Udhëtimi i aktorit Adrian Morina përmes Makbethit, ikonave queer dhe distopive orwelliane: Pa frikë nga kundërshtitë me autoritetet

Era Berisha

“Nuk mund t’i shpëtoj. Është gjëja e tmerrshme që duhet të jetë.” Është një nga thëniet më të famshme që vjen nga dramaturgu i njohur amerikan, Eugene O’Neill, e që e njëjta vlen edhe për shpirtin artistik të aktorit shqiptar Adrian Morina, i cili nuk i shpëton dot teatrit, e as teatri atij. Dërrasat e teatrit i bëjnë jehonë roleve të tij dhe ai ia kthen me të njëjtën monedhë, duke e lartësuar cilësinë e aktrimit në Kosovë. Ai jetëson me qindra jetë në skenë por edhe shpesh i vret brenda natës. Karakteret që interpreton ai, rilindin me të, vdesin me të. Zemra e aktorit Morina del nga skajet e qoshes së saj mu atëherë kur të pranishme janë duartrokitjet të cilat ai i ka adhuruar qysh si fëmijë. Dhe mund ta imagjinoni se si ato skaje mund të dalin goxha si shpesh nga korridori i ngushtë ku qetësisht flenë rrahjet, shkruan KultPlus.

Kaosi i një teatri përherë do mbetet kulmi i shtëpisë së aktorëve. Pa atë kaos, ata janë si enë boshe që bëjnë shumë zhurmë. Paqen shpirtërore ata e gjejnë duke shtegtuar drejtë rolit përkatës, dialogëve, mishërimit me personazhin specifik. Publiku sheh vetëm fragmente, mirëpo aktorët me secilin rresht, secilën fjalë, jetësojnë një hije të dytë të tyren që nuk ngjan aspak me të parën. Perdet e teatrit nuk fshehin vetëm prapaskenat, por edhe hyrje-daljen e personazheve nga trupi në trup. Secili lot dhe secila e qeshur vjen nga brendësia e aktorit, mirëpo ajo është dhuntia me të cilën kanë lindur dhe me të cilën do të vallëzojnë gjer në fund. Po u bëre njëherë aktor, nuk ka më kthim prapa sepse profesioni të ngreh zvarrë nga këmbët dhe të detyron t’i përulesh hyjnisë së teatrit.

Teatri, një vend i shenjtë që kanë të drejtë njëkohësisht ta duan e edhe ta urrejnë vetëm aktorët. Sa herë që ekziston mundësia për të përjetuar artin e aktorit Morina, në sytë e tij dallohen qartazi netët pa gjumë, stuhitë e skenarëve dhe djersët e provave të shumta. Por, e gjitha ajo zhduket në momentin që shpirti i tij farkëtohet me zjarrin e roleve të cilat digjen dalëngadalë në skenë. Aktori Morina ka skalitur disa nga rolet më të veçanta që kam pasur rastin t’i shoh, vëzhgoj e admiroj. ”Makbethi”, “1984”, “Kamarja e turpit”, “Unë jam vetë grua”, “Fausti”, “The Handke Project”, “Inspektor Limi” dhe në “Stiffler”, ai skalitë këndshëm qëndrueshmërinë, guximin dhe perfeksionin. Nga shfaqja në shfaqje, ai po e gdhend përgjithmonë emrin e tij në artin teatral.

Aktori Morina bëhet një me secilin rol njashtu sikurse pikon vesa e mëngjesit në qiell. Ai dhe rolet e tij janë të pandashëm, lidhen e zgjidhen si penjtë mes vete. Ai i shkrin të gjitha rolet sikurse dielli që lëshon butësisht sytë e tij të zjarrtë në sfondin qiellor. Atij i duhet që të rrëshqasë çdo ditë në lëkurën e dikujt tjetër, vetëm e vetëm për të shfaqur personazhe që herë janë të përballueshëm e herë jo. Të cilësuara si role “të mira” apo “të këqija”, nuk ka fort rëndësi, pasi që aktori Morina të dy versionet arrin t’i sjellë nëpërmjet një identiteti unik që bie lehtazi mbi skenë, si rënia e një gjetheje vjeshte. Dhe në atë rënie, përjetohet i gjithë thelbi i ëndrrës, frikës, dëshirës dhe gjithë ndjenjat e tjera që një personazh i caktuar ka për detyrë t’i shfaq.

Përmbushjen aktori Morina e arrin nga roli në rol, nga një ritëm tek tjetri. Herë është një luftëtar, herë një hero, herë një “gjarpër”, herë një dështak, herë një triumfues, herë vetë “djalli”. Kjo është ajo sublimja që ai arrin ta shpalosë me secilën frymë që e lëshon. Në mesin e rreshtave, secili aktor mund ta gjejë edhe vetën, mirëpo esenca qëndron tek ekuilibri që nuk e identifikon kufirin mes realitetit dhe jo-realitetit. Pulsi unik i personazheve të luajtura nga aktori Morina formohet nëpërmjet lëvizjeve, fjalëve e edhe nga kërcitja e linjave të ballit. Ai pikturon shpesh portrete të cilat ngjallen në jetë nëpërmjet një brushe që tokëzon momente. Sikurse një kameleon vjen arti i aktorit Morina që zgjon buzëqeshje të pafundme në fytyrat brenda audiencës. Ai lëviz në mënyrë të tillë ku nuk njihet kufiri mes skenës dhe shpirtit.

Në këtë intervistë për KultPlus, aktori Morina ka treguar se dashurinë për teatrin, filmin, artin, të bukurën, nuk e ka paramenduar ta përjetojë. Ai akoma nuk e di se pse i ka këto dashuri në jetë dhe për çfarë arsye. Ai beson thellë se këto dashuri thjeshtë ndodhin rastësisht, pëlqehen papritmas dhe të rrëmbejnë në çast.

“Mbaj mend fluturat që i ndjeja brenda. Mund të më kujtohet çasti por nuk mund ta shpjegoj pse? Mbaj mend magjinë e ekranit të madh në Kino Bahqe Lumbardhi, në vitin 1986, tek po shihja, bashkë me prindërit, filmin “Rojet e mjegullës”, të profesorit Isa Qosja. Aty doja të isha unë. Në atë moment. Doja të isha heroi njëjtë si axha Xhevat Qorraj që po e shihja. I doja duartrokitjet. E doja publikun. Ishin shumë më shumë sesa publiku im (prindërit dhe familjarët) kur recitoja, këndoja, e imitoja para televizorit. E mbaj mend se nga ajo natë nuk kam reshtur së ëndërruari për ekranin e madh dhe botën e madhe të artit duke përfunduar “tragjikisht” në teatër. Teatri është bota më e madhe dhe arti më i shenjtë”, thotë ai.

Sipas tij, në ambientin e vendin në të cilin jetojmë, nuk ekziston një prodhimtari edhe aq e madhe apo një treg në të cilin ke mundësi të thuash shpesh jo, e aq më pak kur gjendesh në fillet e karrierës apo kur mezi pret të angazhohesh në provime studentore ose projekte teatrore.

“Si i ri nuk është se ke një gjykim për veprat të cilat je pjesë. Shto kësaj edhe pjesën financiare e cila jo vetëm si artist i ri por të përcjellë fatkeqësisht gjithë jetën në botën teatrore. Andaj mundësia për të thënë jo është e kushtëzuar shumë prej këtyre faktorëve. Ndërsa, sot, në projektet brenda Teatrit Kombëtar është e vështirë të thuash jo për shkak se repertori është i verifikuar dhe gjithnjë ambicioz. Inskenohen vepra të autorëve botërorë të cilat i kanë kaluar filtrat e dramaturgjisë botërore e lëre më të mijat. Ndodhë ndonjëherë që për shkak të angazhimeve të shumta, orareve që ndeshen mes vete me projekte tjera brenda TKK-së, të mos bëhemi pjesë e ndonjë shfaqjeje, besa ndonjëherë edhe për të mos u bërë i “tepërt”. Ndërsa për shfaqjet tjera brenda dhe jashtë vendit kryesisht kam dëshirë të jem pjesë e shfaqjeve të angazhuara. Shfaqjeve që ngrenë shumë tema, pyetje, pikëpyetje. Shfaqje të cilat u japin zë e forcë të pazëve dhe të pafuqishmëve. Teatër i drejtpërdrejtë. I guximshëm. Fatkeqësia është se nuk kemi shumë kompani e produksione private. Por, përpiqem të jem pjesë e projekteve prapa të cilave qëndroj jo vetëm si aktor i angazhuar por edhe si artist edhe qytetar”, tregon Morina.

Dhe, kur flasim për hezitimet për të marr mbi supe një rol, aktori Morina tregon se ka shumë faktorë të tjerë të cilat ai i shikon para se të synojë një angazhim të tijin.

“Përveç tekstit që është bazë e fortë, themel, për një shfaqje të mirë, janë edhe shumë faktorë të tjerë të cilët i duhen projektit për të qenë në nivel të cilin unë e synoj në cilindo angazhim. Drama, romani, teksti mund të jetë shumë i mirë si letërsi por pa një ekip të mirë, vështirë të bëjmë një shfaqje të mirë. Regjisori/ja është “komandanti/ja” që udhëheq “luftën”. Secila betejë prej përzgjedhjes së tekstit e deri te “përfundimi i luftës”, premiera, kërkon shumë dije, përkushtim, investim e shumë dashuri. Betejën e parë, si aktor, kryesisht e kam me regjisorin/en. Shumë pyetje, analiza, parapërgatitje deri në momentin e Po-së. Dhe në këtë pikë jam shumë i vështirë. Disa herë edhe i tepërt e shpeshherë edhe naiv në pyetjet dhe përgjigjet që pres t’i kem të zgjidhura para fillimit të shfaqjes. Në momentin që bindem atëherë vetëm i ndez motorët dhe investohem pafundësisht për të fituar betejat e pastaj edhe luftën. Me përvojën bëhet gjithnjë e më e vështirë. E vështirë sepse ke çfarë të rrënosh në karrierë në krahasim kur je fillestar e të falen gabimet. Vetëm tani arrij ta kuptoj frikën e mjeshtrit Istref Begolli i cili me gjithë atë përvojë kishte frikë të luante shfaqje e lëre më të përzgjidhte role”, rrëfen Morina.

“Makbethi”

Në të shumtën e shfaqjeve në të cilat ka luajtur aktori Morina, shpesh personazhet kanë qenë secili më i ndërlikuar se tjetri dhe ai akoma nuk e beson se si e ka gjetur guximin për t’i luajtur ato në skenë.

“Tani kur e lexoj pyetjen tuaj them si kam pasur guxim ti pranoj këto role? Si kam besuar se do t’ia dal? Si do t’i bëj këto role të vlerësohen? Ku është gjithë ajo kurajë? Prej nga gjithë energji? Po flasim për disa kryevepra të dramaturgjisë. Por, ekziston një besim që e kanë regjisorët kur më përzgjedhin për punë. Ata marrin parasysh analizën dhe investimin e madh në zbërthimin e roleve, përkushtimin dhe dedikimin që kam për punë. Me dashurinë e pashtershme që kam për teatrin, besoj se arrij të realizoj me sukses rolet në shfaqjet që angazhohem. Megjithatë, meritë kryesore kanë regjisorët dhe kolegët të cilëve u jam falënderues përgjithmonë”, thotë Morina, i cili tutje tregon se rolin e Makbethit nuk e arriti ta kuptonte pa leximin dhe zbërthimin cezarian që ia ka bërë regjisori Rijani, as rolin e Obrienit në 1984-shin nuk do e bënte pa insistimin e një “Adriani” ndryshe nga regjisori Mendjiski, as rolin e Mefistos së padjallëzuar e të paklishezuar nuk do e kishte bërë pa analizën psiko-filozofike të regjisorit Hysaj, as rolin e Mahlsdorfit nuk do e bënte pa luftën e madhe që e ka bërë regjisori Kushtrim Koliqi për të drejtat e njeriut, e as Handken nuk do e bënte pa guximin dhe kurajën e Blertës dhe Jeton Nezirajt.

Por, mbi të gjitha, ai gjithë këto role nuk do të mundte t’i realizonte pa përkrahjen e familjes, kolegëve, punëtorëve teknik dhe publikut.

Dhe, kur jemi tek pjesa e të mbajturit në mend të gjitha tekstet e të gjithë atyre personazheve që një aktor i rijetëson në skenë, atëherë aktori Morina na ka thënë se përgjegjësia për mësimin e tekstit është akoma më e madhe tani sepse nuk ka kush të ndihmon dot, por, për të kjo nuk është ndonjë vështirësi e potencuar.

“Në të shkuarën në teatër një rol të rëndësishëm kishin pëshpëritësit që vështirë se gjenden nëpër teatro sot. Më shumë janë si pjesë e menaxherëve të skenës. Ndaj edhe përgjegjësia për mësimin e tekstit është edhe më e madhe tani sepse nuk ke nga kush të kërkosh ndihmë. Personalisht, nuk e kam aspak problem mbamendjen e tekstit e sidomos mbamendjen vizuale e cila ndihmon shumë edhe mbajtjen në mend të tekstit. Për kuriozitet, dua të tregoj se gjatë vitit 2023 kam luajtur në 11 shfaqje të ndryshme të cilat jetojnë edhe sot. Disa prej tyre edhe pas 10 vitesh nga premiera”, rrëfen Morina.

Sipas tij, secila shfaqje, secili rol, secila ngjarje që ndodhë në jetë, është një pasuri më vete. Është diçka nga të cilat mëson shumë dhe është diçka që gjithnjë ndryshon, andaj dhe veçimi i një roli specifik është tejet i vështirë, por secili rol i ka mësuar atij diçka të cilën e mban afër vetes dhe e tregon me një lehtësi të dukshme.

“Kjo është e bukura e artit. Sado që ti beson se po ndryshon veten për realizim sa më të mirë të rolit, po aq i vërtetë është edhe ndryshimi yt si njeri. Dhe këtë e çmoj në teatër dhe jam falënderues. Është vështirë të dalloj ndonjërin prej roleve nga kam nxjerrë mësimin më të madh. Llojllojshmëria e roleve që kam luajtur më ka mësuar se cili është “faji” kur ke ngjyrë tjetër lëkure; pse duhet të “turpërohesh” për besimin tënd; pse duhet të gurëzojnë, shajnë e poshtërojnë kur ti i përket komunitetit “Lgbtiq+”; pse duhet t’i vendosësh gishtin kokës kur je në anën e shumicës; se më i fortë je kur të luftosh i vetëm si doktor Stockmani i Armikut të popullit; pse Rocknrrolli i çmend diktatorët; e deri te liria e cila s’mund të merret si e mirëqenë, andaj dhe po e humbasim përditë”, thotë Morina.

“The Handke Project”

Ai është gjithmonë falënderues ndaj faktit që i është dhënë mundësia që në karrierën e tij, të jetë pjesë e shumë projekteve të ndryshme, nga to edhe disa nga kryeveprat më të bukura të letërsisë. Dhe, ai nuk di se si ta quaj këtë ndodhi përpos “fat në jetë”.

“Asnjëherë nuk kam guxuar të ëndërroj për Makbethin, Mefiston e “Faustit”, Obrien e “1984”, Malvolion nga “Nata e dymbëdhjetë”, Charlote von Mahlsdorf te “Unë jam vetë grua” etj. Dhe, as të jem pjesë e projekteve shumë të suksesshme si “Demolimi i Kullës së Ajfelit”, “The Handke project”, me të cilat u prezantuam në festivalet më të rëndësishme të Evropës dhe botës. Meqenëse pyetja juaj është insistuese, po e them atë që ma thonë miqtë dhe kolegët, se një rol që duhet ta luaj deri në fund të jetës, për të cilin edhe jam shpërblyer nga Ministria e Kulturës si ‘Aktori më i mirë i vitit 2020’ është “Unë jam vet grua”, jo vetëm për rolin që kam bërë por edhe për temën që trajton shfaqja por edhe për shkak se është monodramë dhe gjithçka varet vetëm prej meje. Mbase do ta luaj për aq sa kam “takat””, thotë Morina.

Aktori që Morina e dëshiron, përpiqet dhe ëndërron të jetë, është individi që përdor profesionin e tij si një mjet për të dhënë një mesazh shoqëror, politik ose kulturor. Pra, jo një aktor që është thjesht një interpretues rolesh, por një zë i fuqishëm që angazhohet për të ngritur ndërgjegjësimin mbi çështje që janë të rëndësishme për shoqërinë. Aktori që ai dëshiron të jetë, është ai që angazhohet në forma të ndryshme të veprimit, përmes performancave që shkelin normat e zakonshme të sjelljes ose që përfshijnë mesazhe të drejtpërdrejta, shpesh duke i dhënë një sens të fortë politik veprave të tyre.

“Ai aktor që unë synoj duhet të përdorë çdo mundësi që na jep profesioni për të bërë thirrje për ndryshim, të mbështesim kauza shoqërore, dhe të denoncojmë padrejtësitë, qoftë nëpërmjet dramës, filmit, ose angazhimeve publike. Aktori që unë ëndërroj të jem nuk duhet të frikësohet nga pasojat që mund të sjellin kundërshtitë me autoritetet, dhe shpesh vendos të flasë me guxim edhe kur kjo rrezikon karrierën e tij. Në thelb, duhet të jetë një individ që përdor artin dhe aftësitë e tij për të përfshirë publikun në një diskutim të thellë mbi çështje që kanë të bëjnë me drejtësinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut, duke i dhënë artit një rol aktiv dhe transformues në shoqëri”, tregon ai.

“Fausti”

Së fundmi, aktori Morina ka fituar Çmimin Vjetor për Aktorin më të Mirë në fushën e Teatrit për rolin e Mefistifelit në shfaqjen “Fausti” dhe rolin e O’Brien në shfaqjen “1984”. Por, këto çmime asnjëherë nuk kanë qenë diçka primare për të, dhe kjo do të vlejë edhe për çfarëdo çmimi tjetër.

“Jo se jam kundër çmimeve por nuk besoj se të bëjnë aktor më të mirë çmimet. Nuk ta pasurojnë e përmbushin botën shpirtërore. Nuk të bëjnë njeri më të mirë. Përkundrazi, disa edhe i dehumanizojnë prandaj edhe kam pas frikë se në ndjekje të çmimeve do e humbas vetveten. Por, si thonë në popull “Atë që e don më së paku, ajo të gjen”. E vërtetë se jam shpërblyer me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare. Herë individualisht e herë kolektivisht. Fëmijët dhe bashkëshortja ma kanë bërë një kabinet të vogël për çmimet. Veçanërisht, fëmijët kënaqen me to. Nuk them se nuk jam mirënjohës dhe falënderues ndaj atyre të cilët më kanë vlerësuar me çmime, por, më shumë jam i lumtur kur më përzgjedhin të punoj sërish dhe sërish dhe sërish. Ky është shpërblimi më i madh”, thotë Morina.

Sipas tij, repertorët e teatrove në Kosovë, kryesisht, janë të kushtëzuara për shkak të buxheteve të limituara e të pamjaftueshme. Andaj dhe nuk ekziston mundësia që të prodhohen projekte afatgjate.

“E kemi Pejën në renovim që 3 vite, Prizreni 2 vite, Mitrovica ka qenë e mbyllur afër dy vite e deri tek Teatri Kombëtar i Kosovës që është jashtë objektit të tij tash e gati 3 vite dhe siç po shihet do të zgjasë shumë. Paradoksalisht, Teatri i vetëm që ka mundësi financiare dhe artistike zhvillon veprimtarinë e tij në një vend të improvizuar në Pallatin e Rinisë. Pra, nuk ka mundësi të prodhojë projekte me ato mundësitë financiare që i ka, ndërsa, ato të qyteteve kanë hapësira por nuk kanë mjete. Repertorët janë të varfra, kryesisht të atypëratyshme, pa një plan afatgjatë dhe vizion të qartë. Por, të jemi të sinqertë, teatrot tona janë teatro të reja dhe natyrshëm duhet kohë e procese për të arritur atje ku do të duhej. Teatri Kombëtar me gjithë të metat e veta arrin të prezantoj një repertor vjetor me 5 deri në 7 premiera dhe bashkëprodhime ndërkombëtare që kanë filluar këto vitet e fundit. Pavarësisht trupës së vogël prej 21 aktorësh, arrijmë të luajmë rreth 150 repriza në kalendarin vjetor. Duke qenë institucioni më i vjetër teatror e kulturor në vend, megjithatë, ecën përpara pavarësisht sfidave”, shpalos Morina.

“Unë jam vetë grua”

Aktori Morina gjithashtu na tregoi për vështirësitë në të cilat haset ai si aktor në Teatrin Kombëtar të Kosovës, dhe në përgjithësi. Por, nuk lë anash pa përmendur edhe fajin që e ka MKRS mbi rrjedhën e punës në TKK.

“Vështirësitë janë të shumta por janë motivuese. Na bëjnë më të fortë dhe na shtyjnë të punojmë më fortë për t’i tejkaluar. Çfarë na merr shumë kohë e që fatkeqësisht nuk varet prej nesh, janë problemet e përzgjedhjes së njerëzve jo të duhur në pozitat e duhura. Dhe, këtu fillon lëshimi pastaj që kur e tërheq fijen, dalim deri te politika. Politika është ajo që e bën lëmshin. I përkasim një gjenerate e cila është dashur të angazhohet e humb energji për zgjidhjen e secilit problem në teatër e jetën teatrore, Ligje, rregullore, themelim institucionesh, akte ligjore, zgjidhje për problemeve banale me ujin, wc-të, kanalizimet në teatër, renovimet, pagat, mungesën e buxheteve, protestat e deri te greva në të cilën jemi prapë për shkak të politikës së gabuar të Ministrisë së Kulturës ndaj TKK-së dhe mosvlerësimit të aktorëve të TKK-së. Po të harxhonim secili prej nesh gjithë energjinë në punën tonë, do të ishim në pozitë shumë të mirë edhe ne edhe shteti. Aktorët do të ishin aktorë ndërsa politikanët nuk do të ishin yje por shërbëtor siç kërkojnë të jenë”, thotë ai.

Në anën tjetër, ai beson se është e vështirë që në pozicionin e aktorit, të bëhet përzgjedhja se në cilën shfaqje do kishte dëshirë apo ëndërr që një aktor të luante.

“Duke qenë vetëm në pozicionin e aktorit, në pozitën ku ti përzgjidhesh dhe nuk përzgjedh, është e vështirë të planifikosh shumë për rolet të cilat do të doje t’i luaje. Shfaqjet varen shumë nga menaxhmentet e teatrove të cilat duhej të ishin përgjegjëse për të realizuar shfaqje për karakteristikat e trupave që zotërojnë dhe temave në interes të publikut. Po të varej nga unë, sigurisht se do ti jepja përparësi dramës origjinale, teksteve me porosi, teatrit politik. Si aktor do të doja të isha pjesë e “Mjeshtri dhe Margarita”, “Opera e lypsarëve”, “Corolianus”, “Lolita”, “Ditari i një të çmenduri”, “Bali” e të tjerë”, tregon Morina.

“Stiffler”

Krejt në fund, këtë intervistë e përmbyllëm me bisedën rreth projektit të fundit të aktorit Morina, i cili sapo ka përfunduar premierën e një bashkëprodhimi mes Tiranës dhe Prishtinës mbi shfaqjen “Të turpëruarit”, që erdhi nën regjinë e Altin Bashës.

Ndërsa, viti 2025 po e pret aktorin Morina me dy ftesa për shfaqje që i kanë ardhur nga Tirana. Njërën, ai do ta realizoj në fillim të vitit dhe për tjetrën nodhen akoma në dakordim e sipër. Për momentin, ai është duke punuar për projektin “Streha e të nemunave” me regjisorin Ilir Bokshi, e që shumë shpejtë pritet të jetë premierë në pjesën e parë të vitit 2025. Dhe, në pjesën e dytë të vitit 2025, do të nisë një bashkëpunim teatror e ndërkombëtar, premiera e të cilit do të bëhet në fillim të vitit 2026. Pra, aktorin Adrian Morina po e presin shumë punë përpara, ashtu siç jemi mësuar ta shohim përherë; të angazhuar për teatrin, fizikisht e emocionalisht, me tërë qenien e tij./ KultPlus.com

“Inspektor Limi”

“Makbethi” premierë madhështore në TKK, Shekspiri gjithmonë aktual dhe i papërsëritshëm

Era Berisha

Akotrët si: Adrian Morina, Gresa Pallaska, Shkelzen Veseli, Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Ilire Vinca, Semira Latifi, Faris Berisha, Ermal Sadiku, Tristan Halilaj, Flaka Latifi, Fiona Abdullahu, Basri Lushtaku, Shpejtim Kastrati, Ismet Azemi dhe Yzeir Meha, mbrëmë mjeshtërisht kanë jetësuar premierën e shfaqjes “Makbethi” që erdhi nën regjinë fenomenale të Qëndrim Rijanit. Përshtypja se Shekspiri ishte ringjallë e po jepte në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, një pasqyrë moderne të veprës, ishte diçka që s’mund ta hiqje dot prej mendjes, shkruan KultPlus. 

Të pranishmit me padurim po hynin brenda për të zënë vendet e tyre përkatëse në sallë. E gjitha kjo për të parë një ndër kryeveprat e letërsisë botërore, të vënë në skenë. Ajo që fillimisht zuri vëmendjen e tyre, padyshim që ishte skena e mahnitshme krijuar nga Valentin Sfetozarev që përpara syve dukej gjigante, frymëmarrëse dhe aq e bukur saqë të jepte emocionin se tashmë e gjithë salla është pjesë e shfaqjes. Ashtu edhe ishte, duke marr parasysh ndërlidhjet komunikative që aktorët bënin me publikun. 

Në pozicionin e tyre përkatës, aktorët pritnin sinjalin për të vazhduar. Loja nisi fiks në orën 20:20, dhe tri magjistricat ishin të parat në qendër. Prapa tyre, pesë pasqyrat e mëdha e rritnin intensitetin e emocioneve, duke krijuar një rrebesh me drita që lëviznin pa ndalë. Ato po tregonin për një profeci. Parashikonin fatin e Makbethit (një gjeneral në ushtrinë e mbretit të Skocisë), dhe i tregojnë se një ditë ai do të bëhet mbret. Pas këtij parashikimi ai nuk resht se menduari se një ditë do të bëhet mbreti i Skocisë. “Ai humb, Makbethi fiton”, qe një ndër thëniet që përsëritej në shfaqje dhe kjo për të kuptuar botën e brendshme të rolit kryesor. 

Një luftë e përgjakshme për pushtet, është krejt ajo se çfarë fshihet edhe prapa zonjës Makbeth, e cila shpërfaq një ambicie të paparë për gjak, luftë dhe ligësi. Me një gjakftohtësi që i shihej edhe në linjat e fytyrës, ajo bind Makbethin për vrasjen e mbretit. Ndjenja e fajit, është ajo që pushton zemrën e tij, por shumë shpejtë, e keqja triumfon mbi të mirën. Në një festë të organizuar në shtëpinë e Makbethit, të ftuarit (Mbreti, dy djemtë e tij, tri magjistricat, Bankoja, Makdafi, zonja Makbeth) po pinin verë, dhe kur ora shënoi 00:00, aty u dallua tensioni në atmosferë. Muzika e kompozuar nga Trimor Dhomi, si dhe prezenca në skenë e orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, ishin pjesë kyçe të shfaqjes. Drithërimat, klithmat, bisedat, pendimet, vrasjet dhe mendimet e personazheve, nuk do të kishin efektin e njëjtë pa pjesëmarrjen e tyre. 

Kukuvajka, në distancë po lëshonte zë. Vrasja e mbretit u krye nga dy duart e Makbethit, i cili shumë shpejtë hyn në iluzione që i shfaqen në mendjen e tij. E lan fytyrën nga vepra e ndyrë që ka bërë, brenda një uji (gjaku) në ngjyrë të kaltër i cili vazhdon të rrjedhë në skenë, e bashkë me të edhe rrjedha e shfaqjes tutje. Qeshma, si simbol i vazhdimësisë së ngjarjeve gjakatare, qon përpara ndjenjën e pendesës. Për t’i larë duart, i ndihmon edhe zonja Makbeth, bashkëpunëtorja e tij në krim. “Fama, nderi, vdiq”, thotë Makbethi, por prapëseprapë ai vesh kostumin e mbretit dhe vendosë kurorën.  

Të gjithë dyshojnë fillimisht për dy djemtë e mbretit të vdekur, por ata ikin në Angli pas vdekjes së të atit. Ikja, nënkuptonte potencialisht një krim të kryer, ashtu edhe besohej për një kohë. Ngjarja vazhdon me një festë tjetër të hedhur për mbretin e ri, Makbeth. Por kurora që ka në kokë, i duket e palavdishme, pasi që ai nuk ka trashëgimtar. Nuk arrin të jetë i lumtur sepse këtë gjë e pengon ndërgjegjja e tij e cila nuk e lë të qetë nga ndjenja e fajit. Vegimet fillojnë të hyjnë në mendjen e tij si gjarpërinjtë dinakë, por kjo nuk e ndalon që ai të kryejë edhe vrasjen e shokut të tij, Bankos, dhe gjithë familjes së tij. Etja për pushtet është aq e madhe, saqë merr formë në tërësi. Ka gjak gjithandej, gjak në tokë, në gojë, në mendime dhe në akte.  

Fuqia për pushtet të gjithanshëm nuk mbaron me kaq. Ai urdhëron vrasjen e familjes së Makdafit. Vrasjet kryhen në një mënyrë mizore por vizualizisht të përgatitur mjeshtërisht për sytë e publikut. Në një xham lëvizës të mbushur me gjakun e kuq të armiqve të Makbethit, bëhet edhe vrasja e djalit të Makdafit, fryma e së cilit mbaron nën ujë, e njëkohësisht me të, vdes edhe nëna që e përjetoi vdekjen e të djalit. Tashmë, qeshma me ngjyrë (gjak) të kaltër, mbushur me ndjenjën e pendesës së parë, ka mbaruar. Tani, qeshma e dytë fillon të zbrazë gjakun e kuq dhe të njomë të vrasjeve të pamëshirshme, në skenën e TKK-së, duke simbolizuar edhe arritjen e pjesës finale të shfaqjes. 

Makdafi me të kuptuar vrasjen e kryer në shtëpinë e tij, bashkë me ndihmën e të dy djemve të mbretit të vrarë nga Makbethi, nisen për hakmarrje. Kësisoj, vjen dobësimi i personazhit të zonjës Makbeth, e cila kryen vetëvrasje, e së bashku me të na shfaqet edhe dobësimi i personazhit të vetë Makbethit, i cili e kupton se është i rrethuar nga armiq të tij, ndonëse ai e di se ndërgjegjja e tij qe gjithmonë e turbulluar nga krimet e kryera. Pasqyra në mesin e katër të tjerave ngritët lartë në skenë. Mbi të është Makbethi i cili refuzon të mposhtet. Ngritja lartë e tij në ajër tregon natyrën komplekse të Makbethit, i cili në mënyrë brilante shpërfaqi ambicien e qenies njerëzore për pushtet, që përkon njëkohësisht me ambicien aktuale të pushtetarëve gjithandej në botë. 

Kështu, krejt në fund, Makbethi “ulet poshtë”, dhe përjeton vdekjen e pastër por dramatike nga duart e armikut të tij, Makdafi. Jehon “Atdheu u çlirua” dhe me të vërtetë u çliruan edhe ndjenjat e të pranishmëve që kishin përjetuar tashmë një rrotullim emocionesh e mendimesh. 

Regjisori Qëndrim Rijani, ka shfaqur një tragjedi me pasione të forta të lakmisë së shfrenuar. Vizioni i tij modernist shfaqi shumë, por bëri që edhe të ndjehet puna e palodhshme, afatgjate dhe mirë menduar. Në anën tjetër, aktori në rolin kryesor, Adrian Morina, si shpeshherë, qartazi ishte zhytur brenda personazhit të Makbethit. Kalimi nga një trim, në çmendi, në jo-burrëri, e deri në vdekje, dëshmoi për studimin e thellë të psikologjisë së karakterit kompleks të Makbethit. Ka kohë që në Teatrin Kombëtar të Kosovës nuk është luajtur një shfaqje e tillë, e plotësuar mrekullisht në të gjitha aspektet e mundshme. Por, tanimë keni rastin ta përjetoni për dy orë e ca, “Makbeth”-in.  

Për të treguar më shumë rreth shfaqjes si dhe procesit të realizmit, për KultPlus foli regjisori Qëndrim Rijani. 

“Madhështia e veprës në fakt qëndron tek autori. Shekspiri është i madh dhe energjia e tij, shpirti i tij transmetohet tek pena e tij, dhe kësisoj edhe në gjithë botën. Ai jep mundësinë që kjo vepër gjithmonë të jetë e kohës. Nuk është se qëndron tek unë si regjisor, por ai e jep këtë mundësi. Besoj që fundja, ekziston detyra e regjisorit që çdo vepër, qoftë klasike apo antike, ta bëjë sa më afër, si përrallë atraktive tek publiku. Pra, duhet të sjellën idetë e autorit tek publiku, në mënyrë që ata ta perceptojnë. Besoj që gjithçka ka qëndruar tek forca e autorit dhe mbështetja që e kemi dhënë ne, në kontekstin regjisorial dhe aktorial. Kjo ka qenë pika me të cilën publiku u lidh më së shumti me këtë shfaqje. Ne së pari kemi bërë një rikonstruktim të dramaturgjisë së kohës kur është shkruar vepra, pastaj estetikja teatrore që e kam përdorur unë, është shumë e tanishme dhe tek ne duket risi, ngaqë nuk përdoret shumë. Kjo është mishëruar mirë me aspektin politiko-filozofik që ka vepra e Shekspirit.” 

Ndërsa, aktori Adrian Morina për KultPlus ka folur për hezitimin e tij fillimisht nga roli, e pastaj deri tek arritja e finalizimit të shfaqjes që për të është një nga projektet më të arrira në karrierë. 

“Shekspiri i madh është aktual gjithmonë, andaj është i papërsëritshëm. Natyrisht, është një nga kryeveprat e letërsisë dhe teatrit. Është ndoshta vepra më e përgjakshme e teatrit. Fatkeqësisht, bota nuk ka qenë më e përgjakshme sesa që është sot. Ndoshta nuk kemi një luftë si e para dhe e dyta, por kemi humbjen e jetës së mijëra njerëzve nëpër botë, gjithmonë vetëm për pushtet. Makbethër-it modern sot janë edhe më të dashur, sesa këta që i shihni në teatër. Këtu janë personazhe negativë dhe paralajmërojnë për krimet, por ata të sotëm, janë më të dashur, më të afër dhe e pinë gjakun shumë më shumë se ky gjak që është derdhur në këtë skenë. Besoj kjo është një kontribuim i yni për ata që vijnë dhe e shohin shfaqjen tonë, për të kuptuar pasqyrën e qartë të asaj çfarë po ndodhë dhe që ka ndodhur gjatë gjithë civilizimeve. Njeriu nuk ka mbërri me avansu. Në anënt tjetër, dua të them se personalisht, nuk më ka pëlqyer shumë vepra, gjatë kohës së studimeve, por jo për shkak të veprës, por për shkak të pikëpyetjeve që kam pasur në kokën time rreth veprës. Por, me leximin që Qëndrimi ia ka bërë kësaj vepre, ai e ka zbërthyer veprën me një skalper të kirurgut. Aq pastër vjen zbërthimi i tij saqë më ka bindë me qenë e këtij projekti. Unë se kam pa kështu Makbethin asnjëherë. Jam jashtëzakonisht i lumtur me punën që është bërë, edhe me ekipin. Kënaqësi e veçantë me qenë në skenë me profesorët tanë: Shkumbinin, Luanin dhe Iliren, me partneren në skenë, Gresën, një aktore e shkëlqyer. Besoj që me këtë ekip, me Xenin me Shpëtimin, me Tristanin, e deri tek Yzeiri që është më i riu i ekipit tonë, e kemi dhënë krejt dashninë për me realizu një shfaqje e cila për mua është një nga punët më të mira që e kam bërë ndonjëherë në karrierën time. Besoj që edhe shfaqja është një nga shfaqjet më të mira që Teatri e ka punu.” 

Ndërkaq, reprizat e shfaqjes ”Makbethi” do të vijnë me datat: 2, 3, 8 dhe 9 tetor.  

Dramaturge: Zoga Çeta Çitaku 

Kostumografe: Maca Papuçevska 

Orkestra: Filharmonia e Kosovës 

Koreograf: Artan Ibërshimi 

As. Regjisor: Erleta Rexhepi 

Video: Rehan Abdulovski 

Operator i audios: Arben Aliu 

Video operator: Bujar Bekteshi 

Inspicente: Nazmije Krasniqi 

Disejni i dritave: Mursel Bekteshi 

Shfaqja është realizuar në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës. / KultPlus.com