shfaqur në mënyrë të jashtëzakonshme. Ndonëse, në dimensione e teknika të ndryshme si në akrilik, vaj në pëlhurë, akuarel në letër, mix media e shumë të tjera, secila pikturë dëshmon një seriozitet të pakrahasueshëm. Me këtë projekt artistik, është synuar krijimi i një atmosfere miqësore që ka bërë bashkë artin dhe të pranishmit, dhe kësisoj ka rindërtuar një vetëbesim të nevojshëm. Interesi është zgjuar, dhe dialogët veçse kishin filluar në mesin e audiencës.

Ekspozita përbëhet nga vepra të artistëve të rinj të realizuara në vitin 2022 dhe të pa ekspozuara më parë. Po ashtu, ekspozita shërben si një shprehje e artit konceptual në vend si dhe mund të shihet si një kontribut në diskutimin e vazhdueshëm të rëndësisë së artit konceptual në vazhdimësi.

Kuratore dhe ideatore e këtij projekti është Majlinda Kelmendi e cila sot bëri hapjen e kësaj ekspozite që sipas saj, me heshtjen e vetë, flet shumë.

“Mirëmbrëma dhe mirë se keni ardhur në ekspozitën e përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në mesin e artdashësve, kolegëve, studentëve, familjarëve po e hapim këtë ekspozitë. Kjo është një ekspozitë që në dukje duket në heshtje me këto punimet e vendosura por të cilat flasin me heshtjen e tyre. Në fakt, prapa tyre është një punë e madhe e studentëve dhe këtu shfaqet vetëm dyzet për qind e punës së tyre për shkak se ata kanë punuar një kohë të gjatë dhe në bashkëpunim, kemi nxjerr më të mirën tonë”, thotë Kelmendi.

Sipas saj, vetë titulli “Kthimi” është diçka që është e rëndësishme për artistët por edhe për gjithë të tjerët.

“Momentalisht kemi disa dilema në lidhje me njerëzoren dhe digjitalen. Pikërisht kjo temë i ka provokuar ata për t’i sjell këto punime ku herë-herë do shihni nudo të cilat janë të trajtuara në mënyrë abstrakte dhe moderne e herë të tjera do të shihni elemente digjitale nëpër punën e tyre. Pjesa hulumtuese që ata kanë bërë, për mua është shumë gjë e vyer dhe kjo ka qenë arsyeja dhe motivi për të ndërmarrë këtë punë. Tanimë fjalët nuk janë shumë të rëndësishme sa puna e tyre. Që kur e kanë nisur në fillim këtë projekt me kërkesë të studentëve, qëllimi ka qenë gjithmonë mbështetja e të rinjve për shkak të situatës që është pak më e vakët në shoqërinë tonë dhe e kam parë me sytë e mi se sa entuziazëm kishte në sytë e tyre. Faleminderit që jeni këtu dhe ju sugjeroj t’i shijoni këto piktura”, përfundon Kelmendi.

Ky projekt është mbështetur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës – Drejtoria për Kulturë. / KultPlus.com

Ekspozita “Kthim” synon t’u japë mundësi artistëve të rinj për t’u promovuar në skenën e artit

Më 12 dhjetor me fillim nga ora 18:00 në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës do të mbahet ekspozita me titullin “rETurN” apo “Kthim”, shkruan KultPlus.

Kuratore dhe ideatorë e këtij projekti është Majlinda Kelmendi, e cila thotë se ky projekt sjell risi në jetën artistike, duke ju dhënë mundësi artistëve të rinj që të promovohen, të krijojnë parteritete, rrjedhimisht të ndikojë në ngritjen e kualitetit dhe avancimit të skenës së artit.

“Nëpërmjet ketij aktiviteti artistik kontribojmë për të shtuar shpresën tek artistet e rinj”, shprehet Kelmendi për KultPlus.

Ky projekt, sipas Kelmendit, do të jetë një fillim për krijuesit e rinj, të cilët do të duan të zhvillojnë vlerat e tyre krijuese në të ardhmen.

“Në këtë projekt artistik zhvillojmë tema të ndryshme dhe me këtë aktivitet të krijojmë një atmosferë miqësore, ku nëpërmjet veprave artistike të ekspozuara, kontaktit me publikun artëdashes do të rindërtojë vetëbesimin.  Ky projekt tenton të ofrojë hapësirë për iniciativa të ngjashme, për t’iu prezantuar dhe për të zgjuar interes, debate, dialog ndërnjerëzor që tejkalon kufijtë personal”, thotë ajo.

Ekspozita përbëhet nga vepra të artistëteve të rinj të realizuara në vitin 2022 dhe të pa ekspozuara më parë.

“Ideja jonë është që kjo ekspozitë të shërbejë si një shprehje e artit konceptual në vend. Mund të shihet si një kontribut në diskutimin e vazhdueshëm të rëndësisë së artit konceptual në vazhdimsi”, shton tutje piktorja.

20 artistë janë të përfaqësuar në ekspozitë, në shumë mënyra dhe kjo ekspozitë mund të shihet si një punë në zhvillim.

“Të gjithë artistët pjesëmarrës kanë një marrëdhënie intensive dhe krijuese me botën e brendshme që krijon ëndrra. Kjo nuk do të thotë se ata qëndrojnë gjithmonë aty. Por ata kanë akses në të, lëvizin përtej kufirit, rishfaqen, zhduken, kthehen. Kjo botë e brendshme është për ta një pjesë e patjetërsueshme e impulsit krijues”, përfundon Kelmendi.

Ndërkaq, artistet pjesmarrës: Antika Veseli, Arbreshë Qerimi, Arjeta Bislimi, Azra Ibrahimi, Besarta Hoxha, Djellza Berisha, Djellza Hyseni, Doresa Zulfaj, Emine Dajaku, Erblina Mahaj, Erion Kllokoqi, Erleta Krasniqi, Era Goga, Fitim Haziri, Flamur Bilalli, Jon Rexhaj, Krenare Sylejmani, Leonita Muja, Reita Rrecaj, Rinor Dauti.

Projekti është mbështetur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës Drejtoria për Kulturë. /KultPlus.com

Majlinda Kelmendi në librin e rekordeve botërore ‘Guiness’

Majlinda Kelmendi i dha fund karrierës së suksesshme vitin e kaluar.

Xhudistja pejane kishte fituar gjithçka të mundshme në karrierë, ndërsa tash e ka nisur punën e trajneres.

E gjurmët që i ka lënë Majlinda në sportin e xhudos janë vërtet të pashlyeshme, shkruan “Express”.

Legjenda e sportit kosovar e mban rekordin botëror “Guiness” për më së shumti medalje të arta të fituara në turneun botëror IJF nga data 7 maj 2010 deri më 24 tetor 2019.

Federata Botërore e Xhudos në Librin e botuar së fundmi “Judo Legends” (Legjendat e xhudos) flet për një rekord të “Guiness” të arritur nga Majlinda në periudhën afro 10 vjeçare.

Për këtë arritje, i nderuar dhe krenar ndihet edhe trajneri Driton Kuka, i cili e ka bërë një postim në rrjetet sociale.

Majlinda Kelmendi konsiderohet si sportistja më e madhe që e ka pasur Kosova ndonjëherë, shkruan “Gazeta Express”.

Ajo ia solli vendit tonë medaljen e parë olimpike në vitin 2016./ KultPlus.com

Kosova përfaqësohet nga 4 xhudistë në Kampionatin Botëror të xhudos, mungon kampionia olimpike

Ekipi i Kosovës në xhudos do të marrë pjesë në garën më të rëndësishme, që prej përfundimit të Lojërave Olimpike Tokio 2020. Është Kampionati Botëror i xhudos, që prej 6 deri më 13 tetor 2022 do të mbahet në Tashkent të Uzbekistanit.

Kosova përfaqësohet me katër garuese. Ekipit i prinë Distria Krasniqi, që garon në kategorinë deri në 52 kilogramë, Flaka Loxha (-57 kg), Laura Fazliu (-63 kg) dhe Loriana Kuka (-78 kg).

Krasniqi është kampione olimpike Tokio 2020 dhe medaliste e bronztë e botës 2019, Kuka është medaliste e bronztë e botës 2019, ndërsa Fazliu që po shijon formë të mirë këtë vit, është nënkampione e Evropës 2022. Loxha dalëngadalë po ngritet në nivele të larta. Të gjithë janë bursistë olimpikë për Lojërat Olimpike Paris 2024.

Botërorit do t’i mungojnë familja Gjakova, Nora dhe Akili. Të dy sipas trajnerit Driton Kuka mungojnë shkaku i lëndimeve. Nora është kampione olimpike Tokio 2020, ndërsa vitin e kaluar fitoi medaljen e bronztë në Botëror, në kategorinë -57 kg. Akili është kampion i Evropës 2021, kategoria -73 kg dhe vendi i shtatë në Tokio 2020.

“Xhudistët tanë nisin garat të premten, kur në tatami është Krasniqi. Loxha, garon të shtunën, Fazliu të dielën, ndërsa të martën Kuka”, thuhet në njoftimin e Komitetit Olimpik të Kosovës. 

Kampionati Botëror është gara që sjell më së shumti pikë olimpike për Paris 2024.

Ndërkaq, Krasniqi mbetet një nga favoritet për të sjellë medalje në Kosovë. /KultPlus.com

Muminoviq e udhëhequr nga Majlinda Kelmendi kalon në rrethin e dytë

Xhudistja nga Kosova, Erza Muminoviq ka avancuar në rrethin e dytë të garave në Lojërat Mesdhetare në Ohan të Algjerisë, shkruan KultPlus.

Pas një meçi të vështirë ndaj turkes Gulkader Senturk, Muminoviq fitoi me IPPON.

Majlinda Kelmendi, në rolin e trajneres, e udhëhoqi xhudisten kosovare, e cila tani do të ndeshet me francezen Melanie Vieu.

Kosova akoma nuk ka arritur që të fitojë medalje në këto gara, derisa shpresat për të marrë një të tillë janë sot. /KultPlus.com

Puna kreative e përkushtimi i profesorëve u gërshetuan në ekspozitën e veprave artistike të studentëve

Me rastin e ekspozitës së fundivitit akademik 2021-2022, në Fakultetin e Arteve, tradicionalisht bëhen vizitat në klasa, ku edhe u ekspozuan veprat artistike, punimet dhe detyrat e studentëve të realizuara gjatë këtij viti akademik.

Nga vizitorët e shumtë u vlerësua suksesi i studentëve të cilët u prezantuan me një punë kreative dhe bashkëkohore gjithashtu përkushtimi dhe puna e profesorëve gjatë këtij vitit akademik.

Ekspozita do të jetë e hapur deri në fillim të vitit të ri akademik.

Disa momente nga puna në klasën e Nudos dhe Piktures-Dega Art Konceptual dhe Mediat e Reja me studentë dhe profesoreshën Majlinda Kelmendi

Me studentet e Piktures

RINOR DAUTI   “GJUHA INTERNACIONALE “

 150X100  

Realizuar në lëndën e pikturës. Prof. Majlinda Kelmendi   

RINOR DAUTI   “GJUHA INTERNACIONALE “

 150X100  

Realizuar në lëndën e pikturës. Prof. Majlinda Kelmendi   

Urë në ujra të trubullta mundë të jet gjuha fakti se pa gjuhë internacionale bashkollore nuk mundësh ta japësh maksimumin në profesjonin apo aktivitetet që I zhvillon të paktën nga provoja ime personale ,dhe ne këtë form jam munduar ta paraqes pak a shumë edhe permes gjuhës së shenjave.

LEONITA MUJA

•PROJECT 2505

•Teknika ; Mixed Media

* Dimensionet 100×150 2021

Realizuar në lëndën e pikturës. Prof. Majlinda Kelmendi   

Koncepti: Ideja se koha nuk ka rëndësi në këtë qytet. Pse do t’ju interesonte koha kur dielli është zëvendësuar prej kohësh nga fuqia e madhe e Neo City? Ideja që ju vareni nga skaji dhe shikoni se si bota dridhet poshtë këmbëve tuaja, ka shfaqur këtë ekran nga dritarja e project 2504, ku kishte dëshiruar ta kishte si peizazh të flinte me te, të zgjohej me te, i zgjonte një lloj nostaligjie e së kaluares ku vetëm project 2505 mundet t’a përshkruaj.

Studente: Arjeta Bislimi

Titulli i veprës: The feelings in sky

Realizuar në lëndën e pikturës. Prof. Majlinda Kelmendi   

Teknika: Piktura “The feelingns in sky” ka teknikë të kombinuar kryesisht është njëdimensionale , madhësia  e saj është 1.60 x 1.10. E punuar me ngjyrë akrilik dhe flamaster.

 Koncepti

Vepra the feelings in sky paraqet jetën tonë emocionale të cilën e përjetojmë  në përditshmëri.

Duke përfshirë si emocionet negative ashtu  edhe ato pozitive.

Doresa Zulfaj

Dimensioni 150/180 

Realizuar në lëndën e pikturës. Prof. Majlinda Kelmendi   

Ngjyrat: AKRILIK

Titulli: “Mess”

Pershkrimi: Kjo pikturë është nisur me qëllimin që artistja të tregojë inspirimin e saj të ndërlidhur me gjendjen emocionale që është dukshme e shprehur në ngjyra dhe në format e paraqitura.

Krenare Sylejmani 

IN COLORS

Realizuar në lëndën e pikturës. Prof. Majlinda Kelmendi   

Nje pikture ne te cilen sipas meje eshte e paraqitur vete jeta njerzore , duke e shprehur perms ngjyrave dhe formave zvarritjen e njerzve neper kohe /KultPlus.com

Me studentë të vitit të katërt të Fakultetit të Arteve Nudo të Universitetit të Prishtinës

Trajneri Kuka uron Majlinda Kelmendin për ditëlindje: Gëzove popullin shqiptar më shumë se kushdo tjetër pas çlirimit të vendit tonë!

Xhudistja Majlinda Kelmendi sot feston ditëlindjen. Sukseset e saj të mëdha në fushën e sportit, e bëjnë atë një ndër personat më të rëndësishëm të vendit tonë e cila ka shkruar histori në sportin kosovar, shkruan KultPlus.

Sot, në ditëlindjen e saj, trajneri Driton Kuka e ka uruar Kelmendin duke kujtuar që ishte Majlinda ajo që gëzoi popullin shqiptar më shumë se kushdo tjetër pas çlirimit të vendit tonë.

“Urime ditëlindjen Majlinda! Gëzove popullin Shqiptar më shumë se kushdo tjetër pas çlirimit të vendit tonë!
Legjendë e sportit Botëror …
Dominoj Botën për afër 10 vite!
Kampione 4 X🥇🥇🥇🥇Evropiane
Kampione 2X 🥇🥇Botërore
Kampione 🥇Olimpike
Krenar me ty!”, ka shkruar Kukaj.

E lindur në Pejë më 9 maj 1991, Kelmendi filloi të praktikonte artin e xhudos në vitin 1999, në qytetin e saj. Në vitin 2009, Kelmendi fitoi medaljen e artë në Kampionatin Botëror për të rinj në Paris, Francë. Në vitin 2010, ajo arriti vendin e 5-të në Kampionatin Botëror për të rinj në Maroko dhe përfundoi e 9-a në kategorinë 52 kg në World Judo 2010 Championships në Tokio, Japoni.

Në Kampionatin Botëror të Xhudos 2013, Kelmendi i dha Kosovës titullin e parë botëror në xhudo kur ajo mundi kandidaten e Brazilit Erika Miranda në ndeshjen e -52 kg për medaljen e artë në Rio de Zhaneiro. Fitorja e 22 vjeçares, e cila ishte kosovarja e parë lojtare e xhudos që fiton një medalje në një kampionat që prej Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës në 2008-ën – nuk ishte një fitore e papritur pasi Kelmendi erdhi në Rio de Janeiro e renditur si “numri një” në kategorinë e saj pasi kishte fituar eventin prestigjioz të Masterave. Kelmendi ruajti titullin botëror në vitin 2014. Ajo humbi vetëm dy herë në vitin 2013 dhe kishte arritur ti mundte të gjithë në përballjet e tjera. Ajo nuk arriti ta mbronte titullin e saj vitin pasardhës për shkak të një lëndimi.

Në shkurt të vitit 2016, ajo fitoi medaljen e artë në Grand Slam Paris, duke e bërë këtë titullin e tretë radhazi pasi kishte fituar në 2014-ën dhe 2015-ën. Dy muaj më vonë, ajo fitoi një medalje të artë në Kampionatin Europian të Xhudos në Kazan, Rusi. Në Lojrat Olimpike 2016 ajo u bë atletja e parë kosovare që fitoi një medalje të artë, ose edhe thjeshtë një medalje, për Kosovën në Lojërat Olimpike. Kontradikta u ngritën kur raportet shfaqën se ajo nuk kishte pranuar të bënte një test kontrolli të dopingut të paskeduluar në qershor, në Francë ; trajneri i saj Driton Kuka insistoi se ajo ishte e pastër dhe refuzimi kishte ardhur si pasojë e faktit që testuesi nuk kishte pasur një formë autorizimi nga wADA.

Në vitin 2021, ajo fitoi një nga medaljet e bronzta në veprimtarinë e saj në Mjeshtrat Botërore të Xhudos 2021 të mbajtura në Doha, Katar. Një muaj më vonë, ajo fitoi një nga medaljet e bronzta në rastin e saj në Grand Slam Xhudo Tel Aviv 2021 të mbajtur në Tel Aviv, Izrael.  /KultPlus.com

Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendi nderohen me çmimin “Ditët e Shqipes” për kontributin e dhënë për shtetin e Kosovës

Trajneri dhe sportistja më e mirë në histori të Kosovës janë shpërblyer sot me çmimin “Ditët e Shqipes”.

Ky nder iu bë atyre në ditën e veteranëve të betejës së Koshares, ku u vlerësua lartë sakrifica e madhe e dëshmorëve në betejën e Koshares.

Organizimi u bë nën patronatin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe ish-brigadës 138 “Agim Ramadani”.

Kuka dhe Kelmendi u vlerësuan lartë për punën dhe përkushtimin e madh në sport, i cili i solli rezultate kulminante Kosovës

Atyre, çmimin ua ndau Rrustem Berisha, ish-komandant i kësaj brigade.

Me këtë rast, Kuka u shpreh i nderuar me çmimin e marrë.

Trajneri pejan shtoi se ai dhe garuesit e tjerë po e ndjekin rrugën e luftëtarëve.

Ndërsa, Majlinda Kelmendi tha se ndihet krenare që e ka ngritur lart flamurin shtetëror të Kosovës.

Ajo ndihet me fat dhe e nderuar që e pati mundësinë t’ia tregojë botës vlerat që i ka vendi i saj.

Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendi ia kanë sjell Kosovës sukseset më të mëdha në sport, duke fituar medalje të artë olimpike. / KultPlus.com

Majlinda Kelmendi së bashku me Daria Bilodid, refugjatja nga Ukraina

Majlinda Kelmendi ka bërë një duel në stërvitje me xhudisten ukrainase, Daria Bilodid, e cila është larguar si refugjate nga vendi i saj për shkak të pushtimit rus dhe luftës që po zhvillohet atje, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi të shpërndarë nga trajneri kosovar, Driton Kuka, shihen edhe në fotografi dy xhudistet, të cilat kanë lënë gjurmë në sportin e xhudos.

“Dy kampione të mëdha”, ka shkruar Kuka, duke thënë se së shpejti do të vijnë në Kosovë edhe Bilodid së bashku me xhudistë të tjerë.

Kuka së bashku me Majlindën janë duke marrë pjesë në qendrën olimpike të trajnimit në Tata të Hungarisë, e duke u bërë gati për garën e radhës. /KultPlus.com

Kryetari Hyseni pret në takim drejtues së Federatës së Xhudos: Tashmë e kemi identifikuar vendin për ndërtimin e palestrës së xhudos

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me përfaqësuesit e klubit të xhudos – Gjilani, ka pritur sot në takim një delegacion të Federatës së Xhudos së Kosovës në përbërje, Agron Kuka – kryetar, trajnerin e njohur Driton Kuka dhe kampionen olimpike dhe krenarinë e sportit kosovar, Majlinda Kelmendi.

Kryetari Hyseni tha se temë kryesore në takim ka qenë mundësia e bashkëpunimit dhe ndërtimi i palestrës së xhudos në Gjilan.

“Unë e njoftova kryetarin e Federatës për gatishmërinë e Komunës për bashkëpunim, ndërkaq ne veç e kemi identifikuar vendin ku mund të bëhet ndërtimi i palestrës së xhudos. Na mbetet që bashkë me MKRS-në të dakordohemi edhe për pjesën e ndërtimit dhe finalizimit të projektit. Me vullnetin që e kemi për ta përfunduar këtë punë, besojmë që Gjilani do të jetë njëra prej komunave ku do të bëhet ndërtimi i kësaj palestre e shpresojmë që do të nxjerrim edhe ne kampionë olimpikë”, ka thënë kryetari Alban Hyseni.

Në emër të Federatës së Xhudës ka folur kryetari i saj, Agron Kuka, i cili e ka falënderuar kryetarin Hyseni për pritjen dhe për lajmin e mirë për gjetjen e parcelës për ndërtimin e palestrës së xhudos.

“Duke e ditur faktin që jemi për një qëllim të mirë, për promovimin dhe zhvillimin e sportit të xhudos, e falënderojmë kryetarin për gatishmërinë e tij dhe të Komunës së Gjilanit për ndarjen e një parcele për ndërtimin e një palestre specifike për sportin e xhudos. Uroj që ky projekt të realizohet sa më shpejt dhe klubi i xhudos Gjilani të ketë një hapësirë adekuate për zhvillimin dhe avancimin e sportit të xhudos”, ka thënë Kuka. / KultPlus.com

Vajzat dhe gratë e Kosovës që shkëlqyen në botë – Majlinda Kelmendi

KultPlus ju sjell 25 vajzat dhe gratë e Kosovës që u shndërruan në zërin e vajzave, djemve, grave dhe burrave të Kosovës.

Vajzat dhe gratë e Kosovës po vazhdojnë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme, duke shndritë nëpër botë.

Me rastin e 8 Marsit, KultPlus ka përzgjedhë 25 vajza e gra që nëpërmjet fjalimeve, performancës, muzikës, sportit, filmit e biznesit kanë ngritë dhe kanë përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze, e duke shndërruar Kosovën në një Kosovë të artë, në një Kosovë që synon Oscar, në një Kosovë që me rrëfimet e nxjerra po nga ky vend, i ka treguar botës po për dhimbjen, kurajën dhe guximin e vajzave dhe grave të vendit më të ri në kontinentin e vjetër.

Po këto vajza dhe gra u shndërruan në inspirimin e shumë vajzave, djemve, grave e burrave, të cilët kuptuan se ëndrrat nuk duhet dhe nuk mbeten vetëm ëndrra.

Në vazhdim, KultPlus ua sjell xhudisten kosovare, Majlinda Kelmendi. E artë, Kelmendi mbylli karrierën si sportiste aktive për të vazhduar atë si trajnere.

Nën organizimin e Presidencës së Kosovës, është mbajtur ceremonia për nderimin e xhudistes Majlinda Kelmendi dhe kalimin e saj nga një sportiste aktive në arenën e sportit të xhudos në trajnere.

Federata Botërore e Xhudos po ashtu pati shkruar një artikull të veçantë për pensionimin e xhudistës së artë kosovare.

Qeveria e Republikës së Kosovës pati miratuar propozim – vendimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për shpalljen e Majlinda Kelmendit – qytetare me merita të veçanta.

Majlinda Kelmendi – me arritjet e saja në sportin e xhudos është shëndrruar në ikonën e suksesit kosovar, dhe është bërë shembull i shoqërisë tonë duke i thyer të gjitha tabut e vështirësive dhe sfidave në sport. Ajo i ka dëshmuar rinisë tonë, se kur punohet me përkushtim dhe qëndrueshmëri – suksesi është i pashmangshëm.

Gjatë karrierës së saj, ajo ka prekur majat e suksesit të sportit të xhudos në arenën ndërkombëtare.

Këto janë disa prej rezultateve të saja ndër vite:

-Kampione e botës për junior;

-Fituese e disa Grand Slams;

-Kampione e Evropës;

-Kampione e Botës; dhe

-Kampione Olimpike në Lojërat Olimpike Rio 2016.

Konsideruar kontributin që ajo e ka dhënë në promovimin e fushës së sportit në Kosovë, dhe në promovimin e shtetit tonë në arenën ndërkombëtare, Majlinda Kelmendi merr statusin e qytetares me merita të veçanta, dhe do të shpërblehet në vlerë prej 1,321.32 euro në muaj – vlerë e cila përkon me rrogën bruto të një Ministri/e në Kosovë. / KultPlus.com

Distria Krasniqi: Jam e gëzuar që jam bërë kampione olimpike me Kosovën, por edhe me Shqipërinë do të ishte e njëjta krenari

Uranik Emini

Disa njerëz veçohen në shoqëri se janë të lindur për të qenë të suksesshëm dhe si të tillë, me gjithë atë presion mbi supe, rezultojnë të arrijnë majat e botës dhe rrjedhimisht të bëjnë krenar një popull të tërë, shkruan KultPlus.

Rast i tillë është edhe ai i Kampiones Olimpike, Distria Krasniqi, e cila ka punuar me sportin e xhudos që kur ishte një fëmijë i vogël.

Me këmbënguljen e madhe të vëllait të saj, Krasniqi filloi që të merrej me sportin e xhudos, duke mos menduar asnjëherë që një ditë do të bëhej më e mira e botës.

“Kur vëllai im ka këmbëngulë që unë me u marrë me këtë sport, më ka njoftuar se ka shumë vajza që kanë filluar xhudon, dhe realisht unë fillova duke e marrë fillimisht si lojë, me njohjen e shoqeve të reja, por me kalimin e kohës e kam pa se është një diçka më shumë se lojë dhe kam vazhduar me u marrë seriozisht me të”, thotë Krasniqi në një intervistë për KultPlus.

JudoInside - News - Distria Krasniqi full of confidence after Budapest gold

Puna e jashtëzakonshme ekipore dhe vullneti i madh i trajnerit Driton Kuka për të nxjerrë kampionë nga vendi më i ri në kontinentin e vjetër, rezultoi të ishte aq i suksesshëm edhe pse dukej e pamundur në fillim.

Takimi i parë me Tonin dhe njohja me të filloi shumë më herët përpara se Krasniqi të merrej me këtë sport.

“Toni ka qenë mik me babin tim edhe para se të filloja xhudon. Ai ka insistuar që vëllai të fillojë me xhudo dhe pastaj edhe unë, por njohja me të ka filluar përpara se të merrem me xhudo”, e shpjegon 26 vjeçarja.

Edhe pse e angazhuar me shkollën, kjo e fundit nuk e pengoi asnjëherë që të angazhohej në të gjitha aktivitetet e xhudos që ka zhvilluar ndër vite Krasniqi.

“Xhudo nuk është se ka pasur një ndikim shumë të madh në jetën time të shkollës, mirëpo gjatë shkollës së mesme në klasën e 12-të kam pasur udhëtime të shumta dhe profesorët dhe shkollat kanë pasur tolerancë ndaj meje edhe ndaj gjithë xhudistëve tjerë”, thotë tutje ajo.

Suksesi për të kishte ardhur më vonë, derisa Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova kishin shënuar të parat suksese mbarëkombëtare për të ngritur në piedestalet më të larta të botës emrin e Kosovës.

“Unë jam ma e re se Nora dhe Majlinda, dhe natyrisht që këto kanë pasur rezultate përpara meje. Pas këtyre kam ardhë unë, dhe çdo herë kur këto dyja janë lënduar mund të them se e kam nxjerrë ekipin nga momenti. Gjithmonë e kam dëshmuar vetën kur më është dhënë mundësia, por padyshim që mbështetja e Tonit ka qenë e vazhdueshme dhe unë gëzohem që në fund ia kam vërtetu ato se çfarë ka deklaruar”, shprehet xhudistja.

Gjatë kalimit të viteve dhe përmirësimit të jashtëzakonshëm që kishte shënuar Kosova, trajneri, Driton Kuka shprehej i gatshëm që të dhuronte një kampione për të përfaqësuar Shqipërinë në Kampionatet Evropiane dhe Lojërat Olimpike.

“Unë kam qenë shumë e re në moshën kur Toni ka deklaruar se është i gatshëm që t’ia japë një kampione olimpike për përfaqësim shtetit të Shqipërisë, por prapë unë do të kisha pasë dëshirë që ta përfaqësoja Shqipërinë edhe Kosovën. Jam e gëzuar që jam bërë kampione olimpike me Kosovën, por edhe me Shqipërinë do të ishte njëjtë”, thotë Krasniqi, duke dëshmuar se lidhja e madhe që kemi me Shqipërinë vazhdon të burojë gjithmonë në trupin tonë.

Vështirësitë e jashtëzakonshme nëpër të cilat Kosova ka kaluar ndër vite, kanë ndikuar patjetërsisht në zhvillimet e të gjitha sferave.

“Është shumë e vështirë, infrastruktura dhe gjitha gjërat që i kanë shtetet tjera ne nuk i kemi, ata kanë miliona xhudistë dhe e kanë më të lehtë që të bëjnë nxjerrjen e numrave të xhudistëve, ne kemi 20 ose një numër të ngjashëm. Mendoj që më e vështirë është që të jesh trajner sesa xhudist. Toni shpesh herë ka qenë edhe një doktor, edhe një psikolog edhe ka bërë punë shumë të tjera. Një gjë të tillë nuk e kanë vendet e tjera, pasi 5 trajnerë kryejnë punë të ndryshme”, tregon ajo, duke veçuar edhe një herë tjetër punën e madhe që bën trajner Kuka.

E pyetur mbi pjesën e të ardhmes së Kosovës dhe gjeneratave të reja që po vijnë, ajo shpreson se Majlinda mund t’i afrohet sukseseve të trajnerit më të suksesshëm që ka pasur ndonjëherë Kosova.

“Shpresoj që do të kemi sukses edhe në të ardhmen. Gjeneratat e reja janë duke ardhur tani dhe duken të jenë shumë të suksesshëm. Unë shpresoj që do të dalin edhe trajnerë të ndryshëm sikurse Toni, besoj shumë që Majlinda do t’i afrohet shumë sukseseve të Tonit”.

Medaljet e pafundme në Grand Slam-et dhe Grand Prix-et e zhvilluara, Krasniqi i konsideron vetëm teste për të parë se sa e përgatitur është ajo në Lojërat Olimpike dhe Kampionatet Evropiane.

“Të jesh kampione olimpike është një ndjenjë shumë e mirë. Të shohësh veten pas testimeve të ndryshme që ndodhin dhe të arrish rezultate është diçka e madhe. Grand Slam dhe Grand Prix për mua janë si teste ose mësime që të përmirësoj gabimet e mia, që të jem super e gatshme për garat e mëdha siç janë Kampionet Evropiane dhe Lojërat Olimpike. Kur fiton në këto gara e sheh se je në formë të mirë, sidomos është një gëzim i madh kur e sheh edhe emocionet e popullit të Kosovës”, thotë kampionja e Kosovës.

“Sakrifikimi” për të mos marrë pjesë fare në Lojërat Olimpike dhe ta lë gjithë fatin e Kosovës dhe shpresat në duart e Majlindës, në fund rezultuan të sakta.

“Arsyeja kryesore e mungesës sime në Lojërat Olimpike “Rio 2016” ka qenë për arsye se në këto gara një xhudist përfaqëson vetëm një kategori. Atëherë ka qenë Majlinda duke marrë pjesë, edhe pse unë e kam pasur normën olimpike të siguruar, por nuk mund të merrnim pjesë dy xhudistë në një kategori”.

JudoInside - Distria Krasniqi Judoka

Suksesi i madh i xhudistëve nëpër gara të ndryshme, shpesh herë rezultoi që në fund të garave të ketë një finale kosovare, e me ç‘rast Kelmendi dhe Distria janë përballur dy herë kundër njëra tjetrës në finale të garave.

“Kemi qenë dy herë së bashku në finale, Lisbonë dhe Budapest, ka qenë gjithmonë e vështirë me u përballë me të. Nuk kemi se çfarë të flasim për të, i ka arritë të gjitha. Gjithmonë ka qenë e vështirë me u mposhtë. Unë besoj që kur Majlinda ka qenë në formë të mirë, ajo ka qenë 20 për qind më e fortë se të gjithë kundërshtaret e saj”, – e përsëritë edhe një herë 26 vjeçarja, e cila tregon modestinë e saj të madhe.

Të punosh me dikë dhe ta njohësh atë që nga fëmijëria mund edhe të nxisë inate mes vete, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur në kampin ku Toni ka qenë trajner.

“Nuk është vështirë me punu bashkë, ne jemi rritur të gjithë bashkë dhe kemi kaluar më shumë se 20 vite së bashku. Kalojmë më shumë kohë së bashku sesa me familjen ndoshta. Jemi mësuar me njëri-tjetrin dhe nuk punojmë vetëm për vete, i njohim kundërshtarët e secilit dhe e ndihmojnë për gjithçka njëri-tjetrin”.

Kosova në Lojërat e fundit Olimpike, pra ‘Tokio 2022’, u rendit si vendi më i suksesshëm në botë pas Japonisë në xhudo, e për këtë tregojnë më së miri kundërshtarët e xhudistëve nga Kosova.

“Gjithmonë në xhudo, kundërshtarët më të vështirë janë nga Japonia, ata e kanë sportin kryesor xhudon dhe synojnë gjithnjë medaljen e artë. Japonezet kanë qenë kundërshtarët më të vështira, sidomos në Lojërat Olimpike.”

Kosovo celebrates 2nd-ever Olympic medal at Tokyo Games | CBC Sports

Në garat e zhvilluara në Masters të Kinës, Krasniqi arriti që të fitojë të gjitha duelet në më pak se 30 sekonda, duke vendosur kështu një rekord.

“Kam qenë e përgatitur në gara, por në sport varet shumë në qoftë se është “dita jote”. Mundesh me qenë në disponim të madh, por gjithçka mundet me ra poshtë në qoftë se nuk është dita jote. Në një garë të cilën e kam zhvilluar në Masters në Kinë, ka qenë momenti kur asnjë luftë nuk më ka zgjatë më shumë se 30 sekonda, e këtu pikërisht është pjesa e një dite të mirë”, shpjegon tutje ajo.

Pjesa më e vështirë dhe më problematike në sport janë padyshim lëndimet, të cilat mund të ndikojnë që shpesh herë edhe të tërhiqeni nga sporti, megjithatë një fat i tillë nuk e ka ndjekur aspak Krasniqin.

“Lëndime kam pasur në gjurin e majtë por nuk kam pasur ndërhyrje kirurgjike. Kam pushuar vetëm pak dhe përsëri jam rikthyer e gatshme. Shpresoj që mos t’i kem këto lëndime”.

Pjesa që e bën një popull më së shumti krenar, është atëherë kur flamuri ngritet në vende të zhvilluara dhe të njohura të botës. Për Kosovën, një gjë e tillë është më ndryshe, kjo për faktin se disa vende ku zhvillohen gara të rëndësishme, nuk e njohin shtetin më të ri në Evropë dhe rrjedhimisht ngritja e flamurit në këto vende shpreh një krenari më të madhe.

“Në vende të cilat nuk na kanë pranuar ende, është një ndjenjë e veçantë. Në një moment në Spanjë është diskutuar shumë në qoftë se duhet të ngritet flamuri ynë apo jo, po ka qenë një ndjenjë e mirë që e kam marrë medaljen e artë dhe në fund e kemi ngritur Kosovën. Kemi pasur momente të tjera kur Majlinda e Nora kanë shënuar suksese edhe në Rusi e vende të tjera”.

NOC KOSOVO 🥇🥇🥇 a Twitter: "PROUD🙋‍♂️🇽🇰 5⃣ years ago today Russian  soldiers saluted #Kosovo flag🇽🇰 and anthem during judo medal ceremony,  thanks to our pride Majlinda Kelmendi🥇🥋 #JudoKazan2016 #KosovaFlag  https://t.co/p7tVIxAjkz" / Twitter

Një pjesë të veçantë dhe padyshim një mësim për të gjithë njerëzit, Krasniqi e ndau me të gjithë, duke treguar se sa shumë ndikojnë rrjetet sociale dhe komentimi nëpër të ashtuquajtura “dështime” te të gjithë sportistët. Fakti që Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe shumë sportistë të tjerë qëndrojnë larg rrjeteve sociale është pikërisht për faktin se komentet negative mund të dërgojnë edhe deri në “depresion”.

“Rrjetet sociale dhe largësia ndaj tyre. Nuk i përdorim shumë rrjetet sociale, i kemi pasur kur kemi qenë më të reja por ka ndodhë një rast kur Majlinda ka humbë në Lojërat Olimpike në Londër, dhe pothuajse shumica e popullit kanë dhënë komente negative dhe sharje të ndryshme. Kjo gjë ka ndikuar shumë tek ajo, e pothuajse Majlinda ka rënë në depresion. Kemi shembuj edhe nga xhudistë të tjerë nga vende të ndryshme të cilat nuk i përdorin gjithashtu rrjetet sociale, kjo pasi ndikon shumë tek ne dhe puna jonë. Kur humbim edhe nuk kemi performancë të mirë, vijnë shumë komente negative, për këtë jemi distancuar tani për tani”.

Kur bëhet fjalë për komplimentin më të mirë që Krasniqi ka pranuar ndonjëherë, kishte të bënte gjithmonë me pjesën që ajo ishte më e mira në botë.

“Kam marrë shumë komplimente, por më së shumti më pëlqente kur thoshin që jam xhudistja më e mirë në botë, edhe pse tani e kam marrë edhe këtë çmim. Ka qenë ndjenjë e veçantë kur trajnerët dhe xhudistët e shteteve tjera kanë thënë se jam më e mira dhe patjetër që e kam konsideruar gjithnjë si një motivim shtesë”.

JudoInside - Daria Bilodid Judoka

Prindërit, si shtylla kryesore e shtëpisë, ndikojnë detyrimisht në zhvillimin tënd dhe sigurisht edhe në jetën tënde profesionale. Mbështetja e vazhdueshme e tyre ka rezultuar që në fund të nxjerrin një kampione të artë olimpike.

“Ndoshta edhe në momentet e mia më të vështira kur kam menduar se duhet me u tërheqë nga xhudo, janë mbështetësit e mi kryesorë, prindërit, që gjithmonë më kanë mbështetur. Çdo herë më kanë mbështetur për të vazhduar përpara, edhe kur nuk jam ndjerë mirë. Janë shtysa ime më e madhe”.

Ëndrra më e madhe e Krasniqit është që të rijetësojë edhe një herë tjetër sukseset që i ka arritur deri më sot.

Ndërkaq, kur bëhet fjalë për mesazhin e saj te të rinjtë, Krasniqi shprehet se nuk duhet të dorëzohen asnjëherë.

“Vetëm me vazhdu me punu. Nuk ka lidhje nëse humb shpesh ose nëse je i ri. Vetëm nëse nuk ndalesh dhe punon me seriozitet gjithmonë ka me t’u shpërbly puna që e ke bërë”.

Kosova mund të jetë një vend shumë i vogël dhe jo shumë i zhvilluar në aspektin ekonomik, megjithatë kur bëhet fjalë për kampione olimpike dhe sukses në gara ndërkombëtare, atëherë sporti i xhudos mund të “kollitet” dhe patjetër që të dëshmojë se Kosova është një fuqi e gjithashtu edhe një prodhuese e kampioneve olimpike. Sukseset e Majlindës, Norës dhe Krasniqit kanë bërë krenar një popull të tërë, e ndërkohë e ardhmja po duket të jetë me optimizëm e shpresë të madhe. /KultPlus.com

Distria pas triumfit telefonon prindërit: Po ndjehen shumë krenarë me mua -  KosovaPress

Kosova përmes xhudos shfaqi fytyrën e saj të vërtetë – ‘Vajzat e Arta’ krenuan një popull

Shteti i Kosovës ka shënuar suksese dhe ka shkruar histori me shkronja të arta përgjatë viteve të fundit në sportin e xhudos, shkruan KultPlus.

Këtë vit, në Lojërat Olimpike të zhvilluara në Tokio, Kosova arriti që të marrë dy medalje të tjera olimpike.

Të udhëhequra nga trajneri më i suksesshëm në histori të Kosovës, Driton Kuka, xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova ngritën flamurin e Kosovës në piedestalin më të lartë, duke triumfuar me medalje të artë në këto lojëra olimpike.

Suksesi i tyre i madh ka ndikuar që emri i Kosovës të përmendet në të gjithë botën dhe të marr njohje e ndoshat edhe “xhelozi” prej shumë vendeve.

Vajzat e Arta të Kosovës u pritën me ceremoni shtetërore me të arritur nga Lojërat Olimpike dhe patën një fjalim përpara qytetarëve në sheshet e Prishtinës.

Në anën tjetër, Toni është shpallur trajneri më i mirë në sportin e xhudos për vitin 2021, derisa edhe Krasniqi u shpallë xhudistja femër më e mirë për këtë vit që po lëmë pas.

KultPlus gjatë ditës së sotme do të bëjë publikimin e intervistave ekskluzive me vajzat e arta Distria Krasniqi dhe Nora Gjakovën. /KultPlus.com

Pas pensionimit të Majlinda Kelmendit, reagon Federata Botërore e Xhudos, i kushton artikullin e veçantë

Federata Botërore e Xhudos ka shkruar një artikull të veçantë për pensionimin e xhudistës së artë kosovare, Majlinda Kelmendit.

“Tashmë është bërë e ditur se Majlinda Kelmendi doli në pension pasi mbylli faqen e fundit të karrierës së saj të pabesueshme, pas Olimpiadës së Tokios verën e kaluar. Të tridhjetat mund të duket e parakohshme për ata që nuk e njohin botën e sportit të nivelit të lartë, por pas grumbullimit të të gjithë titujve të mundshëm dhe të imagjinueshëm, kampionja kosovare meritoi të bënte një hap prapa.

Në fakt, ky është një hap para, pasi ajo tani bëhet trajnere e xhudos brenda kombëtares, të cilës i ka dhënë aq shumë.

Për të festuar sa më mirë largimin e heroinës së tyre kombëtare dhe për të shënuar kalimin nga xhudiste në trajner, Kosova, nën udhëheqjen e Presidencës së Republikës, organizoi një ceremoni madhështore, e cila u zhvillua në Institutin e Historisë “Ali Hadri”. në Prishtinë.

Kryetari i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, i cili nuk ka mundur të jetë fizikisht i pranishëm në Prishtinë, i ka dërguar një video mesazh Majlindës, duke nënvizuar karrierën e saj të jashtëzakonshme dhe atë që ka sjellë në xhudo. Më pas ai i ka uruar suksese dhe lumturi për të ardhmen.

Presidentja Osmani foli me zemër: “Ëndrra filloi në moshën 8 vjeçare. Më pas Majlinda e realizoi ëndrrën e saj duke fituar çdo titull. Ajo nuk u tundua të vishte uniformën e ndonjë shteti tjetër por luftoi për ngjyrat e shtetit të Kosovës. ” Presidentja më pas e ka dekoruar kampionen me Urdhrin ‘Shotë Galica’ i cili u jepet personave që kanë mbrojtur apo kanë kryer vepra apo akte guximi.

Presidenti i federatës së xhudos, Agron Kuka tha se “20 vite angazhim, djersë dhe lëndime, kurorëzohen me fitoret dhe sukseset e Majlindës, duke i bërë të gjithë të respektojnë dhe nderojnë ekipin dhe kombin tonë”.

Trajneri i Majlindës, Driton Kuka, i cili e ngriti atë në nivelet më të larta dhe që tani do të punojë me të si trajner, ka folur për përvojën dhe ndjenjat që ka me Majlindën, “Më bëre krenare, bëre krenare familjen time, na bëre Kombi krenar.Jam mirënjohës deri në frymën e fundit Majlinda.”

Të gjithë tani do të shikojmë anën tjetër Majlindës dhe do ta shikojmë trajneren Kelmendi. Do të jetë ndryshe, sigurisht, por nuk ka dyshim se ajo do të jetë aq e suksesshme sa ishte në tapet. Faleminderit Majlinda për gjithçka që keni sjellë në sportin tonë deri më tani dhe suksese në kapitullin e ri të jetës suaj, i cili tani po hapet.” -shkruhet në artikull. /Insporti/KultPlus.com

Ministri Çeku: Majlinda Kelmendi tani i bashkohet trajnerit të kalibrit botëror, Driton Kuka, në edukimin e kampionëve të ardhshëm të Kosovës

Nën organizimin e Presidencës së Kosovës, është mbajtur ceremonia për nderimin e xhudistes Majlinda Kelmendi dhe kalimin e saj nga një sportiste aktive në arenën e sportit të xhudos në trajnere.

Në Institutin e Historisë ” Ali Hadri” në Prishtinë, ku u mbajt ceremonia, përveq Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës e Majlinda Kelmendit, morën pjesë, Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Agron Kuka, Kryetar i Federatës së Xhudos të Kosovës, Driton Kuka, Trajner i Kombëtares së Kosovës në xhudo, Atifete Jahjaga, ish-Presidente e Kosovës, Gazmend Muhaxheri, Kryetari i Komunës së Pejës, familja e Majlinda Kelmendit, kryetarë të partive politike, ambasadorë të akredituar në Kosovë, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe personalitete tjera publike dhe sportive.

Me një video mesazh nderimi e falënderimi në ceremoni mori pjesë edhe Marius Vizer, Kryetar i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, në pamundësi të të jetë i pranishëm fizikisht në Prishtinë, njofton Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Me këtë rast, ministri Hajrulla Çeku përmes një postimi në rrjetet sociale, falënderoi xhudisten Majlinda Kelemendi duke i uruar asaj shëndet, mbarësi e suksese të radhës si trajnere.

“Çika jonë e artë sonte mbylli karrierën e saj si sportiste aktive. Majlindës iu nda Urdhri “Shotë Galica” nga Presidentja Vjosa Osmani. Tani e tutje, ajo i bashkohet trajnerit të kalibrit botëror Driton Kuka në edukimin e kampionëve të ardhshëm të Kosovës.

Faleminderit kampione, paç shëndet e mbarësi, të uroj suksese të radhës si trajnere“, thuhet në postimin e tij. / KultPlus.com

Xhudistja e artë, Majlinda Kelmendi mbyll karrierën si sportiste aktive për të vazhduar atë si trajnere: Vendi im, populli im, ishin frymëzimi im

Nën organizimin e Presidencës së Kosovës, është mbajtur ceremonia për nderimin e xhudistes Majlinda Kelmendi dhe kalimin e saj nga një sportiste aktive në arenën e sportit të xhudos në trajnere.

Në Institutin e Historisë ” Ali Hadri” në Prishtinë, ku u mbajt ceremonia, përveq Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës e Majlinda Kelmendit, morën pjesë, Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Agron Kuka, Kryetar i Federatës së Xhudos të Kosovës, Driton Kuka, Trajner i Kombëtares së Kosovës në xhudo, Atifete Jahjaga, ish-Presidente e Kosovës, Gazmend Muhaxheri, Kryetari i Komunës së Pejës, familja e Majlinda Kelmendit, kryetarë të partive politike, ambasadorë të akredituar në Kosovë, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe personalitete tjera publike dhe sportive.
Me një video mesazh nderimi e falënderimi në ceremoni mori pjesë edhe Marius Vizer, Kryetar i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, në pamundësi të të jetë i pranishëm fizikisht në Prishtinë, njofton Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në cilësinë e nikoqires, Presidentja Osmani, shprehu mirënjohjen më të përzemërt për kampionen e shumëfishtë në xhudo Majlinda Kelmendi dhe i ndau Urdhrin “Shotë Galica” i cili u jepet personave që kanë avokuar apo kanë bërë vepra apo akte guximi.

“Ëndrrën e nisur prej moshës 8 vjeçe, Majlinda e përmbushi duke fituar çdo titull. Ajo nuk u josh që të vesh uniformën e ndonjë shteti tjetër por luftoi për ngjyrat e shtetit të Kosovës”, theksoi ndër të tjera presidentja.

Kurse ministri Hajrulla Çeku, tha se kjo është një ngjarje e rëndësishme për të ardhmen e sportit të xhudos në vendin tonë sepse Majlinda Kelmendi po merr një përgjegjësi të re, atë të trajneres përkrah trajnerit të saj që solli shumë suksese ndër vite, Driton Kukës.

Ministri po ashtu shtoi se Kosova ka arritur suksese të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare nëpërmjet xhudisteve tona dhe këtë sukses e filloi xhudistja jonë e artë Majlinda Kelmendi, e cila dëshmoi se me përkushtim dhe punë çdo gjë është e mundur.

“Majlinda Kelmendi me arritjet e saja është shndërruar në ikonën e suksesit kosovar, dhe është bërë shembull i shoqërisë tonë, duke i kaluar të gjitha vështirësitë dhe sfidat. Ajo i ka dëshmuar rinisë tonë, se kur punohet me përkushtim dhe qëndrueshmëri suksesi është i pashmangshëm”, u shpreh mes tjerash ministri, duke theksuar se Majlinda po mbyll karrierën e saj si sportiste aktive, por që për sukseset e saj në rrugën e re do të dëgjojmë gjithmonë.

Kryetari i FXHK-së, Agron Kuka, tha se 20 vite angazhim, mund, djersë e lëndime, janë kurorëzuar me fitoret dhe sukseset e Majlindës, duke e bërë që të gjithë të na respektojnë dhe nderojnë shtetin dhe simbolet tona edhe ku nuk na kanë pasur dëshirë.

Kurse trajneri i Majlindës, Driton Kuka, foli për përvojën dhe ndjenjat që ka kaluar së bashku me Majlindën. “Më krenove mua, krenove familjen, krenove një Komb Majlindë. Kënaqësi kur Majlinda ka pushtuar Rusinë, Brazilin dhe vende tjera që nuk e kanë pranuar realitetin e quajtur Kosovë. Të jam mirënjohës deri në frymën e fundit Majlindë”, u shpreh Driton Kuka.

Ndërsa, Majlinda Kelmendi u shpreh se tani e tutje dijen dhe përvojën e saj do ta përcjell tek gjeneratat e reja, pas pensionimit si sportiste aktive. Ajo falënderoi trajnerin dhe ekipin “Një falënderim shumë shumë për vendin tim, për popullin tim, që keni qenë frymëzimi im. Ka qenë nder dhe privilegj shumë i madh për mua ta përfaqësoj Kosovën”, tha ajo mes lotësh. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Majlinda Kelmendi dëshmoi se nuk ka shtete të vogla që nuk mund të kenë sukses

Majlinda Kelmendi sot me një ceremoni shtetërore edhe zyrtarisht i ka dhënë fund karrierës së bujshme të saj.

Për nder të xhudistes më të suksesshme kosovare, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka organizuar një ceremoni shtetërore.

Kjo ceremoni po mbahet në institutin “Ali Hadri” në Prishtinë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani tha se Majlinda dëshmoi se nuk ka shtete të vogla që nuk mund te kenë sukses

“Ka fituar çdo gjë që mund të fitohet. Falë përkushtimit te saj, flamuri i Republikës së Kosovës valoi në Rio.  Pa Majlinden dhe perkushtimin e saj, sot nuk do ta kishim as Distrian e Noran. Ajo dëshmoi se nuk ka shtete të vogla që nuk mund të kenë sukses”, tha presidentje e Kosovës, Vjosa Osmani.  

Majlinda konsiderohet si sportistja më e madhe që e ka pasur ndonjëherë Kosova.

Ajo e arriti kulmin e karrierës në vitin 2016 kur ia solli Kosovës medaljen e parë të artë olimpike nga “Rio 2016”.

Ndër të tjera, ajo është shpallur dy herë kampione botërore dhe katër herë kampione evropiane.

Në total, Majlinda i ka fituar 46 trofe në sportin e xhudos.

Në gara të rëndësishme, ajo i ka koleksionuar 29 medalje të arta, 6 të argjendta dhe 9 të bronzta.

Majlinda e kishte përfaqësuar Shqipërinë në Olimpiadën e Londrës më 2012, ndërsa këtë vit mori pjesë në Olimpiadën e Tokyos, ku nuk ia doli ta mbronte titullin e kampiones.

Tash e tutje, Kelmendin do ta shohim në zejen e trajneres pasi ajo do të jetë asistente e trajnerit Driton Kuka. / KultPlus.com

‘Krenaria e kombit’, Majlinda Kelmendi do të pensionohet sot me ceremoni shtetërore

Njëra ndër sportistet më të sukesshme në histori të Kosovës, Majlinda Kelmendi, do të largohet nga karriera e jashtëzakonshme si xhudiste, për të vazhduar tutje si trajnere, shkruan KultPlus.

Kampionia olimpike dhe botërore, Kelmendi, do të largohet nga skena e madhërishme e xhudos, për t’iu bashkuar trajnerit Driton Kuka në ndjekjen e ëndrrave të mëdha dhe realizimit të tyre.

Në lojërat olimpike të mbajtura në Rio 2016, Kelmendi arriti të fitojë medaljen e artë në xhudo në kategorinë 52 kilogramë.

Në orën 18:00, nën organizimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, mbahet aktivitet i veçantë në nderim të  Kampiones së shumëfishtë, Majlinda Kelmendi.

Kjo natë shënon një moment historik të kalimit të saj nga një sportiste aktive në arenën e xhudos në trajnere të yjeve të xhudos në ngritje. /KultPlus.com

Majlinda Kelmendi gjatë kohës kur fitoi medaljen e Artë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”

Fotografitë e Majlindës, Distrias e Norës edhe me ekspozitë në Tokio të Japonisë

Ambasada e Kosovës në Tokio së bashku me bashkinë Minato kanë organizuar një foto-ekspozitë për Kosovën në Tokio, shkruan KultPlus.  

Pasur parasysh se ky vit ishte vit i Lojërave Olimpike Verore Tokio2020, edhe karakteri i kësaj ekspozite është në këtë frymë – “Kosova, Sporti dhe Arritjet e Yjeve tona”.

Në ceremoninë hapëse të kësaj ekspozite fotografike, i Ngarkuari me Punë i Republikës së Kosovës në Japoni, Arbër Mehmeti në fjalën e tij tha se përmes kësaj foto-ekspozite, ku janë të ekspozuara 60 fotografi Kosova synon të sjell një pjesë të Kosovës dhe historinë e sportit kosovar në Tokio, për qytetarët japonezë.

“Në fotografitë të cilat do të ekspozohen, vizitorët do munden të shohin Kosovën që nga momenti i shpalljes së pavarësisë së më 17 shkurt 2008, pjesëmarrjen e parë të Kosovës në Lojërat Olimpike Verore në Roio2016, dhe medaljen e parë të artë të fituar në xhudo. Gjithsesi, këtu është përfshirë edhe suksesi i jashtëzakonshëm i Kosovës në Lojërat Olimpike Verore Tokio2020, ku përsëri xhudistët tanë na bën krenarë me dy medalje të arta në xhudo. Në të njëjtën kohë, një hapësirë e veçantë e kësaj ekspozite i kushtohet peizazhit të bukur të Kosovës” ka thënë Mehmeti.

Ambasada e Kosovës në Japoni dhe  Ngarkuari me Punë z. Arbër Mehmeti falënderojnë fotografin e njohur Kosovar Blerim Uka, fotot e të cilit po i shihni këtu dhe do të qëndrojnë në qendrën sportive të bashkisë Minato për dhjetë ditë radhazi. Gjithashtu, Ambasada e Kosovës në Japoni falënderon edhe Komitetin Olimpik të Kosovës për ndarjen e një numri të fotove të cilat gjithashtu janë pjesë e kësaj ekspozite “Kosova, Sporti dhe Arritjet e Yjeve tona”.

Në hapjen zyrtare të ekspozitës, pjesëmarrës ishin edhe niveli drejtues i qytetit Minato, përfaqësues të Ministrisë së Jashtme Japoneze, Ambasadori i Shqipërisë Gjergji Teneqexhiu, Ambasadori i Maltës André Spiteri, përfaqësues të Shoqatës Japoneze të Agjencive të Udhëtimit dhe përfaqësues të shoqatave Japoneze-Kosovare në Japoni.

Për arsye të masave të pandemisë, Ambasada e Kosovës ka mundur të ftojë vetëm një numë të kufizuar të mysafirëve për të marrë pjesë në ceremoninë hapëse të kësaj foto-ekspozite. Gjithsesi, ne ftojmë dhe lusim të gjithë ata që duan ti shohin këto foto dhe të mësojnë për Kosovën, të vizitojnë Qendrën Sportive të Bashkisë Minato e cila do jetë e hapur çdo ditë, përfshirë vikendet nga data 2-12 nëntor 2021.

Address: 〒105-0023 Tokyo, Minato City, Shibaura, 1 Chome−16−1 みなとパーク芝浦 3~8 階

Qendra Sportive e Bashkisë Minato, hapur në vitin 2014 është institucion publik dhe qendra kryesore e sportit dhe rekreacionit në bashkinë Minato. Kjo qendër sportive ka përdorim të gjerë dhe të shumëllojshëm në strukturën e saj. Përveç hapësirave për ekspozita dhe galeri, kjo qendër sportive përmban hapësira të atletikës, hapësira për stërvitje, pishina, kënde për fëmijë, për të rijnë dhe për të moshuarit.

Me mbi 860,000 vizitorë çdo vit që vizitojnë qendrën sportive të bashkisë Minato, ky institucion publik është hapësirë ideale që përmes kësaj foto-ekspozite, Kosova të arrijë tek sa më shumë qytetarë japonezë të cilët do të mësojnë dhe informohen më shumë për vendin tonë./ KultPlus.com