Ç’u bë nga Shekspiri, u kontekstualizua në TKK

Getoarbë Mulliqi

(Insp. What’s done cannot be undone)

Makbethi i Shekspirit është një nga veprat më të famshme (mbase edhe të luajtura) të dramaturgut anglez, e cila shpërfaqë dhe trajton temat e fuqisë, ambicies, lakmisë dhe rënies e dilemës morale. Në qendër të saj qëndron Makbethi  një ushtar i zoti skocez, i cili është i nxitur nga profecitë e tri shtrigave dhe nga ambicia e pamëshirshme e gruas së tij, Lady Makbeth (shq. Zonjës Makbeth) për të zënë vendin e Mbretit. Kjo tragjedi pasqyron udhëtimin e tij të errët drejt krimit, tradhtisë dhe çmendurisë, ndërsa ai përpiqet të mbajë pushtetin e fituar përmes gjakut dhe intrigave.

Një aspekt i rëndësishëm i Makbethit të Shekspirit është trajtimi i pashmangshmërisë së fatit dhe mënyra se si zgjedhjet individuale i çojnë personazhet drejt rënies së tyre të paevitueshme.

Teksa Makbethi zhytet gjithnjë e më shumë në profecitë që i shkojnë për shtati dhe dhunës e cila e çon drejt çmendurisë dhe dehumanizimit të tij, ai humb kontrollin mbi jetën dhe mendjen e tij, duke mbetur një figurë e përndjekur nga ndjenja e fajit dhe frika e vazhdueshme për pushtetin e tij të pamerituar, por premtuar nga profeci shtrigash.

Makbethi sipas Qëndrim Rijanit, nga ana tjetër, sjell këtë tragjedi klasike në një kontekst bashkëkohor, duke i dhënë kësaj tragjedie një dimension që rezonon (figurativisht) me aktualitetin. Këtu përdoren elemente të theksuara vizuale dhe simbolike për të përforcuar natyrën e errët të ambicies dhe çnjerëzimit që pushteti sjell, jo vetëm në kohën dhe për kohën kur ky tekst është shkruar, por edhe në shoqërinë e sotme.

Stili dhe teknika e përdorur nga ai, e zhvendos vëmendjen nga shfaqja e pushtetit në kuptimin e tij më abstrakt, duke e lidhur këtë temë me lakminë si emocion dhe shtysë për të pamerituarën që bëhet realitet me shumë gjak, degjenerim, mjegullim të inteligjencës emocionale dhe përgjegjësisë, si dhe fuqinë e dilemës morale mbi të pamoralshmit.

“Makbethi” i Rijanit në Teatrin Kombëtar të Kosovës shfaq një vizion të përpunuar artistikisht, që vjen si rezultat i një qasjeje intuitive dhe e thellë e tij mbi këtë tragjedi. Regjia e tij përgjithësisht është karakterizuar nga një koncept që mbështetet fuqishëm mbi kontrastet. Në rastin konkret ai i sjellë në pah këto kontraste ndërmjet hijeve dhe dritës, të kaluarës dhe të tashmes, realitetit dhe reflektimit të tij në pasqyrë, duke krijuar një ndjesi të përhershme të tensionit dhe misticizmit.

Regjisori, në mënyrë mjeshtërore, i jep jetë botës së errët të Makbethit përmes përdorimit të teknikave vizuale të sofistikuara dhe një narrative që zgjon ndjenja të fuqishme te publiku.

Në këtë spektakël teatral, simbolika e festave të shfrenuara, përdoret për të reflektuar gjendjen e brendshme të personazheve, ku çdo zgjedhje e Makbethit dhe Lady Makbethit i afron më shumë drejt errësirës së tyre të brendshme.

Ky Makbeth është një përplasje e egër me pasojat e lakmisë së papërmbajtshme e ambicies së sëmurë, ku si rrjedhojë humbet sensi mbi kontrollin personal. Ky i fundit mund të identifikohet si një aspekt tjetër (nuk mund të thuhet i rastësishëm, apo?) që erdhi me një ndjeshmëri të thellë mbi aktualitetin, ku etja për pushtet shpesh është po aq destruktive dhe sikur asnjëherë e mjaftueshme.

Loja e aktorëve në këtë shfaqje nuk është vetëm një mishërim i personazheve apo përcjellje e linjave dramatike, por është një eksplorim i psikologjisë së fateve të njerëzve dhe inteligjencës emocionale.

Adrian Morina dhe Gresa Pallaska, në rolet kryesore, arrijnë të sjellin në jetë tensionin e brendshëm të Makbethit dhe Lady Makbethit në një mënyrë të tillë që i bën të duken të gjallë dhe publiku të ndjehet i familjarizuar me ta. Përkundër kontekstit historik të temës, kjo vendosje është një reflektim mbi njeriun modern dhe mënyrën se si pushteti dhe ambicia e paarsyeshme e shkatërrojnë atë, duke i dhënë tekstit  një qasje të re, më të ndërlikuar dhe më korrespoduese me publikun modern.

Aktorët e tjerë që i japin nur skenës si: Shkelzen Veseli, Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Ilire Vinca, Ismet Azemi, Semira Latifi, Tristan Halilaj, Flaka Latifi, Ermal Sadiku, Fiona Abdullahu, Basri Lushtaku, Shpejtim Kastrati e Yzeir Meha (për të mos i mbetur borxh asnjërit) të përkushtuar nëpërmjet lojës së tyre të i japin jetë tragjedisë, ndër më të njohurat, duke e kuptuar qartë misionin e transformimit kohor të ngjarjes, për ta sjellë atë tek publiku modern.

Kështu ata duke përforcuar peshën e mesazhit të fundit me një fokus të veçantë në nuancat emocionale që pasqyrohen në secilin veprim (sicker tek skenografia) i japin kuptim tërë rrjedhës së ngjarjeve që rezulton me aktin e fundit.

Në këtë shfaqje nuhatet edhe një aspekt jo shumë i ngjyruar i dilemës morale që përballon personazhi i Makbethit e që merr një tjetër përmasë pak para keqardhjes për te, pas vdekjes së zonjës së tij. Vdekja e saj, pas një rënie të thellë në çmenduri për shkak të fajit dhe dhimbjes që ndiente për krimet e tyre, e lë Makbethin të përballur jo vetëm me pasojat e veprimeve të tij, por edhe me një ndjesi të thellë të pashmangshmërisë së fatit. Këtë fat që as aromat arabe s’e mbulojnë aromën e tij.

Makbethi shfaq një indiferencë (edhe më të ftohtë se rëndom) ndaj humbjes, e pikërisht në këtë pikë, vjen në pah dilema morale e fuqisë dhe përpjekjeve të pamëshirshme për ta mbajtur atë: A ia vlen pushteti nëse sjell vetëm shkatërrim dhe vetshkatërrim? Makbethi mbetet i vetmuar, duke kuptuar që gjithçka që ka bërë nuk ka asnjë vlerë reale, duke thelluar tragjedinë e tij si një njeri i shkatërruar nga ambicia dhe faji i vet.

Duke përdorur elemente vizuale, madje edhe nëpërmjet kostumeve dhe rekuizitave, si simbolika të theksuara, aty theksohet ambicia dhe çmenduria që sjell pushteti – i cili u fitua kështu. Të gjitha këto shfaqen jo vetëm në kohën e Shekspirit, por edhe në shoqërinë e sotme dhe ajo që bie thellësisht në sy në këtë adaptim është pikërisht zhvendosja e fokusit nga përpjekjet e Makbethit për pushtet në një shqyrtim më të thellë të moralit dhe dëshpërimit, që ngjason me dilemat e tjera tragjike shekspiriane. Këtu mund të thuhet se kemi të bëjmë me një vendosje të një kokteji fatesh nëpërmjet integrimit të personazheve të tjera të Shekspirit, për të vënë më shumë dritë në drejtim të dinamikave (edhe të brendshme) të personazheve tek Makbethi.

Për shembull, marrëzia dhe konflikti i brendshëm i Makbethit shpesh mund të shihet nga aspekti i Hamletit, ndërsa ambicia dhe tirania e tij ndjek një trajektore të ngjashme me atë të Richard III. Gjithashtu, përplasja e tij (e brendshme dhe me të tjerët) me tradhtinë dhe pasojat e pushtetit mund të lidhet me Brutin nga Jul Cezari. Ndërsa më së shumti e gjejmë një Mbret Lir tek Dunkani i këtij versioni, sepse qartë janë të gdhendura elementet e çmendurisë si reflektim i gjendjes emocionale, dëshpërimit të thellë nga pamundësia për të ZHBËRË ATË QË ËSHTË BËRË, si dhe humbjen e kontrollit mbi veten (se nga fati, po se po). Kështu, ky adaptim edhe mund të shpërfaqë lidhjen me  tematikat universale të Shekspirit dhe për t’i paraqitur ato në një formë që mbetet relevante dhe sfiduese për publikun modern.

Si përfundim, kjo qasje moderne e vë në pah marrëdhënien e ndërlikuar të individit me pushtetin dhe përgjegjësinë morale, duke e bërë këtë Makbeth një pasqyrim të thellë të shoqërisë së sotme./ KultPlus.com

“Makbethi” premierë madhështore në TKK, Shekspiri gjithmonë aktual dhe i papërsëritshëm

Era Berisha

Akotrët si: Adrian Morina, Gresa Pallaska, Shkelzen Veseli, Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Ilire Vinca, Semira Latifi, Faris Berisha, Ermal Sadiku, Tristan Halilaj, Flaka Latifi, Fiona Abdullahu, Basri Lushtaku, Shpejtim Kastrati, Ismet Azemi dhe Yzeir Meha, mbrëmë mjeshtërisht kanë jetësuar premierën e shfaqjes “Makbethi” që erdhi nën regjinë fenomenale të Qëndrim Rijanit. Përshtypja se Shekspiri ishte ringjallë e po jepte në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, një pasqyrë moderne të veprës, ishte diçka që s’mund ta hiqje dot prej mendjes, shkruan KultPlus. 

Të pranishmit me padurim po hynin brenda për të zënë vendet e tyre përkatëse në sallë. E gjitha kjo për të parë një ndër kryeveprat e letërsisë botërore, të vënë në skenë. Ajo që fillimisht zuri vëmendjen e tyre, padyshim që ishte skena e mahnitshme krijuar nga Valentin Sfetozarev që përpara syve dukej gjigante, frymëmarrëse dhe aq e bukur saqë të jepte emocionin se tashmë e gjithë salla është pjesë e shfaqjes. Ashtu edhe ishte, duke marr parasysh ndërlidhjet komunikative që aktorët bënin me publikun. 

Në pozicionin e tyre përkatës, aktorët pritnin sinjalin për të vazhduar. Loja nisi fiks në orën 20:20, dhe tri magjistricat ishin të parat në qendër. Prapa tyre, pesë pasqyrat e mëdha e rritnin intensitetin e emocioneve, duke krijuar një rrebesh me drita që lëviznin pa ndalë. Ato po tregonin për një profeci. Parashikonin fatin e Makbethit (një gjeneral në ushtrinë e mbretit të Skocisë), dhe i tregojnë se një ditë ai do të bëhet mbret. Pas këtij parashikimi ai nuk resht se menduari se një ditë do të bëhet mbreti i Skocisë. “Ai humb, Makbethi fiton”, qe një ndër thëniet që përsëritej në shfaqje dhe kjo për të kuptuar botën e brendshme të rolit kryesor. 

Një luftë e përgjakshme për pushtet, është krejt ajo se çfarë fshihet edhe prapa zonjës Makbeth, e cila shpërfaq një ambicie të paparë për gjak, luftë dhe ligësi. Me një gjakftohtësi që i shihej edhe në linjat e fytyrës, ajo bind Makbethin për vrasjen e mbretit. Ndjenja e fajit, është ajo që pushton zemrën e tij, por shumë shpejtë, e keqja triumfon mbi të mirën. Në një festë të organizuar në shtëpinë e Makbethit, të ftuarit (Mbreti, dy djemtë e tij, tri magjistricat, Bankoja, Makdafi, zonja Makbeth) po pinin verë, dhe kur ora shënoi 00:00, aty u dallua tensioni në atmosferë. Muzika e kompozuar nga Trimor Dhomi, si dhe prezenca në skenë e orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, ishin pjesë kyçe të shfaqjes. Drithërimat, klithmat, bisedat, pendimet, vrasjet dhe mendimet e personazheve, nuk do të kishin efektin e njëjtë pa pjesëmarrjen e tyre. 

Kukuvajka, në distancë po lëshonte zë. Vrasja e mbretit u krye nga dy duart e Makbethit, i cili shumë shpejtë hyn në iluzione që i shfaqen në mendjen e tij. E lan fytyrën nga vepra e ndyrë që ka bërë, brenda një uji (gjaku) në ngjyrë të kaltër i cili vazhdon të rrjedhë në skenë, e bashkë me të edhe rrjedha e shfaqjes tutje. Qeshma, si simbol i vazhdimësisë së ngjarjeve gjakatare, qon përpara ndjenjën e pendesës. Për t’i larë duart, i ndihmon edhe zonja Makbeth, bashkëpunëtorja e tij në krim. “Fama, nderi, vdiq”, thotë Makbethi, por prapëseprapë ai vesh kostumin e mbretit dhe vendosë kurorën.  

Të gjithë dyshojnë fillimisht për dy djemtë e mbretit të vdekur, por ata ikin në Angli pas vdekjes së të atit. Ikja, nënkuptonte potencialisht një krim të kryer, ashtu edhe besohej për një kohë. Ngjarja vazhdon me një festë tjetër të hedhur për mbretin e ri, Makbeth. Por kurora që ka në kokë, i duket e palavdishme, pasi që ai nuk ka trashëgimtar. Nuk arrin të jetë i lumtur sepse këtë gjë e pengon ndërgjegjja e tij e cila nuk e lë të qetë nga ndjenja e fajit. Vegimet fillojnë të hyjnë në mendjen e tij si gjarpërinjtë dinakë, por kjo nuk e ndalon që ai të kryejë edhe vrasjen e shokut të tij, Bankos, dhe gjithë familjes së tij. Etja për pushtet është aq e madhe, saqë merr formë në tërësi. Ka gjak gjithandej, gjak në tokë, në gojë, në mendime dhe në akte.  

Fuqia për pushtet të gjithanshëm nuk mbaron me kaq. Ai urdhëron vrasjen e familjes së Makdafit. Vrasjet kryhen në një mënyrë mizore por vizualizisht të përgatitur mjeshtërisht për sytë e publikut. Në një xham lëvizës të mbushur me gjakun e kuq të armiqve të Makbethit, bëhet edhe vrasja e djalit të Makdafit, fryma e së cilit mbaron nën ujë, e njëkohësisht me të, vdes edhe nëna që e përjetoi vdekjen e të djalit. Tashmë, qeshma me ngjyrë (gjak) të kaltër, mbushur me ndjenjën e pendesës së parë, ka mbaruar. Tani, qeshma e dytë fillon të zbrazë gjakun e kuq dhe të njomë të vrasjeve të pamëshirshme, në skenën e TKK-së, duke simbolizuar edhe arritjen e pjesës finale të shfaqjes. 

Makdafi me të kuptuar vrasjen e kryer në shtëpinë e tij, bashkë me ndihmën e të dy djemve të mbretit të vrarë nga Makbethi, nisen për hakmarrje. Kësisoj, vjen dobësimi i personazhit të zonjës Makbeth, e cila kryen vetëvrasje, e së bashku me të na shfaqet edhe dobësimi i personazhit të vetë Makbethit, i cili e kupton se është i rrethuar nga armiq të tij, ndonëse ai e di se ndërgjegjja e tij qe gjithmonë e turbulluar nga krimet e kryera. Pasqyra në mesin e katër të tjerave ngritët lartë në skenë. Mbi të është Makbethi i cili refuzon të mposhtet. Ngritja lartë e tij në ajër tregon natyrën komplekse të Makbethit, i cili në mënyrë brilante shpërfaqi ambicien e qenies njerëzore për pushtet, që përkon njëkohësisht me ambicien aktuale të pushtetarëve gjithandej në botë. 

Kështu, krejt në fund, Makbethi “ulet poshtë”, dhe përjeton vdekjen e pastër por dramatike nga duart e armikut të tij, Makdafi. Jehon “Atdheu u çlirua” dhe me të vërtetë u çliruan edhe ndjenjat e të pranishmëve që kishin përjetuar tashmë një rrotullim emocionesh e mendimesh. 

Regjisori Qëndrim Rijani, ka shfaqur një tragjedi me pasione të forta të lakmisë së shfrenuar. Vizioni i tij modernist shfaqi shumë, por bëri që edhe të ndjehet puna e palodhshme, afatgjate dhe mirë menduar. Në anën tjetër, aktori në rolin kryesor, Adrian Morina, si shpeshherë, qartazi ishte zhytur brenda personazhit të Makbethit. Kalimi nga një trim, në çmendi, në jo-burrëri, e deri në vdekje, dëshmoi për studimin e thellë të psikologjisë së karakterit kompleks të Makbethit. Ka kohë që në Teatrin Kombëtar të Kosovës nuk është luajtur një shfaqje e tillë, e plotësuar mrekullisht në të gjitha aspektet e mundshme. Por, tanimë keni rastin ta përjetoni për dy orë e ca, “Makbeth”-in.  

Për të treguar më shumë rreth shfaqjes si dhe procesit të realizmit, për KultPlus foli regjisori Qëndrim Rijani. 

“Madhështia e veprës në fakt qëndron tek autori. Shekspiri është i madh dhe energjia e tij, shpirti i tij transmetohet tek pena e tij, dhe kësisoj edhe në gjithë botën. Ai jep mundësinë që kjo vepër gjithmonë të jetë e kohës. Nuk është se qëndron tek unë si regjisor, por ai e jep këtë mundësi. Besoj që fundja, ekziston detyra e regjisorit që çdo vepër, qoftë klasike apo antike, ta bëjë sa më afër, si përrallë atraktive tek publiku. Pra, duhet të sjellën idetë e autorit tek publiku, në mënyrë që ata ta perceptojnë. Besoj që gjithçka ka qëndruar tek forca e autorit dhe mbështetja që e kemi dhënë ne, në kontekstin regjisorial dhe aktorial. Kjo ka qenë pika me të cilën publiku u lidh më së shumti me këtë shfaqje. Ne së pari kemi bërë një rikonstruktim të dramaturgjisë së kohës kur është shkruar vepra, pastaj estetikja teatrore që e kam përdorur unë, është shumë e tanishme dhe tek ne duket risi, ngaqë nuk përdoret shumë. Kjo është mishëruar mirë me aspektin politiko-filozofik që ka vepra e Shekspirit.” 

Ndërsa, aktori Adrian Morina për KultPlus ka folur për hezitimin e tij fillimisht nga roli, e pastaj deri tek arritja e finalizimit të shfaqjes që për të është një nga projektet më të arrira në karrierë. 

“Shekspiri i madh është aktual gjithmonë, andaj është i papërsëritshëm. Natyrisht, është një nga kryeveprat e letërsisë dhe teatrit. Është ndoshta vepra më e përgjakshme e teatrit. Fatkeqësisht, bota nuk ka qenë më e përgjakshme sesa që është sot. Ndoshta nuk kemi një luftë si e para dhe e dyta, por kemi humbjen e jetës së mijëra njerëzve nëpër botë, gjithmonë vetëm për pushtet. Makbethër-it modern sot janë edhe më të dashur, sesa këta që i shihni në teatër. Këtu janë personazhe negativë dhe paralajmërojnë për krimet, por ata të sotëm, janë më të dashur, më të afër dhe e pinë gjakun shumë më shumë se ky gjak që është derdhur në këtë skenë. Besoj kjo është një kontribuim i yni për ata që vijnë dhe e shohin shfaqjen tonë, për të kuptuar pasqyrën e qartë të asaj çfarë po ndodhë dhe që ka ndodhur gjatë gjithë civilizimeve. Njeriu nuk ka mbërri me avansu. Në anënt tjetër, dua të them se personalisht, nuk më ka pëlqyer shumë vepra, gjatë kohës së studimeve, por jo për shkak të veprës, por për shkak të pikëpyetjeve që kam pasur në kokën time rreth veprës. Por, me leximin që Qëndrimi ia ka bërë kësaj vepre, ai e ka zbërthyer veprën me një skalper të kirurgut. Aq pastër vjen zbërthimi i tij saqë më ka bindë me qenë e këtij projekti. Unë se kam pa kështu Makbethin asnjëherë. Jam jashtëzakonisht i lumtur me punën që është bërë, edhe me ekipin. Kënaqësi e veçantë me qenë në skenë me profesorët tanë: Shkumbinin, Luanin dhe Iliren, me partneren në skenë, Gresën, një aktore e shkëlqyer. Besoj që me këtë ekip, me Xenin me Shpëtimin, me Tristanin, e deri tek Yzeiri që është më i riu i ekipit tonë, e kemi dhënë krejt dashninë për me realizu një shfaqje e cila për mua është një nga punët më të mira që e kam bërë ndonjëherë në karrierën time. Besoj që edhe shfaqja është një nga shfaqjet më të mira që Teatri e ka punu.” 

Ndërkaq, reprizat e shfaqjes ”Makbethi” do të vijnë me datat: 2, 3, 8 dhe 9 tetor.  

Dramaturge: Zoga Çeta Çitaku 

Kostumografe: Maca Papuçevska 

Orkestra: Filharmonia e Kosovës 

Koreograf: Artan Ibërshimi 

As. Regjisor: Erleta Rexhepi 

Video: Rehan Abdulovski 

Operator i audios: Arben Aliu 

Video operator: Bujar Bekteshi 

Inspicente: Nazmije Krasniqi 

Disejni i dritave: Mursel Bekteshi 

Shfaqja është realizuar në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës. / KultPlus.com 

E bazuar në ‘Makbeth’, së shpejti vjen shfaqja “Unë” nën regjinë e Kreshnik Musollit

Shfaqja “Unë” e bazuar në “Makbeth” të William Shakespeare, nën regjinë e Kreshnik Musollit, vjen të mërkurën në Teatrin Kombëtar, përcjell KultPlus.

Në këtë shfaqje do të performojnë: Fatmir Smani, Jeta Musolli, Muhamet Bikliqi dhe Fisnik Smani.

“Unë” nis nga ora 20:00.

Koncepti dhe Regjia: Kreshnik Musolli

Mentor: Elmaze Nura

Muzika: Antonio Vivaldi, George Frideric Handel, Jed Kurzel

Mjeshtër i ndriçimit: Sherif Sahiti

Shef skene: Aziz Maloku

Dekoraterë: Rrahman Mehmeti, Hasan Buzaku, Fatmir Avdiu

Rrobaqepës: Shemsi Avdiu

Rekuizita: Xhemail Gllavica

Dizajni: Ylli Selmani / KultPlus.com


Shfaqja “Makbeth”, një ngjarje kulturore e pazakontë në vilën e diktatorit

Shfaqja “Makbeth” me regji dhe dramaturgji nga Enton Kaca u shfaq premierë për publikun në Vilën 31, ose siç njihet ndryshe vila e diktatorit Enver Hoxha në kryeqytet.

Me praninë e një publiku të vogël në numër për shkak të kufizimeve nga COVID-19, kjo vepër e Shekspirit erdhi si produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Në rolet kryesore janë aktorët e njohur Alfred Trebicka -Makbeth, Loredana Gjeçi-Ledi Makbeth si dhe 4 aktorë ndihmës Ermela Ruri, Ismail Shino, Klejdi Metaj dhe Margent Caushi.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shprehet se është një shfaqje, që nuk duhet humbur. “Një ngjarje kulturore e pazakontë në vilën e diktatorit. “Makbeth”, një produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, me regji të Enton Kacës dhe interpretim në rolet kryesore nga Alfred Trebicka dhe Loredana Gjeci na rikthyen edhe një herë në vëmendje pasojat tragjike të lakmisë për pushtet…Një shfaqje që nuk mund ta humbisni!”, shprehet ministrja.

Kjo pjesë është rindërtuar dramaturgjikisht duke pasur parasysh vendosjen e saj në kohën e sotme dhe është menduar në një hapësirë jo konvecionale teatrore, dhe specifikisht hapësira e mundshme dhe më e përshtatshme të ishte vila 31, ish -rezidenca e diktatorit Enver Hoxha.

Shfaqja teatrale do të vijojë edhe në datat, 15, 16, 17 dhe 18 dhjetor. / KultPlus.com

Agjenti 007 kalon te Shekspiri, Daniel Craig do të luajë në ‘Makbeth’

Daniel Craig i thotë lamtumirë kostumeve të agjentit më të njohur të gjitha kohërave dhe përshëndet një nga burrat kryesorë më tragjikë të letërsisë, transmeton KultPlus.

Craig dhe Ruth Negga do të luajnë në ‘Makbeth’ në Broadway duke filluar në mars 2022. Shfaqja do të ketë një shfaqje të kufizuar prej 15 javësh.

Me filmin e fundit të ‘James Bond No Time to Die’, Craig po bënë përfundimin e kësaj epoke dhe ai ka mundësinë të marrë përsipër projekte më të reja dhe të larmishme. Craig nuk është vetëm, ai do të bashkëpunojnë me disa emra të mëdhenj në këtë projekt. Prodhuesja Barbara Brokoli është gati për këtë dramë Shekspiriane. Më parë, ajo ka prodhuar nëntë filma të ‘James Bond’ me Craig dhe Pierce Brosnan. Shfaqja do të drejtohet nga fituesi i ‘Çmimit Tony’, Sam Gold. /KultPlus.com