Me anë të madhështisë së shpirtit tonë të dalim nga ngushtësitë e dobësive njerëzore. Fatkeqësisht ka shumë njerëz që dalin nga shtëpitë dhe bëhen copë me punët e të tjerëve, jeta këta njerëz i rrokullis në një humnerë. Koha i kalon nëpërmjet shpirtrave të thyer dhe të copëtuar, të robëruar nga lakmia, pa asnjë pikë referimi, të pakënaqur nga vetja, duke mos pasur drejtimin e duhur, fati dhe befasia i drejton në jetë. Ky shpirt i përqendruar në ligësi, s’ka aspak vlerë dhe thellësi, por hedh poshtë ç’do gjë dhe mbi të gjitha veten e tij. Sa më larg tyre të rrimë që të ruajmë vetveten.
Veset na rrethojnë në ç’do anë,mundohen të pengojnë dhe të deformojnë të vërtetën. Nuk flasim vetëm për ata që i lexohet në fytyrë e keqja. Por shiko ata të cilët nuk e duan punën, shiko ata që flasin e mburren gjithë ditën për “zgjuarsinë e tyre”, dikush ka dëshirë veç të flasë, dikush ti dëgjoj, dikush ti mbroj, por askush nuk kërkon ti kthehet vetes.
Tretemi dhe shkojmë kundra njeri-tjetrit. Dikush adhuron këtë, dikush adhuron atë, askush nuk i përket vetes. Nuk shikojnë, brenda vetes, nuk dëgjojnë veten e tyre, nuk mund të merren me veten. O mëndje e ndritur që nuk shkëlqeve kurrë, përvetëso jetën tënde, jo të të tjerëve, se nuk u bëre kurrë zotëruesi i të ardhmes tënde, jetës tënde.
Bëj një bilanc të të shkuarës tënde, shiko ç’farë ke humbur, grabit kohën tënde. Dhe shiko që ke hedhur poshtë ç’do gjë dhe mbi të gjitha edhe veten tënde, jeta të është rrokullisur në humnerë, mashtrohesh me gënjeshtra, shpirt i thyer dhe i dërmuar që ecën në turmën e njerëzve që dalin nga shtëpia për qëllimet e tyre dhe bëhen copa me punët e të tjerëve, duke mos lënë rehat as veten e tyre. Duke u ulur në ç’do tavolinë dhe duke hyrë në çdo derë që gjejnë hapur, të mjerë që prishin gjumin e tyre që te presin zgjimin e të tjerëve.
Trego sa vlen, nëse po, mundohu dhe analizo çfarë gjëra të vlefshme mund të bësh, shiko me kujdes brenda vetes, dhe në fund jeto jetën tënde. Ki besim te vetja, mos shko në gjurmë të tërthorta të njerëzve që shkojnë pa drejtim, që përçahen në mes të rrugës, pasuro veten tënde, zotëro dëshirat, pavarëso veten sa më shpejt që të mundesh pasi do të vije një ditë që nëse nuk e ke kuptuar do të mallkosh veten, do të kap plogështia dhe do të kaploj zilia për arritjet e të tjerëve. Kush nuk jep fryte, ushqen mllefin nuk pranon suksesin dhe dëshpërohet pafundësisht. Nëse ke humbur të qenit qytetar, nëse nuk je i ditur, bëhu njeri, nëse nuk ke asnjërën i mjeri ti./KultPlus.com